Kulturë
Mercedes Gega: Aromë dashurie
E merkure, 27.06.2018, 09:00 PM
Mercedes Gega
Duarbosh
Qetësi e pluhurosur dyshimesh
Nderur në litarin e tendosur të ajrit
Midis nesh
Mirëmëngjesi i shikimeve tona
Sot s'u përqafua!
Mbi pistën e ngrirë të çastit
puthjet e buzëqeshjeve përkëdhelen duarbosh!
10.06.2018
Aromë dashurie
Nga strehëzat e pritjes
Mbi qerpikët e mëngjesit tim,
Pikon e kristalizohet imazhi yt
Si mushti i limfës së një degë e të re nga pema e jetës,
Me një grusht me gonxhe premtimesh,
Nderur livadhit të buzëve
Aromë dashurie!
13.06.2018
Në zemër të shekullit të 21-të
Forma të paforma
Vargojnë
Nën vargonj unazash
Pamundësie
Mbirë në yjësi rrethanash
Lidhur nga jeta nyje!
13.06.2018
Ditëjavë të dielash
Qetësi e diele
bosh
Vërtitet e dremitur
Pa një bosht!
Ka kohë që çapitet
kuturu
Rreth vetes, për një rrugë
Me emrin: "Ku?"
Qetësi e diele
ngjyrë bosh
Në një vend ditëjavë të dielash
Quhet: "Modë"!
17.06.2018
Dashuria ime jeton atje
Tutje, larg, në skaj
Ku qielli dhe deti ndajnë
E bashkohen puthjeve degëve të muzgut
Atje ku dielli shlodh rrezet e fundit...
Atje...
përtej çdo përthyerje
Ku ditënetët e fjalëve njerëzore
S'arrijnë dot të gërrvishtin
Mes tyre, hyjnoren më njerëzore!
17.06.2018
Semafor portokalli!
Gjethnajë ndjenjash,
Shkelur nga kalimtar të shkujdesur
Dukshëm vonë
Për në takimin me veten,
Lëkundet në duart vjeshtore të erërave
të botëkuptimeve duarprangosur
Nën një qiell
Tender për mbijetesë të fortësh
Hetohet në këtë kryqëzim kohe me
Semafor portokalli!
17.06.2018
Unë jam aty
Kur të ndjehesh i trishtuar
Brengëgrishur a i mjerë
Vetë me veten shoqëruar
Rishtas larg nga gjithë të tjerë...
Ëndërrzgjuar nga trokitje
Mbi qerpikë, faqe e buzë
Dallgë e mallit bërë lot
Shkon e prehet, poshtë, në gush...
Vesë e ballit kur të bjerë
Ballërrudhurit vetmie
E të ndjesh se pikë e saj
Djeg si diell shkretëtire...
Kur të ndjesh se s'ke më forca
Të ngresh shpirtin që mend bie
Mbi një botë si flluskë sapuni
Veshurzhveshur me dritëhije...
Atë çast, në mos të tjerë
Sill ndërmend imazhin tim
Hiqja pluhurin e kohës
Petkmbuluar në nxitim...
Mos u druaj, eja pranë
Jam e njëjta si atëherë
Kur për ty prezenca ime
Ish' frymëmarrje, ish' pranverë..
Në botë s'vlen asnjë trishtim
Aq sa shpresën të mbaj peng
Gjithë sa shkoi nuk mund ta kthejmë
Por as të shmangim ç'ka jeta sjell!
19.06.2018
Heshtjes së rrugës i mungon ti...
Të të njoh nga afër, s'e pretendoj
Tjetër është njohja e vërtetë
Hapat e tu diçka më thonë
Dhe duart strukur, thellë në xhaketë!
U shfaqe ti në rrugën time
Rrugë që vitesh unë shkoj përditë
Ish' fund vere, mirë s'më kujtohet
Me zogjtë që iknin, erdhe ti!
Ti shkon ngadal, me hap të shtruar
Thua e di se ku po shkon
A lodhur je rrugësh shtegtuar
E thjesht tashmë s'të bëhet vonë?!
S'e di, s'e di nuk mund ta them
Të njoh nga afër s'e pretendoj
Unë njoh veç hapat që flasin çartur
Sa herë në xhepa grushtet shtrëngon?!
Asfalti hesht, i pafjalë ti
Parkut drudendur shkoni të dy
Ndoshta fjalët s'thonë dot gjithçka
Ka herë që ndoshta mjaftojnë dy sy!
Kush e di vallë çfarë stuhie
Fshihet nën qelq të syve të tu
Një det ku brigjet ruajnë histori
Shkruar nga valë e dallgë blu!
U shfaqe ti në rrugën time
Atë fund vere, sezon shtegtimi
Është prag pranvere, zogjtë po kthehen
Heshtjes së rrugës i mungon ti...
21.06.2018
Dhuromë një buzëqeshje, miku im
Dhuromë një buzëqeshje
Miku im
Për të sot ndjej kaq nevojë
Fryn erë e ftohtë absurdesh rreth meje
Bën çmos të më rrëzoj!
Dhuromë një buzëqeshje
miku im
Të mbështjellë shpirtin e gjorë
Që tek vetja mbështetet të ngrihet
Bëhu ti, sot, për të dorë!
Dhuromë një buzëqeshje
I imi mik
Bëhu diell në këtë shtrëngatë
T'i largojë me të retë tekanjoze
Nga qielli i ditës ngjyrë natë!
Një buzëqeshje e jotja
Miku im
Sot më vlen sa e gjithë bota mbarë
Pa të jam një zog në fluturim
Haspsirash me vetëm një krahë!
Ku je miku im
Sot të dua
pranë vetes si një pjesë e saj
Një buzëqeshja jote më mjafton
Gjithë stuhitë të m'i kthej në lule maji!
22.06.2018
Ti erdhe vetëm sa për të ikur
Ti erdhe vetëm sa për të ikur
Sa për të thënë ç'është lumturia
T'i jepje botës nga zemra jote
Një diell të ri dashurie!
Ti erdhe vetëm sa për të ikur
E dot, kuptohet, nuk bëje ndryshe
Drita kuptohet në errësirë
Kafazët s'janë për dallëndyshe!
Ti erdhe vetëm sa për të ikur
Një jetë e tërë në veç një çast
Për kë të njohu, sa shumë, sa shumë!
Për kë të deshi, sa pak, sa pak!
Ti erdhe vetëm sa për të ikur
Sa t'më tregoje ç'është drithërima
Buzës që digjet nga lot i nxhehtë
Mall përzhitur nga dashuria!
Sa herë që ulem e të kujtoj
Ndodh, bota ngjyrat një çast humbet
Buzëqeshjes tënde i marr një rreze
E bota ngjyrat sërish rigjen!
Ti erdhe vetëm, vetëm një çast
Aq sa mjafton më pas të ikësh
Sa të më tregoje peshën e botës
Aq sa t’më njihje me peshën time!
24.06.2018