E premte, 08.11.2024, 11:54 PM (GMT)

Mendime

Saro: Simbolika e shkollave shqipe në diasporë

E premte, 03.11.2017, 06:57 PM


Simbolika e shkollave shqipe në diasporë

Nga Vangjush Saro

Ndër mësimet më të vlefshme të Historisë së Shqipërisë, për të gjithë ne, mbetet përpjekja e madhe e përfaqësuesve më në zë të Rilindjes Kombëtare për shkollën shqipe. Pikërisht, një nga dukuritë më interesante të emigracionit të sotëm shqiptar, të jetës së diasporës, siç po quhet tani, është hapja e shkollave dhe klasave, ku mësohet gjuha shqipe dhe kultura shqiptare. Kjo do të thotë se prirja është ajo e duhura. Shkolla shqipe funksionojnë tashmë në disa vende perëndimore, ku jetojnë e punojnë prej vitesh qytetarë shqiptarë: në Greqi e Itali, në SHBA e Kanada, etj. Karakteristikë e këtyre shkollave, është prirja e qytetarëve shqiptarë me banim në këto vende, për të përcjellë te fëmijët e tyre, te brezat e rinj, gjuhën amtare, kulturën dhe traditat shqiptare. Dhe këtë mision të shenjtë, më mirë se kushdo, mund ta realizojë shkolla.

Këtë shtator, ka rihapur dyert e shkollës shqipe edhe shoqata “Shqiptarët në BC”. (BC, British Columbia, është një nga provincat e Kanadasë; ndër qytetet më të njohur të saj, është Vancouver). Mësimet zhvillohen në një shkollë publike të Surey, një nga qytetet e Metro-Vancouver, sipas një kontrate të nënshkruar me Departamentin e Arsimit në Bashkinë e qytetit.  Shkolla do të vijojë deri në muajin qershor; ajo është ende në fillimet e saj. Gjithsesi, krijimi i një shkolle, sado modeste, është një kuotë. Kuotë mendësie dhe kulture. Prej këtu, fillon e ndërtohet jetëgjatësia e një komuniteti, vlera e shtuar e çdo njeriu, qytetar aspirant i një shteti, por që mbart peshën dhe veçoritë e vendit nga vjen.

Kryetari i Shoqatës së Shqiptarëve në BC, Ardian Lagji, tregon se ishte dëshira e një grupi drejtues dhe aktivistë, por edhe prindër - të interesuar për një shkollim të posaçëm të fëmijëve të tyre në gjuhën shqipe - ajo që shpuri komunitetin në këtë gjetje. Nxënësit frekuentues, thotë mësuesja Suzana Vukaj, janë të moshës 6-12 vjeç dhe kanë treguar pasion e dëshirë për të qenë pjesë e këtij gëzimi, e kësaj detyre njëkohësisht. Mësuesja, e ndihmuar edhe nga prindër vullnetarë, anëtarë të Shoqatës, po mbështesin nxënësit të angazhohen në orë aktive dhe në veprimtari të ndryshme, që mundësojnë mësimin në gjuhën shqipe.

Elementet e mësimdhënies janë në akord me udhëzimet dhe propozimet e Ministrisë së Arsimit për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Po kështu, ato reflektojnë praktikat e punës në klasat e këtushme, (ndërkohë që siç dihet, arsimi është një nga përparësitë dhe arritjet më të mëdha në Kanada). Grupi i punës për shkollën shqipe, është shumë optimist për këtë iniciativë. Ndërkaq, fëmijët së shpejti do të fillojnë përgatitjet për një program me recitime dhe këngë, me të cilin përshëndesin gjithnjë - këtë herë edhe më të organizuar - Festën e Flamurit.

Simbolika e çeljes së kësaj shkolle, është gjëja më e rëndësishme për sot dhe për nesër. Vancouver ndodhet shumë larg Shqipërisë, është një nga qytetet më “perëndimore” të kontinentit. Një shkollë shqiptare, e mbështetur nga një komunitet relativisht i pakët në numër, flet për një prirje të rëndësishme. Me akte të tilla, krijohet një frymë, realizohet njëlloj qasjeje në vlerat më të dukshme kombëtare. Në rrugën e krijuar me mund dhe shpresë, projektohet një e ardhme që bie vlera dhe qendrueshmëri.

Duhet vënë në dukje se këto shkolla e klasa, kanë nevojë gjithaq për bibliotekat e tyre. Të kujtojmë thënien e shkrimtarit të njohur italian, Edmondo De Amiçiz: “Një shtëpi pa bibliotekë, është një shtëpi pa sedër.” Fjalët e tij janë ende aktuale, ato mund të blatohen në çdo shtëpi, por më së pari e, sidomos, në shkolla dhe klasa ku bëhen përpjekje për të mbajtur gjallë traditat dhe gjuha e kultura e atdheut. Në këtë kuadër, me modesti, i dhurova Shkollës Shqipe në Vancouver disa nga librat e mi, të përshtatshëm për lexime për moshat 9 - 14 vjeç. Shpresoj që ato botime të ndihmojnë sadopak shkollën dhe mësuesen, komunitetin vetë. Është fat që ky komunitet - krahas përpjekjeve për të jetuar me dinjitet në një vend që ka nivel të konsiderueshëm mirëqenieje dhe ndjek ritme e kërkesa të larta jetese e pune - mendon edhe për shkollë shqipe.

Duke vështruar ecurinë e deritanishme në këto klasa dhe në shkolla të tjera në diasporë, natyrshëm të shkon mendja te institucionet e vendit-amë, më së pari te Ministria e Arsimit. Edhe pse jam në dijeni të disa programeve dhe njëlloj interesimi, mendoj se ka hapësirë për t’u bërë më shumë. Është një nga detyrat e kësaj ministrie dhe enteve të tjera shtetërore shqiptare, t’i njohin më mirë këto shkolla, këto iniciativa; dhe të ndihmojnë më me efikasitet për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e tyre. Për më tepër, tani vendi ka edhe një Ministri të Diasporës, çka do të thotë se në letër gjenden planet, ndoshta edhe dëshirat e shqetësimet, por ato duhen konkretizuar.

Ndihma ndaj këtyre shkollave, mund të fillojë me tekste të shkollës shqipe, sidomos me Abetaren; dhe mund të vazhdojë me programe, pse jo edhe me ndihmë materiale e financiare.  Që të kthehem edhe njëherë te Rilindja Kombëtare, si një nga faqet më të ndritura të historisë sonë, librat dhe, po ashtu, fryma, ishin dhe mbeten busulla e rrugëtimit të mëtejshëm të këtyre shkollave.

Duhet të kuptojmë edhe njëherë që diaspora është përditë në luftë me jetën, në vende që kërkojnë impenjim të madh për të mbajtur familjen; shkolla është një nga punët e saj (le të themi) vullnetare, patriotike; që do të thotë se ato, shkollat, duhen inkurajuar dhe mbështetur, për të krijuar profile të qendrueshme dhe për të gjetur dimensionin e duhur kombëtar në një botë të vështirë, ku interesat dhe zhvillimet jo gjithnjë priren të ndërtojnë ura mirësie apo t’i qasen respektit e përparimit real. Përtej konflikteve të pjesshme dhe dasive në klane, përtej ndarjes së trofeve të pushtetit dhe indiferencës së trashëguar, shkollat shqipe në diasporë presin vëmendjen dhe ndihmesën e të gjithëve, më së pari të institucioneve përgjegjëse.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora