Kerko: a
Entela Binjaku: Maia Morgenstern në Shqipëri
E hene, 14.10.2019, 08:28 PM
Maia Morgenstern në Shqipëri: simboli i skenës dhe kinematografisë rumune shfaqje për publikun shqiptar
Nga
Entela Binjaku
Ajo është pa më të
voglin dyshim një simbol i artit teatror në Rumani. Ky emër i nderuar i skenës
por edhe i filmit, aktorja e shumënjohur Maia Morgenstern, ndodhet në Shqipëri
gjatë këtyre ditëve.
Në cilësinë e
të ftuarës së veçantë në edicionin e
vitit 2019 të Festivalit Ndërkombëtar të
Teatrit “Skampa”, Madame Morgenstern interpretoi, ditën e shtunë, në skenën e
teatrit “Skampa”, në Elbasan, veprën me titull
“Marina and Ulay”. Në një sallë të tejmbushur, ylli i teatrit rumun dhe
aktori i njohur Marius Bodochi u duartrokitën gjatë dhe me entuziazëm nga
spektatorët.
Paraditen e së
dielës aktorja Morgenstern e ndau, në skenën e “ArTurbina” në Tiranë, me të
rinj e të reja, aktorë të afirmuar, me të cilët zhvilloi një MasterKlas.
Aktorja e shquar
që numëron me dhjetëra role në filma dhe shfaqje teatrore në Rumani, foli me të
pranishmit dhe ju përgjigj pyetjeve dhe kërshërisë së tyre lidhur me përvojën e
saj në skenë por edhe për fakte me shumë rëndësi nga jeta e saj dhe e familjes.
E pyetur për
përshtypjet e saj nga kjo vizitë në Shqipëri ajo u shpreh: “Jam tepër e gëzuar. E rëndësishme është
komunikimi, të njihemi, t’ju njoh, të njoh
aktorë, artistë, mënyrën si
zhvillohet teatri dhe arti shqiptar në përgjithësi”.
Ndërsa vijon të
shprehë vlerësimet, për praninë e saj në Shqipëri ajo thotë: “Jam thellësisht e befasuar nga serioziteti,
ambicia dhe dëshira për të krijuar, sidomos për të krijuar pika komunikimi me
qendra të tjera, shtete të tjera, me vende të tjera, me teatro dhe ku ekziston
arti. Është i mrekullueshëm ky shkëmbim
edhe mes brezash, edhe mes vendesh, besoj se është shumë i rëndësishëm. Bota
është e madhe, e bukur dhe interesante,
edhe e lehtë, edhe e vështirë, e ndërlikuar, dhe jo të gjitha fluturojnë mbi
re, por e rëndësishme është të njihemi”, përforcon ajo mesazhin.
Për publikun e
Shqipërisë, i cili e njeh fare pak profilin e saj të lartë artistik, Zonja
Morgenstern është e njohur kryesisht me rolin e Shën Marisë, në filmin e
aktorit Mel Gibson “Pasionet e Krishtit”.
Takimi mes këtyre
dy aktorëve të shquar, emocionet e një bashkëpunimi me një yll të kinemasë botërore,
respekti dhe besimi mes niveleve kaq të larta të artit, ishin disa nga mesazhet
dhe çastet emocionale që u përcollën në sallë përmes mjeshtërisë së një
aktoreje të madhe.
Në këtë
MasterKlas, e ndodhur edhe përballë aktorëve të rinj, për të cilët thotë se i
japin emocion me dëshirën e tyre për ta mësuar këtë art, që sic ajo thotë është
është arti i efemerit, mesazhi drejtuar të rinjve aktorë ndoshta mund të ishte
siç shprehet ajo vetë: "vetë
mënyra e tyre, ekzistenca në kuadër
të shoqërisë”.
E cilësuar nga
kritika si simbol i teatrit rumun, e respektuar dhe e adhuruar nga publiku,
lidhur me ndjesinë që ky vlerësim i krijon znj. Morgenstern tha: “Në radhë të parë jam thellësisht mirënjohëse, jam Unë mirënjohëse për mënyrën si njerëzit
presin atë që them, që dhuroj dhe që
ndaj me ta." Më tej ajo vazhdon: "Kjo është një përgjegjësi e
madhe. Nuk është kaq e lehtë. Respekti fitohet me vështirësi. Duhet ruajtur dhe
për këtë ka nevojë për ndershmëri dhe ti nga ana jote duhet të jesh shumë
e kujdesshme ndaj asaj që njerëzit
dëshirojnë”.
Ditëne diel
aktorja e shquar u ngjit në skenën e teatrit
“ArTurbina” në Tiranë bashkë me kolegun aktorin Marius Bodochi, me
shfaqjen “Marina and Ulay”, ku ajo portretizoi artisten e shquar, Marina
Abramovi?, duke sjellë në kujtesë historinë e saj të dashurisë me Ulay dhe disa
prej performancave të saj më me ndikim në histori, pjesë është shkruar nga
Edith Negulici.
Prej vitit 2011,
në “Shëtitoren e Famës” në Bukuresht një
yll mban emrin Maia Morgestern, ndaj të
gjithë ata që kanë mundur të ndjekin interpretimin e saj, duhet ta dinë se kanë ndjekur një yll.