E hene, 29.04.2024, 06:09 AM (GMT+1)

Mendime

Anton Marku: Kulla e Pise-s

E diele, 11.12.2016, 11:21 AM


Kulla e PISE-s

Shkruan Anton Marku

nga shpallja e Pavarësisë Kosova përjetoi shumë ‘‘ditë historike’’. Disa as që ishin ‘‘ditë’’ pasi që ngjarjet ndodhën pas perëndimit të diellit, e një mori e tyre nuk kishin asnjë lidhje me definicionin ‘‘historike’’. Dita e komunikimit të rezultateve të testit ndërkombëtar PISA bën pjesë në njërën ndër ato ditë vërtetë historike. Kësaj radhe jo brenda thonjëzave. Dhe pa fusnotë.

Për më shumë lexoni tregimin në vazhdim.

Prolog

Atë mëngjes Kosova gdhiu njësoj si në 17 vitet e fundit: krenare me të arriturat e deritanishme, si në planin e ‘‘jashtëm’’ (integrimet euro-atlantike) ashtu dhe në atë të brendshëm (shtet i mirëqenies në shërbim të qytetarëve). Duke qenë të lodhur nga temat madhore, për të cilat ka kohe që ‘‘kapen’’ edhe ‘të kapurit’’ e edhe ata që do donin të ishin të tillë por që ende nuk u ka ardhur radha për tu ‘‘kapur’’, për befasi të të gjithëve, mediat filluan të raportonin se sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, e cila vitin e kaluar organizoi Testin Ndërkombëtar të Vlerësimit – PISA, dhe atë në 72 vende të botës, Kosova po përmendej çdokund. Jo dhe aq për të mirë. Për më tepër, për vendet e fundit në këtë listë që me stocizëm po i mbante.

Loti

Ministrit të Arsimit të Kosovës, i cili për ironi, ka emrin Arsim, për herë të parë pas shumë vitesh ju skuq fytyra: -‘‘Eu’’-tha me vete-‘‘çka na u desht të pranojmë të testohemi nga të huajt. Më mirë ta kishim bërë vetë dhe këtë. Në mënyrën tonë. Ashtu siç dijmë ne: me kopje, shënime, postime në facebook-a, telefona mobil e me gjëra të tjera. Ma kishte thënë gjyshi, ndjestë pastë, se këta të huajt vetëm fatkeqësi ndjellin. Dhe sjellin. Tash do më ngatërrohen reformat që sapo kisha filluar. Në të vërtetë ato i kisha nisur kur isha rektor në Universitetin e Prishtinës, këtu e katërmbëdhjetë vite më parë, por që seriozisht po zbatohen vetëm që nga ardhja ime në këtë post. Sa  të pashpirt që janë! Duan të më prishin imazhin! Po si nuk e shtyen shpalljen e rezultateve? Së paku deri pas përfundimit të mandatit tim. Nejse, në konferencat për shtyp do deklaroj se, në krahasim me vendet e rajonit, aty diku jemi. Shpresoj që gazetarët nuk do të kujtohen të më pyesin:-Ku aty?. Nëse po, gjuhën do e përdredhë në të katër anët e botës, derisa loti të më dalë, por fjala ‘‘aty në fund’’ nuk do dëgjohet nga goja ime’’.

Turpi

Drejtoresha e arsimit e komunës së Prishtinës sapo kishte pirë kafenë e parë në lokalin përballë drejtorisë, kur i cingërroi telefoni. Dukej se ishte diçka shumë me rëndësi. Nga zhurma e makinave nuk i dëgjoi të gjitha që bashkëbiseduesi i tha andej linjës. Kuptoi vetëm ‘‘Pica’’. ‘‘-O jam lodhë me pica çdo ditë! Boll ma! Boll! Nuk due bre! Qe, për inat nuk du! Sot jo! Sot për drekë kisha hangër diçka ma vendore. Naj pite për shembull!

Më vonë, raportin e saj për gjendjen aktuale në fushën që mbulon e përfundoi me një thënie që ju kujtua në çast: ‘‘Nuk është turp të biesh, turp është të mos mundohesh të ngritesh’’.

Pagat

Valbona shikoi edhe një herë veten në pasqyrë. Të kuqtë e buzëve po i rrinte për mrekulli. Së paku kështu i dukej asaj. Zingjiri i qafës dhe ai i dorës kombinoheshin bukur me vathët e arit. Fustani i ngushtë, pak i hapur në mes, i vinte në pah gjithë linjat që i kishte dhuruar natyra. Ndërkohë, në ekran po emitoheshin lajmet e orës dhjetë. Shoqëria civile po kritikonte mësimdhënësit për rezultatet e dobëta në një testim ndërkombëtar. -‘‘Uh, bre!-tha me zë:- Çka ish kanë qikjo civilja shoqërore, zhugë na është bo. Veç me shajtë dijnë. Thu se u ba nami. Asnjiherë nuk pysin se çka jemi tuj hjekë na, kuadri msimor. Prej trajtimit në trajtim (sigurisht Valbona ka dashur të thotë: nga trajnimi në trajnim, vrj.ime), gunjtë na u shkyen e kurkush nuk po na e din për nder. Ani se shumë rroga të mdhja po marrim. As për shminka e aj-fon (I-Phone) nuk po na dalin e le ma për naj sen çetër. Që, unë i shita krejt librat që i pata në biblotekën e shpisë, e me ato pare as një javë pushim të hajrit nuk mrrina me e ba në Antali. Të tjerat m’i shtoj nja i ngjofshëm, baba i ni nxansi tem’’.   

Kulla

Enveri, një pesëdhjetëvjeqar dhe prindër i dy fëmijëve që vijojnë mësimin në njërin nga kolegjet private, po bëhej gati të dalë në pune. Edhe ai, si dhe shumica e punonjësve të qeverisë del në punë. Nuk punon. Për atë paguhet. Në zyrë arriti pak para mesditës. Në tavolinën që ende vazhdonte të quhej ‘‘e punës’’ tashmë, si dhe dje e pardje, ishin vendosur raki e meze. As kafja nuk mungonte. E shpisë. E zezë. Turke. Papritmas, dikush nga kolegët pyeti:

-Ej njerëz, a dëgjuat more për PISE-n?

Enveri, si më i dituri nga të gjithë, pasi që pas luftës ja kishte dalë të merrte një master në universitetin e Tetovës, një tjetër në Tiranë (aty ke ‘‘Vitrina shop’’) si dhe, siç u mor vesh më vonë, një natë (në fakt në mesnatë) i ishte betuar bashkëshortes se nuk do të mbyllte sytë pa e marrë dhe atë të universitetit të Sheffild-it në Greqi, ashtu si dhe kryeparlamentari, nuk priti shumë shumë dhe u përgjigj:-More se ajo kullë në Itali ka qenë e shtrembër e di, por që paska rënë përtokë nuk e paskam ditur. Mbase ky lajm më paska ikur nga leximi që i bëra këtë paradite gazetës ‘‘Washington Post’’.

PISA-t

Sapo ra zilja e shkollës. Turni i tretë kishte dhe dy orë të përfundonte. Ibrahimi dhe Muja, të dy nxënës të klasës së tetë të ciklit të ulët ‘‘të lartë’’ u ndalen në koridor dhe ndezën dhe nga një malboro të gjatë. Të pestëmbdhjetën sot.

-Na more, mos u ngut! Kemi kohë. As profesori nuk vjen në klasë pa e bërë ‘‘selfije’’ me ndonjë mësuese!-foli i pari.

-Nuk po ngutem fare! More, aq më bën për letërsi. As për matematikë. As për shkencë. Ani më ekzakte. Si të matësh kohën me metër.  Por, po më vjen inat, shoku, me këta pisat e PISA’s. Edhe unë isha në test. Si nuk ishte e mundur bre vlla të kopjohej asnjë pyetje?! Asnjë e vetme. Në këto testet tona gjithmonë isha i pari. Kjo pak falë dijes së ‘‘gjithanshme’’ e më shumë fletave A4 të fshehura, miniskriptave, celularit e formulave të shkruara me laps kimik nëpër trup. Tek këta nuk më lanë as kokën lart të ngris. More as në toalet nuk më lanë të dalë. Thanë:-Është dashur ta bëni me kohë, jo tash! Me të vërtetë pisa, a!?

Dialogu

Rama:-… heu bre…djalit tem me ja lonë njësh ai, a? Djali tem, a? Të veteranit? Ani kush, Ferizi, ai që kur unë isha në mal sorrollatej bodrumeve të qarshisë së vjetër keshe po merr shkollë. Çfarë shkolle allahile nëpër bodrume. Tash u ba ai me vendosë kritere. Ja q*** kriteret unë. Mos më paqin thanë mua poki muun (pocky moon) në luftë.

Djali: Babë, atëherë nuk ka pasë pocky moon-a!

Rama:-Jo a! Nuk paska pasë a? Ani më paskan thirrë Muuni Pak, pra! Na bre djali jem qysh atëherë e kemi ditë se ka me ardhë kjo ditë. Na as atëherë kur ‘‘vlojke’’ s‘ja kemi ditë emrin njani-tjetrit. Të gjithë kemi pasë niknejma (nickname).

Djali:-Babë, e çka është niknejmi?

Rama:-Aiiii, më le rehat e mos më qaj kryet. Boll më ka kërsitë dy ditë në luftë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora