Kerko: a
Entela Binjaku: Shoqata Kulturore “Arumunët e Shqipërisë” nderon kontribuesit në vite
E diele, 10.11.2019, 03:46 PM
Shoqata Kulturore “Arumunët e Shqipërisë” nderon kontribuesit në vite
Nga
Entela Binjaku
21
tetori i vitit 1991 është edhe viti i themelimit të Shoqatës Kulturore
“Arumunët e Shqipërisë”. Në nderim të kësaj date dhe në vijimësi të aktivitetit
të saj, shoqata organizoi këtë fillim nëntori një takim ku morën pjesë
aktivistë, anëtarë dhe drejtues të degëve në rrethe.
I
pranishëm në takim ishte edhe përfaqësuesi më i lartë i Rumanisë në vendin tonë
Ambasadori SH.T. Mircea Perpelea, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë z. Ervin
Bushati, konsulli i Rumanisë në Korçë Elvis Toçi, drejtuesi i shoqatës “Nikolla
Jorga” Pano Bakalli etj. Takimi nisi me një minutë heshtje për të gjithë
kontribuesit në vite që janë ndarë nga jeta.
Në
programin e këtij takimi ishte paraqitja e tre botimeve të reja nga të cilat dy
libra në poezi dhe prozë të autorit Ligor Thano dhe përkthimi i romanit me
titull “Sokrat Buba” i autorit Thanas Medi nga Andon Kristo.
Të
trija këto vëllime janë botuar në “gjuhën tonë” siç u shprehën të dy autorët që
vinin përkatësisht nga Grabova dhe nga Elbasani, zona ku edhe komuniteti arumn
është i spikatur. Ata ndanë me të pranishmit edhe çaste nga puna si dhe
domosdoshmërinë e përcjelljes së gjuhës dhe të njohjes së dialektit arumun nga
të rinjtë.
Në
fjalën e tij Ambasadori Perpelea përcolli mesazhin e mbështetjes për këto
botime sepse “çdo libër është një gur që
vihet për kulturën dhe përfaqëson në vetëvete një përpjekje të madhe. Sa më
shumë argumenta të ketë një botim, aq më shumë të vërteta ai sjell”.
Ambasadori
tha se një gjuhë e folur mirë kuptohet nga të gjithë, duke ju referuar përdorimit
të dialektit arumun me të cilin rumanishtja ndan origjinën e përbashkët.
Në
fjalën e tij z. Perpelea u ndal në respektin për pakicat, duke marrë shembullin
e Rumanisë si një vend që ka bërë hapa para në këtë drejtim. Ai foli për
përfaqësimin e të gjitha pakicave në Parlamentin rumun, si një ndër të drejtat
e respektuara.
“Rumania
e trajton me shumë respekt minoritetin arumun dhe krenohet me personalitetet e
tij si: Karamitru, Haxhi, Halep, Bekali etj. Kjo është një ftesë për shtetin shqiptar që edhe ai të krenohet
me arumunët e Shqipërisë. Sepse asgjë nuk na ndan, shumëçka na bashkon” u
shpreh përfaqësuesi i lartë rumun duke
siguruar se “ajo që kërkohet është vetëm respekti”.
Z.
Ambasador u ndal në kujdesin që shteti rumun ka treguar përmes: aktivitetit
diplomatik në Shqipëri ku komuniteti ka qenë gjithmonë i përfshirë, përmes të
drejtave të studimit që ju ka akorduar fëmijëve dhe të rinjve nga Shqipëria në
institucionet arsimore rumune si dhe për projektet që realizohen në Shqipëri të
mbështetura financiarisht nga shteti rumun.
Rumania
ka ofruar, duke filluar nga viti 1993 bursa studimi të rinjve arumunë nga
Shqipëria në të gjitha nivelet e studimit.
Ambasadori
shprehu edhe gadishmërinë e shtetit rumun për të trajtuar pozitivisht kërkesat
për dhënien e nënshtetësisë sipas ligjit duke vendosur theksin tek trajtimi
cilësor dhe jo sasior i tyre.
“Shteti
rumun ka bërë shumë përpjekje të afrojë dy shtetet dhe dy popujt, u shpreh
ambasadori duke folur edhe për projektin e tij të sjelljes në jetë të një libri
që do të jetë dygjuhësh e që pritet të trajtojë dy linja. Linja e parë është
ajo e afrimitetit mes dy popujve, duke përfshirë personazhe dhe ngjarje dhe
linja e dytë është ajo e sjelljes së argumentave më të afirmuara shkencërisht
lidhur me kulturën, gjë e cila vjen nga përvoja e tij tashmë si autor i 12
botimeve.
Lidhur
me përvojën e tij në Shqipëri Sh.T. Ambasadari Perpelea foli për ekzistencën e
një fryme më të mirë bashkëpunimi mes arumunëve, për njohjen më të mirë të
arumunëve nga opinioni si dhe për nevojën e kalimit të stafetës tek të rinjtë.
Në
këtë takim u përcollën edhe përshëndetjet e ngrohta të Shoqatës Maqedono-Rumune
që drejtohet nga zoti Ion Karamitru duke u shpërndarë edhe disa çertifikata
mirënjohjeje për disa nga aktorët arumunë në Shqipëri.
Shoqata
Maqedono-Rumune e themeluar në 23 shtatorin e vitit 1879 këtë vit përkujtoi
edhe 140 vjetorin e aktivitetit të saj. Gjatë gjithë këtyre viteve shoqata
punon për idenë e një gjuhe dhe të një
kulture që ka origjinën e përbashkët.
Një
ndër çastet emocionuese të këtij takimi ishte edhe ndarja e diplomave të nderit
për disa kontribues të shoqatës në këto vite aktivitet. Diplomat e ndanë me motivacionin: “Me rastin
e 21 tetorit, ditës së krijimit të Shoqatës, vlerësuar për kontributin e dhënë
në gjallërimin dhe zhvillimin e traditave kulturore, fetare, folklorike e
gjuhësore tek minoriteti arumun në Shqipëri si edhe në aktivitetet për lidhjet
vëllazërore me popullin rumun” .
Ndër
personalitetet e nderuara me këtë mirënjohje ishte edhe Thoma Binjaku, “Mësues
i Merituar” i ndarë nga jeta 14 muaj më parë.
Më tej takimi vijoi me shkëmbime idesh dhe projektesh për të ardhmen.