E enjte, 01.05.2025, 07:55 PM (GMT+1)

Mendime

Ymer Jaka: Kur Serbia shkelte liritë e shqiptarëve

E diele, 17.07.2016, 06:49 PM


Segment nga krimet serbe në Kosovë

Kur Serbia shkelte liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Kosovë

Prishtinë, 28.12.1991

I dashur Baki,

Ka kohë që mendoja të të shkruaja, mirëpo  obligimet e panumërta janë shkak i kësaj vonese. Doja të të shkruaja për të njoftuar se në gazetën “Bujku”, të datës 15 Nëntor, është botuar informata lidhur me mbledhjen e mbajtur n; Bukuresht, në të cilën ti e ke përfaqësuar Këshillin  për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të  Lirive të Njeriut me aq shumë sukses. Në emër  të Këshillit po të falënderoj  edhe me këtë rast. Nga organizata franceze “Agir eusemble pour les droits de l’home”, pas njoftimeve që ka marrë nga Bukureshti për shkeljen e të drejtave në Kosovë, kemi marrë letër me të cilën ajo kërkon materiale përkatëse, në menyrë që të bëjë intervenime për këtë çështje, madje kanë paralajmëruar mundësinë e ardhjes së një misjoni në Kosovë. Pra, veprimet e Këshillit koordinues të Bukureshtit po japin rezultate konkrete për mbrojten  ndërkombëtare të të drejtave tona, të shkelura nga Serbia, prandaj ne duhet të jemi sa më aktivë  në bashkëpunimin tonë me Këshillin e Bukureshtit, të cilit do t’i  kishim dërguar  materjale të reja, të përgatitura nga Këshilli ynë, mirëpo nuk di a kanë marr telefaks dhe çfarë numri kanë. Sidoqoftë, po qe se vjen në Tetovë e ke kohë të ndalesh Prishtinë  duke u kthyer ne Bukuresht, këto materjale mund t’i marrësh me vete, ose, po qe se takojmë ndonjë student tonin që ben studimet në Rumani, do të shikojmë t’i dërgojmë materjalet që kemi ne dispozicion.

Me postë po druaj se këto materjale vështirë se mund të arrijnë në Bukuresht, mirëpo fundja, do ta provojmë edhe këtë udhë. Do të përpiqem, po qe se ia dal, të bisedoj një ditë me telefon me Këshillin koordinues të Bukureshtit, që të shoh të paktën a është ende selia e Këshillit në Bukuresht, apo mos është transferuar ne Budapest ose ne Pragë, ashtu si ishte propozuar në mbledhjen e muajit Shtator, në të cilën ishte i pranishëm ti. Po qe se mban kontakte me Këshillin, meqë zyrat i ka në qendër të Bukureshtit, u bën shumë të fala nga ana ime dhe po qe se kanë nevojë për çfarëdo materjali nga Prishtina, nëse vjen ke prindërit shpresoj se do më njoftosh. Edhe po qe se vjen pa ndonjë porosi, do të më vijë mirë të rrimë e bisedojmë si miq në Prishtinë meqë mundësitë tona për të ardhur në Bukuresht janë më të vështira.

Këtu te ne, siç e di, situata vazhdon të jetë e rëndë. Ndër të tjera, as shkollat nuk punojnë dhe me qindra mijra nxënës kanë ngelur në rrugë, pa kurrëfare perspektive, madje në rrezik të ngelen analfabetë. Viktimat e represjonit të policisë  edhe më tutje janë të shumta, ndërsa gjendja ekonomike e një pjese të popullsisë shqiptare në Kosovë është katastrofale. Për fat të mirë, solidariteti ynë është në nivel të lakmueshëm dhe në sajë të tij njerëzit nuk po vdesin nga uria. Veprimtarija botuse ka rënë në një nivel tejet të ulët, ngaqë libri shqip nuk subvencionohet  më, ndërsa fuqija blerëse e lexuesve ka rënë shumë. Numri i veprave të botuara është tejet i vogël, botohen kryesisht  që kanë gjasë të shiten në treg, pra me çmime komerciale, të cilat mund ti blejë vetëm një shtresë e popullsisë. Në përgjithësi, jeta kulturore, si edhe ajo shkencore, veçanërisht pas mbylljes së Universitetit të Prishtinës, gati është plotësisht pasive në Kosovë.

Në Maqedoni, për fat të mirë, situata  po përmirësohet, ndonëse shqiptarët ende janë larg të fitojnë të gjitha të drejtat. Këto ditë, në prag të Vitit të Ri, Kosova është e veshur me petkun e bardhë të borës, mirëpo kurrëfare atmosfere festive të Vitit të Ri nuk vërehet askund. Ndoshta në Bukuresht punët kanë marrë të mbarën dhe Viti i Ri pritet më mirë se këto vitet e fundit. Sido që të jetë, ty, i dashur Baki, të uroj nga zemra Vitin e Ri 1992, duke të dëshiruar shëndet, gëzime, suksese të reja në punë dhe të gjitha të mirat! Bashkëngjitur  po ta dërgoj fotokopjen e artikullit  të botuar për mbledhjen e Bukureshtit. Nëse e sheh të udhës njërën nga keto fotokopje munnd t’ia dërgosh Këshillit koordinues, eventualisht me përkthimin në rumanisht.

Shumë të fala,  Ymer Jaka

Personalitet i shkencës dhe i kulturës shqiptare (1937-2009)

Prof. Dr. Ymer Jaka ka qenë profesor i gjuhës frënge në gjimnazin e Gjakovës e pastaj edhe gazetar i Radio Prishtinës. Gjatë viteve 1965 deri më 1967 ishte redaktor përgjegjës i Entit të Botimeve Shkollore në Prishtinë. Ndoqi dhe mbaroi studimet pasuniversitare në Fakultetin Filologjik jashtë Kosovës, ndërsa dy vjet (1968 – 1970) qëndroi në Paris, si bursist i Qeverisë së Francës, ku bëri kërkime për përgatitjen e tezës së doktoraturës me temën “Skënderbeu në letërsinë frënge”, të cilën e mbrojti në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1977.

Shkroi dhe botoi veprat “Lidhjet letrare shqiptaro-frënge (1979)”, “Skënderbeu në letërsinë frënge” (1990), “Skënderbeu në historigrafinë frënge” (2000), kurse shquhen përkthimet e tij nga frëngjishtja në shqip të “Bardhaa e Temalit” nga Pashko Vasa, “Ekzistencializmi është humanizëm” të Sartrit, “Letrat filozofike”, “Filozofia e padijshme” të Volterit, si dhe vepra të tjera autorësh frëng me vlera botërore.

Por Prof. Dr. Ymer Jaka nuk ishte vetëm personalitet i shkenccës. Një kohë ishte edhe sekretar (ministër) Krahinor i Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës, një funksion nga i cili u shkarkua pas demonstratave të vitit 1981 me cilësime si nacionalist e me koncepte liberale.

Gjatë viteve të konsolidimit të forcave demokratike në Kosovë kundër dhunës dhe synimeve antishqiptare, ishte njëri nga ata që nuk kurseu mundin as dijen. Përveç se nënshkroi Apelin 215, ishte në grupin themelues të Këshillit Për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut më 1989 dhe më pas të disa partive.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx