E marte, 27.07.2021, 05:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Kafe me Xhulin

E marte, 13.01.2015, 08:11 PM


KAFE ME XHULIN

Tregim nga Resmi Osmani

Xhuli me gjithë dy të bijat ngadalësuan hapat për të parë postatet e luleve në të dy anët e udhëzës e  hyrjes për në hotel”Tirana”. Begonjat dhe lule salviat e harlisura,me të kuqen e tyre të ndezur e të gjaktë, dukej sikur kishin marrë zjarr. Midis tyre si gurët e një mozaiku ishin shpërndarë vjollcat tringjyrëshe dhe ciklaminet gjithfarë ngjyrëshe. Bordurat qarkoheshin nga gardhi i ulët e i ngjeshur i shkurrëzave të bushit,të krasitura e formësuara për merak. Ishte një pamje e bukur midis masiveve të betonit dhe mermereve të përhinjta të Pallatit dhe Muzeut.

Asaj iu bë sikur i thirrën emrin, zëri vinte nga drejtim i papercaktuar si jehonë, sikur pluskonte bashkë me zhaurimën e makinave në ajrin e nxehtë të mesditës. Mos i ishte dukur? Sido qoftë, u kthye dhe hodhi rrotull  një shikim të hapërdarë,rrethor dhe pyetës. Nuk ishte gabuar. Në këmbësoren, përball muzeut dikush, i zhytur në dritën e diellit të mesditës dhe kalimtarëve të rastit, ngriti dorën, i buzëqeshi dhe ngau drejt saj. Ajo hoqi syzet e errëta që ti dritësohej pamja e të shihte më qartazi.

E njohu. Ishte Agimi. Ai u nis drejt saj. Ajo u shtang si t’i ishte shfaqur një fantazmë dhe ndjeu që zemra i shpeshtoi rrahjet dhe gjaku i vrulloi në deje.

-Agim! Ti?

Zëri i saj, habitor e pyetës, ishte i shuar, zanore zgjatur, në të seç kishte  një si gulç marrafrymës

Ai qëndroi një hap para saj,  i ndrojtur me  pamje si i zënë në faj, me një buzëqeshje të vetvetishme.

-Po.- tha ai zë shuar dhe i zgjati dorën.

Ajo ja toku me të sajën dhe s’po ja shqiste shikimin nga drita e syrit, pastaj e tërhoqi drejt vetes dhe e rroku në qafë. Qëndruan një valë herë ashtu. Pastaj e largoi paksa, i  mbajti të dy duart dhe s’po ja shqiste shikimin, si të kërkonte aty atë që e kishin shlyer vitet e s’ishte më.

-Eh!- Ofshau ajo. Një ofshamë e papërcaktuar, si ti drejtohej hapësirës. –Vajza, afrohuni. Ky është Agimi-dhe pas një stepjeje- i dashuri im i parë! Këto  janë vajzat e mia,Bora dhe Zana.

Agimi u ndje si t’i kishte rënë mbi krye rrufeja, me shkrepëtimë verbuese, e si nën vete të ishte hapur toka, fytyrën ia mbuloi të kuqtë,  teksa vajzat,të mësuara me shakatë e së  ëmës, mosbesuese  e pak si të hutuara, i qepën sytë me kërshëri burrit të huaj, që e ëma tha se kish qene i dashuri i saj i parë. Për to, ishte si një  e papritur e beftë që kishte pikuar nga qielli i Tiranës. Agimi, pas hutimit të parë e mblodhi veten. Para tij, pas afro tridhjet vitesh, kishte Xhulin. Paksa të shëndetshme, por me atë bukurinë e fisme e rrëzëllitëse që mosha nuk ia kishte fshirë.

-Dukesh mirë.

-Së jashtmi po.

-Pse me të zeza?

-Po bëhen dy vjet,që im shoq është ndarë nga jeta.

-Më vjen keq. Ngushëllime. Vetë shëndoshë. U prehtë në paqe.

-Faleminderit. Shëndosh shokët e miqtë.

Ai e dinte se ajo kishte vite që jetonte në Itali, nga mesi i viteve nëntëdhjetë. Vuri re që të bijat e flisnin shqipen me theks.

-Keni ditë që keni ardhur?

-Po. Na ka sjellë, veç mallit për vendin dhe njerëzit, trashëgimi i një prone të tim shoqi. Një telash më vete ky që më ka sjellë dhimbje koke.

-Do rrini ditë?

-Sa të mbarojmë procedurat ligjore, të lodhshme e burokratike.

Bënte vapë. Dielli nxehte dhe nga asfalti ngrihej shkulmi i avullit të ngrohtë aromë zifti. Ata qëndronin në këmbë. Agimi i tha:

-Keni kohë sa për një kafe?

-Për ty, edhe po të mos kisha, do ta gjeja.

-Faleminderit. Ngjitemi të katër lart,te “La Pergola”, është bukur.

- Ne të dy,po. Vajza, merrni ndonjë pije freskuese në  barin e katit të parë dhe më prisni aty. Nuk vonohemi.

U ngjitën të heshtur shkallëve, përshkuan sallën e katit të dytë që i nxori në ballkon, bënë djathtas dhe u gjendën te ajo që e quanin “La pergola”.Ishin krijuar llozha me trina të thurura me ristela dërrase në formë katërkëndore në të cilat ishin pleksur e ndërfutur  lule drethkëla, dorëzonje dhe shermashek. Binin në sy këmbanëzat ngjyrë vjollcë të drethkëlave dhe lulet e vogla e të bardha të dorëezonjave që çlironin një aromë të ëmbël.Mjedise të qeta për biseda intime. Përballë ishte ballina e mermertë, e ftohtë dhe e rëndë e muzeut, me dritaret e ngushta vertikale si ca sy të verbër dhe në të djathtë universiteti me emrin e çuditshëmUFO. Midis hotelit dhe muzeut, bulevardi gëlonte nga lëvizjet e paprera të tufës së makinave që zukasnin si luzma e bletëve. Blirët e rritur, mbjellë në këmbesoret dhe lulishten e vogël para muzeut, ishin degëvarur nga pesha e luleve të bardha që ishin në lulzim të plotë dhe aromatizonin ajrin. Gjethet e blirëve kishin reflekse të argjendëta.

Ndenjën në divanët e ulët, ballë njeri –tjetrit. I ndante tryeza e mesit, gjithashtu e ulët me një qëndizmë dantellash në mes.Të dy nxorën paketat e cigareve. Paska filluar duhanin,mendoi Agimi,atëhere në vitet e largëta ajo nuk tymoste. I dha flakë çakmakut,ia ndezi Xhulit pastaj të vetin. Midis tyre u shtri një perde e zberdhylët e si në të kaltëreme, luhatëse dhe e tejpashme e tymit që i bënte fytyrat të dukeshin si të shformuara. Kur fjollëne tymit e davariti era, Xhuli i buzëqeshi, me atë buzëqeshjen e dikurshme, të çiltër, të pafajshme e të bukur, por disi enigmatike dhe pyetëse.

Erdhi djali I shërbimit.

-Porosinë , ju lutem.

- Kafe.

-Zonja?

-Për mua një lëng frutash. Sill edhe një konjak “Skënderbej” për zotrinë.

Ai e kuptoi domethënien e porosisë së saj. Ishte rikujtim i atyre viteve të hershme kur ai pas leximit të “Tre shokëve” nisi ta shoqëronte kafen me konjak. Të dy po mendoheshin. Kishin kaluar aq shumë vite, nga t’ia nisnin, si ta kapërcenin ngërçin e kohës ?Në atë tabllo,  ishte një fragment i ndritur,plot ngjyra të trandafilta, të rimta, me tone të gëzuara, ngazëllyese, në atë atmosferë si prej ëndërre, si dy re të bardha, të pezullt, vozisnin ata  të dy. Pastaj vinte pjesa e perhinjte, e trishte, njëngjyrëshe: ndarja , ku secili kishte humbur në mjegullën e kohës, në jetën e vet, me pak gëzime e me më shumë halle, andralla, por ku si thëngjijtë fshehur nën hirin e kohës regëtinte kujtesa  dhe ai malli molisës  për njeri-tjetrin. Ku ishte ajo? Ku ishte ai? A ishin mirë e të lumtur? Por e përditshmja,familja, fëmijët e fshinte atë përfytyurim të mjegullt, për të pranuar të tashmen, që sido që të qe, edhe si një fatalitet, ishte zgjedhje e tyre, ankesat nuk vlenin. Dita e sotme, kishte sjellë këtë të papritur, tronditëse e turbulluese, takim të përmalluar pas viteve të gjata të ndarjes.

Djali i shërbimit la porosinë dhe pas urimit “Ju bëftë mirë” , që ia bënte kujtdo, u largua.

-Për të mira e në gëzime ,- uroj Agimi.- Xhuli,kanë  rrjedhur kaqë vite nga jeta, më thuaj dy gjëra për vete, se edhe unë do të them të miat.

Ajo nisi të tregojë ngadalë, mendueshëm e si mepadëshirë.I rrëfeu për dashuritë e saj zhgënjyese, për martesën e pafat, sëmundjen e burrit, përballimin e jetës dhe mundimet për të rritur e pandihmë të të dy vajzat dhe për vitet e emigracionit dhe punët e rëndomta për mbijetesë. Sidoqoftë, vajzat ishin rritur, arsimuar, e madhja ishte pjaniste e talentuar, e kishte bërë dhe gjyshe,  e dyta piktore që premtonte.

-Kjo ka qenë rruga e jetës sime, pas ndarjes sonë. Treni i saj ka mbrritur në stacionin e fundit. Ditët që jetojmë janë dhuratë që na bën jeta. S’na mbetet tjetër veç të presim fundin me qetësi, të jetojmë të tashmen, duke lënë mënjanë pengjet.

Edhe ai rrëfeu për vete: transferimin në Tiranë, jetën akademike mes studentëve, ngjitjen në hierarkinë shkencore, përfitimin e titujve dhe gradave, jetën e qetë familjare, rritjen e tre fëmijëve,të tre djem dhe së fundi daljen në pension. Kishte trokitur fundi. Ndjehej si i braktisur, jashtë vëmëndjes, i hedhur tej si limon i shtrydhur.

Biseda kishte mbushur boshllëkun e viteve të panjohura.Të dy e dinin se në atë zinxhir ngjarjesh, mungonin shumë hallka të errëta apo të dritësuara,që njeriu i mban për vete e si ndan me të tjerët. Në fund Agimit, s’ju ndenjt pa i bërë atë pyetjen që e mundonte qyshkur u takuan:

-Xhuli, ç’qe ajo që u the vajzave ?  Më bëre të skuqem e të ndjehem në zor para tyre?

-Që ta dinin me cilin kishin të bënin dhe për t’i pohuar vetes dhe ty, një të vërtetë që s’u tha kurrë.

Ajo heshti, gjerbi një gllënjkë lëng dhe buzëqesi hidhur.

-Eh, burrat!Janë ata që na bëjnë të lumtura, hem ata që na bëjnë edhe fatkeqe,- pohoi ajo pastaj ndezi edhe një cigare.

- E njëjta vlen edhe për gratë,- iu përgjegj ai.

-Ashtu vërtet, por burrat janë gjithmonë një hap para, përveç teje që ishe një hap prapa!

Ai u ndje ligsht dhe ndjeu që po e kaplonin djersët, nga kthesa e beftë e bisedës.

- Kanë kaluar dyzet vite dhe sot e solli rasti dhe ora që të rrëfehesh në këtë llozhë të pjergullores: Më ke dashuruar?

Fliste qetë, por sytë zhbirues ia kishte ngulur në fytyrë dhe pyetja ishte bërë me ngulm dhe çuditërisht me një hakërrim të brendshëm që priste një përgjigje. Agimit iu duk si të ishte një marrje në pyetje, por qetësia dhe ai përmallim i mezidukshëm i saj, që mundohej ta fshihte, bënë që ta mendonte ndryshe, si një hapje zemrash

-Po. Ti ishe dashuria ime e pare, e vetme, e pakrahasueshme me asgjë tjetër.

-Sa më ke dashur?

-Nuk e di qe të ketë masë vlerësimi për dashurinë, por nga ajo ndjesi e zemrës sime, e mbushur plot me emrin tënd, qënien tënde, dritësimin e syve, tingullin e zërit dhe të qeshurës sate, valëzimin e flokëve që ti merrte era, ecja e bukur si një vallëzim, gjithçka jotja kishte bërë folenë në zemrën time, ti ishe brenda meje, e shkrirë njësh me jetën time. Jeta ime sillesh vetëm rreth teje, pjesa pa ty ishte bosh, si një shkretëtire. Të kam dshur shumë, shumë……

Teksa fliste, mendja iku, mori arratinë, në ato vise të dashura të djalërisë,

U njohën në shtator,kur ajo u emrua mësuese në shkollën e sektorit të fermës.Shtatmesatare, me trup të formuar mirë, me gjallëri prej djali po me hire vajzërore. E freskët si lule. Kurmi I saj mbante një aromë si qumësht, flokët jasemin,fryma e saj si aroma e mollës së pjekur.Ishte si një buqetë lulesh. Sytë i qeshnin tërë kohës. Zëri si këmbanë aegjendi. U miqësuan aq shumë sa mezi prisnin të takoheshin, të kuvendonin ,të çuçrisnin, të komentonin filmat, librat që lexonin. Ç’do fjalë, sado e zakontë , fliste për atë që ata e ndjenin,por nuk e thoshin. Fliste për dashurinë. Dukej sikur ishin bërë për njëri-tjetrin. Në fund të orëve të mësimit, kur ndaheshin, i kaplonte trishtimi. Ai u futej punëve. Por do të vinte e nesërmja, lulet do të çelnin përsëri dhe blerimi do të mbulonte fushat. Në mëngjes ai se pinte kafen pa ardhur autobusi që sillte atë. E pinin bashkë, ai edhe një gotë konjak. Diku te “Tre shokët” e Remarkut, njëri nga personazhet thoshte se konjaku ishte “Pija e heronjve !” Dhe ditët rridhnin, muajt iknin dhe ata ndjenin atë lumturi, atë lëngatë të ëmbël, atë molisje shpirti, atë regëtim  zemre, atë pulsim gjaku, që është dhuratë e moshës së dashurisë.

Teksa me sytë e mendjes Agimi shihte ato pamje të dashura të së shkuarës, dëgjoi Xhulin që vazhdonte të pyeste:

-Ne duheshim, edhe të tjerët e vërenin  dhe e dinin. Ti pse nuk ma the, pse nuk ma shprehe? Pse? Të mungonte guximi, ishe i turpshëm dhe i ndrojtur?Apo shkaku ishte biografia ime? Por, pavarësisht nga përkatësia fisnore, babai ishte mjek që e nderonte tërë qyteti dhe nëna mësuese.

-Jo –tha ai mendueshëm e me gjysmë zëri.- Nuk ishte ai shkaku.

I kujtohej si sot, kur ajo e ftoi në shtëpi për ditlindjen e saj. Mbeti i befasuar dhe i topitur nga ajo që pa : vila  me dy kate, thurur me avllinë e lartë, porta e hekurt me monogramet e familjes, shkalla e shtruar me tapet të kuq, dhoma e pritjes me kolltuqe të rëndë lëkure ngjyrë mjalti shtruar me qilimë të shtrenjtë, tabllotë veneciane në mure, mobiljet e shtrenjta dhe takëmet e argjendta dhe të kristalta që shndërinin të serënditura në kristaliere me dru mogani të zi. Ai hyri bashkë me Xhulin, në dorë mbante një tufë me trandafila. E ëma e Xhulit, sido që ai ishte përpjekur të vishej me kujdes, e pa shtrembër. Ishte një zonjë e rëndë, duart stolisur me unaza të shtrenjta dhe byzylikë të artë. E gostitën me liker vishnje të mrekullueshëm, të bërë në shtëpi, që fekste si rubin në një gotëz  kristali, pastaj një gotë më shurup trandafili. I ati i Xhulit, doktori, u rrëfye më i afruar e më i njerëzishëm. Sido qoftë, ai u ndje si i ulur mbi gjemba. U kërkoj lejë dhe u largua. Xhuli e përcolli deri në rrugicën me kalldrëm. Atë ditë ndjenjat e tij pësuan një të krisur. Ai vinte nga kasollet e fshatit. Ku nëna e tij e mirë dhe e dashur, e ku ajo zonjë që ishte nëna e saj. Ku vllezërit e tij dhe kunata puntore, që punonin arave, me atë familje intelektuale? Jo, hendeku midis të dyve ishte i thellë. Gjetk duhet ta kërkonte shortin e tij.

-Ti nuk ma the që më doje edhe kur unë ta kërkova. Të kujtohet? Ishim nën hijen e pishës te oborri I zyrave tuaja. Kisha kërkuar të drejtë studimi dhe më kishte dalë për në Institutin Dyvjeçar në Shkodër. Erdha dhe të pyeta, të shkoj  apo të mos shkoj. Prisja të më thoshje jo dhe unë do të qëndroja për ty, por ti pas një hezitimi të gjatë, më the që duhet të shkoja. Mu duk se mbi kokë mu shemb qielli dhe ika pa të thënë as ditën e mirë.

-Nuk ta shpreha dashurinë me fjalë ngaqë të doja vërtet me shpirt. E dija që nuk mund të siguroja për ty vazhdimin e asaj jete që ti bëje në familje. Sepse për të qënë e lumtur, veç dashurisë duhen edhe ca gjëra të tjera. Kjo është urtësia e jetës, që tashmë besoj se e ke mësuar. Pastaj, pse të mos ta them, ishte edhe dallimi midis familjeve tona.

-Ah,-shfreu ajo,- paragjykimet e mallkuara. Për to ne humbëm njeri tjetrin. Një dashuri të bukur. Për një fjalë, për një pohim dhe ne do të ishim martuar bashkë. Do të kishim ndërtuar një familje. Unë do të kisha lindur për ty tre djem. Jo, më shumë, katër, pesë, sa të kishe dashur ti.

Ata i kishin thënë të gjitha.

-Duhet të ngrihemi, -tha Xhuli, vajzat po më presin.

Kur po ecnin në ballkonin e pjergullores, ajo mbajti këmbët.

-Ti ske ndryshuar fare,- i tha ajo,- ke mbetur po ai i atyre viteve për të cilat folëm. Nuk mendon se më ke një borxh të dyzet viteve më parë, që duhet ta shlyesh?

Ajo dukej e shkrehur, si në pritje të diçkaje, trupi I saj thërriste, sytë luteshin, buzët ishin paksa të hapura si një gonxhe luleshege, koka e vaisur paksa pas. Ai e tërhoqi vrulltas, e mbështeti në gjoksin e tij të gjerë, me dorën tjetër I pushtoi shpatullat dhe me sytë gjysmë të mbyllur kërkoj gojën e saj. Buzët ishin të ngrohta, të plota e të mishta, mbushur me  lëng jete dhe ai thithi nektarin e asaj goje të dashur. Ajo fërgëllonte dhe dridhej e tëra si e trallisur nga shija e asaj puthje që kishtë dyzet vjet që e priste. Kur u shkëputën ishin duke dihatur u panë në sy dhe ja krisën një të qeshuri të hareshëm.

Nuk ishte e puthur pleqsh, por zjarr e flakë, si një e shkrepur rrufeje, se dashuria nuk plaket.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora