OPERACIONI I PARË I CIA-S KUNDËR KOMUNIZMIT
Nga Frank Shkreli
Me 3
qershor del nga shtypi në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri libri i
autorit shqiptaro-amerikan, Albert
Lulushi mbi historinë e misionit të parë të Agjencisë Qendrore të Zbulimit
Amerikan, CIA. Libri e ka titullin,
"Operation Valuable Fiend'' ose në shqip, "Operacioni Kundërshtari i
Dobishëm." Është ky një libër që
përshkruan në hollësi përpjekjet amerikane për të përmbysur regjimin komunist të Shqipërisë, duke filluar
nga viti 1949. Por më parë se të flasim
për librin, pak informacion mbi autorin, Albert Lulushi. Ai ka lindur në Shqipëri dhe është larguar
nga ai vend më 1990 dhe tani jeton në shtetin Virxhinia afër Washingtonit. Z. Lulushi ka bërë një karierë jashtzakonisht
të suksesshme në fushën e teknologjisë së informacionit, duke punuar me ente të
ndryshme të Qeverisë Federale dhe me firmat amerikane më të njohura të grupit
të kompanive shumëkombëshme, që njihen
si Fortune 500. Përveç librit,
“Operacioni Kundërshtari i Dobishëm”, Albert Lulushi është autor i njohur i
disa librave në fushën e teknologjisë së sistemeve të informacionit të cilat
janë botuar nga shtëpitë botuese më të njohura në Amerikë. Më duhet të rrëfej se unë e kam njohur Albert
Lulushin -- për të cilin ruaj një respekt të posaçëm -- pothuaj ç’prej ardhjes
së tij në Amerikë në fillim të 90-ave, fillimisht në kapacitetin e tij si
përkëthyes për zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara, për pothuaj
20-vjetë. Si i tillë Albert Lulushi ka
qenë dëshmitar i zhvillimit të marrëdhënjeve të Shteteve të Bashkuara me
Shqipërinë dhe me Kosovën. Andaj, si
pjesëmarrrës në zhvillimin e këtyre marrëdhënjeve gjatë 20-viteve të fundit, interesimi i tij
për historinë e marrëdhënjeve midis vendit të tij të adoptuar, Amerikës dhe
vendlindjes së tij, Shqipërisë, është krejtësisht i natyrshëm dhe tepër i
dobishëm, gjë që pasqyrohet në secilin kapitull të librit.
Libri me
titull, “Operacioni Kundërshtari i Dobishëm” i autorit Albert Lulushi, në thelb
përshkruan historinë e një operacioni qëllim mirë, por me plot probleme
logjistike dhe personeli, mosmarrveshsesh e intrigash, i ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara në
përpjekje për të përmbysur regjimin komunist në Shqipëri, por fatkeqsisht një
mision ky i cili në fakt dështoi keq dhe në mënyrë të mjerueshme, sidomos për
shumë prej atyre shqiptarëve që morën pjesë në planifikimin dhe në zbatimin e
tij, duke e paguar edhe me jetën e vet dhe me një kosto të lartë për familjet e
tyre.
Megjithëse
me vite dhe dekada është debatuar dhe janë hedhur teza se si dhe pse dështoi
operacioni i CIA-s në fillim të 1950-ave për rrëximin e regjimit komunist në Shqipëri
– përfshirë këtu edhe versionin e propagandës së regjimit komunist shqiptar --
studiuesi Albert Lulushi më në fund përmbledh të gjithë faktorët e shumtë, që
sipas tij mund të kenë kontribuar në dështimin tragjik eventual të
misionit. Një ndër faktorët që në të
kaluarën i atribohej dështimit të misionit, ka qenë roli që thuhej se ka
luajtur Kim Filbi, agjent i dyfishtë anglo-sovjetik. Një ndër mbështetsit e kësaj teze ka
qenë edhe autori anglez Nicholas Bethel,
i cili ka shkruar më 1984 se misionin amerikan që kishte për qëllim rrëximin
komunist të Enver Hoxhës, e kishte sabotuar agjenti i dyfishtë Kim Filbi, me
pretendimin se Filbi duke qenë në dijeni të planeve amerikane të operacionit, i
kalonte informacionin Moskës dhe Moska nga ana tjetër informonte Tiranën. Albert Lulushi nuk hedhë poshtë krejtësisht
këtë tezë, por minimizon rolin që mund të ketë luajtur Kim Filbi në dështimin e operacionit, duke
thënë se agjenti Filbi ishte zbuluar tanimë si agjent sovjetik dhe si përfundim
u detyrua të largohej nga Washingtoni në vitin 1951. Kështuqë autori
argumenton, bazuar në dokumentacionin e
deklasifikuar të CIA-s për operacionin e koduar “BGFIEND”, se dështimet më të
mëdha të operacionit amerikan u shënuan pas largimit të Filbit nga detyra e tij
në ambasadën britanike në Washington, dmth nga viti 1952 deri në vitin 1954,
kur u ndalua operacioni, e për të cilin merret me mend se Filbi nuk kishte
dijeni as informacion mbi hollësitë e planit dhe përgatitjet për infiltrim në
Shqipëri, gjatë asaj periudhe.
Historia
e këtij operacioni filloi pas prishjes së Stalinit me diktatorin komunist Tito
të Jugosllavisë në vitin 1948. CIA, e cila posa ishte themeluar,
kishte marrë përsipër detyrën për të zmbrapsur komunizmin në Europn Lindore dhe
në bashkpunim me shërbimin sekret britanik vendosën të bëjnë planet për
operacionin e parë para-ushtarak në historinë e kësaj agjencie, në
Shqipëri. Si përfundim i prishjes
jugosllave–sovjetike, Shqipëria komuniste ishte në një qorrsokak dhe
konsiderohej si një vend i përshtatëshëm për të bërë përpjekjet e para për të
minuar komunizmin, duke filluar kështu me regjimin e Enver Hoxhës, ndoshta edhe
duke pasë parasyshë Shqipërinë si një vend jo sllav në sferën komuniste sllave,
që ndoshta mund të shkëputej nga sfera komuniste dhe të bëhej si shëmbull se
regjimet komuniste mund të përmbyseshin në Europë. Agjencia CIA e filloi këtë mision
para-ushtarak me rekrutimin e
imigrantëve vullnetarë shqiptarë të arratisur nga komunizmi, të cilët
ishin vendosur në kampe refugjatësh në Europë.
Pasi rekrutoheshin, ata dërgoheshin për trajnim dhe pas disa javë
përgatitjesh, grupe të vogëla hidheshin si parashutistë në Shqipëri me qëllim për të minuar regjimin
e Enver Hoxhës. Sipas Z. Lulushi, në
teori plani ishte i përgatitur mirë, por kur erdhi puna tek zbatimi i tij
logjistik, megjithë qëllimet e mira të planifiukuesve si Z. Frank Wisner,
operacioni lente shumë për tu dëshiruar, gjë që më në fund çoi në dështimin e
kësaj nisme.
Autori
Lulushi, në librin e parë mbi këtë subjekt të rëndësishëm si për publikun
amerikan ashtu edhe për publikun shqiptar, por njëkohësisht mund të thuhet edhe
për historinë e marrëdhënjeve
shqiptaro-amerikane, i paraqet lexuesit të vërtetën në të cilën ai ka patur
mundësi të arrijë mbi operacionin e CIA-s në Shqipëri, duke u bazuar në
qindra dokumenta të CIA-s që janë deklasifikuar deri tani, memoare, si dhe në
kujtimet e pjesëmarrsve dhe protagonistëve kryesorë të operacionit, siç është
Z. Frank Wisner, i cili mbetet ende
shumë i interesuar në çështjet shqiptare. Albert Lulushi paraqet pikëpamjet e ndryshme
dhe faktorë që kanë luajtur rol mbi këtë operacion si dhe ofron për lexuesin faktet
që ai i ka zbuluar nga vet pjesëmarrsit, si dhe nga burimet amerikane mbi këtë
operacion, burime të cilat nuk përputhen gjithmonë me propagandën komuniste të
kohës që e trumpetonte dështimin e këtij
operacioni si fitore të saj.
Autori
radhitë një numër faktorësh që ai thotë se kontribuan në dështimin e
operacionit për të përmbysur regjimin brutal të Enver Hoxhës. Ndër të tjera ai
fajëson edhe degë të ndryshme të CIA-s dhe shërbimet e tjera mike, siç
ishte shërbimi i fshehtë britanik, për mungesë bashkpunimi midis tyre. Por,
përveç kësaj, dhe mbi të gjitha, Lulushi shkruan se një pjesë e madhe e
dështimit të operacionit mund t’i kushtohet konflikteve dhe mosmarrveshjeve
midis fraksioneve anti-komuniste shqiptare të pas Luftës së Dytë Botërore, të
cilat sipas autorit, nuk kishin asgjë të përbashkët midis tyre, përveç
urrejtjes që kishin për Enver Hoxhën.
Libri i
Albert Lulushit, "Operation Valuable Fiend'' ose në shqip,
"Operacioni Kundërshtari i Dobishëm", është një përmbledhje e re
faktesh e dokumentacioni dhe si e tillë bindëse për hir të fakteve që paraqet
për operacionin e parë anti-komunist të CIA-s në Shqipëri. Z. Lulushi paraqet dilemat e ndërlikuara të
zhvillimeve dhe planeve politike dhe ushtarake me të cilat përballeshin
planifikuesit e këtij operacioni dhe ve në dukje ndasitë, përçarjet dhe mosmarrveshjet në radhët e grupeve
kryesore anti-komuniste të kohës në lidhje me operacionin si dhe mbi të ardhmen
e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Andaj,
duke marrë parasyshë edhe gjëndjen e sotëme politike kudo në trojet shqiptare,
libri i Albert Lulushit, përveç rëndësisë historike të tij, përmban një mesazh
të rëndësishëm edhe për politikën e sotëme shqiptare. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, duke
iu përgjigjur pyetjes se përveç vlerave historike që ka libri, cili është
mesazhi për shoqërinë dhe politikën e sotëme shqiptare tashmë demokratike,
autori Lulushi ka thënë: “Një aspekt që
mendoj se libri ka vlerë është se e tregon historinë në mënyrë faktike duke u
bazuar në dokumente pa influenca subjektive të pikëpamjeve të ndryshme. Por edhe një mësim tjetër që mund ta shikojmë
në një shkallë më të lartë është se, për mendimin tim, një nga arsyet pse operacioni
dështoj ishte se forcat antikomuniste shqiptare nuk arritën të bashkoheshin në
një front unik ashtu siç nuk u bashkuan gjatë luftës edhe pas luftës ata
vazhduan që të ishin të përçarë dhe të luftonin me njëri-tjetrit. Po të shikosh
për shembull në vitin 1999 kur kishim konfliktin në Kosovë, edhe pse kishin
divergjenca midis tyre, forcat politike shqiptare paraqitën një front të bashkuar, dhe patën
sukses. ''Si një mësim, për shembull, për palët në politikë sot, si në Kosovë
edhe në Shqipëri, sidoqë mund të ketë divergjenca brenda për brenda, për sa i
përket aspektit ndërkombëtar, aspektit të avancimit të çështjes së kombit
shqiptar në bashkësinë ndërkombëtare, duhet të ekzistojë në front i bashkuar,”
ka thënë studiuesi Albert Lulushi, për Zërin e Amerikës.
Është ky
një mesazh domethënës i një libri me rëndësi pra për të kuptuar më mirë të kaluarën por edhe një
mësim për të ardhmen. “Është një libër i
mirë-dokumentuar mbi njërën prej operacioneve më pak të njohura dhe më të
keq-kuptuara të Luftës së Ftohtë. Është
një tregim interesant dhe i shkruar shumë mirë, megjithëse është një tregim
shkurajues dhe demoralizues”, kur merr parasyshë mos-realizimin e objektivave
të caktuara të operacionit, ka vlerësuar librin e Albert Lulushit, Ambasadori
Frank Wisner njëri prej protagonistëve dhe planifikeusve kryesorë të
operacionit.
"Operation
Valuable Fiend'' ose në shqip, "Operacioni Kundërshtari i Dobishëm",
i autorit Lulushi, përshkruan një operacion që u ndërmor për arsye dhe qëllime
të drejta, por ndoshta një mision që u ndërmor nën rrethana të papërshtatshme
dhe me mënyra të gabuara, të cilat përfunduan në dsëhtimin e tij. Zoti Lulushi i sjellë lexuesit amerikan dhe
atij shqiptar një vepër të rëndësishme, mbi një ngjarje me rëndësi historike,
që deri më tani nuk ka tërhequr ndonjë vëmëndje të madhe nga studiues seriozë,
duke kontribuar në këtë mënyrë në një kuptim më të mirë të operacionit dhe të
qëllimeve të tija dhe duke hedhur dritë mbi një periudhë të historisë së
marrëdhënjeve amerikano-shqiptare, për të cilën deri më tani nuk dihet shumë.