E shtune, 27.04.2024, 07:47 PM (GMT+1)

Mendime

Qazim Shehu: Gjurmët e kujtesës

E diele, 17.07.2016, 07:13 PM


GJURMËT E KUJTESËS SKALISIN PORTRETIN E NJERIUT

Për intelektualin pukjan Halil Hoxha

Nga Qazim Shehu

Të flasësh për një njeri , gjithmonë është mirë, cilido qoftë ai, sidomos sot në këtë kohë kur virtualiteti dhe rendja pas konvencionales është bërë e modës. Prirja drejt afirmimit të vlerave mbetet gjithësesi një prirje kundërvënëse ndaj një kësaj hutie. Në Pukë , kur isha me Fran Vukajn për një promovim të librit të tij:"Mozaik nga Metropoli", njoha inxhinierin Bilal Hoxha dhe plot njerëz të tjerë. Kjo njohje , sidomos si njohje e parë,  mbaron në ato orë që rezervon kryerja e një aktiviteti, po ndodh që një njohje sa e rastësishme bëhet pretekst për thellimin e një miqësie dhe të tërheq drejt një dëshire për t`u thelluar në disa gjëra. Bilal Hoxha ishte djali i klerikut Elez Hoxha, personalitet i shquar i qytetarisë pukjane, mik i Migjenit dhe Nënë Terezës. Po kështu, familja e Hoxhajve, si një familje e madhe pukjane me rrënjë në këtë qytet , në gjirin e saj ka rritur edhe djem e njerëz të tjerë të cilët kanë dhënë një kontribut të madh në afirmimin e këtyre vlerave qytetare dhe të bëjnë t`i risjellësh ato sa herë i ndërmend dhe të kuptosh e të marrësh nga bukuria e tyre.

Njohja me shumë intelektualë pukjanë , me njerëz të artit dhe kulturës, me njerëz të trhjeshtë e të virtytshëm nuk e parakupton asesi modifikim të idesës se këto njerëz janë aq të domosdoshëm dhe të parët , sepse njerëz të mirë sot ka kudo, veçse tek këto njerëz ende kanë mbetur ato erëra të pastra të pishave, ajo aromë e lëndinave dhe ato tradita e virtyte të malësorit shqiptar,  të kudondodhura,  edhe pse shumë syresh kanë ikur që aty.

Zakonisht për të folur për një njeri , sot njerëzit nisen më së shumti nga pozita e tij sociale, pasuria apo nga tymtaja mediatike. Në një shoqëri kapitaliste të interesit dhe të performimit donkishotesk të kiçkulturës , kjo gjë është deri diku e justifikueshme brenda anormalitetit që kthehet në besueshmërinë normale të bezdisë. Po të flasësh për njerëz të një kohe të caktuar,  për vlerat e tyre njerëzore dhe pastërtinë morale, duket sikur nuk po thua ndonjë gjë,  sepse vlerat morale,  sinqeriteti, burrëria po kthehen në një konvencion të shuar. Gjithësesi, gjenden njerëz që ia vlen të merren si model dhe të flitet për ta kur komuniteti që i ka njohur i përmend me respekt dhe dashuri, pikërisht për këto vlera njerëzore. Në këtë botë të madhe dhe në rrotën e kthimit të kohërave shumë pak njerëz lënë ndonjë vepër jetëgjatë , apo ndonjë gjë të cilën mund ta marrësh si pikë referenciale, pasi koha është gjithnjë një zhvlerësuese e pamëshirshme dhe ajo e rinovon veten ma shpejtësi skëterrore.

Megjithatë disa gjëra mbeten të qëndrueshme dhe krijojnë gjithnjë një trase ku mund të ecësh:malli. dashuria, portreti moral dhe gjendshmëria e njeriut , sakrifica dhe humanizmi;veti të cilat,  Halil Hoxha i trashëgoi më së miri nga familja e tij fisnike dhe diti t`i trasojë aq bukur për fëmijtë e tij dhe gjithë rrethin familjar e shoqëror me të cilin ai pati komunikim. I ati i tij Asllan Hoxha ishte një klerik, imam i dëgjuar përparimtar. Ai u kujdes që fëmijtë e tij të merrnin arsim, të bëheshin të dobishëm. Djemtë,  Elezi, brahimi dhe Halili e përmbushën më së miri këtë. Po kështu , në atë kohë shkollimi ishte i vështirë për shkak të kushteve sociale, mentalitetit dhe fusha e dijes nuk afronte ato programe studimi që afrohen sot. Megjithatë, kishte plot njerëz, malësorë të zgjuar që ia dinin vlerën shkollës dhe e kupton fare mirë rolin dhe rëndësinë e saj. Ndaj, në ato kohëra,  këta djem pasi kryen shkollat nuk ikën si sot,  po u kthyen në vendlindje për të dhënë kontributin e tyre aty. Jeta e njeriut shkruhet përmes detyrave që kryen dhe si i kryen këto detyra. Çdo kohë ka detyrat e veta dhe rëndësishme mbetet që t`i kryesh mirë ato në mënyrë që të mbahesh mend. Hali Hoxha bashkohet me forcat partizane në vitin 1944 dhe jep kontribiutin e tij për lirinë e atdheut. Pastaj ai punon si komandant poste në Muriqan,  Shkodër dhe më vonë punon si shef organizimi dhe administrate dhe arshivist në Komitetin Ekzekutiv Pukë, punon edhe si kryetar kooperative në Pukë -fshat  dhe për disa vite drejtor i sigurimeve shoqërore Pukë. Edhe pse ishte një kohë e vështirë kur duhej të mbaje një përgegjësi që ngarkohej shpesh nga kujdesjet e tepëruara ideologjike dhe direktivat që përshpejtonin ritmet e një pune tej mundësive, Halili me kujdesin, urtësinë dhe korrektesën e tij ua arriti t`ia dilte mbanë dhe të shikonte gjithnjë qartësisht e përpikmërisht ato gjëra që ishin në harmoni me ndërgjegjen e tij të pastër dhe kurajoze.

Detyra të tilla gjithnjë e kërkonin këtë dhe ato edhe mbartnin rrezikun, sidomos në një sistem që ngushtonte liritë e veprimit dhe ku intrigat, thash e themet, ashtu siç ndodh në çdo kohë bëhen nganjëherë një acid gërryes që vepron me shpejtësi. Halil Hoxha nuk ishte nga ata njerëz që trembej, ai ishte mësuar me vështirësitë dhe sfidat, ndëregjegjen e kishte të qetë, madje ajo shpesh e mundonte  edhe pse disa gjëra nuk vareshin nga ai vetë. Dr. sulejman Sula kujton:"Gjatë punës sime në sektorin e bujqësisë pata fatin të njoh nga afër punën, sjelljen dhe shembullin e tij. Në të gjitha detyrat vihej re shembulli dhe modeli i drejtuesit frymëzues". Ndërsa Arif Halili do kujtojë se"vullneti shpirti i sakrificës, solidariteti, sinqeriteti ishte motivi i punës së tij"Duhet shtuar se atëhere kishte disa drejtues,  ndryshe nga të sotmit , të cilët ndryshe nga megalomania e sistemit , nga hapësirat e ngushta që krijonte ai,  për faktin se ishte mjaft i centralizuar dhe paranonjak, i kundërvinin atij në heshjtje, spontanisht duke qenë të brumosur me idetë e tij, thjeshtësinë, dëgjueshmërinë ndaj njerëzve, tërheqjen e arsyeshme ndaj gabimeve, bëheshin autokritikë dhe merrnin zotime për përmirësimin e punës. Ndryshe nga sot, kur kemi të bëjmë me një sistem të lirë demokratik, me të drejta dhe ligje që garantojnë ato, shpesh si për një ironi të fatit dhe paradoks, ndesh drejtues mendjemëdhenj, arrogantë dhe që u duket vetja të parritshëm.

Gjithnjë nuk kam mundur ta shpjegoj këtë paradoks,  këtë ndryshim, po gjithësesi kjo vjen se ne nuk dimë të vendosim atje ku duhet njerëzit e merituar dhe të duhur. Ndryshe ska si ndodh që edhe në sisteme totalitare kishte burra dhe njerëz të mirë, që nganjëherë me normat demokratike të sjelljes i kapërcenin kufijtë e tij, ashtu siç ndodh sot që në sistemin demokratik ndesh njerëz arrogantë e të pashpirt që me vjedhjen, korrupsionin, mendjemadjhësinë e fodullëkun i rrudhin kufijtë e sistemit demokratik. Hali Hoxha pikërisht,  për këto vlera u bë pre e intrigave dhe pabesive, të atyre njereëzve mediokër dhe që nuk shikonin larg dhe që i vriste hija e personalitetit të tij.

Zakonisht , në atë kohë dhe në çdo kohë,  ekziston gjithnjë i ashtuquajturi transferim i fajit , transferim që niset nga anë të errta të manipulimit. Njeriu me sedër të kulluar,  siç ishte Halil Hoxha nuk mund të pranonte asnjë faj, po si zakonisht i afti nuk i ka forcat dhe energjitë negative që ta luftojë të keqen deri në fund. Ai është një farë Hamleti që lufton me gjithë forcat kundër së keqes,  po që mbetet edhe vetë viktimë e saj. Halil Hoxha mbetet simbol i martirit të heshtur dhe i konseguencës së pathyer në atë përpjekje titanike dhe të vullnetshme për të mos iu dorëzuar gjarpërimit mizor të vesit që spërdidhej nga të tjerët. Ai mbetet njeriu që i mbajti mbi vete përgjegjësitë dhe sfidat që sillnin ato, sepse i tillë ishte edukuar dhe nuk mund ta kuptonte ndryshe punën, edhe pse të tjerët vepronin në prapaskenë dhe krijonin alibira dhe justifikime nga mangësitë e ndryshme. Shumë bashkëkohës të tij do flasin me konsideracion për këtë figurë të shquar të administratës pukjane në atë kohë. Jo vetëm për vetitë e njeriut të mirë , për bujarinë , besën; po edhe për mënyrën sesi ai dinte të komunikonte dhe të afronte tek njerëzit solidaritet, sesi dinte të thoshte fjalën me urtësi dhe takt, sesi përmes fjalës mobilizonte duke të bërë të kuptoje gabimin po edhe të angazhoheshe më tepër në punë. Fjala nuk duhet të ulë personalitetin e njeriut,  po njeriut duhet t`i vrasë sedrën që ai të shikojë sesi ngrihet personaliteti i tij përmes vetëdijes kritike që zotëron. Dhe që të arrish deri në këtë nivel komunikimi duhet të jesh një psikolog i hollë dhe kurajoz, duhet të ndërtosh ura komunikimi që ato të mos shemben nga përrenjtë e mllefit apo dallgët e idhta të injorancës.

Hali Hoxha dinte t`i ndërtonte ato dhe përmes tyre të sendërtonte profilin e një njeriu të administratës,  shembull në një kohë të caktuar. Kuptohet që në atë kohë kishte shumë kufizime, puna, sado të punoje,  sillte dobësi për shkaqe të caktuara objektive,  sepse çdo gjë ishte e kornizuar dhe gjigandomania e propagandës kërkonte nganjëherë të pamundurën. Për të qenë në rregull me sistemin , për t`ia"hedhur"atij , njerëzit bënin edhe makinacione për të siguruar një dalje të përkohshme drejt një terreni më teë qetë shprese. Kjo sillte pastaj edhe një farë vënie në lëvizje të energjive negative prej nga përftoheshin intriga dhe gjendeshin fajtorë pa faj. Në fund të fundit kjo ishte psikologjia e kohës , po njeriu i ndershëm asnjëherë nuk iu nënshtrua kësaj psikologjie mjerane duke ruajtur vlerat e veta, dhe ky ishte Halil Hoxha. Ai së bashku me të shoqen rriti dhe edukoi fëmijë të mirë, i arsimoi ata duke i çuar gjithnjë më para këto vlera të fisit Hoxha të Pukës, një fis historik me rrënjë të thella në tradita, po që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në jetën sociale të Pukës, duke u prirë shpesh proceseve të vështira në emër të paqes, solidaritetit dhe ruajtes së marrëdhënieve komunitare në nivel të mirë edhe pse kohërat ishin të vështira...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora