Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Përrallat me Erdogan dhe lum kush u beson!
E diele, 13.05.2012, 10:58 AM
Përrallat me Erdo?an dhe lum kush u beson!
Nga Elvi Sidheri
Doli në dritë
nja një javë më parë, aty mes lajmeve për kampionate Europiane që po mbaronin
dhe “bëmash” të Reality Show-t më origjinalisht të panevojshëm që historia
televizive ka krijuar, pra Vëllait të Madh, diku aty mbiu edhe ky lajmi për të cilin
po flas.
Në FaceBook-un
shqip dhe shumë faqe të tjera interneti nëpër botën ndërshqipfolëse, u hodh si
një bombë dore me shpërthim të menjëhershëm, lajmi prepotent që na bënte të ditur
një të “vertetë” rrënqethëse!
Mishi na
u bë kokërr, siç do thoshin gjyshërit tanë në një shqipe pak të dalë mode tashmë,
pasi lexuam se burri i botës nga Azia e Vogël, kryeministri i Turqisë të cilën
e shpallim herë motër, herë nënë largqoftë, ky njeri na paska thënë se për “vëllezërit”
shqiptarë do tundte qiell e tokë!
Hapu o dhé
e bëhu gropë e thellë ku të futet ky vend e pastaj të vijnë turqit që pikërisht
mbi atë tokë të porsamihur, të vënë ndonjë lule, ato Lale-Tulipanët e tyre mundësisht!
Ku i
dihet që ndonjë ditë ai dheu ynë edhe do hapet dhe do e gëlltisi këtë rracë tonën,
për shkak të aq budallallëqeve me të cilat po e ngopim ditë për ditë, një nga më
të spikaturat e të cilave ishte edhe kjo e fundit.
Duke u
kthyer tek tema jonë, atë pasdite kur u përhap lajmi, më erdhi papritmas në mendje
edhe një këngë në mos gabohem gjirokastrite e kohës së Partisë.
“Atë ditë
që erdh haberi, dilni se erdhi Enveri” (Kumandari siç i thonë në jug apo
Merhumi siç i kemi thënë në Tiranë)!
Dhe “haberi”,
apo edhe sihariqi siç do i thuhej nga partizanët e gjysmaturqisht të folurës në
shqip, erdhi me të vërtetë.
“Kumandari”
për dhe nga i cili vinte haber-lajmi, s’ishte më Shoku sekretar i parë i Byrosë
Politke të Komitetit Qëndror të Partisë, por “vëllai-karde?” Erdo?an.
Kështu i
madh e i vogël, në shpurën e filoturqizmës, kërcyen përpjetë nga entuziazmi dhe
sot e kësaj dite s’kanë pushuar së foluri për këtë gjë.
S’do mend,
se nga legjenda e fundit me turq shpëtimtarë, kanë kaluar jo pak por plot 15
vjet të gjata dhe akoma komentet për Turqinë që na “shpëtoi” në 97-ën s’kanë mbaruar.
E ka edhe
komente më të vjetra se po kjo Turqia zemërmadhe dhe “veçanërisht” e dhembshur
përkundrejt shqiptarëve, na ka mbajtur jo në pëllëmbë të dorës, por ku i dihet
edhe kalaqafë dhe rrjedhimisht pa dyshim na ka shpëtuar identitetin tonë kombëtar
etj.
Çdokush
ka liri mendimi dhe po aq kushdo mund të gjykojë historinë si t’ia ketë qejfi për
çdo çështje, ndaj dhe kush ndan këtë mendim është i lirë të vazhdojë të besojë
çfarë t’ia ketë ënda.
97-ën e nëmur
të gjithë e mbajmë mend dhe po aq edhe dëshirojmë t’a fshijmë nga memorja jonë e
traumatizuar, si një nga kapitujt më të errët në absolut të historisë së Shqipërisë
moderne, në të njëjtën shkallë me Kryengritjen HaxhiQamiliste të 1914-ës, apo
shitjen e Shkodrës tek Malazezët në 1913-ën, si dhe marrjen me dhunë vëllavrasëse
të pushtetit nga komunistët filo-jugosllavë në 1944-ën.
Pse punët
shkuan ashtu para 15 viteve, janë analiza të shumta që e tregojnë këtë gjë.
Grekët e
stimuluar nga paaftësia jonë shqiptare për t’a mbajtur shtetin tonë në këmbë dhe
jo vetëm aq, por edhe nga dëshira jonë e pandalshme për t’a djegur rregullisht
nga themelet shtetin që vetë me shumë mund kemi ngritur, ata sigurisht që në 97-ën
patën rolin e tyre.
Rol që kulmoi
më një vizitë jashtë çdo rregulli ndërkombëtar të një ministri të tyre, pa
lejen e autoriteteve qoftë edhe të përmbysura shqiptare, në shtabin e
Komiteteve të Shpëtimit në jug të vendit.
Se sa shërbime
sekrete të huaja kanë bërë “pallë” në kuptimin e vërtetë të fjalës, në Shqipëri
gjatë ngjarjeve të atij viti të mbrapshtë, as që mund të llogaritet!
Helenët
kishin pjesën e tyre në atë situatë të ndërlikuar, po aq edhe neve që e çuam
vetveten në atë gjendje që të tjerët të harbonin lirshëm në territorin tone, kishim
përgjegjsinë kryesore për mëkatet tona.
Por në gjithë
këtë kënetë thashethemesh për 97-ën, sidoqoftë spikat dukshëm, pretendimi se
Turqia e kryeministruar nga një femër në atë kohë (Tansu Çiller), ndërhyri me
forcë diplomatikisht duke na mbrojtur neve integritetin tonë territorial nga
agresioni i fqinjëve.
Kjo këngë
është kënduar prej vitesh dhe me siguri do vazhdojë me po kaq prepotencë të mbahet
si një iso e e kalbur edhe për shumë kohë të tjera.
Derisa një
ditë, ku i dihet të marrë edhe trajtat e ndonjë eposi kreshnikësh, e bashkuar
dhe e përzjerë mirë me bëmat e mëparshme në të mirën e shqiptarëve (apo Arnautëve,
për t’a thënë troç siç i ka hije turqisht?) të Perandorisë Osmane dhe veprat e
vyera të mëtejshme të burrit të madh të shtetit dhe mikut tonë të “madh”, karde?
Erdo?an-it.
Kështu s’do
habitur po qe se një ditë, në vend të trimërive të Mujit, Halilit apo Gjergj
Elez Alisë, të dëgjojmë për veprat heroike të Karde? Ba?bakan Kryeministrit
turk, ashtu si edhe për dashurinë e madhe ndaj nesh të kryeministres turke që na
paska shpëtuar në 97-ën, po aq sa edhe për përkujdesjen e veçantë që historikisht
na kanë dedikuar të gjithë Sulltanët e Madhërishëm turko-osmanë.
Në 97-ën
vendi ynë rrezikoi kolapsin institucional dhe financiar, por aspak atë territorial!
Kjo me dëshirën
apo jo të Helenëve, Serbëve apo edhe Turqve.
Nuk
rrezikoi territorialisht sepse këtë territor e ka merituar me gjak kur dikur
tashmë 100 vite më parë, shpalli përkundër të gjithëve dhe gjithçkaje pavarësinë
e saj.
Nuk
rrezkoi në 97-ën e vonë terrtorin e vet sepse çdo kënd të tij kishte ditur t’a
mbronte dhe t’a dëshmonte si shqiptar.
Sepse në 1912-ëm
që Shkodra të mbetej shqiptare, përreth atij qyteti, lanë kockat më shumë se 16.000
serbë e malazezë.
Sepse vetëm
në krahinën e Lumës serbët lanë edhe nja 12 mijë deri në 14 mijë ushtarë të tjerë
të vrarë në fushën e betejës dhe u mundën aty me turp.
Sepse
tokat shqiptare deri në bregdetin e Durrësit, sot e kësaj dite janë mbushur me
varre të humbura mijëra ushtarësh serbë që u asgjësuan me një forcë mbinjerëzore
nga rezistenca e pamposhtur e shqiptarëve.
Dhe sepse
në fund pas tentativës së fundit pët rindarjen e asaj që mbetej nga ambienti
natyral etnik shqiptar, në 1919-ën, shqiptarët gjetën një mik të madh tek
amerikanët dhe presidenti Wilson dhe vetë përzunë në det edhe batalionet e
fundit Italiane nga Vlora!
Shqipëria
po ashtu nuk rrezikoi aspak territorialisht në 97-ën, sepse kufinjtë e saj
ishin sqaruar njëherë e mirë që në 1924-ën, me shkëmbimin e Shën Naumit të pabanuar,
me Vermoshin e banuar nga mijëra malësorë shqiptarë, i cili u shpëtua kështu
nga kthetrat e malazezëve të pangopur.
Dhe gjithashtu
sepse në Shqipëri nuk ka minoritete të vërteta, të paktën jo më tepër se ç’ka në
Francë, Itali a Gjermani, në përqindje tejet të papërfillshme.
Ndërkohë që
vendi ynë rrethohet nga territore shqiptare nga të gjitha anët dhe degët e gjuhës
së tij zgjaten deri larg në Ishujt Grekë e Peloponez.
Një vend
i tillë nuk rrezikon dot dhe si vajtën gjërat pak më vonë, në të kundërt
territoret e lira apo afërsisht të tilla shqiptare, u zgjeruan edhe me Kosovën
dhe në njëfarë stadi edhe me zonat shqiptare në Maqedoni.
Kështu që
pallavrat për një rrezik territorial të Shqipërisë në 97-ën bien që në fillim
dhe po aq edhe shpikjet për një ndërhyrje shpëtuese të Turqisë në këtë aspekt, në
atë vit.
Dhe
kryesisht, rendi botëror, për fat të madh, nuk drejtohet as periferikisht nga
Turqia, siç po tregojnë edhe ngjarjet e fundit në Siri, të inspiruara qartësisht
nga gjeopolitike aktuale turke, e cila ndodhet totalisht e pafuqishme ndërkohë që
të mbështesë hapur kryengritësit anti-Assad, të cilët regjimi i atij vendi i
shtyp qetësisht ditën për diell pa marrë fare parasysh reagimin turk.
Turqit
ishin fare pa ndikim edhe në Libi, ku Gedafi u përmbys pa shumë mund nga
Francezët e Amerikanët.
Republikat
turkofone ish-Sovjetike, janë të humbura prej kohësh prej turqve, qoftë edhe
mbas pavarësisë së tyre formale nga BRSS-ja, pasi aty ende ligjin “de facto” politik,
gjuhësor dhe kulturor, vazhdon t’a bëjnë Rusët.
Prej ca
vitesh, turqit i kanë hyrë me zell të madh edhe çështjes përjetësisht të pazgjidhur
palestineze, por edhe aty pak kanë qullosur.
Maksimumi
që kanë fituar pas futjes së hundëve në mozaikun e ngatërruar të Lindjes së Mesme,
janë disa kredenciale të ftohta morale, por njëkohësisht asnjë rol të vërtetë në
terren, ku ende siç është normale që të jetë, dominojnë Amrikanët, Izraelitët, vetë
palestinezët dhe fraksionet e tyre dhe deri diku edhe Irani me milicitë që i
armatos dhe të cilat i mbajnë krahun.
Të mos
flasim pastaj edhe për mitin e rradhës lidhur me turqit dhe fuqinë e tyre të presupozuar
ushtarake.
Pa u
futur në detaje që më mirë i dinë specialistët e kësaj fushe, ajo që sidoqoftë mund
të provohet pa frikë, është se me përjashtim të luftës çlirimtare të forcave
Qemaliste në vitet 1920-të kundër grekëve, përveç një pushtimi të çerekut të ishullit
të Qipros, ku për kundërshtar “Ushtria e Hekurt Turke” kishte vetëm ca greqër
qipriotë që dyshoj se e dinin nga binte me origjinë pushka apo automatiku, asnjë
rast a konflikt tjetër s’e ka provuar fuqinë reale ushtarake të shtetit turk
gjatë rreth 90 vjetëve.
Ndërkohë edhe
në një përballje ushtarake, ku vetë turqit nuk ndërhynë drejtpërdrejtë, por ku
mbajtën anën e një pale ndërluftuese turkofone, atë Azerbajxhan-Armeni për
rajonin e kontestuar të Naghorni Karabakut, aty po ashtu pala që ata mbështetën
humbi e edhe në ditët e sotme, rajoni në fjalë i banuar me armenë si dhe 20% e
territorit azerbajxhanas është nën kontrollin e Armenëve.
Kështu
turqve të cilëve oborrin e shtëpisë (Lindjen e Mesme dhe Republikat Turkofone të
Azisë Qëndrore), ua ka marrë si zonë influence tjetërkush, tani prej ca vitesh
i janë hedhur Ballkanit me mjete të ndryshme.
Strategji
që përfshin investimet e mirëmenduara financiare, kulturore por edhe që synojnë
ringjalljen e ndjenjave filoturke, që për të thënë të drejtën kurrë s’janë zhdukur
komplet.
Suksesi i
tyre më i madh dhe i dukshëm në këtë strategji, më rezulton të jenë serialet e
tyre televizive, që vërtetë përfshijnë gjithë gadishullin, si as vetë perandoria
e tyre osmane s’pati bërë dot asnjëherë.
Më pas, filoturqit
kryesisht në anën Boshnjake të Bosnje-Hercegovinës apo në Sanxhak, kanë kohë që
veten e shohin më tepër si një lloj turqish serbishtfolës, sesa si një popullsi
më vete.
Problemi
i tyre absolutisht ky, i cili neve si shqiptarë as që do të duhej të na
interesonte!
Por sido
që të jetë, evoluimi i tyre është i rëndësishëm për të parë rrezikun që paraqet
këmba e gjatë dhe hija e zezë turke në rajonin tonë.
Boshnjakët,
pa u rënë mendja se janë sllavë me fe të ndryshme nga serbët a kroatët, apo
edhe thjeshtë se vijnë nga bogomilët e dikurshëm të persekutuar nga të dyja
versionet e krishtërimit, Katolik e Ortodoks, tani si edhe gjatë luftës së atyshme
kur desh u shfarosën fare, vetveten dhe etnicitetin e tyre e njëhësojnë me fenë
e tyre dhe rrjedhimisht në një hap të mëtejshëm janë një strehë perfekte e
rifutjes turke në Ballkan.
Si njerëz
pa identitet apo edhe me identitet të dyzuar, Boshnjakët si edhe Maqedono-sllavët
aktualë, janë përherë në dilemë se kujt i përkasin dhe kështu janë edhe të manipulueshëm
nga kushdo të mundet, në rastin tonë sa i përket Bosnjes, nga turqit dhe jo vetëm
ata.
Kështu e
kanë pësuar shumë shqiptarë në Mal të Zi, që tani për shkak të humbjes
identitare dalin si boshnjakë në regjistrime e jetë të përditshme, apo të tjerë
në FYROM nga Resnja, në Gostivar, Dibër të Madhe e më tej, që humbin natyrën
shqiptare e mbesin turq e torbeshë.
Po në këtë
mënyrë pjesa filoturke apo e turqizuar, me pretendimet se turku na ka shpëtuar
nga asimilimi duke na turqizuar fetarisht dhe kulturalisht një pjesë të trungut
tonë kombëtar, është njëkohësisht edhe mbështetësja më e flaktë e tezave se shqiptarët
sipas ndarjes fetare janë grekë, turq apo katolikë (të cilëve s’u kanë gjetur
dot akoma ndonjë kombësi për t’i shkrirë).
Për fat
gjërat në të vërtetë janë shumë të ndryshme nga çfarë kjo propagandë disfatiste
e qëllimshme, prej shekujsh tenton të shpallë e përhapë.
Shqiptarët
janë një, mbi diferencat e tyre rajonale e fetare.
Katoliku
shqiptar e di që gjuha e tij është shqipja e lashtë dhe feja e tij nuk e njëhëson
me këdo katolik tjetër (dhe s’e bën as Kroat e as Italian), por vetëm e afron
me ta, ndërsa ai mbetet përherë po aq shqiptar sa të gjithë bashkëkombasit e
tij, ndërkohë që atë fe të tijën e ka marrë prej shumë shekujsh, që nga profetët
e parë të krishtërimit.
Myslimani
shqiptar e di që gjuha e tij është shqipja, që gjaku i tij i rrjedh shqiptar nëpër
vena dhe ai e di po ashtu mirë se feja e tij e afron atë me shumë banorë myslimanë
të tjerë të botës, por vëllai i tij përherë do të mbetet shqiptari, i cilësdo
feje ai të jetë.
Po aq
Bektashiu shqiptar është krenar për fenë e tij, për Kryegjyshatën Botërore
hijerëndë në Tiranë, për Malin e Tomorrit e për traditën e fesë së tij, por ai
vëlla ka shqiptarin e jo shiitin e Irakut a Iranit!
Dhe pa
dyshim që pa kaq shqiptari Orthodhoks (sipas shqiptimit të së folurës
origjinale të kohës së shpalljes së Autoqefalisë së Kishës Shqiptare rreth 80-90
vite më parë), vëlla ka vetëm shqiptarin dhe gjuhë shqipen tonë të mrekullueshme,
gjuhën e Kostandinit të Madh, Perandorit Ilir nga Nishi i lashtë që hodhi
themelet e Fesë aktuale të Krishterë Ortodokse.
Me kohën
dhe përçarjet e shumta, si dhe shtypjen e madhe të mirëkoordinuar Turko-Heleno-Serbe,
shumë pjesë të trungut shqiptar, nga myslimanët e Sanxhakut e Pazarit të Ri (tashmë
boshnjakë totalisht), tek të tjerë malësorë katolikë të Malit të Zi, tek shumë myslimanë
e ortodoksë të FYROM-it e të tjerë të krishterë shqiptarë të Helladhës, janë fshirë
e asimiluar nga fqinjët.
Por ka po
kaq të tjerë më të shumtë, si Ortodoksë, Myslimanë, Katolikë apo Bektashinj, ende
të gjallë e të cilët jetojnë e frymojnë si shqiptarë.
Nga Arbëreshët
e krishterë të Italisë, tek qindra-mijërat shqiptarë ortodoksë të Greqisë ku
akoma gjuha jonë mbetet e folura e tyre amtare, deri tek të tjerë shqiptarë myslimanë
e edhe ndonjë i krishterë që po ringjallen nga zhdukja dhe asimilimi në FYROM.
Pashko
Vasa dinte ç’thoshte dikur, e fjalët e tij për të mos parë Kisha e Xhamija, por
fenë e shqiptarit që është mbi të gjitha SHQIPTARIA, mbeten përherë kumbuese
dhe të forta.
Përrallat me Erdo?an si ajo e para ca ditëve, shfaqen
herë pas here dhe qëllon që ka edhe se kush t’u besojë.
Edhe kjo
punë zgjedhjeje të lirë është në fund të fundit.
Edhe që një
lajmi të tillë, sado i gënjeshtërt të jetë, të ketë kush t’i gëzohet, edhe kjo çështje
lirie mendimi mbetet.
Për fat të
mirë, me çfarë u vu re kur bomba informative në fjalë u hodh në eterin mediatik
shqiptar, gati asnjë media serioze nuk e mori atë për të mirëqenë dhe nuk
denjoi t’a publikonte.
Por me
siguri sot, pas kaq ditësh nga dalja e këtij lajmi, ka faqe të shumta
diskutimesh në internet që ende tentojnë t’a riparaqesin si të një vërtetë këtë
fallsitet të madh.
Gjysëm
ore pas publikimit të një lajmi të tillë, që fliste për qëndrimet “burrërore” të
ba?bakanit turk në mbështetje qoftë edhe ushtarake të karde?-vëllezërve
shqiptarë-arnautë dhe të drejtës së tyre për bashkim kombëtar me bekimin e
Turqisë, pas kaq pak kohe pra, kushdo me mend në kokë e mori vesh se bëhej fjalë
për një spekullim pa as edhe një element vërtetësie që ishte hedhur në internet.
Lëre
pastaj që Turqia herën e fundit që ka pasur trupa ushtarake në Ballkan dhe kur
si rastësisht janë përzënë me një kapitullim total nga ky rajon, ka qenë para 100
vjetësh kur quhej akoma Perandori Osmane dhe për krerë shteti kishte akoma
Sulltanër të cilët shihnin me siguri të njëjtat ëndërra me sy hapur për madhështi
turke, si edhe zoti.Ba?bakan-kryeministër që kanë tani.
Të flitej
për atë temë, pas disa orësh nga publikimi i lajmit dhe do të konsiderohej si
një marrëzi, pasi u duk qartë se s’kishte asnjë të vërtetë në atë njoftim.
Por të diskutohet
akoma për këtë gjë pas kaq ditësh, është me të vërtetë për rekordin Guinness.
Tani edhe
vetë Erdo?ani të dalë e t’u deklarojë se as që i ka shkuar në mend t’i thotë ato
fjalë, prapë kjo s’do të mjaftojë!
Kështu
krijohen mitet e legjendat urbane!
Që ba?bakani
turk ka dhënë atë deklaratë, është po aq e vërtetë sa edhe që në kanalet e ujërave
të zeza dhe pusetat e Tiranës, ka krokodilë që notojnë aty të qetë.
Por
sidoqoftë, kushdo t’a ketë hedhur atë lajm në hapsirën e pamatë mediatike dhe të
internetit, deri diku ja ka arritur qëllimit të tij.
Ka lëshuar
edhe një përrallë tjetër për vëllain e madh turk.
Dhe nga
ata që flenë më mirë duke u përkundur me përralla të tilla jo më me mbret siç thoshim
ne kur ishim të vegjël, por tashmë me Erdo?an e Davuto?lu a ndonjë turk tjetër,
ka shumë.
Por për
fat prandaj jetojmë në një rajon të lirë, që secili të besojë atë që të dojë.
Edhe përralla
të tilla!