Shtesë » Lajme
Frrok Vukaj: Tryezë pune për problemet e edukimit
E enjte, 15.09.2016, 08:12 PM
AKADEMIA E SHKENCAVE TË EDUKIMIT
TRYEZË PUNE PËR PROBLEMET E EDUKIMIT
Akademia e Shkencave të Edukimit, një institucion i shoqërisë civile i miratuar sipas ligjeve në fuqi, me kryetar Profesor dr. Musa Kraja, ka në përbërje të saj mbi 100 anëtarë, prej të cilëve 34 profesor e pjesa tjetër mësues të shquar nga hapësira mbarë shqiptare, doktor shkencash e master. Nga viti në vit ka ardhur duke e rritur veprimtarinë e saj me karakter studimor, kërkimor shkencor, botime me vlerë, disa konferenca shkencore zonale, kombëtar e ndërkombëtare, promovime librash, tryeza pune etj. forma të shumta e të larmishme. Si rrjedhojë e studimeve serioze e sistematike janë bërë edhe botime me vlerë duke veçuar ‘’Historinë e Arsimit dhe Mendimit Pedagogjik Shqiptar’’, ‘’Pedagogjia, shkollat shqipe me program plotësues’’, ‘’Mësuesi krijues’’ monografi social pedagogjike, ‘’Vetëvlerësimi mësimor ‘’, ‘’Nxënësi vizionar ‘’, ‘’Akademia e Shkencave të Edukimit’’ me informacion për programin dhe anëtarësinë e saj me autor Hajrulla Koliqi, Musa Kraja, Mark Vuji etj. por edhe promovime të Frrok Vukajt, Tonine Hidajt etj.
Në vijimësi ishte edhe organizimi i një tryeze të rrumbullakët për problemet e edukimit me mësues, prindër, nxënës e drejtues shkollash, e cila ngjalli një interesim të madh.
Pothuajse prej një viti një grup pune ka ndërmarrë studimin ‘’Aspekte të edukimit e përvojë për punën me nxënësit me deviacione në sjellje’’. Zona e zbatimit ka qenë Tirana, Kamza, Lushnja, Lezha, etj. përqendruar më së shumti në shkollat e mesme e 9 vjeçare ‘’Aleks Buda’’ e ‘’Ahmet Gashi’’ Laprakë, ‘’Dituria’’, ‘’Rako Simon Gjermeni’’ e ‘’Pasho Kurti’’ Lushnje, ‘’Ibrahim Rugova’’ e ‘’Hillari Klinton’’ Kamëz, ‘’Hydajet Lezha’’, ‘’Kolin Gjoka’’ e Raboshtë, Lezhë etj.
Disa prej qëllimeve e objektivave kanë qenë njohja e rasteve me deviacione në sjellje, specifikat sipas moshave, djem vajza, zona urbane e rurale, puna diferencuese, shkaqet e deviacioneve, roli i mësuesit, i familjes e shoqërisë. Aktivitetet kryesore kanë qenë biseda e takime me mësues, nxënës, prindër, pyetësorë, intervista, vëzhgime direke në shkolla e mjedise të tjera, marrja pjesë në veprimtari fizkulturore sportive etj.
Konkluzionet e këtij studimi e disa orientime për punën në të ardhmen i bëri Profesor dr. Musa Kraja, i cili veçoi edhe ndërhyrjen e elementit keqbërës në shkolla ‘’... një bashkëpunim më i mirë, sidomos në goditjen e elementit të jashtëm, që ndërhyn me një thirrje celulari, me një ftesë për të lenë një orë mësimi, një ditë, disa ditë, apo gradualisht edhe për shkëputjen fare’’.
Nga pjesëmarrësit u vlerësua si shumë pozitiv roli i kësaj Akademie e veprimtaritë frytdhënëse përfshirë edhe studimin nga i cili mund e duhet të marrin shembull edhe organizmat e sistemit arsimor publik e jo publik e shoqatat e kësaj fushe.
Në këtë takim u ngritën, u diskutuan e u soll përvoja pozitive edhe për këto probleme.
Lipset vëmendje e kujdes më i madh nga e gjithë shoqëria e shteti për arsimimin e shëndoshë dhe edukimi e brezit të ri.
Rritja dhe vlerësimi i rolit të mësuesit e shkollës, kërkesa më të mëdha për nivelin shkencor e profesional për krijimin e modelit pozitiv për t`u marrë shembull nga brezi i ri. Krahas lirisë e të drejtave për nxënësit e mësuesit të vihet theksi e të kërkohet llogari për zbatimin e kryerjen e detyrave, për rritjen e dashurisë për punën e dijen.
Është ulur dëshira e këmbëngulja për rezultate më të larta nga mungesa e përkushtimit të duhur, e një organizimi efikas, e punës edukative, e rritjes së besimit e dëshirës për shkollën, e veprimtarive më të shumta e të larmishme.
Puna rutinë e spontaniteti, mungesa e konkurrencës e motivimit, braktisja e hapur apo e heshtur nga mësuesit e familja e një numri jo të vogël nxënësish, kanë ndikuar negativisht për krijimin e një klime të shëndoshë pune në disa klasa e shkolla e shprehur kjo edhe në mungesat e largimet e shumta nga mësimi.
Frika, fshehja e lustrimi i gjendjes, mosnjohja e mos marrja me problemet thelbësore nga drejtues të veçantë, kanë mbjellë një lloj indiferentizmi e pasiviteti në mësues e nxënës, një pajtim me gjendjen që as ngrohë e as ftohë.
Mungesa e përgatitjes së duhur psiko-pedagogjike e mësuesve që dalin nga shkollat e larta nuk sjellë rendimentin as pritshmërinë e duhur, bile jo radhë bëhen pre e konflikteve e debateve shterpë me koleg, prindër e nxënës.
Jo sa duhet vlerësohet nga disa mësues roli e personaliteti i nxënësit, ata kanë energji të mëdha, por duhen orientuar drejt e menaxhuar me efektivitet.
Tendenca në rritje e dhunës e agresivitetit në shkolla doli si një ndër problemet më shqetësuese . U tha se profilaksia e pandërprerë është masa më e mirë, por nuk mjafton vetëm puna e mësuesit. Ajo duhet të këtë karakter gjithëpërfshirës.
Rritja e rolit të mësuesit kujdestarë dhe familjes u shprehën se është një domosdoshmëri për të arritur rezultatet e duhura.
Me gjithë disa arritje që duhen përgëzuar, përsëri pohohet për ndikime të hapura apo të maskuara nga politika, e vërejtur kjo më shumë në emërimet e kuadrit, sidomos atij drejtues, në lëvizjet e vlerësimet e pamotivuara, në presionet e kërkesën e llogarisë me dy standarde.
Shembulli e roli i mësuesit ka qenë e mbetet faktor me rëndësi për mësimin dhe edukimin e brezit të ri, angazhimin e tij në punë dobiprurëse. Akademiku Profesor dr. Kolec Topalli preku aspektin e vështirësive e sukseseve që ka kaluar arsimi shqiptar, të cilat i ka përjetuar vetë, por edhe punën fisnike të mësuesve që duhet mbështetur nga mbarë shoqëria.
Sollën mendime me vlerë duke ngjallur edhe interesimin e dëgjuesve diskutimet e ‘’Mësuesit të popullit’’ Kolec Çefa, dr. Hajri Mandri, e drejtuesve e mësuesve Pëllumb Dede, Petrit Xhaja, Zamira Burnazi, Ndoc Malaj, Lindita Doku, Dedë Vukaj, Anjeza Pasha, Adriana Qafa etj . Padyshim se në ketë mision të gjatë e plot sakrifica figura kryesore ka qenë e mbetet mësuesi dhe, siç thotë Luigj Gurakuqi , ‘’ Mbi mësuesit e mbi shkollat varen shpresat e atdheut e të kombit’’. Kjo nuk përjashton, por nënkupton fuqishëm rolin e përgjegjësinë e madhe që duhet të ketë e gjithë shoqëria e shteti. Vetëm gjithë përfshirja mund e duhet të garantojë ardhmërinë e Atdheut.
FRROK VUKAJ - AKADEMIA e SHKENCAVE të EDUKIMIT