Kerko: a
Sami Islami: Pse ezani me altoparlantë?
E premte, 04.11.2016, 10:00 PM
PSE
EZANI ME ALTOPARLANTË?
Nga Sami ISLAMI
Feja islame është fe e pareformuar ende. Ka mbetur ajo siç ka qenë në gjenezën e saj! Nuk është si feja katolike psh., e cila, që me Martin Luterin ka pësuar ndryshime të mëdha. Deri atëherë edhe kjo fe ka qenë radikale (ashtu siç është sot feja islame). Feja islame pra, si e tillë s’ka ndryshuar fare as përsa i takon ritualit, as kodit familjar, as atij shoqëror. Me një fjalë gjithçka ka mbetur e njejtë si në kohën e para 12-13 shekujve!
Edhe ezani, si një ritual i kësaj feje, ka mbetur njësoj në strukturë. Por jo edhe në paraqitje! Bile vetëm këtu mund të themi se ka një ndryshim! Dhe ndryshimi është se, që nga gjeneza, e deri para disa vjetësh ezani është thirrë drejtpërdrejt nga hoxhallarët, të cilët është dashur të hipin vetë në minare , kurse tash krejt kjo punë po bëhet me altoparlantë!
Në këto vjetët e fundit, pra, nuk ka xhami në territoret shqiptare, në Shqipëri, në Kosovë, e as në Maqedoni, e në trevat tjera, të mos jenë të pajisura me altoparlantë! Ezani incizohet në disk, caktohet dikush për ta lëshu aparatin dhe puna u kry! Atje lart, në minare, vehen altoparlantë të mëdhej, që mund të prodhojnë zëra me amplituada shurdhuese!
Më rastisi të përjetoj një situatë shumë të pakëndshme në vendlindjen time, ku xhamia gjendet fare pranë shtëpisë. Ishte ditë e nxehtë vere. Tek vëllau kishin ardhur mysafirë. Kishte edhe fëmijë në djep. Nga se brenda ishte shumë vapë, të gjithë kishim dalë në kopsht. Deri sa fëmija flente qetë në djep, papritmas erdhi një bubullimë zëri nga minarja, sikur të kishte ra rrufeja! Thashë mos u ça qielli! Fëmija që po flente në djep e pësoi më së keqi! U tremb, u zgjua i lemeritshëm dhe ia nisi vajit, sa u dasht edhe një orë tjetër që nana e vet ta qetësonte!
Si mund të shpjegohet kjo, nga ana fetare, pa të mos flasim për atë humane, se humaniteti u pa!? A e lejon feja që me thirrjen e ezanit me altoparlantë shurdhues t’i tranosh fëmijët në gjumë, por edhe njerëzit e tjerë, gjithashtu? A është kjo sipas kodit fetar gjë e mirë, apo mëkat, se mos të flasim për ligje, nga se ato mungojnë tek ne!? Si shpjegohet kjo nga autoritet e fesë islame? A duhet dikush të marrë përgjegjësi për këtë? Më intereson të di si e arsyeton këtë kreu i BIK ut Naim Tërnava?
Nëpër qytete, për ndryshim nga fshatrat, ka shumë xhami dhe po aq minare. Dhe, në çdo vakt, kur thirret ezani, hallakama nga altoparlantët ushton gjithandej! Kjo duket më së miri në kohën e ramazanit, edhe pse raste të tilla ka gjetë gjithë vjetit. Dhe, kur xhamiat janë afër njëra-tjetrës, si në Prishtinë ose Prizren, në ato momente duket sikur xhamitë bëjnë gara, duke e sfiduar njëra-tjetrën se kush e ka altoparlantin më të fortë! Ezanet dalin me zëra të ndryshëm, disa pak më të trashë, disa pak më të hollë…Disa ia nisin pak më heret , disa pak sekonda më vonë! Thjeshtë , për disa minuta, deri sa thirret ezani, njeriu e dëgjon “orkestrën” më të çudishme në botë! Truri të vlon prej CD-ve të ardhurta, ku ta dish, prej Arabisë a Turqisë!
Por kështu nuk është në të gjitha trevat shqiptare të besimit islam. Në Maqedoni, p.sh. situata është pak më ndryshe. Edhe pse edhe atje ezani thirret me altoparlantë dhe ka plot xhami, shteti maqedon ka sjellë ligjin për amplitudat e lejuara! Atje nuk mundet asnjë xhami t’ia “lëshojë” zërin altoparlanteve sa të duan vetë, si në Kosovë dhe Shqipëri! Se, po qe se ndodh kjo Bashkësia Islame atje do të përgjigjet për thyerje të ligjit.
Në të gjitha shtetet e Evropës, ku , sipas disa hoxhallarëve shqiptarë, për të cilët, atje, liria fetare është më e madhe se në Kosovë e Shqipëri, le ta dinë se ezani nuk dëgjohet fare! Unë jetoj qe 20 vjet në Angli, por kurrë s’më ka ra të dëgjoj ezan në ndonjerën prej xhamive! Po kështu është, me sa informacione që kam , edhe në Zvicër, Gjermani!
Me ligj të gjithë kanë të drejtë të mbajnë fenë e tyre, u muar vesh, edhe myslimanët, por pa i penguar qytetarët e tjerë me përcaktime të tjera fetare , ose edhe ateistë. Në botën e qytetëruar funksionon ligji, e jo si tek ne anarkia.
Një ligj i tillë duhet të nxjerret edhe në Kosovë e në Shqipëri! Sepse vërtetë kjo që po ndodh me ezanin tek ne i ka kapërcy caqet ligjore dhe humanitare, sa ka arritur deri në absurditet! Autoritetet shetërore duhet ta nxjerrin ligjin për amplitudat e lejuara dhe atë sa më shpejt që është e mundur ! Kjo çka po ndodh tek ne nuk bën të merret si liri fetare! Kjo është anarki fetare (në mungesë të ligjit , kuptohet)! Ky lloj ezani nuk është asgjë tjetër, pos provokim i haptë kundër të gjithë atyre që nuk i përkasin fesë islame, apo është provokim edhe kundër të gjithë ateistëve! Në të njejtën kohë ky fenomen reflekton imazh jo të drejtë ( se ne nuk jemi shtet fetar) dhe jo të mirë në sytë e turistëve të huaj! Kosova e Shqipëria me kushtetutë janë shtete laike. Nuk janë shtete fetare. Shetet tona duhet të ndjekin rrugën e shteteve evropiane, ku komunitet fetare nuk mund të veprojnë jashtë ligjit!
E, çfarë do të ndodhë në të ardhmen, mbetet të shihet!