Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Ndoshta takohemi edhe njëherë
E hene, 06.08.2018, 07:06 PM
CIKËL POEZISH: ETJA PËR KROJET E ALI PASHËS
Sejdi BERISHA:
NDOSHTA TAKOHEMI EDHE NJËHERË...
(Emocion, ose, etja për Krojet e Ali Pashës)
Vetëm njëherë u pamë dhe u takuam
Ma shove etjen me ujë
Nga Krojet e Ali Pashës
Më kujtohet bakalli
Edhe ulja jote
Me ujë për ta mbushur
Mu aty tek burimi
Ishte histori e vogël
Dhe më ka marrë malli
Të të takojë edhe njëherë
Aty tek krojet përrallore
Të të falënderohem për ujin
Por do të lusja
Edhe njëherë të m’i njomësh buzët
Me atë ujë të bekuar
Që freskia e tij muzat m’i çmendë
Ndoshta do të takohemi edhe njëherë
Vetëm edhe njëherë
Ti fisnikja e dheut
Që më dukesh
Se në mjellmë je shndërruar
Për atë
Edhe Krojet sikur janë betuar
Që kurrë të mos shterojnë
Ndoshta do të takohemi edhe njëherë
Mu tek Krojet e Ali Pashës
E në pamundësi të të përqafoj
Do zhytem thellë në ujin e Krojeve
Për t’ua puthur atyre burimet
Të cilat i fshehin dhe i ruajnë
Dhembjet dhe rrëfimet e mia
Ndoshta do takohemi
Vetëm edhe njëherë
Mu tek Krojet e Ali Pashës...
(E shtunë, 04 gusht 2018)
PËR ATË GURIN PARA DERËS...
Sa kohë jam duke e kërkuar
Atë gurin mbi të cilin ulej plaku im
Aty para derës të shtëpisë së vjetër
Ishte i vjetër edhe shekullor
Mbi te kishte pushuar gjyshi e stërgjyshi
Po sa kohëra shkrola e biseda
Ky gur fshehur i ka
E kërkoj
Këtë legjendë historie
Për ta lutur të më rrëfejë
Për shkrolat dhe ato bisedat
Që babai
Kurrë nuk deshi të m’i tregojë
Se druante shpirtin do ma lëndojë
Para sysh më del ajo shtëpia e vjetër
Edhe ai guri i bërë çuk në mjedis
Sikur e shoh edhe babanë ulur mbi te
Më kujtohet
Ngrihej në këmbë
Udhëtarët e sokakut kur i përshëndeste
Zemra mal i bëhej
Kur “jetë të gjatë paçi” u thoshte
Sa dëshirë kisha pasur
Edhe unë të ulesha mbi atë gur
E t’i përshëndesja kalimtarët
Me zemrën e babait tim...
VONË MË KE LINDUR...
I pata thënë nënës
Vonë më ke lindur
Ajo kishte nxjerrë gjirin
Me qumështin e dëlirësisë
Më kishte spërkatur
Atëherë isha rritur e pjekur
Me bekimin e tokës
Si buka në çerep
Dhe ia kisha kaluar kohës
E sheh biri im
Nuk të kam lindur vonë
Ke krahë engjëjsh
Tash nuk e di
A jam plakur në mallkimin e tokës
Apo në arenën e lumturisë
Apo në atë të gladiatorëve
Të dyja në një vend ndërtuar i kishin
Edhe i kishin bashkuar...
Dikush më pat thënë:
Sa mirë korrespondojnë arenat...