E marte, 08.10.2024, 05:08 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Nuri Dragoj: Udhëtim historik me Papa Klementin

E merkure, 30.08.2017, 07:40 PM


Shoqata e shkrimtarëve shqiptarë në Suedi, viziton trevat shqiptare

Udhëtim historik me Papa Klementin e XI

Më parë ishin shqiptarët që e shihnim Kosovën me dylbi nga Morina, tani janë serbët

Nga Nuri Dragoj

Shkrimtari Viron Kona më propozoi të bëheshim pjesë e takimit që do të organizohej me përfaqësues të shoqatës së shkrimtarëve shqiptarë Papa Klementi XI Albani në Suedi dhe simotrës së saj në Tropojë. Patëm rënë dakord edhe me kreun e asaj shoqate, aktivistin e palodhur Hysen Ibrahimi, që të ishim të pranishëm, të paktën në një prej takimeve të organizuara prej tyre, ku përurohej vëllimi i 7 dhe 8, i librit Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi. Miqtë nga Suedia kishin planifikuar takime të këtij lloji në Shtupec të Madhe e Grykë të Rrugovës, në Mitrovicë-Zasellë, Prishtinë, Vushtri e shumë takime të tjera, por ne vendosëm të shkonin në Bajram Curr.

Aktivitete të tillë në fushën e letrave, por edhe në atë të teatrit e muzikës, i përafrojnë tej mase shqiptarët midis tyre. Me të drejtë Hys Shkreli shkruante se në vitet 1980, me ardhjen e Vaçe Zelës në Kosovë, “filloi shembja simbolike e kufirit shqiptaro-shqiptar”. Dhe në çdo takim midis shqiptarëve, të ndarë në 5 shtete kufitare, por edhe më gjerë në emigracion, takimet shërbejnë si rilidhje të urave të rrënuara apo gjakut të shprishur. Aktivitete të tilla burrërojnë të rinjtë dhe shkundin e rrudhat e të moshuarëve, ndaj dhe duhen shpeshtuar.

Mëngjesin e datës 27 korrik u nisëm herët, duke patur pjesë të ekipit dhe shkrimtarët Bashkim Saliasi e Kadri Tarelli. Një udhëtim i këndshëm, me pushimin e parë pak mbi kthesën e Kukësit, në një lokal buzë liqeni, ku pimë dhe kafen e mëngjesit. Vironi, Kadriu e Bashkimi kthyen dhe ndonjë gotë raki, ndërsa unë si shofer isha i përjashtuar. Prezencën tonë në atë lokal e fiksuam edhe në foto.

Duke udhëtuar bisedonim për historinë e Shqipërisë dhe ngado që vërtiteshim, vinim re se Vlora nuk qëndronte larg Prizrenit, Mitrovica ngjasonte për nga historia me Krujën e Lezhën e Skënderbeut, Gjakova shihej afër Përmetit dhe Peja aty pranë Gjirokastrës. Historia e çdo qyteti në Kosovë ngjasonte me qytetet në Shqipëri, të gjitha qytete shqiptare, me të njëjtën histori: Sulme nga fqinjët, masakra dhe qendresë heroike, këngë trimash dhe histori gjaku, dhimbje e tmerr në poezi e këngë.

-Sa shumë ka ndryshuar Kosova! - u shpreh Vironi.

-Do zoti të bashkohemi sa më shpejt, - ia ktheu Kadri Tarelli.

-Nuk diskutohet bashkimi, por shtrohet çështja se çfarë po bëjmë ne, - shtoi Bashkim Saliasi. Dhe papritur m’u drejtua mua: Nuri, ti çfarë mendon, a ka ndryshuar sa duhet Kosova në raport me ne, apo me atë që duhet të arrijë?

-Këtë pyetje ma ka bërë dhe një miku im në Prishtinë, - sqarova Saliasin. - Ndryshimet janë të pallogaritshme. Para vitit 1990, ne e shihnim Kosovën nga pika e kufirit në Morinë me dylbi. Madje këtë fat e kishin pak njerëz, ushtarakë, politikan e pushtetar të lartë, mbase dhe ndonjë gazetar. Tani e Kosovën e shohin me dylbi serbët. Ky është ndryshimi. Por ne duhet të bëjmë më shumë, për bashkimin tonë shpirtëror, për njësimin e gjuhës letrare, për të patur një abetare, një histori, një festival etj. Bashkimi është i paevitueshëm, por nuk realizohet pa firmën e atyre që e coptuan, Fuqive të Mëdha. Një gjë ka shumë rëndësi. Të mëdhenjtë e kuptuan qe Ballkani nuk mund të ketë qetësi pa u zgjidhur përfundimisht çështja shqiptare.

Dhe ndërsa bisedonim, dialogu rridhte rrëmbimthi që nga ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, qershor 1878, në Konferencën e Londrës 1912-1913 e deri në ditët tona. Makina ngjitej në maloren e fundit që të çonte në qytetin Bajram Curri.

Ndihemi shumë të afërt

Ishte ora 11 e asaj dite plotë diell, kur ne u takuam me delegacionin e shoqatës së shkrimtarëve shqiptar Papa Klementi XI Albani në Suedi, të cilët sapo kishim mbërritur në qytetin Bajram Curri, në bazë të marrëveshjes që kishin nënshkruar më parë me shoqatën e shkrimtarëve dhe artistëve të Tropojës, për të promovuar disa libra dhe shkëmbyer përvojë e kulturë reciprokisht. Kishte midis tyre shkrimtarë shqiptarë nga Suedia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Gjermania e tj.

U takuam në kafe, u përshëndetëm përzemërsisht dhe nuk di pse, por ndiheshim shumë të afërt me njëri - tjetrin. Ishim takuar vetëm një herë. Të paktën unë, pasi Viron Kona njihej më herët me ta, madje ai qe dhe Anëtar Nderi i asaj shoqate. Sikur të më kishte lexuar mendimin, edhe Vironi më thotë të njëjtën gjë.

-Shih sa të dashur janë, sa të afërt ndihemi me ta, duket se është gjaku që tërheq, - tha ai duke qeshur.

-Ke të drejtë - ia ktheva. - Na bashkon në radhë të parë ideali, qëllimi që i kemi venë vetes me zemër e shpirt. Kjo afërsi është dhe produkt i ligjit të tërheqjes që thotë se, i ngjashmi tërheq të ngjashmin, prandaj kur formulon një mendim, në të njëjtën kohë je duke tërhequr mendime të ngjashme. Siç duket gjendja mendore tërheq rrethanat që korrespondojnë me natyrën e saj. Është kombinimi i mendimit dhe dashurisë që krijon forcën e parezistueshme të ligjit të tërheqjes. Ndjenja është dëshirë dhe dëshira është dashuri. Mendimi i mbarsur me dashuri bëhet i pathyeshëm, pasi ndjenja e dashurisë është frekuenca më e lartë që mund të emetoj njeriu. Sa më e madhe të jetë dashuria që ndjen dhe emeton, aq më e madhe është fuqia që zotëron.Kjo gjë tashmë është provuar edhe nga shkenca.

Malësia e Gjakovës, treva me histori të madhe

Takimi u mbajt në qytetin e këndshëm, zemrën e Tropojës, në Bajram Curi, qytet i themeluar pas vitit 1952 dhe ndërtuar mbi fshatin Kolgecaj e lagjet Gjongecaj, Gjyriq e Mustafaj. Më parë si qendër e rrethit ka shërbyer fshati Tropojë. Kjo trevë rezulton vendbanim i lashtë dhe njihet për popullimin e saj që nga koha e neolitit, e më pas aty kanë jetuar Dardanët e Ilirisë, që zënë fill disa shekuj para Krishtit.

Skënder Hoxha sjell të dhëna për kalanë e Rosujës, që tregon banimin e saj prej më shumë se 2000 vjet. E quajtur ndryshe Malësia e Gjakovës, ajo ka qenë pjesë e vilajetit të Kosovës. Në vitin 1916, kur veriu qe nën zotërimin austro-hungarez, qendra e nënprefekturës ishte në fshatin Bujan.

Tropojanët janë shquar përherë në luftrat për liri. Edhe në Luftën e Dytë Botërore, qenë pjesë e koalicionit antifashist. Ajo zonë mori emër me Kuvendin e Malësisë së Gjakovës që u mbajt më 28 gusht të vitit 1943, në bregun e lumit të Valbonës, fare afër urës së Kolgecajve, ku u betuan për luftë pa kompromis kundër pushtuesve.

Jo pak emër ka Konferenca e Bujanit e 31 dhjetorit të vitit 1944, e cila i vijoi punimet në disa ditë, duke i mbyllur ato natën e dytë të Vitit të Ri 1945. Aty u mor vendimi i madh për shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia. Ky akt i marrë prej burrave të atij kuvendi, besohej se do të bëhej fakt menjëherë pas çlirimit të vendit, në kuadër të parimit të vetvendosjes së popujve. Por nuk u bind Tito. Nuk donte as Stalini. Anglezët jo e jo. Amerikanët i rrinin larg komunizmit. Dhe sllavët u tallën me Bujanin. Por trimat nuk hoqëm dorë. Sa gjak është derdhur në qafën e Prushit, Vranicës, Borit, Morinës e Valbonës, apo luginat e famshme të këtij rrethi, si lugina e Valbonës, Gashit, Sylbicës, Currajt, Lumit të Bardhë etj.

Burrat e Bujanit vështronin shpesh nga mali, shihnin shkëmbinjtë e thepisur, ato mure të ngritura nga vetë natyra dhe imagjononin me fantazinë e tyre sikur të mund të bëhej secili prej tyre dragua e më të fortë akoma, sa të shëmbnin atë barrier të shëmtuar politike për të fluturuar edhe shqiptarët, si gjithë popujt e tjerë, të lirë në hapësirat e jetës. Dhe një ditë panë me sytë e tyre, si qe rrëzuar qielli mbi mal dhe rrëketë e përrenjtë që zbrisnin nga lart uturinin me të madhe, duke vënë përpara trungje drurësh e gurë të mëdhënj, të cilët i paraprinin ujit të rrëmbyshëm, duke u dukur sikur kishte ardhur fundi i botës. Por ata e lexuan si shpresë. Dëshira, durimi dhe guximi i tyre një ditë do të bënte që t’i shembte këto barriera të Europës. Dhe ëndërra e tyre u realizua. Kosova tashmë është e pavarur.

Diskutime dhe vlerësime

Kryetari i Lidhjes së shkrimtarëve të Tropojës Lulzim Logu, nisi veprimtarinë e përbashkët me Papa Klementin e XI të Suedisë, duke organizuar në këtë mënyrë një takim bashkëpunues, në dobi të kulturës dhe artit, por edhe të bashkimit të shqiptarëve, në radhë të parë bashkimit të tyre shpirtëror, duke qenë të bindur se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tej. Aty qenë të pranishëm dhe nënkryetari i bashkisë, Astrit Margjekaj dhe përgjegjësi për kulturën, Can Tahiri.

Të njëjtën gjë pohoi dhe Hysen Ibrahimi. Synimi i tyre është që t’i shpeshtojnë aktivitetet, t’i bëjnë ato sa më institucionale, t’i mbajmë shqiptarët e mërguar të lidhur ngushtë me vendlindjen, të jetojnë me fatin e atdheut dhe të bëhen pjesë për zgjidhjen e shpejt të çështjes kombëtare, si dhe përparimit të kombit të shqiptar.

Shoqata Papa Klementi XI në Suedi, promovoi botimin e disa veprave të tyre me vlerë, në radhë të parë të librit Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi nr. 7 dhe 8, një botim që pasqyron veprimtarinë e tyre, shpejton integrimin e shqiptarëve në Suedi, konsolidon ruajtjen e gjuhës shqipe, mban krijuesit shqiptar të bashkuar, i nxit ata të shkruajnë dhe të promovojnë vlerat dhe kulturat e tyre individuale dhe kolektive, duke ua trasmetuar njëri - tjetrit, por edhe qytetarëve suedezë, të cilët janë mjaft të interesuar për t’i afruar pakicat e kombësive të tjera që kanë hyrë në radhët e tyre, pasi e dinë që shkrirja e kulturave i shërben përparimit dhe përshtatjes së komuniteteve të huaja në kulturën e vendit që kanë zgjedhur për të jetuar. Ndaj kryesia e kësaj shoqate të nderuar nuk qëndron duarkryq, ata jetojnë me thënien brilante të Sami Frashërit: “Çdo ditë e jetës tënde është një faqe e biografisë sate, kujdesu ta shkruash sa më mire”.

Pedagogia Migena Arllati nga Gjaklova foli për veprën e Hysen Ibrahimit “Arsimi shqip në Suedi”, duke e vlerësuar një libër me vlerë, por dhe takimin mjaft mbreslënës, pasi mbledh shqiptarët ngado janë. Ajo bëri një analizë të kujdesshme për arsimin shqip në Suedi të autorit Ibrahimi, libër që është shkruar në bazë të dokumenteve, duke i shërbyer gjuhës shqipe. Arllati e cilësoi autorin avokat të palodhur në mbrojtje të interesave të shqiptarëve dhe aktivist të shquar në mbledhjen e ndihmave në dobi të Kosovës. Ai i është mirënjohës popullit suedez për zemërgjerësinë e treguar, durimin dhe kujdesin e përditshëm ndaj shqiptarëve për të shpejtuar integrimin e tyre në kulturën vendase. Dhe shqiptarët janë e duhet të jenë kudo mirënjohës për mbështetjen që u japin shtetet që i kanë strehuar dhe popujt e atyre vendeve. Autori në libër i kushton rëndësi të madhe rolit të mësuesit, prindërve, mjeteve mësimore etj.

Ndërsa Arllati fliste për “Arsimin shqip në Suedi” mu kujtua shprehja e Naim Frashërit, “S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, s’mund të ketë shqiptar pa gjuhë shqipe, s’mund të ketë gjuhë shqipe pa shkolla, në të cilat të mësohet shqipja”.

Duket që Hysen Ibrahimi e ka patur në qendër të vëmendjes thënien e tij. Emigrantët shqiptarë, asnjëherë nuk e kanë larguar nga mendja dhe zemra e tyre Shqipërinë dhe të shkruarit shqip. Vetvetiu mu kujtua veprimtaria e shoqërive shqiptare “Dëshira”, shtypshkronjës “Mbrothësia” në Sofje e tjera, të cilat përpiqeshin për hapjen e shkollave shqipe dekadat e fundit të shekullit të 19-të, gjë që e shohim edhe në këngët e vjetra: Që më një të kollozhekut / Ç’u krijua shoqëria / U krijua brenda në Sofje / Për shkollat nga Shqipëria.

Botime të tilla sjellin gëzim të madh. Kur u miratua alfabeti në vitin 1908, një zonjë e nderuar nga Korça shkroi një vjershë, të cilën e botoi gazeta “Liria e Selanikut”, ku shpreh gëzimin për alfabetin shqip: O moj fletëza Lirija / Kur të mora ty në dorë, / Zemra mu mbush plot me shija, / M’u zbardh fati si dëborë. / Dëshërim i madh i fortë, / Kisha kohë që më s’shihja, / Ndonjë fletë shqip shkruarë, / Ty moj lule kur të pashë, / Mora pendën me nxitim, / Pa t’i shkruaj dy fjalë thashë, / Fletës “Liri” me shpejtim...

Koha rrjedh, shqiptarët emigrant nuk janë më ata të një shekulli më parë, por gjithsesi disa problem vazhdojnë të mbeten të njëjta. Midis tyre dhe mësimi i gjuhës amtare. Ka shumë fëmijë shqiptarësh sot në dhe të huaj, në Greqi, Itali, Gjermani, Austri, Amerikë, Suedi e kudo, që nuk kanë mësuar shqip, apo nuk e njohin gjuhën e nënës me shkrim e këndim. Gati 110 vjet më parë, u bëhej thirrje shqiptarëve me banim në Rumani të mësonin shqipen: Djema, mos rrini, vraponi / U pret shkolla dyer hapur, / Mësoni gjuhën e uruar, / Edhe gjithë sot ç’këndohet, / Se mësimi e ka zgjuar, / Atë, kujt emri i dëgjohet... / Komb pa gjuhë s’ka qëndruar, / Këtë na thotë historia, / Ditja botën ka nderuar, / Pa këtë humb trimëria. Të njëjtin apel bën sot dhe Hysen Ibrahimi, prandaj vlera e librit është dyfish më e madhe.

Në takim folën dhe shumë shokë të tjerë si professor Bedri Paci, me origjinë nga treva e Tropojës, por që ka dhënë ndihmesë të dukshme në arsimimin e shqiptarëve në Suedi. Me vlerë qenë qenë diskutimet e poetit Dan Kosumi, të profesor Mehmet Rukiqit etj.

Interesant qe përurimi i librit me poezi të autorit Hasan Qyqalla, “Në ëndërra digjet nata”. Autori me poezitë e veta tregon se është mjeshtër i vargut, njeri që i dhemb fati i atdheut, ndaj sjell në poezitë e veta një mori kujtimesh e ngjarjesh të pa fund, ngjarje malli, udhëtimesh, ëndërrash, psherëtimash, vuajtje, besimi, përgjërimi, dhembje dhe mjerimi, shpesh herë me lot të shumtë. Autorit i përvlohet zemra për Shqipërinë, ndaj dhe shkruan me forcë: Kush ma djeg Shqipërinë/ më djeg eshtrat / më shkul pragun,/ më kall varret/, më pi gjakun.  Kush më gjymton Shqipërinë, / më prêt duart, / më prêt këmbët/ më sharton gjuhën, / më sharron zemrën. Kush më prek Shqipërinë, / më vret djepin, / Më prêt këmbët, / dhe Flamurin, / më fyen besën e betimin, / më shemb burrin. Dhe ai është nga burra, si shumë të tjerë, që nuk pranon ta shkeli nderin, pa dhanë jetën, madje dhe atje nën tokë, dheu do të shkundet e sakaq do të hapet, për ta gëlltitur brenda shkelsin e vatanit.

Ay u bënë disa vlerësime për poetë e shkrimtarë me banim në Suedi, por me medalje u vlerësua dhe poeti e gazetari tropojas Gjon Neçaj, kompozitori Skender Doshlani, poeti nga Kosova Tahir Bezhani si dhe poeti Lulzim Logu, për kontribut të vlefshëm në shërbim të kulturës , traditës, krijimtarisë letrare dhe publicistike.

Drekë e bashkëbisedim për punët në të ardhmen

Shkrimtarët e ardhur nga Suedia më qytezën e bukur të Bajram Currit u pritën me këngë e valle. Salloni i muzeut të qytetit oshëtiu nga mizika, kënga e vallja e gjallë tropojane, nga veshjet e vajzave me ngjyra te ndezura. Freskia e tyre i dha dritë dhe jetë mjedisit. Malësia e Gjakovës është e njohur për vallen e saj dinamike, forcën e këngës që lidhet ngushtësisht me botën shpirtërore të banorëve të asaj zone. Janë valle ku bie në sy lëvizja dinamike, forca e demonstruar nga valltarët por më kryesorja epizmi dhe lirizmi i tyre. Kostumet e vajzave me ngjyra tërheqëse, lëvizjet ekspresive, tingujt e muzikës, dinamika dhe eleganca që pasqyron vallen e grave, e mban shikuesit të mbërthyer me orë të tëra pas saj. Kemi të bëjmë me valle në tërësi të shtruar e plotë hijeshi, por që në momente të veçanta shpërthen, bëhet mjaft dinamike dhe njëkohësisht shfaq elegancë të paparë.

Po këto valltare të Asmablit “Dardania” do të ndiznin me vallen e tyre mjedisin ku ishte parashikuar dreka, në afërsi të Bujanit historik. Atyre iu bashkëngjitën në valle dhe të tjerë njerëz, poetë dhe artistë tropojan, duke e bërë edhe më gazmor atë mjedis festiv midis vëllezërve. U hodhën ide të reja për ta rritur më tej bashkëpunimin, ta ngrejmë atë edhe më lart, pasi duke ecur dhe marrë me vete dhjetra shokë të tjerë, do të rrisim numrin e bashkëpunëtorëve, por edhe cilësinë e veprave që do të botohen në të ardhmen nga kjo shoqatë mjaft aktive, duke qenë njëherësh shembull për gjithë shoqatat e tjera.

-Nuk jemi të përjetshëm, - thotë Hysen Ibrahimi, - jeta është e shkurtër, ndaj të përpiqemi të bëjmë sa të mundim, se e sotmja nuk kthehet më. Ne do të vijmë sërish, çdo vit do të bëjmë aktivitete, sepse mësojmë nga përvoja e njëri-tjetrit.

Ndërsa ai fliste, mu duk sikur kishte kopjuar Sami Frashërin, i cili nënvizonte: “Njeriu nuk është i përjetshëm, le të përpiqet të jetë e pavdekshme ajo që do të thotë dhe ajo që do të bëjë”.

Drejt Prizrenit historik

U ndam me miqtë e dashur nga Suedia, me shpresën e takimeve të tjera, madje sa më të shpeshta dhe morëm rrugën drejt Prizrenit.

-Kam dëshirë ta shohin Prizrenin edhe Kadri Tarelli e Bashkim Saliasi që nuk e kanë parë, - tha Vironi. - Mos ma merrni për keq, por mua më takon që edhe të vendos, pasi jam organizator.

-Dakord, - i themi dhe vazhdojmë rrugën.

-Se Prizreni dhe Vlora, - vazhdoi Vironi, - janë gati të njëjtë. Për autonominë e Shqipërisë u bë Lidhja e Prizrenit, ndonëse nuk iu arrit qëllimit, por ama ai kuvend shtroi rrugën për Ismail Qemalin që të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë, 34 vite më vonë.

Ndërsa udhëtojmë, para syve na dalin portretet e figurave të shquara të asaj ngjarjeje, Ymer Prizreni, kryetar i qeverisë, Sulejman Vokshi, ministër i mbrotjtjes, Iliaz Pashë Dibra, kryetar i Kuvendit, Abdyl Frashëri ministër i Jashtëm, Ali Bej Gucia, Hasan Pashë Tetova, Abdulla Pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban Bej Prizreni, Jashar Bej Shkupi, Haxhi Shabani e shumë të tjerë.

Bashkim Saliasi dhe Kadri Tarelli ia marrin këngës: Abdyl shite pasurinë, një barrë flori  / Vajte tek Bismarku brenda, ndënje në skami… Unë dhe Vironi bënim iso. Dhe si i thonë fjalës, kënga shkonte gjym. Populli e kishte përjetësuar në vargje veprimtarinë diplomatike të Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Vrionit, të cilët trokitën në dyert e gjithë diplomacive europiane. Por Shqipëria nuk njihej nga bota. Për Fuqitë e Mëdha, kombi shqiptar nuk ekzistonte. Bashkëudhëtarët e mij vazhdonin këngën: Djalë nga je ti? / Unë jam nga Shqipëria, Abdyl Frashëri! / Ju lutem shikoni mirë, Ju për Shqipëri / Mos e bëni copa copa, sikur s’ka njeri / S’jemi grekër, as bullgar, as nga Mali i Zi / Jemi vetëm shqipëtarë dhe duam liri / Të rritur në ato male, me libra në gji.

Mbërritëm në Prizren. Përpara na shfaqet Kalaja e Prizrenit, kasha ortodokse e shekullit 15, xhamitë, urat e harkuara mbi Lumin e Bardhë, dyqanet karakteristike ndërtuar në shekullin e 19-të, të rikonstruktura por që e kanë ruajtur me fanatizëm arkitekturën e tyre të mëparshme. Fillimisht shkuam te shtëpia ku zhvilloi punimet Kuvendi i Prizrenit. Ajo u shkatërrua nga ushtria serbe më 27 mars të vitit 1999. Militantët e Beogradit i vunë eksploziv, duke e shuar tërësisht, pasi godina u përfshi nga flakët. Shkatërruan dhe shtatoret e Abdyl Frashërit dhe Ymer Prizrenit dhe shumë dëme të tjera, por prizrenasit e ringritën sërish, ndonëse shumë dokumente u morën prej trupave ushtarake. Nuk dihet ç’u bë me to. Me siguri janë zhdukur. Por jo vetëm kaq. Numri i objekteve areologjike dhe të tjera që lidhen me indetitetin dhe kulturën e kombit shqiptar, gjenden në muzeumet etnologjike të Nishit, Vranjës, Splitit, Beogradit e gjetkë. Jo më kot u zhvillua ai kuvend në Prezren, në qytetin e lashtë të kulturës së hershme materiale e shpirtërore, që janë të shumta e të shumllojshme.

Edhe Hysen Ibrahimi, kreu i shoqatës së shkrimtarëve shqiptar në Suedi, fliste shpesh për konfuzionin europian, dje dhe sot, për çështjen shqiptare në tërësi dhe atë të Kosovës në veçanti. Janë të lidhur me interesa të shumta, me serb, malazez e rus, por shpresa jonë është Amerika dhe jam i bindur që bashkimi i kombit do të bëhet. Do të bëhet se nuk ka rrugë tjetër, - përfundon ai.

Ndërsa flisnim për ato ngjarje, më erdhi në mend takimi i zhvilluar me rastin e 139 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Aty isha dhe unë. Nxënësit aktorë të shkollës së mesme imituan udhëheqësit e Lidhjes së Madhe, Ymer Prizrenin, Abdyl Frashërin, Sulejman Vokshin e të tjerë krerë të saj. Fjalën e mori dhe Ramadan Muja, kreu i bashkisë së atij qyteti. Këngë dhe recitime të shumta kushtuar asaj ngjarjeje të madhe, ku merrnin pjesë dhjetra poetë nga të gjitha trojet shqiptare.

Pastaj u drejtuam për në Shtëpinë e Bardhë ku do të zhvillonte punimet konferenca. Ishte godina ku gjendej zyra e kryetarit të Bashkisë së Prizrenit. Shtëpi të Bardhë, veç Amerikës kishte dhe Prizreni. Një godinë e vendosur përballë rrugës, që binte në sy menjëherë, e pastër dhe e bardhë si ajo. Salla ishte mbushur plotë. Ramadan Muja, kryetar i Bashkisë së qytetit pritës, në përshëndetjen e tij vlerësoi rëndësinë historike të Lidhjes së Prizrenit dhe falenderoi pjesëmarrësit.

Une referova kumtesën: “Trojet shqiptare përballë Konferencës së Londrës”. Vura në dukje se Rusia, në bashkëpunim me Francën, në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të e intensifikoi punën në mbrojtje të të krishterëve që ndodheshin në territorin e Perandorisë. Objektivi i saj ishte zgjerimi i trojeve sllave në gadishullin e Ballkanit. Pas luftës ruso-turke, me nënshkrimin e Traktatit të Shën Stefanit më 1877, Rusia bëri të pamundurën për të ndarë trojet shqiptare në dobi të sllavëve, duke e realizuar atë pjesërisht me anë të Kongresit të Berlinit, kohë kur Serbia fitoi dhe pavarësinë. Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, qershor 1878, shqiptarët i shtuan përpjekjet për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe, si dhe kërkesat për autonominë e Shqipërisë. Vitet 1911-1912 u karakterizuan nga zgjimi i ndërgjegjes kombëtare shqiptare dhe përpjekjet për të fituar autonominë e Shqipërisë erdhën duke u rritur. Veçanërisht pas Kuvendit të Gërçes, të 23 qershorit 1911, lëvizja patriotike mori përmasa të gjera duke u shtrirë edhe në jug. Në verën e vitit 1912, kryengritja gjeti shtrirje në Prishtinë, Shkup, Shkodër e deri në Vlorë. Ndërkohë, kryeministri i qeverisë osmane dha dorëheqjen. Pasuesi i tij u detyrua të pranonte paketën me 24 kërkesa të shqiptarëve, ku u përjashtua vetëm pika në të cilën kërkohej nxjerrja në gjyq e ish - kryeministrit të mëparshëm dhe dënimi i administratës së kaluar. Qeveritarët premtuan reforma në Shqipëri, duke përfshirë edhe një lloj autonomie të padeklaruar plotësisht.

Rritja e kërkesave shqiptare për autonomi, i trembi fqinjët e Shqipërisë. Për pasojë viti 1912 u shoqërua me disa nënshkrime marrëveshjesh midis vendeve ballkanike, siç ishte traktati i 13 marsit midis Serbisë e Bullgarisë, ku bëhej fjalë për ndarjen e trojeve shqiptare. Më 29 maj u nënshkrua traktati greko-bullgar dhe në korrik, Mali i Zi bëri marrëveshje verbale me Bullgarinë. Të përfshira në Aleancën Ballkanike, shtetet e këtij gadishulli nuk i lanë kohë qeverisë perandorake për të provuar vërtetësinë e premtimeve të dhëna në dobi të shqiptarëve. Më 8 tetor 1912 nisi Lufta Ballkanike. Serbia u nis nga Veriu, Mali i Zi po i drejtohej Shkodrës, ndërsa Greqia pushtoi Pashalimanin. Pikërisht më 8 tetor, Rusia dhe Austro - Hungaria firmosën një deklaratë, sipas së cilës, Lidhja Ballkanike nuk duhej të përmbyste Traktatin e Berlinit, pra nuk do të ndryshonin kufijtë territorialë. Gjithsesi perandoria austrohungareze e shihte me frikë pretendimin serb për dalje në Adriatik nëpërmjet një porti shqiptar, ndërsa Rusia i druhej ndonjë aksioni në këtë rajon nga ana e austro - hungarezëve. Nën pretekstin e largimit të ushtrisë osmane, fqinjët e Shqipërisë synonin copëtimin e saj. Kjo luftë nxitej nga diplomacia ruse, e cila kishte ndikim të fuqishëm në Serbi, politikanët e së cilës u bindeshin verbërisht. Cari i Rusisë pranonte që kishte nxitur sllavët kundër perandroisë osmane dhe nëse nuk do të fitonte aleanca ballkanike Rusia kishte vendosur të futej në luftë në mbështetje të tyre, edhe po të kërcënohej paqja në Europë. Në bisedën e ambasadorit britanik me carin dilte në pah edhe fakti që ndryshimet e kufijve në ballkan ishte e vështirë të bëheshin pa një luftë të përgjithshme.

Tendenca kryesore e shteteve që përbënin Aleancën Ballkanike ishte që pas luftës, fitorja e tyre të shpërblehej me territore nga pjesët e Turqisë Europiane. Harta e kësaj pjese të kontinentit europian, nënkuptonte Shqipërinë, e cila ndodhej ende nën administratën turke. Humbja e luftës nga ana e Perandorisë, u jepte të drejtë ndërluftuesve ballkanikë të bënin pazar me tokat e kolonive të saj.

Rusia mbështeste me forcë interesat serbe, madje i zbriste pretendimet e tyre deri në Durrës. Ajo pajtohej me krijimin e një Shqipërie autonome, por këmbëngulte që territori i shtetit shqiptar të ishte fare i vogël, një rripë buzë bregdetit dhe të mos shtrihej më gjerë, ndërsa lidhur me portin e Shëngjinit mendonte se kjo ishte më e pakta që duhej pranuar nga Vjena. Ambasadori rus në Paris, Izvolski, krijimin e Shqipërisë e shihte si një eksperiment pa sukses të Austrisë, sepse malësorët shqiptar ishte vështirë të mblidheshin në një shtet, për pasojë trazirat do të qenë të vazhdueshme.

Italia ishte për një Shqipëri autonome por që ajo të pajtohej me interesat e ligjshme të Serbisë. Sipas Romës, Shqipëria duhej të asnjanësohej me një garanci europiane për të shmangur keqkuptimet midis Austro-Hungarisë dhe Italisë. Edhe pse kishte aleancë me Austrohungarinë nuk dëshironte të dilte kundër Malit të Zi, madje pajtohej dhe me politikën ruse për të patur si kryeqytet të Shqipërisë Elbasanin dhe Shkodra ti mbetej Malit të Zi, si shpërblim i lidhjeve familjare midis dy dinastive, të Savojës dhe Petroviçëve.

Gjermania shprehej kundër planeve serbe për të penguar krijimin e një shteti shqiptar, por nuk përjashtonte mundësinë e ndërtimit të një hekurudhe, e cila duhej të lidhej me një port të lirë. Gjermania e quante të paarseyshëm pretendimin serb, ku dukej hapur mungesa e plotë e çdo ndjenje të masës, pasi bëhej fare qesharak dhe nuk u linte shqiptarëve asnjë territor që t’ia vlente të flitej për të.

Rumania ishte për autonominë e Shqipërisë dhe kundër daljes së Serbisë në bregdetin shqiptar, të cilën e arsyetonte me dëshirën e 150 mijë vllehëve për t’u përfshirë në shtetin shqiptar, për të cilën ndikonte dhe afërsia e gjuhës me njëri-tjetrin. Diplomacia franceze u angazhua tërësisht në përkrahje të Rusisë dhe shteteve ballkanike dhe doli kundër pjesëmarrjes së Rumanisë në Konferencën e Ambasadorëve. Serbia mendonte se trojet që do të pushtonte gjatë luftës kundër ushtrisë perandorake, do të mbeteshin nën zotërimin e saj, pasi pretendonte se ishin pjesë e Serbisë së Vjetër. Athina shfaqej si aleate e sigurt e Serbisë dhe kundërshtare e vendosur e pavarësisë së Shqipërisë, për pasojë kundërshtonte synimet austrohungareze për dalje tregtare me rrugë hekurudhore në Selanik si dhe zgjerimin e trojeve shqiptare në veri, duke patur Shkodrën kryeqytet. Aleanca ballkanike mbështeste kërkesat serbe, malazeze dhe greke. I gjithë ky asambël hienash dhe korbash u lëshuan mbi trupin e Shqipërisë së plagosur dhe e shqyen në kujdesin e luanëve të Europës, të cilën me të drejt Gjergj Fishata e qiuante “kurva e motit”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora