Kerko: a
Gani Mehmeti: Filxhani që ka bërë histori
E hene, 03.10.2016, 02:58 PM
FILXHANI
QË KA BËRË HISTORI
Nga Gani Mehmeti
Shtatëdhjetepesë vite përmes luftërave, djegieve e shkatërrimeve, u bëri ballë ky filxhan i kafes. Ashtu sikur njerëzve, edhe gjësendeve të ndryshme iu ndodhin ndodhi të ndryshme, të llojllojshme, dhe, shpeshherë e pësojnë, po nganjëherë i përballojnë të gjitha ato të vështira.
Kështu i ka ndodhur edhe Filxhanit tonë, për të cilin e kemi fjalën kësaj radhe. Shihet se është një filxhan i pëlqyer, me lule dhe me ngjyrë bardh e zi, ngjyrë që asnjëherë nuk lodhë sytë e njeriut, është një filxhan pa vegë, sepse filxhanët e tillë kanë qenë më të pëlqyer për njerëzit që kanë ditur se çka është kafja dhe që e kanë pirë me ëndje.
U bë më shumë se një shekull që kur Kosova qe pushtuar nga Serbia, pikërisht në vitin 1912, kur qe shpallur Pavarësia e Shqipërisë së cunguar.
Aso kohe kishin nisur të vinin edhe kolonë serbë e të vendoseshin anembanë Kosovës. Zullumi sa po vinte e po shtohej. Serbët po e donin Kosovën për pasuritë e saja dhe pa shqiptarë. Sollën serbë për ta kolonizuar Llapin edhe nga Lika e Kroacisë, ashtu sikur deshën edhe tani, pas luftës me Kroacinë t’i sillnin, për të cilët patën ndërtuar edhe banesa me qindra dhe vetëm sa po prisnin të vinin e të vendoseshin anekënd Kosovës.
Mirë që nuk ishte thënë të vinin edhe kësaj radhe serbët nga ish republikat tjera të Jugosllavisë e edhe nga Serbia. Kafshata e madhe gjithherë mbetet në fyt! Kështu ka thënë populli ynë u përvuajtur dhe i provuar nëpër kohë shumë të vështira. Nuk kishte thënë Zoti të mbetej Kosova, Dardania e dikurshme pa shqiptarë, pa pasardhësit e Ilirëve të Dardanisë, dhe, Zoti, SHBA me shtetet tjera të Evropës, kësaj radhe dolën në krah drejtësisë e na shpëtuan, na kthyen nga malet që na i kishte dhënë armiku, na kthyen edhe nga shtetet e tjera, në të cilat afër një milion shqiptarë ishin përzënë nga Kosova, tamam sikur në vitet 1877/1878, kur ishte zbrazur Toplica, apo Sanxhaku i Nishit. Por, aso kohe nuk kishte pasur rezistencë shqiptare. Ende nuk e tha askush se pse nuk ishte rezistuar, pse nuk kishin kundërshtuar me luftë, sikur këto vitet 1998/1999 që me sa mundi Ushtria Çlirimtare e Kosovës i doli përpara bajlozit të zi.
Mendja ma thotë, se aso kohe sikur shqiptarët kishin dy armiq e asnjë mik.
Armiku i parë e i vjetër ishte Perandoria Otomane, e cila, as po i linte të armatoseshin shqiptarët e mjerë e as po i mbronin.
Armiku i dytë ishin vetë serbët. Ata, me ndihmën e shqiptarëve kishin fituar një pavarësi, kishin fituar shtetin e tyre, edhe deri atëherë në tokat shqiptare, por po donin të zgjeroheshin gjithherë në tokat shqiptare, sepse tokat tjera ishin me Zot, po mbroheshin prej tyre dhe nuk po mund të zgjeroheshin. Dhe, mbasi Toplica u zbraz nga shqiptarët, edhe Evropa ia dha tokën tonë, sepse Serbia kishte vëllain e fortë Rusinë, e cila po e kërcënonte atë, po nuk ia dhanë Kosovën.
Ndoshta e zgjata pak, por sërish nuk mund të thuhen të gjitha, sepse shumë ka për të thënë.
Nejse, po kthehem atje ku e kishim fjalën.
Shqiptarët nuk patën pushtet as në kohën e Perandorisë Otomane e nuk patën si ta marrin pushtetin as menjëherë pas rënies nën sundimin serb. Kështu, përveç kolonizimit edhe nëpër administratë e në udhëheqësi, u vendosën serbët, ani pse populli ishte i tëri shqiptar.
U organizua sistemi administrativ, u bënë edhe komunat. Komunat ishin territorialisht të vogla, deri me nga 4-5 fshatra e disa edhe deri me dhjetë fshatra, siç ishte Komuna e Pollatës, e cila i kishte nëntë fshatra të gjitha vise malore e kodrinore. Kryetarë komunash zgjidheshin serbë. Ata kishin kompetenca shumë dhe të lira. Kështu, në bazë të kompetencave që kishin, edhe vepronin. Ata kishin edhe administratën në gjuhën e tyre, xhandarët e tyre, ku rrallë ndonjëri ka mundur të jetë shqiptar, pa pasur asnjë të drejtë për mbrojtjen e bashkëkombëseve të tyre, sepse ishin nën urdhrin e serbëve.
Kryetari i komunës së Pollatës, Milan Urosheviq, po bënte presion të madh në këtë komunë. Ai, mbasi e kishte zbrazur prej shqiptarëve fshatin fqi në jug të Pollatës, Repën, fshat që krahasohej me Pejën për nga bukuria dhe plleshmëria, po bënte edhe zullume të tjera. Një ditë kalon nga Sllatina, fshat i Mavriqit të Llapit, dhe aty takon punëtorë shati, duke mihur misrin. Ai vinte nga Serbia në punë në Pollatë. Dhe, në t’u kthyer për në shtëpi, Avdi Ramoca i del përpara dhe e vranë në vend, për t’i treguar atij dhe të tjerëve se vendi ende kishte Zot! Mbasi e vret Milan Urosheviqin, kryetarin e Komunës së Pollatës, ai merr arratinë për në Turqi, ku i kishin shkuar dajat e tij më herët, edhe ata nga zullumi serb dhe nga planet serbo-turke për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët. Rri nja dy vite atje për ti ikur dënimit nga pushteti i asaj kohe dhe kthehet, mbasi pak a shumë ishte zbutur gjendja dhe kishte dalë një amnisti, e kjo po vlente edhe për trimin Avdi Ramoca.
Avdiu kthehet nga Turqia në vitin 1924 bashkë edhe me disa filxhanë që i kishte blerë atje. Mirëpo, të tjerët nuk e kishin pasur fatin të jetojnë gjatë e thyhen, por njëri u kishte përballuar gjithë trazirave, luftërave, ndjekjeve e kthyerjeve sërish në vendin e vetë të shqiptarëve.
Në këtë filxhan kanë pirë shumë funksionarë, pleqnarë, punëtorë, miq e shokë të Avdi Ramocës. E kemi paksa vështirë t’i numërojmë, por në këtë filxhan kanë pirë kafe Bislim Bajraktari i Batllavës, Salih Hoxha, Jahja Fusha, Mustafë Hoxha, Mulla Adem Pakashtica, Azem, Salih e Bahtir Azemi nga Azemajt e Pollatës, Bajram Vuthi i Pollatës, Niman Shabani i Reçicës e deri edhe Mahmut Bakalli e kush jo, që kërkoj falje pse nuk di emrat e gjithë atyre burrave të njohur të Llapit e të mos themi edhe të Mavriqit. Ky filxhan ka plot 92 vite në Mavriq, që tani edhe ai ka dalë në qytet, në Podujevë, sepse u zbrazën fshatrat e Malësisë së Llapit prej banorëve.
Këtë filxhan kisha propozuar të vendoset në Muzeun Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.
Filxhani 92 vjeçar, meriton të vendoset në Muze.