Mendime
Dedë Preqi: Mirë se vjen zotni Kerry
E enjte, 03.12.2015, 10:00 PM
MIRË SE VJEN ZOTNI KERRY, E GJENË KOSOVËN NË PIKË TERRI
Nga Dedë Preqi
Është për t’u theksuar se mikpritja shqiptare është një ndër traditat më të mira që ka një popull, këto tipare edhe shkenctarët dhe eksploruesit e kombeve tjera i vlerësojnë këto karakteristika të mirëfillta njerëzore. Është e rëndësishme vlera e këtij nocion nderi, si një veqori e një populli, që luan rrol shumë të madh edhe në zhvillimin e përceptimin e normave morale që ka një popull, duke e trashëguar nga koha e ligjeve të lashta e stërgjyshore.
Për shqiptarët thuhet, edhe nëse nuk i qëllon diçka e veqantë në konak, bukë e kripë e zemër e ka për sëcilin mik, prandaj z.Kerry, për ju dhe për gjithë amerikanët, sa herë që keni nderin ta vizitoni Kosovën, populli i jonë shpreh gadishmërinë e tij, gjithmonë me bukë e kripë e zemër për gjithë miqtë amerikan.
Ne shqiptarët u kemi borxh gjithmonë popullit amerikan, duke filluar prej Presidentit Vilson dhe deri te Presidenti aktual Obama, për gjithë ndimën tuaj morale, politike dhe materiale, si dhe gadishmërinë tuaj miqësore dhe korekte, që keni treguar për popullin shqiptarë. Ndihma e juaj që nuk harrohet kurrë, ishte edhe ajo, kur Kosova dhe populli i saj në vitin 1998-99, po asgjësohej nga fashizmi i Millosheviqit, por falë popullit amerikan e Presidentit Klinton dhe aleatëve amerikan, sot Kosova frymon e lirë.
Edhe vizita e juaj z.Kerry, na gëzon pa masë, por a të shkon mendja ndonjëherë se Kosova sot, nuk është e lirë, nuk është ashtu sikur e mendojnë të tjerët. A u shkon edhe ju nëpërmend, kur të vini në Kosovë, se gjithçka është në rregull dhe ky vend është i sigurtë, dhe i shkojnë punët mbarë?
E dimë z.Kerry, se i keni infomacionet e rregullta nga ambasadorët e juaj, të cilët ju informojnë për gjendjen tonë, por ndoshta nuk bëhët e tepërt ti kuptoni edhe disa fjalë që dalin nga zemra e qytetarit të këtij vendi. Ne u çliruam nga okupatori në saje të ndihmës t’uaj dhe miqve ndërkombëtarë, por ky vend nuk ka liri të plotë akoma dhe nuk ndjehët i sigurtë, sepse veriu i Mitrovicës së Kosovës, është një pikë sherri, që nuk do e lë këtë vend të qetë.
Populli i Kosovës me shumicë shqiptare nuk jemi kundër asnjë pakice tjetër që jetojnë në këtë vend dhe tolerancën që ka populli shqiptarë ndaj të tjerëve nuk ekziston askund në botë, por sikur gjërat të shihen në realitet gjendja e këtij vendi është shumë e komplikuar dhe e acaruar, sikur nuk do të arrijmë të kuptojmë kurrë sekretin e politikës serbe, duke e bllokon çdo proces dhe zhvillim të këtij vendi.
Aq më keq, kur në vend që ky popull ti kushtoj kujdes dhe përkushtim gjendjes së varfër që e ka kapluar këtë vend dhe ndërtimit të shtetit të vet, i tërë populli duhet të orietohet anës politike, sepse ia imponojnë kushtet dhe rrethanat, të cilat na i ka kurdisur politika e Serbisë në bashkëpunim me popullatën serbe që gjindet në veri të Kosovës.
Nuk do të jetë e nevojshme të bëhët ndonjë analizë e veqantë, sepse bëhët e tepërt, por shembujt e sjelljes politike të Serbisë, ndaj Kosovës, flasin vetë dhe në mënyrë të qartë dhe Marrëveshjet e Brukselit janë vetëm formalitete nga ana e qeverisë së Serbisë, sepse realiteti qëndron ndryshe, e cila edhe Europës po i lëshon hy syve, vetëm sa për t’ia fituar zemren e saj. Përveq tjerash, Serbia jo vetëm që përzihet në qështjet e Kosovës, por ajo po i lidh maje tani me formimin e „Zajednicës“, apo Komunave serbe në veri të Mitrovicës, i cili plan ka prapavija tjera, apo sikur me modelin e Bosnjës.
Zotni Kerry, mbi të gjitha menduam se Kosova pasi e nxuart ju dhe miqtë tjerë nga ferri, tani do të vazhdojë rrugën e prosperitetit dhe zhvillimit të saj, por jo zotni i dashur, Kosova sot është në terr elektrik dhe në terr politik. Qeveria aktuale në krye me Mustafën edhe Thaqin, do të informojnë për të arriturat e pa arritura, por të vërtetën ta thotë qytetari i thjeshtë i saj, i cili e ka vështirë ta sigurojë sot kafshatën e gojës.
Kjo qeveri e korruptuar dhe e kriminalizuar, kundërshtarët e vet politik të opozitës, i largon dhe kundështon përmes forcave policore që i komandon vet, të cilët i rrah dhe i burgos, prej tyre edhe deputet e lider, sepse vetëm përmes kësaj metode mund të zgjatët jeta e këtij pushteti .
Z.Kerry, e respektojmë shumë popullin amerikan dhe ndihmën tuaj dhe jemi të bindur se kjo miqësi do të vazhdoi shumë largë dhe pa mbarim, dhe atëherë kur Presidenti Rugova e la porosinë e vet të bekuar, „Me popullin amerikan gjithherë dhe në momente të vështira e ditë të mira, në paq e bekim deri në rrugën pa mbarim“. Na vie mirë që keni edhe një takim me rininë e Kosovës, por është për keqardhje prosperiteti i saj sot, nga kushtet që ia ka afruar kjo qeveri, besoj se do të na ndihmoni dhe mirëkuptoni, me shumë respekt nga qytetari i Kosovës.