Udhëpërshkrim
Sabit Abdyli: Mbresa udhëtimi nga Zelanda e Re
E diele, 18.09.2016, 02:01 PM
MBRESA
UDHËTIMI
Nga Zelanda e Re
NGA SABIT ABDYLI
Në
orën 8 të mëngjesit nga Aucklandi u nisem për në cepin e mbarimit të Ishullit
verior. Katërqind e njëzetë e dy km. rrugë deri në Cape Reinge me veturën Golf
5 i kaluam për 5 orë e gjysmë. Me të arritur parkuam veturën dhe në këmbë
shtegut të shtruar zbritëm poshtë vendit ku përfundon toka e Zelandës. Koha e
mirë dhe turist të shumtë. Impozante ishte pamja e takimit të detit Tasman në
perëndim dhe oqeanit Paqësor në lindje. Edhe me sy vërehej vija ndarëse ku
përplaseshin valët herë qetë, herë me rrëmbim dhe më dukej se i thoshin njëra
tjetrës fqinj jemi dhe secili zot në territorin e vet. Kanë dallime në ngjyrë
dhe kjo vërehet me sy nga bregu. Bëmë fotografi dhe kthehemi rrugicës vende
vende thikë përpjetë në të dy anët ulëse për të pushuar. Në rrafshnaltën prej
ku shihej gjithë rrugica gjarpërore dhe poshtë oqeani pafund shtruam ushqimet
që kishim me veti dhe në ambient që nuk mund të përshkruhet me fjalë drekuam.
Rrugës nuk ke si ta mbështetës kokën duke hapur sytë për të parë natyrën e
mrekullueshme, djathtas e majtas. Herë Flutura, herë Agimi e drejtojnë makinën.
Rrugëtim i gjatë. Natyra në Zelandë është si në përralla nga ato më të bukurat.
E ruajtur me fanatizëm, askund nuk sheh qoftë një bisht cigare, qese najloni,
letër etj. Rrugës pushimore e tualete të pastra, me ujë, sapun e letra
higjienike brenda pa pagesë. Kështu është gjithandej kah shkon: plazheve,
fushave sportive, qyteteve, pishinave, pikave turistike, parqeve etj. Pas tri
orë rruge mbërrimë në qytetin Paihia, 60 km. në veri të Whangarei ku kishim
rezervuar hotelin. Të nesërmen (12 shtator 2016) koha e bukur. Dalim i biem
kryq e tërthor qytetit të bukur me veturë, ndalemi te plazhi i njohur i
qytetit, vizitorë vendës e të huaj shijonin bukuritë e bregut. Vazhdojmë
rrugën. Ndalemi te vendi Waitangi (shtëpia) ku u nënshkrua marrëveshja me 6
shkurt 1840 mes përfaqësuesit të mbretëreshës Viktoria të Britanisë së madhe
dhe popullsisë vendëse (maorëve). Me këtë marrëveshje Anglia e mori nën
ombrellën e vetë tokën që vendësit e quanin Aotearoa (toka e reve të bardha e
të gjata). Traktati (marrëveshja) i nënshkruar ka dallime në mes të versionit
anglisht dhe përkthimit Maorisht, dhe që nga viti 1840 edhe sot debatohet në
lidhje me këtë mashtrim të anglezëve. Nga këtu vizitojmë qytetin tjetër
atraktiv në gjirin e ishujve të veriut Kerikeri. Kalojmë çaste të bukura në
parkun e qytetit mes të cilit kalonte lumi me ujët e kthjellët, plotë shpezë me
një shtëpi të ndërtuar prej gurit ngjashëm me kullat shqiptare, kuptohet pa
frëngji e pika vrojtuese. Te Haruru Falls bëmë fotografi. U kënaqëm me pamjen
ujëvarës, stërpikave si shi i imët prapa të cilave krijohej shoka e ylberit.
Për të parë sa më shumë rrugëtojmë drejt bregut perëndimor të Ishullit verior.
Pamje mahnitëse. Fusha, male e kodra gjigante pafund. Tokë të punuar pak,
dominonin kullosat, në to kullosnin lopë racash të ndryshme, kuaj e dele. Me
një restorant buzë detit drekuam. Lëshohemi vendit të quajtur Waipoua ku
dominojnë pyjet e ruajtura ashtu siç ishin në origjinën e tyre në Ishullin
verior, me drurë kauri, që tash janë në mbrojtje të shtetit. Rruga me shumë
kthesa dhe përgjatë saj pyjet e dendura anash, vetëm lart shihej qielli.
Mbërrimë te druri (kauri) ndër drurët më të mëdhenj në botë. Druri ka
perimetrin 13.77 m. Lartësia 17.68 m. Total lartësia me degë 51,2 m. Vëllimi
244.5 metra kub. Rrugës hasem edhe në drurë tjerë të këtij lloji po jo në
madhësinë e tij. Në thellësi të pyllit bënte roje ose bënte punën e ciceronit
një femër, e cila fliste me pasion për pyllin, drurin, legjendat që tregoheshin
për drurin mijëra vjeçar. Në terrin e parë të mbrëmjes, të lodhur dhe me
mbresat nga më të mirat për ato që pamë, mbërrimë në Auckland.
13 shtator 2016.
Zelanda e Re.