E enjte, 14.11.2024, 11:43 PM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: 'E ëmbla Toka ime'

E marte, 05.06.2018, 07:29 PM


"E ëmbla Toka ime"

Nga Entela Binjaku

Kjo ka qenë një fundjavë e ngjeshur muzikore  për kryeqytetin e Shqipërisë. Dy koncerte radhazi me 24 orë në mes ndërprerje u mbajtën  në sheshin “Skënderbej” nga dy artistë shqiptarë të ndërkombëtarizuar dhe me karrierë në shkëlqim. Bashkë me ta mijëra e mijëra njerëz të mbledhur në sheshin simbol të shqiptarisë që mban emrin e heroit kombëtar “Skënderbej”. E gjitha kjo nisi të ravijëzohej rreth një muaj më parë kur filluan të dalin edhe reklamat në kanalet televizive shqiptare që njoftonin ardhjen e Ermal Metës dhe Rita Orës, natyrisht shoqëruar me theksin tek organizatorët vendorë Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Erion Veliaj, që u dha atyre dhe çelësin e kryeqytetit tonë.

Ermali nuk kishte kënduar asnjeherë deri tani në vendin e tij, edhe pse ishte shprehur që në muajin janar se do të këndonte së shpejti. Por ditët afroheshin dhe vetë këngëtaret e konfirmonin koncertin në Tiranë. Ndërsa përcillej me emocion në garën që po zhvillonte në Eurovizion,  Ermali ndau me  ndjekësit lajmin për koncertin në sheshin “Skënderbej”. Në fillim të muajit maj në fb. Ermali  shkruante:  "Vëllezër dhe motra, mezi pres. Në 1 qershor do të kem privilegjin të mbaj një koncert në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Që tani po mallëngjehem".  Ermal Meta ishte vetëm 13 vjeç kur bashkë me familjen shkoi në  Bari të Italisë. Nga viti 1990 e në vijim qindra mijra qytetarë u larguan nga Shqipëria drejt vendit fqinj për një jetë më të mirë. 24 vjet më vonë vit ai u kthye në atë qytet ku u vendos për herë të parë, tashmë si fitues i garës më të madhe muzikore italiane, Festivalit të Sanremos. Në prani të nënës dhe vëllait e tij në sallën e këshillit të qarkut, komuna e Barit e  vlerësoi kantautorin shqiptar Ermal Meta, me "Çelësin e qytetit". I pritur me ngrohtësi të madhe nga dhjetra fansa të mbledhur para Palazzo di Città  atij ju dorëzua vlerësimi nga Kryetari i Kashkisë i cili u shpreh: “Ermal, jotja është historia e atij që me forcë dhe kurajo, ka ndjekur ëndrrat e veta”.  Me motivacionin “Për talentin e jashtëzakonshëm dhe për suksesin e merituar që ka ditur ta fitojë falë një personaliteti të lartë dhe një stili të pangatërrueshëm". Çelësat e qytetit janë mirënjohja ndaj artistit që pikërisht në Bari ka hedhur hapat e para dhe ka ditur të përkthejë në muzikë temat e forta të aktualitetit me atë natyrshmëri që është në vetëvete, thelbi i autorëve të mëdhenj".  Në këtë sallë e në këtë ceremoni me kitarë solo Ermali këndoi edhe këngën fituese të Sanremos me titull  "Nuk më keni bërë asgjë"  bashkë me një nga këngët më të bukura të shkruara prej tij, atë me titull “Piccola Anima".  “Këto çelësa nuk hapin dyer,  por janë dyer që hapen me emocione dhe me ndjenja.  Bari do të jetë përherë shtëpia ime dhe qyteti im kudo ku unë shkoj. Bari  më mësoi të ëndërroj, të pres dhe të kultivoj pasonin tim. Këtu unë kam gjetur edhe miqësinë dhe ndonjëherë,  edhe dashurinë" është shprehur Ermali në marrje të këtij vlerësimi. Ermal Meta po shndërrohej dita-ditës në një nga kantautorët më të pëlqyer edhe në Shqipëri, ku ai i intervistuar nga mediat shqiptare kishte shprehur edhe dëshirën për të dhënë një koncert. Çdo këngë e Ermalit kthehet në më të transmetuara në radiot shqiptare dhe çdo informacion që mediat italiane i kushtojnë atij, zgjon shumë interes edhe në radhët e publikut shqiptar. Pjesëmarrja e Ermal Metës në Sanremo bëri që  publiku shqiptar të qëndronte mbërthyer pas ekranit. Kënga fituese e Sanremos e këtij viti e dërgoi atë edhe në skenën e Eurovizionit që u mbajt në muajin maj në Lizbonë të Portugalisë, ku ai rezultoi i pesti.  E ndërsa fitorja e tij në Sanremo ishte ende në kujtesat e dëgjuesve,  Ermal Meta vendosi t’i gëzojë fansat  edhe me një album të ri.  Albumi mban titullin “Non abbiamo armi" dhe është i treti për të, pas albumeve me titull: "Umano" (2016) dhe "Vietato morire" që doli suksesshëm një vit më parë. Me këtë këngë që titullonte edhe albumin e tij të dytë,  Ermali kishte marrë edhe çmimin e tretë në Festivalin prestigjoz të Sanremos vitin që kaloi. Në albumin e ri përfshihet edhe kënga "Non mi avete fatto niente", e kënduar bashkë me Fabrizio Moron. Kjo këngë që lindi për të përçuar një mesazh të rëndësishëm siç është ai i kurajos për të gëzuar përmes këngës, për t’i thënë ndal frikës prej terrorizmit, bëri që edhe në vlerësimet e Shqipërisë në Eurovizion Ermali nga vendi i tij, te merrte 12 pikët e mundshme. Në intervistat  e dhëna ai trajtonte shpesh edhe kuptimin e teksteve të tij duke thënë se "gjithësecili prej nesh ka plagët e tij, të vogla apo të mëdha,  nuk ka rëndësi. Me rëndësi është ajo që bëjmë". Ndërkohë Ermal Meta u kandidua edhe  për "Çmimin Amnesty 2018". Ndërsa priste me krenari kandidaturën ai shprehej: “Muzika mund të arrijë në thellësi. Nëse zgjidhja e problemeve të botës është edukimi, sepse njerëzit janë ata që i krijojnë problemet dhe gjithmonë janë njerëzit që mund t’i zgjidhin ato, që të mos bëjnë të njëjtat gabime të së shkuarës, muzika dhe artet ndihmojnë në edukimin e shpirtit. Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë, por edhe zemra e gjerë dhe shpirti fisnik”.

Pas shfaqjes në "Arena di Verona" ku ai kishte shkëlqyer në duetin me Elizën, artisten italiane,  Ermali interpretoi në kanalin Italian "Raiuno". Dy covera të famshëm  që ai  këndoi në programin "Raiplay"  ishin nga Sting “Every breath you take” dhe Leonard Cohen “Hallellujah” duke emocionuar dhe ekzaltuar publikun. I ftuar  në  programin "Battiti Live" i transmetuar drejtëpërdrejtë në kanalin e MEDIASET- Italia 1 dhe RadioNorba mes emrave të njohur të muzikës italiane si dhe të ftuarve ndërkombëtarë, Ermali këndonte këngën e tij “Ragazza Paradiso”.  Turneu i Ermalit vazhdoi edhe gjatë shtatorit, ndërsa në  nëntor ai interpretoi në Lugano të Zvicrës. Kantautori shqiptar Ermal Meta ka marrë pjesë në tre edicione të Festivalit të Sanremos. Ai ka qenë anëtar i grupit muzikor italian “Ameba 4” dhe “La Fame di Camilla”. Eshtë autori i më shumë se 200 këngëve për  disa nga artistët më të mirë italianë. Tashmë ai ka karrierën e tij solo, duke nxjerrë edhe albumet Umano (2016) dhe Vietato morire (2017) dhe “Non abbiamo armi”, (2018) Ndërkohë ai është fituesi i  çmimit ‘MTV Europe Music Awards’. E ndërsa e gjitha kjo është vetëm një pjesë nga karriera e tij, Ermali këtë vit është dhe një nga gjykatësit në jurinë e Amicit.  Ky talent show është po ashtu nga më të dashurit në Shqipëri. Jo vetëm cilësia e programit, vlerësimi për autoren dhe figurën ikonë të televizionit Maria De Filippin, por mbi të gjitha për shkak se në këtë format kanë qenë pjesë mjaft djem e vajza shqiptare, Amici ka shumë ndjekës edhe në Shqipëri. Vitin e kaluar ishte balerina Klaudia Pepa që emociononte publikun  ndërsa këtë vit audienca shqiptare po ndjek  Ermalin, në cilësinë e vlerësuesit për konkurentët në garë. Në datën 1 maj që përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të  Punëtorëve në manifestimin e sindikatave italiane  Cgil, Cisl dhe Uil u mbajt  edhe një koncert.  Në këtë organizim të mbajtur në sheshin "San Giovanni" të Romës  mori pjesë sërish edhe Ermal Meta. Koncerti i tij në Forum mblodhi mbi 10 mijë njerëz duke treguar edhe një tjetër sukses të këtij artisti. Dy javë më parë i ftuar në kanalin 5 të Mediasetit, në programin "Verissimo" kantautori shqiptar rrëfeu më shumë detaje nga vetja. I pritur me ovacione të zjarrta ndërsa hynte në program ai shprehej i vetëdijshëm për dashurinë e publikut. "Edhe pse duket e çuditshme kur them se e di, por unë e shoh, dhe kur e shoh e ndjej" shprehej ai sapo hyri në studio.  I pyetur mbi atë që i thonë më shpesh njerëzit kur e takojnë Ermali tha se në mënyrë absolute, ajo që i thuhet më shpesh është se "njerëzit gjejnë një pjesë të jetës së tyre tek këngët e tij dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. Sepse është e vërtetë që unë muzikën e bëj për vete, dhe për shumë arsye,  vite më parë nuk e vija re.  Në fillim tregon për vete, por më vonë  tregon edhe të tjerët. Sepse ne jemi një ndërveprim kimik midis asaj që jemi dhe asaj që jetojmë çdo ditë", u shpreh ai.  "Sepse askush nuk është një ishull, dhe nuk mund të jemi të ndarë nga të tjerët, asnjëherë. Kur i them dikujt se e dua, është si t’ja them këtë gjithë njerëzimit". Lidhur me këshillat që Ermali jep në emisionin "Amici" gazetarja thotë se këshillat e tij nuk janë asnjëherë banale dhe janë të një inteligjence shumë të rafinuar. Ermali shprehej se ai "dëshiron të jetë i dobishëm, përpiqet t’u japë të rinjve ato këshilla që do të donte t’i kishte marrë dhe vetë, por që herë i ka marrë e herë jo”. Materiali prezantues nga redaksia e emisionit për Ermalin, fillonte që  nga kuptimi i emrit të tij "Erë mali",  i lirë dhe i palëkundur. "Pianoja për mua ishte një lodër, një anije kozmike që kur shtypja tastet fluturoja dhe çmendesha nga gëzimi". Më tej ai foli për metodën  e ashpër ruse në shkollën shqiptare, për rreptësinë edhe të nënës së tij që po ashtu kishte ndjekur metodën ruse në shkollë. Duke vijuar me përshkrimin për të, thuhej se në zemrën e Ermalit janë gjithmonë tingujt e violinës të mësuar nga nëna e tij në Fier, qytet ku ai lindi 37 vite më parë. Fëmijëria e tij komplekse e rriti shpejt.  Ermali sot e ka shndërruar muzikën në një veprim besimi sepse siç thotë ai "Ne njerëzit, nuk jemi gjë tjetër përveçse ruajtësit e të pafundmes". Duke folur për fëmijërinë e tij  ai thotë: "Mamaja ime e kuptoi se e gjithë jeta ime do të ishte mosbindje. I pabindur për dy gjëra: për atë që nuk doja të isha dhe për atë që doja të bëja, dhe ajo ishte muzika".   Pasi ka shkruar për një numër shumë të madh këngëtarësh si Ema, Marco Mengoni, Francesko Renga, Pati Bravo, Gianni Morandi etj., i pyetur se për cilin prej artistëve do të donte të shkruante, Ermali tha  se  dëshira e tij ishte të shkruante një  këngë për Minën, sepse "Ne jemi rritur duke e dëgjuar. Mina është në eshtrat tona. Më duket e pabesueshme të realizohet kjo gjë" ka thënë Ermali sepse Mina është shumë lart".  Ai nuk pëlqen ta quajë veten artist por thotë se është një "punonjës i muzikës" sepse sipas tij "Me fjalën "artist" është abuzuar shumë. Nuk mund të quhesh artist thjesht sepse ke shkruar disa këngë. Nëse me muzikën tënde i ke ndryshuar jetën dikujt, ndoshta edhe mund të quhesh i tillë".  Nga debutimi i tij në vendin e dytë, në kategorinë e të rinjve në Sanremo, më tej vendi i tretë në Sanremo një vit më vonë, deri tek fitorja e tij në Sanremon e këtij viti për të vijuar me vendin e pestë në Eurovizion, e gjithë rruga e Ermalit dëshmonte punën e tij të madhe me muzikën. Disa ditë më parë publiku në sheshin “Skënderbej” pati mundësinë të ndiqte pikërisht këtë artist i cili ndërsa pyetej sesi do ta kishte titulluar një këngë nëse do  t’ja kushtonte  atë Shqipërisë shprehej “e ëmbla toka ime”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora