Kulturë
Kristaq Turtulli: Çast
E premte, 14.02.2014, 05:32 PM
KRISTAQ TURTULLI
ÇAST
Përjashta dita po shkiste me patina,
Nën harkun e të lodhurave mendimeve.
Qielli i rënduar me re, mbytur teshtinte,
Grindej era në sqetullën e një ëndrre,
Me bërryla shtynte qoshet e mureve,
Gërvishte me thonj akullin e xhamave.
Unë të putha në buzë.
Ti u rrotullove në brinjë,
Shfaqe dëshirë të ishe flutur e blertë,
Të thithje krejt ajrin e pyjeve
Të qëndroje përkrah erërave,
Të ngopeshe me kaltërsinë e deteve,
Të preheshe faqeve të shkëmbinjve.
Flutur e bukur e luleve, e petaleve.
E dashur, fluturat janë delikate.
Treten dhe nga një prekje.
Të dua kështu siç je.
Më puthe lehtë në buzë,
Supet mblodhe, sytë gështenjë pulite.
Dhe në gji mu struke.
Përjashta dita po shkiste me patina.
Pemët ngjanin si stalaktite prej shiut të ngrirë.
Mbrëmja me nofulla thërrmonte,
Imazhin e rremë.