Udhëpërshkrim
Bashkim Saliasi: Shkolla Vëllazërimi në 20 vjetor
E shtune, 13.05.2017, 08:51 AM
Mësues, të ftuar, drejtor e n/drejtor të shkollës “Vëllazërimi”, dal në 5.5.2017
Shkolla 9-vjeçare “Vëllazërimi” në 20 vjetorin e saj
“Nuk ka qëllim më të bukur, sesa të punosh që njerëzit që do të vijnë më pas, të jenë më të lumtur sesa ç’ishim ne” - Sharl Lui Monteskie
Nga Bashkim Saliasi
5 Maji, një ditë e shënuar për ne shqiptarët. Dita e nderimit të dëshmorëve, që dhanë jetën për çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Por, për shkollën 9 - vjeçare “Vëllazërimi” Babrru-Fushë dhe komunitetin e saj, 5 Maji, Dita e Dëshmorëve, përkon edhe me ditëlindjen e shkollës. Pikërisht më 5 Maji të vitit 1997, shkolla “Vëllazërimi” hap dyert e saj për nxënësit e komunitetit rreth e qark zonës së Babrru-Fushë, duke e rritur nga vitit në vit numrin e nxënësve dhe të mësuesve të saj, duke ndihmuar atdheun me më shumë njerëz të ditur dhe qytetarë të përkushtuar për zhvillimin e vlerave të tij më të mira.
Për gati një javë, pas një pune përgatitore intensive, drejtoresha e shkollës Merita Prenga, së bashku me stafin e saj dhe mësuesit që drejton, planifikojë dhe organizojë me të gjitha detajet festimin e ditëlindjes së shkollës, të çeljen e saj, si dhe bilancin e pasur dhe të begat të krijuar që nga 5 maji i vitit 1997 e deri më sot.
Nuk i thonë pak, por një 20 vite në rrugën e dijes, ku gjenerata të tëra nxënësish dhe mësuesish kontribuuan në edukimin te nxënësit të dijeve të shëndosha mësimore, pedagogjike, shkencore dhe edukative, në ngritjen e emrit të mirë të shkollës, e cila sot radhitet në një ndër më të mirat e ZA Kamëz, si në procesin mësimor edukativ, ashtu dhe në të gjitha veprimtaritë edukative, social - kulturore dhe artistike e sportive.
Ora shënonte 7 e 30 e mëngjesit e datës 5 Maji kur oborri i shkollës u mbush si rrallë herë me nxënës dhe mësues, që po kryenin edhe veprimet dhe elementët e fundit për fillimin e ceremonisë festive të ditëlindjes së shkollës. Në sytë e të gjithëve shihej gëzim dhe hare, teksa mjedisi gjallëronte nga flamujt dhe tullumbacet festive plot ngjyra. Gjithkush ishte në vendin e vet dhe priteshin të vinin ish mësues dhe ish drejtues të shkollës në vite, personalitete nga komuniteti, si dhe të ftuar të tjerë. Nxënësit, pothuajse të të gjitha klasave, që nga e para e fillores e deri te klasa e nëntë, ashtu dhe ata të kopshtit, ishin veshur me rrobat më të bukura, e sidomos me kostumet e mrekullueshme popullore që të merrnin sytë e që formonin një mozaik shumëngjyrësh. Drejtoresha e shkollës znj. Merita Prenga ndihej e emocionuar dhe lëvizte sa në oborrin e shkollës, në palestër, në katin e dytë dhe të tretë, duke kontrolluar deri në detaj, duke dhënë udhëzimet e fundit, si dhe përkujdesej për çdo element, ku mësues dhe nxënës kishin pasqyruar bukur dhe pastër gjithë veprimtarinë e shkollës ndër vite.
Të përfshirë në këtë atmosferë festive dhe gazmore, nxënës dhe mësues, festuan së bashku gjithë gjallëri që nga ora 7 e 30 deri në ora 10.00, që më pas t`u linin vendin të ftuarve që na nderuan me pjesëmarrjen e tyre në këtë ditë të shënuar për shkollën tonë. Ardhja e të ftuarve u shoqërua me duartrokitje dhe valëvitje flamujsh, por edhe me lule maji të freskëta, të këputura posaçërisht në kopshte, e që e zbukuronin aq shumë mjedisin, oborrin, hyrjen dhe pastaj korridoret, klasat, kabinetet dhe të gjithë mjediset e shkollës. Nxënës e mësues i qerasën të ftuarit me nga një gotë pije freskuese duke ekspozuar njëherazi në tavolina të veçanta përgatitjet ushqimore të zonës, të paraqitura bukur, me hijeshi e pastërti në pjata dhe pjatanca plot ngjyra. Të gjithë nxënësit e mësuesit të qeshur dhe me gaz e kënaqësi uronin të ftuarit e shumtë që ngjiteshin në katet e shkollës dhe shihnin mjedisin që gjallëronte dhe shkëlqente nga hareja dhe bukuria festive.
Në këtë eveniment të rëndësishëm për shkollën tonë nderoj me pjesëmarrjen e saj drejtoresha e ZA, Doktore e shkencave znj. Ermioni Çekani, përgjegjësia e kurrikulës znj. Irma Hyseni, si dhe dy shkrimtarët e nderuar, miq të shkollës sonë Viron Kona dhe kryeredaktori i Revistës “Mësuesi” Andon Andoni.
Me radhë në oborrin e shkollës mbërritën drejtori i parë i shkollës “Vëllazërimi” z. Medi Hoxha, si dhe ish drejtues të tjerë të shkollës mes të cilëve dhe Baftjar Peti dhe Mimoza Haxhiu. Po ashtu dhe nëndrejtorët ndër vite Ferit Lika, Kristina Marku, Kimete Fregjaj, Vera Ulndreaj, Elinda Kuzari...Disa nga drejtorët dhe n/drejtorët të dalë në pension, kurse të tjerët punojnë mësuese pranë shkollës sonë. Në këtë ceremoni merrte pjesë dhe drejtori i shkollës së mesme “Azem Hajdari”, z. Besnik Daci, ku nxënësit tanë mbas mbarimit të ciklit 9- vjeçar, ndjekin atë shkollë të mesme. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe Kryetari Bordit të shkollës Artan Refatllari, si dhe Kryetari i Këshillit të Prindërve z Ilir Rama.
Shkolla është një godinë tre katëshe, plotë ngjyra e dritë, ku në çdo cep të saj gjen të pasqyruar gjithë veprimtarin e saj ndër vite. Stenda të shumta të vendosura në mure, pasqyrojnë arritje, suksese dhe veprimtari të zhvilluara nga viti në vit, ndërkohë që vazot me llojshmëri lulesh, gjallërojnë në dimër e verë. Të mirëmbajtura ato gjelbërojnë dhe i japin larmi dhe bukuri të veçantë të gjithë mjedisit festiv.
Të ftuarit nën drejtimin e drejtoreshës së shkollës z Merita Prenga vizituan të gjitha mjediset ku zhvillohet mësimi, klasa, holle dhe korridore të katit të parë, të dytë dhe të tretë, e ku pasqyrohet puna artistike me mjaftë vlera e talenteve në pikturë, punime në grafi, skicë, mozaik etj. Nxënësit, në drejtimin e mësueses Rina Beqiri, që zhvillon lëndën e Artit Pamor, nderuan në këtë 20 vjetor jo vetëm mësuesit dhe veten e tyre, por edhe emrin e mirë të shkollës.
Drejtoresha njohu drejtoren e ZA z Ermioni Çekani dhe të ftuarit me punën e mirë që bëhet me bibliotekën e shkollës, ekspozitat e paraqitura, si dhe shprehu falënderime për ndihmën që dha për shkollën dhe pasurimin e bibliotekës me libra Fondacioni Amerikan i Zhvillimit.
Më pas të ftuarit, prindërit dhe nxënësit pjesëmarrës, senatorët e klasave, qeveria e nxënësve dhe nxënësit e dalluar, së bashku me të gjithë mësuesit e shkollës sonë, iu drejtuam palestrës së shkollës ku do të zhvillohej veprimtaria më kryesore e festës. Brenda atij mjedisi ndihej një atmosferë mbresëlënëse, e cila pasqyronte punën e bërë veçanërisht nga mësuesit e rinj Saimir Kabili, Emirjan Cubaj, ashtu dhe mësuesit me eksperiencë që kishin planifikuar çdo detaj të zbukurimit dhe të krijimit të një mjedisi sa më tërheqës dhe komod.
Filloi Himni i Flamurit. Të gjithë nderuan duke u ngritur në këmbë duke e kënduar Himnin së bashku, të shoqëruar edhe nga grupi artistik i shkollës.
Programi u hap me “Vallen e Shotës”, teksa larmia e kostumeve krijonte një atmosferë shumë emocionuese dhe mbresëlënëse, por edhe plot hare dhe gjallëri. Dukej sikur gjithçka ishte përgatitur nga dora e një regjisori, koreografi profesionist, por edhe nga artistë të shquar.
Prezantuesit Jasmina dhe Redi, me një paraqitje korrekte dhe mbresëlënëse, ia dhanë fjalën për të përshëndetur drejtores së ZA znj. Ermioni Çekani, e cila ndër të tjera shprehu kënaqësinë dhe gëzimin e saj që gjendej mes nxënësve dhe mësuesve të shkollë në atë festë të 20 vjetorit të shkollës. Ajo shprehu vlerësimin se shkolla “Vëllazërimi” është ndër shkollat më të mira të ZA Kamëz, si dhe përgëzojë drejtuesit dhe stafin pedagogjikë, e veçanërisht drejtoren znj. Merita Prenga. Program artistik u shoqërua edhe me përshëndetje të të ftuarve të tjerë, të cilët me fjalët e tyre, kujtimet e bukura dhe përshëndetjet e sinqerta, krijuan emocione dhe duartrokitje te pjesëmarrësit. Ndërkaq drejtoria e shkollës dhe nxënësit ishin kujdesur që të ftuarve t`u jepeshin buqeta me lule, si dhe dhurata simbolike me siglën: “20 Vjet - shkolla Vëllazërimi”. Emocione të veçantë krijoj fjala e drejtorit të parë të shkollës z. Medi Hoxha, i cili ndër të tjera, tha se ndihej i nderuar dhe i lumtur që shkolla që u themelua kur ishte ai drejtor i saj, dhe që ndër vite kapërceu vështirësi të shumta, duke arritur të konsolidohej nga vitit në vit. Kurse sot, ajo radhitet dhe vihet në krye të shkollave më të mira të zonës.
Në vazhdim, mësuesja e historisë Elda Nela, bëri një ekspoze të historikut dhe të ecurisë së shkollës në vite, e cila u pasqyrua me monitor në tabelën elektronike, si dhe u shoqërua nga pjesëmarrësit me duartrokitje dhe përgëzime. Ndërkaq, herë pas here, e merrnin fjalën të ftuar të tjerë.
Në fjalën e tij shkrimtari dhe miku i shkollës “Vëllazërimi” Viron Kona tha: “Gëzuar 20 - vjetorin e shkollës! Njeriu hutohet nga një problem apo ushtrim i vështirë matematikë, por unë, - tha ai, - sot po ndihem i hutuar nga bukuria, nga pamja magjepse që ka marrë shkolla juaj...Kushdo, nga cilido kënd i rruzullit, po të ndodhej sot këtu, do të mrekullohej nga kjo atmosferë kaq e rrallë dhe entuziaste që ka ndezur të gjithë shkollën, nga kostumet e mrekullueshme të krahinave të ndryshme të Shqipërisë që të marrin sytë me ngjyrat dhe vezullimet, me figurat dhe stilistikën e qëndisjes, por mbi të gjitha, cilido mrekullohet me fytyrat dhe sytë e qeshur të këtyre fëmijëve kaq të bukur dhe të çiltër, të kulturuar dhe të edukuar...Kjo konsideratë, u shfaq për shkollën tuaj edhe para disa muajve nga grupi i shkrimtarëve të ardhur nga Suedia. Ata, edhe sot ruajnë në mendje dhe në zemra e tyre bukurinë dhe madhështinë e mikpritjes suaj, të nxënësve dhe mësuesve të shkollës me emrin e madh “Vëllazërimi”.
Më pas përshëndeti kryeredaktori revistës “Mësuesi” Andon Andoni, i cili krahas falënderimit, solli kujtime të bukura kur ai kishte qenë nxënës, duke bërë krahasime me nxënësit e sotshëm, kaq të ditur dhe gazmorë, por dhe me kushte dhe mundësi të tjera mësimore...
Drejtoresha e shkollës z merita Prenga në fjalën e saj përshëndetëse midis të tjerash theksoj:
Me të drejtë është thënë: “Gjithkush të mësojë jo vetëm për të qenë shkrimtar, politikan, mjek, mësues ...,por edhe për të mos qenë skllav i të tjerëve. Dhe, që të mos jesh skllav i të tjerëve, duhet të lexosh librat e shkrimtarve, të njohësh filozofinë e politikanëve, të njohësh aftësinë e mjekëve, të ndjesh fisnikërinë dhe aftësinë e mësuesve. Unë sot bashk me ju jam shumë e nderuar që të shpreh mirënjohje dhe respekt në këtë përvjetor për dy zotërinjtë e nderuar shkrimtarin Viron Kona dhe kryeredaktorin e revistës “Mësuesi” Andon Andoni.
Mirënjohje dhe respekt për të gjithë prindërit dhe një falenderim i veçantë shkon për dy zotrinjtë e nderuar z. Artan Rifatllari Kryetarin e Bordit të Shkollës dhe Ilir Rama, Kryetar i Këshillit të Prindërve dhe gjithë prindërit pjesmarrës.
Falenderim për Drejtoren e ZA Kamëz, zonjën Dr. Ermioni Çekani.
Falenderoj mësues dhe nxënës që u përkushtuan totalishtë në këtë eveniment kaq të rëndësishëm të festimit të 20 vjetorit të shkollës “Vëllazërimi”.
Faleminderit nxënësve të shkollës sonë, që na mbushin me jetë që shtojnë gëzimin e pasurojnë vizionin.
Një lule është e bukur vetëm në pemën e saj...
Ku institucion me emrin “Vëllazërimi”, qëndron bukur në mes të këtij komuniteti heterogjen...
Në fjalën e tij Kryetari Këshillit të Prindërve midis të tjerash tha:
Ndihem shumë i priviligjuar dhe i emocionuar që sot në këtë ditë solide, të marrë pjesë në këtë cermoni dhe t`ju uroj gëzuar 20 vjetorin e shkollës....Të lindësh, të mëkëmbesh dhe të bëhesh 20 vjeç do të thotë të jesh rritur dhe të jesh futur në rrugët e jetës. ...Çdo kush që mëson një brez të ri në këto kushte të vështira pas disa vitesh do t`i ketë në krah të tij si koleg dhe do vazhdojnë misionin fisnik të edukimit. Porosia ime për ju nxënës është që asnjë herë mos i harroni mësuesit tuaj. Ju përshëndes të gjithëve dhe në emër të prindërve ju uroj festofshim sa më shumë përvjetore.
Më në fund, sipas zakonit, u pre torta “20 vjet shkolla “Vëllazërimi” dhe, të gjithë së bashku, mësues dhe të ftuar, u drejtuam për në lokalin pranë shkollës e ku festa u mbyll me një drekë të gëzuar e festive.