E shtune, 27.04.2024, 08:49 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Si u ndryshua vula e ekspertit amerikan

E merkure, 01.02.2012, 07:45 PM


Spartak Braho, përfaqësuesi juridik i kreut të LSI-së në video-montazhin Prifti-Meta akuzoi dje, Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama se ka falsifikuar vulën dixhitale të ekspertit amerikan në dosjen e dorëzuar Prokurorisë për këtë çështje. Gjatë një interviste në emision "Opinion", Braho bëri të ditur se Kryeprokurorja ka kryer një akt kriminal, pasi vula dixhitale e shpjeguar nga eksperti amerikan është komplet e ndryshme nga ajo që u është dhënë ekspertëve shqiptarë bashkë me materialet. Sipas kësaj akuze del në pah edhe mashtrimi i Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama që materiali (video-përgjimi) është origjinal dhe i hedhur në lap top. Braho sqaroi se edhe vetë lap top-i pas ekspertizës së kryer nga eksperti amerikan nuk përmbante vulën dixhitale të sigurisë.

 

- Zoti Braho, përse ishit të pakënaqur me intervistën e Prokurorës së Përgjithshme?

Prokurorja e Përgjithshme është personi i ngarkuar nga ligji për zbatimin dhe respektimin e ligjit. Është e para ajo që jo vetëm duhet të respektojë ligjin, por edhe duhet ta respektojë. E them këtë, pasi Prokurorja e Përgjithshme nuk duhet të fliste fare për çështjen Meta, sepse në datën 16, bazuar dhe në vendimin e Gjykatës së Lartë u mbyll. Dhe kur flet ligji të tjerët heshtin.

- Kryeprokuroren e pyeta unë zoti Braho.

Unë nuk them që ju kini bërë gabim. Gabimi është i saj, ajo nuk ka të drejtë që të prononcohet.

- Ajo ka folur për akuzën dhe jo vendimin.

Ajo është vënë në dijeni të vendimit, i cili shprehimisht thotë: zoti Meta shpallet i pafajshëm, pasi nuk ka fakte që të provojnë fajësinë e tij.

- Ajo ka bërë një akuzë publike.

Dhe dështoi totalisht.

- Që do të thotë fakti ekziston, por nuk provohet.

Do të thotë se fakti nuk ekziston dhe nuk ka si provohet.

- Po videoja ekziston?

Nuk ekzistojnë elementët e fajësisë që përbëjnë faktin për të cilësuar fajtor zotin Meta. Totalisht nuk ka fakte. Pas kësaj pafajësie, Prokurorja e Përgjithshme, në mos duhet të kërkonte falje...

- Pse duhet të kërkonte falje?

Falje, sepse ka dështuar. Dështoi profesionalisht, ngriti një akuzë si furtunë në gotë.

- Një akuzë që e panë gjithë shqiptarët në televizor.

Po, por panë një akuzë, e cila ishte totalisht e montuar. Ndaj u shpreh edhe Gjykata. Gjykata thotë, në gjuhën e popullit, që e gjithë akuza ishte stuhi në gotë. Nuk ekzistonte asnjë fakt që e bënin Metën fajtor.

- Prokurorja e Përgjithshme shpjegoi akuzën që çoi në Gjykatën e Lartë...

Prokuroja e Përgjithshme ka prekur rëndë integritetin e gjyqtarëve të Gjykatës. Sepse atë vendim e dhanë 5 me 0, është një rast i rrallë. Madje të gjithë votuan në mënyrë kolegjiale, edhe nga mazhoranca, edhe nga opozita.

- A keni ndikuar ju mbi Gjykatën për të marrë një vendim në favorin tuaj?

Kjo është një alibi që unë e kam dëgjuar për herë të parë në formën e shpifjes nga zoti Prifti, i cili akuzoi avokatët që kanë marrë kontakt me ekspertët.

- Kanë marrë kontakt me ekspertët?

Në mënyrë kategorike, i vetmi kontakt me ekspetët ka qenë momenti kur ata bënë klonimin e materialeve, të cilat ua vuri në dispozicion Prokuroria. Klonimi do të thotë që duhet të merreshin materiali bazë, filmimi dhe duhet të ekspertohej. Ky klonim, apo kopjim është bërë në prani të forcave të policisë. Kanë qenë prezent 4-5 oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, prokurorë dhe avokatët. Është realizuar me mjete moderne dhe për të cilën kanë firmosur që materiali është marrë në rregull.

- Po ndërkohë keni biseduar me ekspertët?

Në mënyrë kategorike, jo. Ne nuk i njihnim. Ne kërkuam si ekspert, zotin Antonio Frederiko.

- Si shpjegohet që videoja që sollët në këtë studio, mes Beqirit dhe Priftit ka pasur një dyshim që ka dalë nga ekspertët?

Jo, këtë nuk e tha as zonja Prokurore e Përgjithshme.

- Ku e siguruat këtë video?

Kjo është një çështje që e di kjo çanta këtu.

- Çanta e famshme që kishe edhe në emisionin e kaluar?

Po "Çanta e Pandorës", ja kam marrë Pandorës.

- Pati një kontestim në kohën që unë intervistoja Prokuroren e Përgjithshme, lidhur me mjetin me të cilin është kryer regjistrimi. Unë shoh zoti Frederiko ka një orë, a është kryer përgjimi Meta-Prifti me këtë orë?

Para kësaj, desha të theksojë se Prokuroria dështoi totalisht me çëshjten Meta, sepse e nisi këtë çështje me pasion politik. Për 90 ditë, Prokurores së Përgjithëshme ju bënë të ditura me 9 letra, nga avokatët, nga vetë zoti Meta që po shkelte ligjin procedural. Duke filluar që me mënyrën sesi operoi për thirrjen e ekspertëve. Në mënyrë të fshehtë kërkoi të bëhej ekspertimi nga një ekspert në SHBA.

- Zonja Rama tha që ky ekspert është betuar?

Nëse e ka thënë këtu ka gënjyer, sepse betimi bëhet në Gjykatë. Së dyti, eksperti duhet të pajises edhe me palët e zotit Meta. Së treti, ekspertiza duhet të shkonte sipas rrugës ligjore. Domethënë me letër-porosi nga Ministria e Drejtësisë.

- E ka çuar në rrugë zyrtare Prokuroria...

Nuk parashikohet në ligj. Vendimi i Gjykatës së Lartë e cilësoi të paligjshëm. Por kjo është edhe me pasoja dhe në mënyrë të qëllimshme.

- Ç'domethënë me pasoja?

E dini sa ka vajtur kostoja e këtij procesi, 100 milionë.

- Në një çështje të tillë mund të shkojë edhe më shumë....

Padyshim, mund të shkonte dhe më pak dhe rëndësi ka që Prokuroria të ishte efektive.

- Pse ishit kundër këtij procesi?

S'kemi qenë asnjëherë kundër. Në një letër dërguar prokurores, këtë çështje i kërkuam. Na bëni palë në proces. Ka refuzuar në mënyrë kategorike.

- Më pas u dërgua tek eksperti britanik.

Eksperti britanik u investua, pasi eksperti i SHBA nuk arriti ta pastronte. Eksperti britanik, megjithëse u pretendua që ishte një ekspert i mirëfilltë. Në shkresën e Prokurorisë thuhej që i dërgohej Prokurorisë Shkencore angleze, në fakt ishte një ekspert privat. Edhe ai bëri aq sa bëri. Por ne nuk kontestojmë ekspertët. Ne kontestojmë rrugën e përdorur nga Prokuroria.

- Prokurorja pranoi se fjala 700 mijë nuk dëgjohet, por 7% dëgjohet... Ju i kontestoni të dyja?

Mirë që e thotë Prokurorja e Përgjithshme që nuk dëgjohet, sepse në kërkesat për fillimin e çështjes penale ndaj zotit Meta ajo shënon një lumë akuzash ku përfshihet edhe 700 mijëshi. Ndërkohë oficerët e Policisë Gjyqësore, në 6 akte ekspertimi që kanë bërë në asnjë rast nuk kanë zbuluar shifrën 7 00 mijë.

- Ajo e pranoi edhe vetë kur në shkruhet se për shkak të zhurmave nuk dëgjohet?

Ju e kuptoni thelbin e atij shënimi që aty ka kontekst bisede.

- 7% dëgjohet tha kryeprokurorja. Dëgjohet apo jo?

Gënjen!

- Po si shpjegohet që pikërisht zoti Meta tre ditë pas publikimit të videos ka dalë të shpjegojë 7%?

Nëse do t'i thërrasim memories, në atë konferencë shtypi Meta ka dalë së bashku me një person tjetër dhe në atë moment, kur po e pyeste moderatori i ka ardhur një mesazh nga Agim Rrapaj, i cili bën të ditur se 700 mijëshi është pjesë e memos, të cilën unë ja kam dërguar zotit Prifti, që dëshmon humbjen që ka pasur firma për shkak të vonesave në zhvillimin e koncesionit, e tenderit. Zoti Meta në këtë moment ka reflektuar dhe ka thënë që 700 mijëshi bën fjalë për atë pjesë të memos, e cila mban datën 5 janar 2010, në të cilën administratori i shoqërisë "Vëllezërit Tola" thotë se, "janë 5 vjet që kjo shoqëri po investon sipas ligjit ndërtimin e HEC-eve mbi lumin Gostimë. Investimet e kryera nga aksionarët kalojnë shifrën 700 mijë euro".

-Po thoni që është përmendur në bisedë?

Atje nuk dëgjohet. Por ka shpjeguar këtë rrethanë. Në bisedë, në regjistrim nuk dëgjohet.

- Po 7%?

Po sipas kësaj memoje 7% është pjesë e aksioneve të shoqërive hungareze. Tre shoqëri hungareze kishin nga 7% pjesë dhe po kërcënonin me largimin nga biznesi. Biseda që ka bërë Meta lidhet me këtë ankesë që ka bërë Agim Rrapaj në mënyrë të vazhdueshme, duke vënë në dijeni edhe zotin Meta si ministër i Jashtëm, por edhe Dritan Priftin. Sepse kishte një vendim gjykate, e cila detyronte ministrinë të niste procedurat, ndërkohë që Dritan Prifti mashtronte. Këtu është kjo shkresë, e cila që në datën 5.01 thotë, "Zoti Kraja (sekretarit të Përgjithshëm) këta kanë fituar gjyqin, të procedojmë".... Ky muhabet është në datën 5 janar. Regjistrimi është bërë në 1 mars. Është muhabet kot. Nuk ekziston si muhabet. Në regjistrim nuk ka as 7% dhe as 700 mijë.

- Si shpjegohet që zoti Prifti thotë se kjo 7% ka qenë një ofertë për të?

Zoti Prifti ka thënë shumë gjëra. Ai ngrinte një alibi me këto që përmendët. Në bisedë u përfshi edhe një tender me naftë. Faktet dhe gjyqi treguan se ky tender ishte parablerë dhe tenderin e fitoi një ortak i zotit Prifti.

- Si shpjegohet që zoti Meta ka folur mbi 100 herë në telefon me një nga personat e interesuar për këtë çështje?

Kjo është qesharake. Nuk mund të penalizohet një person pse flet në telefon. E penalizon përmbajtja e bisedës. Nëse unë vete të grabis një bankë dhe ju marr ju në telefon, kjo nuk do të thotë se jeni pjesëtar në gabitjen e bankës. Kështu është dhe muhabeti i tabulateve, as Sigurimi i Shtetit nuk i ka përdorur këto mënyra.

- Po pse ka folur 190 herë?

Po se ka qenë marrëdhënie njohjeje. Këto 190 herë bëhet fjalë për 5 vjet që janë administruar tabulatet. Ka qenë marrëdhënie shoqërore.

- Keni thënë se keni rreth 170 orë video. A do i dorëzoni në Prokurori?

Patjetër, në kohën e duhur. Populli ka thënë një llaf që po u hap "Çanta e Pandorës" ka shumë probleme. Në momentin që "Pandora" do të na japë leje, ne do t'i hapim.

- Kush është Pandora?

Le të flasim me simbolikë.

- A mund t'i përdorni këto video për shantazh?

Në asnjë mënyrë.

- Zoti Priti ka thënë që ka video të tjera.

E kam dëgjuar. Të jesh i bindur se mashtron. Nëse ka le t'i nxjerrë. Zoti Prifti mashtron. Është në karakterin e tij që mashtron. Ka thënë se i ka depozituar dhe jashtë shtetit. Jam i bindur se mashtron përsëri. Është në stilin e tij një karakteropat që s'e ka për gjë të krijojë situata të paqena.

- Po përse duhet t'ju besojmë juve që i keni në atë çantë?

Po ju nuk e dini për kë bëhet fjalë në ato video.

- Për kë bëhet fjalë në video?

Është çështje kohe.

- Ç'domethënë është çështje kohe?

Domethënë në vendin dhe në kohën e duhur do të bëhen publike.

- A e dini që Prokuroria tha se ato janë marrë në mënyrë të paligjshme. A keni të drejtë t'i mbani?

Pse në rrugë të paligjshme, si përgjime?

- Sepse nuk janë të autorizuara.

Po pse këto që mori Prokuroria janë marrë në mënyrë të ligjshme.

- Po atje bëhej fjalë për një çështje korrupsioni.

Po këtu ka më shumë se korrupsion.

- Zoti Braho, si reaguat pas intervistës së kryeprokurores?

Ka një rregull, prokurorët flasin në fund. Flasin me vendim, me relacion, përfundimet. Nuk mund të flasë prokurori vend dhe pa vend, kodra pas bregu. Aq më tepër që ka një staturë. Staturë që unë s'e kuptojë, si mundet Prokurorja e Përgjithshme të vërë në dyshim integritetin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

- Ajo foli për akuzën.

Zotëri, ajo nuk pranoi pafajësinë. Që në momentin që çështja është mbyllur me pafajësi nuk diskutohet më për vendimin e Gjykatës. Çfarë do t'i lexojë vendimit të Gjykatës, që janë manipuluar provat?! Ekspertët thonë që niveli i dëgjueshmërisë është i painterceptueshëm. Kuptueshmëria është zero. Që videot janë manipuluar. Ka ndërhyrje. Të treja këto janë sakatuar. Pafajësinë e Metës, unë e kam thënë dhe më parë, ja ka dhënë eksperti amerikan. Ai thotë që biseda nuk dëgjohet. Ja një përfundim ku në mënyrë integrale pohon: "Pastrimi i audios nga ana ime u bë në të dyja videot. Ndërsa një pjesë e zhurmës në sfond mund të pastrohej, ajo pati efekt në qartësinë e zërave. Problemi me audion vjen si rezultat i cilësisë së dobët të mikrofonit të përdorur për të bërë regjistrimin. Pra, biseda nuk dëgjohet edhe pse eksperti i ka bërë pastrim me pajisje cilësore.

- Zoti Braho, keni ndonjë pretendim tjetër për çështjen Meta-Prifti?

Do të shtoja diçka që ka të bëjë me dështimin e Prokurorisë. Unë nuk mund të pajtohem me faktin që Prokuroria ka hetuar me pasion politik, të cilin unë e kam quajtur dhe kriminal. Them kriminal sepse në materialet, të gjitha që janë ekspertuar nga eksperti amerikan, janë shënjuar me atë që quhet vulë dixhitale. Ekzaminimi amerikan ka një vulë që thotë se kështu siç e dorëzova unë, nëse e hap tjetër njeri duhet të ndryshohet vula. Ka ndodhur një fakt për të cilin unë akuzoj Prokurorinë, pasi ka ndryshime të vulës dixhitale.

Vula dixhitale e shpjeguar nga eksperti amerikan është komplet e ndryshme nga ajo që u është dhënë ekspertëve shqiptarë bashkë me materialet.

- E kini paraqitur në Gjykatë këtë çështje?

Kjo çështje është ngritur në Gjykatë me një arsye të vetme, që s'kemi të bëjmë me materiale origjinale. Nuk ka kopje origjinale. Ka kopje të kopjes. Edhe ajo që tha prokurorja që materiali është i hedhur në lap top nuk është e saktë. Edhe lap top-i është një moment në të cilin duke qenë se nuk është e njëjta vula dixhitale, dëshmon se edhe vula është e luajtur. Nuk ka kopje dixhitale. Është njësoj si t'i kërkosh një mjeku ligjor; më përcakto, të më falë publiku, që sa herë ka vajtur një femër të cilës i mungon virgjëria. Domethënë kështu ka ndodhur, nuk dihet sa fotokopje ka.

Ka rëndësi të madhe origjinali, sepse kopja është montazh, ndërsa origjinali është kërkesë ekskluzive e ligjit. Kopjet janë të montuara. Probabiliteti i ndërhyrjes në video është shumë i madh.

- Do të vazhdoni ta ndiqni këtë çështje?

Kjo ishte një përgjigje ndaj një qëndrimi jo korrekt që mbajti Prokurorja e Përgjithshme. Kjo çështje ka mbaruar, ka folur drejtësia. Është dhënë vendimi, natyrisht do të ndjekim nga larg fatin e zotit Prifti.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora