E shtune, 20.04.2024, 02:33 PM (GMT+1)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Shtypi shqiptar për Nënë Terezën

E diele, 08.02.2015, 05:05 PM


SHTYPI SHQIPTAR PËR NËNË TEREZËN

Nga Prof Dr Lutfi ALIA

Dita kur Nënë Tereza mori çmimin Nobel, shënoi një faze të re të njohjes të gruas të famëshme në botë, që i pushtoi zemrat e shqiptarëve, kudo ndodheshin.

Nënë Tereza u përmend për herë të parë në shtypin shqiptar të diasporës dhe me pas në shtypin kosovar, në gazetën “Rilindja”, me 25 tetor 1979, me botimin e telegramit të Titos drejtuar Nënë Terezës me rastin e marrjes së çmimit “Nobel”.

Gazeta “Rilindja”, më 10 korrik 1986, njoftoi takimin e Nënë Terezës me Fidel Kastron dhe në gusht 1989 për vizitën e parë në Tiranë.

Në Shqipëri, Nënë Tereza u bë e njohur vetëm pas vizitës historike në javën e parë të gushtit 1989. Ardhja në atdhe u pasqyrua me lajme të shkurtëra, ku u njoftua vizita, pa të dhëna të tjera përcjellëse por vetëm: “Mbërriti për vizitë private Nënë Tereza”, si dhe njoftoi takimet me personalitetet shtetërore dhe politike të asaj kohe.

Në gusht 1989, gazetat “Zëri i popullit”, “Bashkimi”, “Zëri i rinisë” dhe ATSH shkruajnë në pak radhë, se Nënë Tereza bëri homazhe në Varrezat e Dëshmorëve dhe në varrin e nënës dhe te motrës së saj etj. Gjithashtu dhe TV shtetëror transmetoj disa pamje nga këto aktivitete, të shoqëruara me komente të shkurtëra

Në vitin 1990 nisi një valë artikujsh me përshkrime, me informime dhe me qëndrime intelektuale për figurën e Nënë Terezës, çka ndikoi dukshëm ne intensifikimin e njohjes me misionaren shqiptare.

Në kompensim të mosnjohjes dhe mohimit në të kaluarën të figurës të shkupianes së shquar, shtypi shqiptar nxitoi të ndjekë kronologjinë e jetës të motrës katolike dhe aktivitetet humanitare të Misioneve te Dashurisë nëpër bote, duke u afruar pranë Nënë Terezës, me ndjesi nderimi dhe krenarie dhe pse me 60 vjet vonesë.

Don Lush Gjergji, bibliografi i Nënë Terezës, është ndër të parët që shkruajti një seri artikujsh në gazetën “Rilindja” të Kosovës dhe në vitet në vazhdim botoi 15 libra, të dedikuara jetës dhe veprës së saj si motër katolike dhe si misionare humanitare. Shumica e këtyre librave janë përkthyer në mbi dhjetë gjuhë të huaja.

Ngurtësinë e shtypit shqiptar, e theu për herë të parë shkrimtari, gazetari dhe diplomati Luan Rama, i cili në vitin 1990 botoi në revistën “Ylli” shkrimin “Fytyra e ndritur e humanizmit”, ku e përshkroi portretin e Nënë Terezës tonë, madje theu dhe tabut e kohës, pasi tregoi dhe për aktivitetin e saj si motër katolike dhe si misionare humanitare, në ndihmë për të varfërit.
Në vitin 1990, Drita Siliqi, në një shkrim në revistën “Shqiptaria e Re”, i përcolli publikut shqiptarë emocionet e vizitës së dytë dhe dekorimin e Nënë Terezës me urdhërin “Naim Frashëri”, që i u akordua me rastin e 80 vjetorit të lindjes. Drita Siliqi, këto dy ngjarje i trajtoi me rëndësi të madhe për jetën dhe kulturën shqiptare.

Po në vitin 1990, gazetari Petro Dhimitri, në gazetën “Bashkimi”, botoi shkrimin: “Nënë Tereza e mbarë botës”.

Don Lush Gjergji kishte botuar disa libra dhe shumë shkrime në shtypin periodik kosovar dhe botëror, ku pasqyronte jetën dhe veprën si misionare katolike dhe humanitare të Nënë Terezës, por ato nuk njiheshin në Shqipëri, madje si materiale me karakter fetar ishin të ndaluara të hynin në vendin tonë.

Nga viti 1991 shtypi kosovar sjell intervistat e para me Nënë Terezën, ku çfarë përpiqej të mohohej nga qarqet ekstremiste, e pohoi Ajo me vetë gojën e saj duke thënë: “Unë jam Tereza e Kalkutës, por me origjinë dhe me gjak jam shqiptare ...

Në prill të vitit 1993, gazeta e pavarur “Shqip”, botoi mesazhin historik të Nënë Terezës drejtuar popullit shqiptarë, ndërsa gazetat e tjera dhe kanalet e shumta televizive mbajtën qëndrim indiferent.

Shkaqet  kësaj heshtje të gjatë janë historike.

Është i njohur fakti se regjimi komunist, për shumë vite ia ndaloi ardhjen në atdhe dhe kjo ishte arsyeja e largimit në kohë e njohjes së Nënë Terezës nga shqiptarët. Kjo heshtje, ky borxh i madh moral ndaj Nënë Terezës, u kompensua pas vizitës së parë dhe në vizitat e më vonëshme, kur shumë gazetarë, shkrimtarë, piktorë, skulptorë, analistë dhe sociologë në Shqipëri, ne Kosovë dhe në diasporë, u bënë shume aktivë në prezantimin e jetës dhe të veprave së saj, ndër të cilët rendis: Dr. Don Lush Gjergji, Luan Rama, Drita Siliqi, Petro Dhimitri, Ismail Kadare, Anton Nikë Berisha, Ali Podrimja, Visar Zhiti, Frank Shkreli, Gjin Gjomarkaj, Don Prend Kola, Rrok Berisha, Imzot Rrok Mirdita, Klajd Kapinova, Engjell Koliqi, Perparim Kabo, Liliana Verdho, Pjetër Pepa, Aurel Plasari, Mehmet Gëzhilli, Abdullah Zeneli, Genc Leka, Elvi Sidheri, Marjan Sebaj-Sopi, piktorët Maks Velo, Lumturi Blloshmi, Agim Sulaj, skulptorët Thoma Thomaj, Luan Mulliqi, Armida Laçej, N. Nini, S. Spahiu, V. Rakaj, kineasti Gani Mehmetaj etj, etj.

Në vitin 1994, Donika Omari përktheu në gjuhën shqipe librin “Tereza e Kalkutës, Lapsi i Zotit”, vepër e gazetares italiane Franka Zambonini, kësisoj opinioni shqiptar e njohu më mirë figurën e shqiptares më të shquar të shekullit.

Ndarja nga jeta e misionares shqiptare më 5 shtator 1997 dhe zhvillimi i ceremonisë mortore në Kalkuta, shënuan kulmin e jehonës në mediat shqiptare, të cilat shkruanin në një zë: “Bota shqiptare sot në zi!”; “Bota sot është jetime!” etj.

Në 1997 në Muzeun Historik Kombëtar, nisi puna për të mbledhur bibliografinë e shkrimeve për Nënë Terezën, material i shpërndarë në shumë zëra bibliografikë në botë dhe në Shqipëri, të shtrira nga viti 1969, kur u botua libri i parë në gjuhë të huaj, me autor Peter Dwan: Aposte of the unwanted Mother Tereza (Melburn, Australi) dhe deri në vitin 2003, kur përfundoi sistemimi i bibliografisë kronologjike të Nënë Terezes, që u botua në një libër të veçantë.

Përpiluesja e bibliografisë Liliana Verdho tregon: “Në një periudhë kohore disamujore u punua për bibliografinë, që pasqyronte figurën e Nënë Terezës në shtypin shqiptar në përgjithësi dhe ne diasporë, pa harruar dhe një bibliografi të përzgjedhur dhe emblematike për Nënë Terezën në shtypin e huaj. Bibliografia është thelb i katalogut të referencave, që dokumentojnë në mënyrë të patjetërsueshme Nënë Terezën si figurë historike, si personalitet i kishes katolike dhe misionare humanitare. Ky material ka karakter dokumentar, kronologjik dhe arkivor. Bibliografia e përfshirë, nuk është dhënë në mënyrë shteruese, por ka lënë hapur rrugën për t’u plotësuar me botime pasardhëse”.

Ndër autorët shqiptarë, i dalluar në veçanti per shkrime dedikuar Nënë Terezës, është poeti Visar Zhiti, i cili ka botuar libra, poezi dhe shkrime në shtypin periodik dhe në shumë portale on-line, duke evidentuar me mjeshtëri artistike jetën dhe veprën e gruas më të famëshme të botës.

Vizar Zhiti është i pari autor shqiptar, që shprehu mendime për netët e errëta, që përjetoi Nënë Tereza, si në shkrimin “Rikthimet e Nënë Terezës. Qortim qiellor dhe frymëzime tokësore”, ku shkruan: “Ajo guxoi të futet thellë në atë që quhet nata e shpirtit dhe guxoi të tregoi për dyshimin e saj, sepse nuk e deshi dhuratë besimin në Zot, si pjesa më e madhe e njerëzve që beson, por kërkoi ta zbulojë vetë dhe arriti përndritjen, duke mos u trembur, atje ku të tjerët druhen aq shumë”.

Visar Zhiti, ka merita te posaçme në përkthimin në gjuhën shqipe të shumë uratave dhe poezive të Nënë Terezës, të cilat në vitin 2003 i botoi në vëllimin “Nënë Tereza, mërmërimë shënjetorje”.

Meditimet e Visarit dhe poezitë e Nënë Terezës, shoqërohen me një ilustrim fotografik elegant të fotografit Roland Tasho. Këto fotografi shprehin aktivitetin dhe vizitat e Nënë Terezës në Shqipëri.

Ndër poezitë-uratë, të përkthyera me mjeshtëri nga Visari, zgjodha njerën, që po e prezantoj në vazhdim:

Njeriu shpesh është i pakuptueshëm, spontan, vetanak.
E ç’rëndësi ka, duaje!
Nëse bën mirë, do të thotë se plotësohet qëllimi i vetes
E ç’rëndësi ka,
bëj mirë!
Nëse do të jeni i suksesshëm, miq të rremë do të gjeni
                                                             dhe armiq të vërtetë.
E ç’rëndësi ka, vazhdo!
E mira që bën do të harrohet nesër.
E ç’rëndësi ka, qofsh i kthjellët!
Sinqeriteti dhe nderi do të bëjnë të plagosesh kollaj.
E ç’rëndësi ka, krijo!
Le t
ë shembet natën ajo që ke ngritur me vite.
E ç’rëndësi ka, ndërto përsëri!
Le të mos kënaqen njerëzit kur u gjendesh pranë.
E ç’rëndësi ka, ndihmoji!
Botës jepja pjesën më të mirë të vetes.
S’do të jetë e mjaftë. Do ta flakin.
E ç’rëndësi ka.

Por ti dhuroje pjesën më të mirë të vetes!
Dhe do të vazhdosh të jesh i lumtur.
Të kuptohemi mirë, e gjitha kjo
S’është kurrë midis jush dhe atyre, por
                                           midis nesh dhe Zotit.

Visar Zhiti në një mesaazh që më dërgoi vitin e shkuar, me shkruante: “Nënë Tereza më ka mrekulluar me veprën e saj sublime dhe e ndjej detyrë morale, që t’i a transmetoj popullit tim, që ta njohi më mirë, ta përjetoi dhe ta ndjeki shembullin e saj. Ajo ka hyrë në kujtesën kolektive, madje në ndërgjegjen e njerëzimit, duke u bërë gruaja më e njohur e planetit”.

artikullin dedikuar vendosjes së shtatores së Nënë Terezës në aeroportin e Rinasit, Visari shkruan: “Aty u vendos shtatorja e saj e bronztë, e ngjashme me një kryq të gjallë, që e bashkon qiellin me to-kën dhe ndërkohë tregon, se qënia e saj e shënjtë sikur nuk pranon të shplodhet, sepse dhe pas ndarjes nga jeta, ajo ndjehet dhe vepron si e gjallë, duke i dhënë porosira të vlefshme botës, nga ato që i duhen çdo ditë dhe përjetësisë së njerëzimit.

Nënë Tereza vazhdimisht rilind si frymë dashurie dhe pse është gruaja më e njohur e planetit, përsëri fama e saj rritet.

Nuk është thjeshtë famë, por është shënjtëri”.

Dashurinë, nderimin dhe respektin për Nënë Terezën, poeti Visar Zhiti e shpreh në elegjinë, që e shkroi në ditën kur ajo u nda nga jeta.

ELEGJI PER NËNË TEREZËN.

Në atdheun e Nënë Terezës braktisja i ngjan rënies
së muzgjeve,
që kanë mbuluar pllajat dhe fushëtirat
me ato rrënojat e banuara në mes
dhe elegjitë e atyre që s’janë,
por vijnë rrotull bashkë me korbat,
ndërsa në qiell pasqyrohen udhëkryqe
si një varrezë në ajër
dhe qytetet janë të përmbysura në kujtesën
e çmendur.
Fantazma e Nënë Terezës, e zbathur, ka shtangur dhe mërmërit.
Plagë yjesh digjen.
Ajme, ne kthehemi befas të trembur
e ajo (nuk) largohet, s’i themi dot një fjalë,
se si na hutojnë kumtet, si shenjëza të rëna nga lart,
sado të vogla qofshin,
sa një gjethe pylli, sa puthja,
sa një pendë zogu a dëshirë.

E di, është errësirë tani, më e fortë se gurët,
madje më e fortë se dhembja.
Po sikur ajo të na porosisë që ta duam më shumë njëri-tjetrin,
për buzëqeshje të pastra si ujërat të na porositëë
I ashpër është vendi im,
edhe pse ka lumenj dhe dete
dhe shirat bien më shpesh se fatkeqësitë,
dhe ne s’kemi kohë të bëhemi më të mirë,
e vështirë… të lodhur jemi.
Të humbësh nuk është zotësi, o Zot!

Fantazma e Nënë Terezës
Mbyll sytë në mëngjes dhe tretet me ditën
që ecën zbathur si ajo.
Këtu s’ka asnjë statujë,
s’ka gjë, shpirti i saj s’mund të bëhet mermer,
po unë ku ta vë një lule psherëtimash, ç’epitaf guri të ledhatojë
Vetëm të heronjve vazhdimishtë
Po ne jemi të mërzitur dhe bronzet s’kanë mëshirë,
të të gjithëve, janë si copa diktaturash.
Po Nënë Terezë s’ka më,
kanë mbetur lutjet në letër,
le t’i mërmëritin erërat jashtë dyerve,
bora që bie e trishtë, zjarret në oxhaqe hollesh të hoteleve,
gojët e ëmbla të luleve, kambanat, pianot,
qirinjtë e kujtimeve.

Një yll blu, i harruar nga nata,
troket në xham,
është thoi i gishtit të Nënë Terezës,
po kush do ta hapë dritarenë
Ti, kushdo qofsh, ke ndër mend të bësh diçka
për të tjerëtë
Ç’do të japëshë Dashuri duam, dashuri…
Ne veç kërkojmë të marrim sa më shumë,
edhe kur s’është dashuri,
pa e fshehur egoizmin
ja, ashtu si çveshim me dorashka të bukura kthetrat.
Dhe dhëmbët i porositim prej porcelani
të kushtueshëm,
bashkë me buzëqeshjet, që vërtet teprime janë,
por i përdorim kur duhet.
Përdorim dhe kontraceptivë
Kundër fantazisë dhe ideve,
edhe përrallave,
ndërkaq i harrojmë fëmijët nëpër stacione,
jo vetëm lodrat.
Qielli është pllakë e madhe varri,
që çahet nga vetëtimat, hapet,
bien kufoma ëndrrash poshtë, te këmbët tona,
ne i shkelim… prit,
ja një gjerdan, një libër i plagosur,
shih ç’unazë e bukur,
me gurë të çmuar,
jo, jo, janë lotët e ngrirë, që vezullojnë ashtu!
Nënë Tereza thahet në fund tës hkallëve,
në fund të ditës
si pemë e thatë, si kryq i mjerë.
Shpesh e më shpesh
vdes ajo në atdheun e saj
pa asnjë varr.
Kam thënë, plagët janë atdheu i Nënë Terezës.
Deshi Zoti ta përsëritë Krishtin
dhe zgjodhi një grua, dora e saj më bukur qetëson krifën e mjerimit.
Një shqiptare të shenjtë
i dha njerëzimit, s’dihet për ç’shpërblim.
Ne na ndodh të blejmë kalendare
me portretin e Nënë Terezës.
Në fund të vitit i hedhim me gjithë lutjet.
Po ajo ringjallet te plagët e botës,
dhemb me të gjitha dhimbjet,
e florinjtë tani, kryq  lëkundës mbi qafat tona.

Brerorja
e diellt është larg të gjitha kohëve,
megjithatë e mbush botën me dritë të butë.
Një lutje pa mbarim si ikonë e drunjtë
na del përpara për të na mbrojtur.
Falnani se s’dimë çfarë bëjmë.
Amen.

Duke filluar nga viti 1990, populli shqiptar, kisha katolike dhe institucionet shqiptare, filluan të kremetojnë përvjetorin e lindjes e nga 19 tetori 2003 edhe festën e kultit te lumturimit të Nënë Terezës.

Më 2007, në përkujtim të 10-vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës, Biblioteka Kombëtare prezantoi për herë të parë arkivin e bamirëses dhe fondin antikuar me dorëshkrime të shënjtorëve të Shqipërisë.

Më 20 - 30 gusht 2010, në përkujtim të 100 vjetorit të lindjes të Nënë Terezës, Biblioteka Kombëtare hapi në Tiranë ekspozitën "Shqi-përia vend shënjtorësh", ku figura e saj zinte një vend qendror. Ekspozita u vizitua nga shumë njerëz, sidomos nga moshat e reja.

Këto dy festa janë bërë tradicionale për shqiptarët, dhe kremtohen me ceremoni e aktivitete të shumta fetare, kulturore dhe artistike, që bëhen më të bukura dhe më dinamike nga pjesmarrja masive e rinisë, por dhe e banorëve të besimeve të tjera fetare.

Ky admirim dhe nderim nuk është rastësi, por shprehje e respektit ndaj besimeve dhe të figurave të shquara të gjitha besimeve fetre.

Për popullin tonë, Nënë Tereza është modeli dhe personifikimi i kulturës të harmonisë fetare, ajo eshte pjese e kujtesës kolektive dhe e ndërgjegjies të popullit shqiptar.

Por si ndodh jo rrallë me ne, paradoksi shqiptar i përfshiu dhe dy festat e Nënë Terezës. Kësisoj, 102 vjetori i lindjes nuk u përkujtua si duhej nga institucionet dhe nga mass media, që pothuajse e harruan këtë festë, për pasojë 26 gushti 2002 kaloi si një ditë e zakonëshme.

Me këtë amnezi alla-shqiptare, sikur u plotësua dëshpërueshëm një nga kredot e saj, pasi Nënë Tereza nuk dëshironte ceremoni dhe as veneracione vetjake, andaj porosiste të mos merreshin me të duke e lavdëruar, por të donin njëri-tjetrin si dinte të donte ajo, çka e kishte shprehur qartë e fuqishëm në mesazhin drejtuar popullit shqiptar më 30 prill të vitit 1993, që u botua në gazetën e pavarur “Shqip” dhe që mbetet mesazhi i parë historik, i dhënë nga Nënë Tereza në Shqipëri.

Ndërsa në Shqipëri u harrua, Kosova i festoi përvjetoret me shumë aktivitete, po ashtu dhe shqiptarët e Maqedonisë, kremtuan 102 vjetorin e lindjes të Nënë Terezës shqiptare, të shkupianes së famëshme.

Përvjetori i lindjes dhe dita e shpalljes e lumturumia Nënë Tereza, kremtohen rregullisht në Hindinë hinduiste, ku ajo punoi per 70 vjet duke ndihmuar të varfërit dhe ku dha dritë dhëmbshurie kundër të gjitha errësirërave dhe të asaj që davaritej mbi atdheun e vet dhe që e donte më gjithë forcën e shpirtit.

Këto dy përvjetore festohen dhe në shume vende të tjera te botës, duke filluar nga Italia fqinje, deri në Australi; nga USA, deri në Ban-gladesh; nga Danimarka deri në Burkina Fasso e në Afriken e Jugut, ku ipeshkëvitë dioqezane të këtyre vendeve, nuk harrrojnë të organizojnë mesha dhe aktivitete në nderim të veprës të Nënë Terezës.

Përse me ne shqiptarët ndodh të harrojmë, çka nuk duhet harruarë

Dihet dhe nuk dyshohet se Nënë Tereza është shqiptare, e ka thënë ajo vetë, madje sa më shumë vite kalonin e sa më shumë i rritej fama, aq më shpesh e përsëriste. Në të gjitha vendet e botës, shtypi shkruan: Motra shqiptare, Nënë Tereza shqiptare, humanitaria e shquar shqiptare, Nënë Tereza shqiptare e Kalkutës etj,

Bota e njeh dhe e shpreh përkatësinë shqiptare të Nënë Terezës, por rëndësi ka sa ndihen vetë shqiptarët të Nënë Terezës dhe sa janë ata të lidhur me dashurinë e saj hyjnoreë

Nuk ka dyshime se Nënë Tereza është e jona, të gjithë e duam dhe e nderojmë, por ne duhet të mësojmë ta duam më mirë dhe më shumë Nënën tonë të shënjtë e njëkohësisht të respektojmë e të duam dhe veten tonë, të respektojmë e të duam dhe të tjerët.

Institucioni i kujtesës tonë kolektive nuk duhet ta lërë kalendarin e vet, që ta mbulojë pluhuri e të harrojmë festat e Nënë Terezës.

Ne jemi ato që kujtojmë, thotë një poet i madh europian, por ne jemi dhe ato që harrojmë, ka shtuar me dëshpërim poeti Visar Zhiti.

Të mësohemi ta mbajmë dhe ta nderojmë Nënë Terezën, ashtu si e respekton dhe e nderon e gjithë bota, që Ajo e ka pushtuar me dashurinë dhe me veprat e shumta shpirtërore dhe humanitare.

Ne duhet të kuptojmë se populli shqiptar e ka pjese të vetën Nene Terezën, këtë vlerë të çmuar kombëtare e gjithëbotërore, por duke e harruar, i krijojmë vetes një boshllëk të ndjeshëm shpirtëror e kulturor, ndërsa në imazh, krijojmë zbehje të panevojëshme para botës.

Nënë Tereza ka bërë shumë për Shqipërinë dhe Shqipëria i detyrohet shumë.

Ajo i përket të gjithë shqiptarëve kudo ku janë në botë, por ne duhet të dimë të marrim shumë nga vlerat dhe virtytet e saj dhe t’i aplikojmë në jetën tonë të përditëshme.

Nënë Tereza erdhi shume herë në Shqipëri, madje rrinte gjatë dhe ndjehej e lumtur në atdheun dhe me fisin e vet, si e theksonte shpesh. Vinte si vajza e shtëpisë, si motër katolike dhe si misionare humanitare dhe populli ynë e priti dhe e nderoi në gjithë madhështinë e saj.

Nënë Tereza, ishte figura me e fuqishme e ekumenizmit dhe e dialogut ndërfetar, andaj e takonin dhe e nderonin të gjithë katolikë, myslimanë, ortodoksë, bektashi, protestantë, laikë, agnostikë dhe ateistë, ajo ishte Nëna e të gjithë shqiptarëve.

Edhe pse ishte motër katolike, nderimi dhe kremtimet e figurës së saj, zyrtarisht në Shqipëri morën karakterin e një procesi laik, për arsye se kultura shqiptare, për vetë tiparet historike dhe kulturore të bashkëjetesës dhe harmonisë ndermjet katër besimeve fetare, e ka më të lehtë t’i përvehtësoi personazhet, që nuk njësohen vetëm me një fe të caktuar, por edhe i nderon dhe klerikët e feve të tjera, kur ato shquhen në veprimtaritë patriotike për unitetin kombëtar .

Katolikët shqiptarë e adhurojnë kultin e Nënë Terezës sipas kano-neve të tyre fetare, ndërsa për banorët e besimeve të tjera është më i përshtatshëm modeli laik, pasi hynë më lehtë në kulturën kombëtare. Tashmë, populli ynë i ka njësuar Skënderbeun, Ismail Bej Vlorën dhe Nënë Terezën, si figurat më të shquara të historisë shqiptare dhe në këtë mënyrë ka shprehur aftësitë kulturore duke i kombëtarizuar këto tre figura të shquara përtej identiteteve fetare.

Figura e Nënë Terezës sintetizon elemente ekumenike e ndërfetare, që dallohen lehtë në kredon e veprimtarisë së saj të shquar në shër-bim të njerëzve që vuajnë, pavarësisht nga përkatësia fetare, ashtu si i ka konkretizuar keto tipaare dhe në veshjen e veçantë të urdhërit Misionaret e Dashurisë.

Në Shqipëri, katolicizmi i Nënë Terezës nuk përceptohet në mënyrë të njëtrajtëshme, ndersa vlerat njerëzore dhe kulturore që përfaqëson, përceptohen lehtësisht, njëlloj nga të gjithë dhe nga banorët e besime-ve të tjera fetare.

Kombëtarizimi i figurës të Nënë Terezës u arrit shumë vonë, shumë dekada pasi ishte ndërkombëtarizuar si personazh i shquar në realitetet multifetare, ku sherbeu me përkushtim dhe ku fitoi jehonë mediatike në saje të vlerave njerëzore, që realizoi me veprat e saj fetare dhe humanitare.

Proçesi i kombëtarizimit e kultivoi figurën e Nënë Terezës në kultu-rën e sotme shqiptare, me identitetin e saj shqiptar, por pa insistuar në ekskluzivitet, pra pa e “privatizuar” në nivel kombëtar, ndryshe nga ndërkombëtarizimi, që ndoqi rrugën e përgjithësimit nga të gjithë popujt e botes, të cilët shpejt i përvehtësuan vlerat e mëdha shpirtërore, shoqërore, kulturore dhe morale të Nënë Terezës.

Kur Nënë Tereza u shndërrua në një figurë të shquar, kur e pushtoi botën, kur u bë e famëshme, fqinjët tanë ballkanas u zgjuan dhe përgatitën grackën, duke pretenduar sejcili përkatësinë etnike të saj.

Maqedonët, që nuk janë shqiptarë, ngritën në Shkup dhe shtëpinë muze të Nënë Terezës dhe duke filluar nga tabela bazoriliev në portën kryesore dhe treguesit e materialeve të ekspozuara, i kanë shkruar në gjuhën bullgare arkaike, pra jo në gjuhen shqipe, por kjo përpjekje qëllimkeqe nuk mund ta ndryshoi dhe as të fshehi të vërtetën, përka-tësinë shqiptare të Agnes Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës.

Dihet dhe nuk dyshohet se Nënë Tereza është shqiptare. E ka thënë ajo vetë dhe sa më shumë vite kalonin dhe sa më shumë i rritej fama, aq më shpesh e përsëriste, madje e ka shprehuar publikisht në shumë predikime liturgjike në gjuhën shqipe në Maqedoni, në Kosovë, USA, Belgjikë, Francë, Itali, Australi etj.

Këtë fakt e ka deklaruar kisha katolike e ka theksuar Papa Gjon Pali II, e pasqyron gjërësisht shtypi i huaj, duke e përsëritur gjithënjë e më shpesh: Nënë Tereza shqiptare e Kalkutës, Nënë Tereza humanitaria e shquar shqiptare etj.

Pas ndarjes nga jeta e Nënë Terezës dhe kur u bënë publike “letrat sekrete” edhe shtypi shqiptar u përfshi në kritika, madje tentoi të çmitizoi figurën e saj dhe në këtë fushatë sulmesh shtjerrkeqe ata gjetën mbështetje dhe nga disa fraksione ekstremistash myslimanë.

Kjo marrëzi allashqiptare ishte vazhdim i farsave, që luhen për të çmitizuar Gjergj Kastriotin - Skënderbeun dhe Ismail Bej Vlorën.

Si duket nje kategorie shqiptarësh, u pëlqen të bëhen prototipa të thënies “nemo propheta in patria – asnjë profet në atdhe”.

Disa nga gazetarët, që drejtuan këtë fushatë, shkruanin se kultivimi i figurës të Nënës Terezës kishte karakter artificial, njëlloj si ishte bërë me Skënderbeun, madje nën ndikim e këtyre opinioneve, u arrijt deri aty sa disa elemente ekstremiste në Shkodër, kundërshtuan ngritjen e shtatores të Nënë Terezës në qytetin e tyre, ndërkohë, që në shumë vende të botës, janë ngritur e vazhdojnë të ngrihen shtatore, janë vënë bazorilieve, buste; emëri i saj i është dhënë shesheve, rrugëve, shkollave, spitaleve, çerdheve të femijëve, jetimoreve, aeroporteve; emërin e saj e mbajnë shume shoqata humanitare e kulturore etj.

Edhe pse Nënë Tereza nuk është shpallur shënjëtore, shtatoren e saj e kanë vendosur në disa kisha katolike shqiptare, por jasht kufi-jeve administrative te Shqiperise. Shtatoria e parë u vendos në kishën katolike të Shën Ndout në Tuz (Mali i Zi) dhe më pas ne kishat katolike të komuniteteve shqiptare në New York dhe Detroit.

Shtatoret e Nënë Terezës janë ngritur në disa qytete të Kosovës si në Pejë, në Mitrovicë, në Prishtinë, Klinë etj.

Në Shqipëri, shtatorja e parë e Nënë Terezës, është vepër e skulp-torit Thoma Thomaj, e inaguruar në vitin 2003 në pjesën anësore të sheshit të shkallëve të Universitetit Politeknik të Tiranës. Vendosja në këndin anësor të sheshit të shkallëve të Univeristetit e fshehu shtatoren nga shikimi i popullit, një vendim absurd e qellimkeq i organeve shtetërore, që morën një vendim të tillë.

Në vitin 2007, një tjetër shtatore e Nënë Terezës, vepër e artistit kosovar Luan Mulliqi, u ngrit në sheshin para Aeroportit Ndërkom-bëtarë “Nënë Tereza”në Rinas. Ky monument i ngjashëm me një kryq, që bashkon hyjnoren me tokësoren, shpreh idenë, se çdo vizitor që zbret në Tiranë, të ndjejë urimin e mirëseardhjes nga Nënë Tereza.

Për motive teknike (varianti “zyrtar”), kjo shtatore është hequr, kësisoj Shqipëria ka mbetur vetëm me një shtatore të Nënë Terezës, vepër e artistit Thoma Thomaj, që u hoq nga sheshi para shkallëve të Universitetit Politeknik dhe e vendosën në mjediset e brendëshme të aeroportit në Rinas, pikërisht në ditët kur në Tiranë do të mbërrinte për vizitë Papa Françesku.

Ky veprim i çuditshem, dëshmon se shteti dhe institucionet shqiptare nuk i ka dhënë vendin e duhur nderimit të Nënë Terezës.

Në Shqipëri, Nënë Tereza është pak e studiuar, çka sugjeron se do të duhet të studiohet dhe të spjegohet jo vetem nga teologët, por dhe nga analistët, sociologët, historianët, antropologët, filozofët, për të mos u harruar me mospërfillje snobe, sepse figura e saj ka të bëj me identitetin tonë kombëtar.

Gjatë fushatës me kritika nga disa organe të shtypit shqiptar, nuk munguan përpjekjet për te instrumentalizuar figurën e Nënë Terezës. Nga të gjitha llojet e instrumentalizimit, ai me karakter politik shkakton më shumë reagime.

Spektakli shijekeq i klasës politike shqiptare, që në vitet e fundit paraqitet e përçarë para qytetarëve, gjatë kremtimeve të përvjetorit të lindjes dhe të kultit të lumturimit, tregon se nuk ekziston një projekt i përbashkët kulturor për Nënë Terezën dhe se palët politike dhe ato institucionale dyshojnë dhe akuzojne njëra tjetra për instrumentalizim të figurës së shënjëtores, ndërkohë që duhet të punojnë së bashku për një laicizim të figurës së saj edhe nga pikëpamja politike.

Ky lloj instrumentalizimi politik është përbuzur dhe kundërshtuar nga populli, që nuk e pranon hipokrizinë e politikës, sepse vepra e Nënë Terezës është diametralisht e kundërt me atë të një pjesë të politikanëve dhe e klasës drejtuese shqiptare.

Politika nuk duhet ta shfrytëzoi figurën e Nënë Terezës për qëllimet e saj meskine, pasi jo vetëm instrumentalizimi, por edhe dizomogjeniteti i aktivitetve, rrezikojnë te biem ne retorikë, që e cënon madhështinë e figurës së saj, është njëlloj si të ngrejmë shtatore pa bazament.

Kremtimet e përvjetorëve të Nënë Terezës, do të shndërroheshin në rituale të ftohët, në se mungon vijushmëria, në se mungon projekti kulturor i përbashkët dhe vullneti për t’i dhënë vendin e merituar vlerave të saj shpirtërore, morale, kulturore dhe humanitare.

Kështjellat mediatike, që ngrihen me pompozitete në rast kremtimesh, janë më të rrezikshme se heshtja e tyre.

Në se ideja është ta bëjmë Nënë Terezën ikonën e shqiptarizmës moderne, kjo duhet të vijë natyrshëm, nga “shenjtërimi” i saj në shoqëri, nga përvehtësimi dhe respektimi i vlerave të saj, përndryshe, do të kemi një ikonë të mangët, pa përmasën e tretë, pa idealet të cilat ajo punoi dhe i kushtoi gjithë jetën.

Shteti, qeveria, politikanet dhe gjithe shqiptarët duhet të rikujtojnë fjalët e Papa Gjon Pali II, me 25 Prill 1993, gjatë vizitës në Shkodër kur tha: “… Shqipëria e sotme mund të jetë krenare nëse jeton idealet e bijës së saj Tereza Bojaxhiu ... E ardhmia e Shqipërisë është e sigurt deri kur njerëzit e sotëm të ndjekin shembullin frymëzues dhe ndërtues të kësaj bije të dashur e të shquar, të bekuarës Tereza Bojaxhiu”.



(Vota: 30 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora