E diele, 28.04.2024, 06:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Violeta Allmuça: Ndjenja e tërësisë së fjalës

E merkure, 17.10.2018, 06:59 PM


NDJENJA E TËRËSISË SË FJALËS

Nga Violeta ALLMUÇA, Shkrimtare

Në vëllimin e tretë me poezi “Fshehtësitë e heshtjes” autorja Ajete U. Pavataj vjen me frymëmarrjen e saj poetike. Teksa ka ndjekur kohën e jetës në udhëtim me vargjet, ajo na tërheq me plot kuptimin e fjalës për zbulimin e thellë të jetës njerëzore. Duke ecur në udhën e poezisë dhe duke jetuar brenda botës shpirtërore ajo vetë ka përjetuar dhe zbuluar tërësinë e fjalës, ndaj na rrëfen përmes ndjenjave pafundësinë e rrjedhës së kohës dhe hapësirës. Me një stil autentik, si zë i ri i poezisë bashkëkohore Pavataj ka arritur të na sjellë këtë vepër me vlera artistike në sipërfaqen e shenjave shpirtërore. Shprehja e figurshme e fjalës poetike pushton secilën poezi me njëmendësinë e frymëzimit si krijuese e përjetimeve. Fshehtësia edhe pse është diçka misterioze, për poeten është një depërtim drejt zbulimit poetik dhe vlerës estetike. Funksioni i fjalës për krijuesin mbetet një formë e të shprehurit artistik nëpërmjet vargjeve.

Në rrafshin tematik teksa ka jetuar kohën e ikur, të sotmen dhe ëndrrave të së ardhmes poetja Ajete Pavataj zgjedh edhe gjuhën poetike bashkë me modelimin e figurave letrare, si krahasimin, metaforën epitafin etj.

Le të lexojmë poezinë e saj “HAPAVE TË MI” : Errësirë e shurdhër/ Symbyllazi pëshpërit/ Emrin e padëgjuar/ Flakë ndizen shkronjat/ Dhe dritësojnë rrugët/ Që më çojnë prore/ Në parajsën e ëndrrave/ Të qetësisë qiellore.

Nëpërmjet metaforës “Errësirë e shurdhër” autorja ndërton kategorinë shprehëse të së tashmes duke ngarkuar vargjet me emocione pozitive për të rritur edhe forcën e tyre sugjestive. Lart është qielli dhe parajsa planetare e ëndrrave. Fati njerëzor në shtrirjen kohore veshur me lirizmin e ndjenjës e ribën edhe brengën forcë përmes vargjeve. Në këtë udhëtim poetik autorja kalon nga tokësorja tek qiellorja duke u ngjitur lart nëpërmjet fjalës, gjuhës, dritës dhe ëndrrës. Fjala mbetet në kujtesë sepse autorja e ruan harmoninë e saj të ndjenjave në tekstin letrar duke e kthyer në vargje lëndën e gjetjes artistike. Fjala arrin të tashmen dhe shkrihet me të ardhmen si një vetëdije ndjesimi për mëvetësinë poetike.

Të vijojmë leximin e poezisë me titull: “MITIKE”: Aq larg/ Ndjenjat më rrinë ndezur/ Shpirti si engjëlli/ Nga kështjella legjendë/ E dashurisë del/ Murrosur në frymën time/.

Kjo poezi vjen e çiltër me një dimension të veçantë artistik ku fryma e qenësisë është vetë dashuria.

Përkufizimin e dashurisë më së miri e kanë cituar poetët duke e kthyer vetë dashurinë në një shenjim mitik. Me shekuj krijuesit e artit i adresohen poezisë si një alfabet artistik me zërin e brendshëm dhe të jashtëm të individit krijues dhe njeriut. Jeta ndërtohet mbi dashurinë që mbetet e vetmja lëndë e shpirtit, e cila ka shpëtuar vetë qenien njerëzore. Aq sa i këndon dashurisë për atdheun, njeriut, sakrificës, fatit tragjik dhe lavdisë poetja i bën vend hapësirës së dashurisë në harmoni me zjarrin e ndezur, ku përmes krahasimit shpirti i shfaqet si engjëlli.

Dashuria mbetet një triumf i ndjenjës së saj të fuqishme e  cila ka mrekulluar me fjalën edhe vetë jetën njerëzore.

Në poezinë “EPILOG” me të cilin mbyllet vëllimi më i ri i autores lexojmë: Jo!/ Unë nuk jam errësirë/ Që heshturazi sytë t`i verbon/ As kurth i hapit/ Që jetën ta prangon/ Jo!/ Nuk jam errësirë/ Ngadhënjimi unë jam/ Lexojeni emrin tim/ Jetë emrin unë e kam/ Jam shpresa, jam drita/ Për ditëbardha të reja/ Dua të jem edhe rrufepritëse/ T`u mbroj nga rrufeja/.

Vargjet e kësaj poezie, përpos ndonjë vargu deklarativ janë një pasqyrë e botës së brendshme të poetes. E shkruar mirë nga ana gjuhësore e letrare shqipe, ajo shpalos edhe ngadhëjimin e sakrificën si një fuqi kryesore mbi të keqen. Në tekstin poetik autorja ruan lidhjet semantike duke e zhveshur fjalën nga pamjet e tepërta për të rritur ndjesinë artistike me forcën shprehëse. Qëllimi për t`i sendërtuar ëndrrat e saj nëpërmjet fjalës, dhe tërësia premtuese e vargjeve të këtij libri të ri na sjell edhe vlera të reja e të befasishme të poetes Ajete Pavataj. Lexuesi i mirë është i vetëdijshëm të pëlqejë krijesa poetike ku shkruhet për njeriun dhe jetën nëpërmjet fjalës artistike.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora