Kerko: xhafer leci
Xhafer Leci: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka
E marte, 24.01.2012, 09:05 PM
NË VEND TË PËRKUJTIMIT NË 30 VJETORIN E VRASJES
JUSUFI KISHTE ORIENTIM PERËNDIMOR
JUSUF E BARDHOSH GËRVALLA DHE KADRI ZEKA
(Një dhimbje gjithëshqipëtare e shndërruar në qendresë dhe forcë mbarëkombëtare)
Nga Xhafer LECI
UBA Jugosllave në planprojektet e saj për parandalimin e lëvizjeve kombëtare shqiptare, edhe në Evropën Perëndimore, kishte paraparë vrasjen e veprimtarëve më të devotshëm të çështjes tonë kombëtare. Në Kosovë dhe vise tjera shqiptare, Beogradi e kishte më lehtë t`i shuante dhe mëshefte kërkesat legjitime te shqiptarëve, duke përdorur edhe dhunën. Në Perëndim demonstratat e organizuara nga shqiptarët për liri dhe barazi kombëtare me kërkesën Kosova Republikë, etj. e dëmtonin shumë Jugosllavinë në arenën ndërkombëtare, si në aspektin politik, poashtu edhe në atë ekonomik dhe ushtarak.
Me vrasjen e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, ishte menduar se do të shuhen lëvizjet shqiptare për çështjen tonë të shenjtë. Gabim e kishte llogaritur Beogradi. Shqiptarët mërgimtarë, si edhe ata në vendlindje, deri në çlirimin definitiv të Kosovës, nuk u ndalën duke punuar në të gjitha fushat, si: ndërkombëtarizimin, internacionalizimin, diplomacinë, politikën dhe, më në fund, u detyruan ta bëjnë edhe luftën e fundit 1998-1999. Dhe falë Zotit, gjakut të derdhur të dëshmorëve dhe forcave tona demokratike, të Amerikës dhe Europës Perëndimore, me Paktin e tyre NATO-n, sot jetojmë të lirë në vendin tonë. Nuk mund të mos përmendim edhe emrat e atyre që ranë për lirinë e Kosovës në Perëndim: Më1981 filluan vrasjet e para politike të mërgimtarëve shqiptarë nga UDB-ja. Më 14 maj 1981, në Frankfurt të Gjermanisë u plagos rëndë Rasim Zenelaj, duke mbetur përjetësisht në karrike invaliditeti. Ndërsa më 10 tetor 1981, në Bruksel të Belgjikës, u vra Vehbi Ibrahimi. Kurse më 17 janar1982 në Hilbronn-Untergruppenbach të Gjermanisë u vranë vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, për të vazhduar me vrasjen e Enver Hadrit në Bruksel, me 25 janar 1990.
Si pjesmarrës i shumë demontratave në Perëndim, si dëshmitar i ngjarjeve të kohës, dëshiroj të jap mendimin tim, sidomos në lidhje me veprimtarinë e drejtë e shumë produktive të Jusuf Gërvallës, për eleminimin e fraksioneve dhe bashkimin e të gjitha forcave progresive, të cilat punonin për çështjen tonë kombëtare. Mendoj se faktet flasin, dëshmitarët që jetojnë duhet ta thonë këtë të vërtetë. Disa e kanë thënë, por jo të gjithë. Jusufi, pamvarësisht bindjeve ideologjike, punonte për bashkimin e të gjitha fraksioneve në një forcë të vetme organizative. Kjo mund të dëshmohet lehtë. Takimet që ka pastur Jusufi me Kadri Zekën, në Zvicër. Jusufi e dinte se fraksionet mbrenda lëvizjes në mërgatë janë vetë shkatërruese. Prandaj u kantaktua me diplomatët shqiptare, për të bërë një pajtim të mundshëm.Por „diplomatët“ shqiptarë e kishin me hile këtë punë dhe në vend të pajtimit bënë përçarjen e madhe. Këte e ka denocuar me fakte negociatori Sabri Novosella. Takimi që ka kërkuar dhe ka bërë Jusufi me të vëllain Bardhin, me Kryetarin e Besëlidhjes, Emin Fazlija, alias Emil Kastrioti, në Restorantin e atëhershëm “Wienerwald”, në Göppingen të Gjermanisë, më 15.02. 1980, dhe përpjekjet për takim dhe bisedime me Enver Hadrin, në Bruksel etj.
Në këtë kontekst mendoj se përpjekjet e Jusufit për shkrirjen e të gjitha grupeve ilegale, në një organizatë, dëshmojnë mençurinë dhe vizionin e tij prej një ideator të nivelit të Hasan Prishtinës. Për dallim nga disa grupime tjera të asaj kohe, të cilat në programet e tyre përmendej më shumë Kosova Republikë, ose bashkimi i saj me Shqipërinë,
tek Metush Krasniqi e Jusuf Gërvalla me shokë ishte kjo kërkesë: "Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi" (LNÇKVSHJ).
Kjo kërkesë i përngjante me shumë Platformës të Lidhjes së Prizerenit.
Për orientimin perëndimor të Jusuf Gërvallës kanë shkruar dhe folur edhe Shefqet Jashari (Strofci), shok i ilegales të Jusufit, Idriz Zeqiraj, bashkënxënës me Jusufin në Gjimnazin e Pejës, njëherësh edhe shok klase i Ibrahim Rugovës. Një fakt tjetër mjaft domëthënës është se shumica e shokëve të Jusuf Gërvallës në Perëndim, më 1990, u antarësuan në lëvizjen më të madhe në historinë tonë kombëtare, në LDK-e, e cila kishte orientim thellësisht evropianoperëndimor dhe amerikan. Pak nga ata, gjatë rrugëtimit demokratik, për arsye dhe interesa personale devijuan, u larguan.
Në favor te idesë dominuese se Jusuf Gërvalla kishte orientim perëndimor, flet edhe shkrimi i tij, me titull "Bota prognozon, të vërtetën se sheh (thotë)", shkruar në janar të vitit 1982, (me gjasë është shkrimi i tij i fundit), i botuar pas vdekles në "Zëri i Kosovës", Nr. 3, në mars 1982, faqe 10-11. Është një analizë e thuktë e gjendjes të asaj kohe në Jugosllavi si dhe e aleancës fizike dhe shpirtërore ruso-serbe, aktuale edhe për sot. Dhe me këtë shkrim ia vlen të merren studiusit e mirëfilltë, ndërsa unë po komentoj dicka përciptazi.
Në këtë artikull Jusufi shkruan: "Qëllimet e vjetra të rusëve për shtrirjen e tyre nga Vlladivostoku deri në Adriatik, janë njëkohësisht edhe qëllime të carëve të rinj të Kremlinit". Ai i denoncon me fakte bindëse lidhjet intriguese ruso-serbe në dëm të republikave dhe të popujve tjerë në Jugosllavi dhe, në veçanti, kundra shqiptarëve. Ai nuk përgjithëson, por bën dallime në mes të serbëve nga njëra anë dhe të kroato-sllovenëve nga ana tjetër. Duke i kursyer këta të fundit, ai i konsideron si aleatë në një ndeshje të mundshme me Serbinë, e përkrahur pa rezerva nga Rusia. Dhe me zemratë të ligjshme bën pyetjen, për të cilën jep përgjigje, duke i parashikuar edhe rrjedhojat: "Pse bota merret me prognozime, thua se është fjala për ndonjë ndeshje sportive? Çkado që të ngjajë, do të jetë një shputë mamuthi".
Ky qortim i thekshëm i drejtohet botës demokratike, Perëndimit, forcës të saj ushtarake, për të ndërhyrë në mbrojtje të popujve të rrezikuar, të pambrojtur, në rastin konkret popullin shqiptar të Kosovës, i cili qe ekspozuar dhunës dhe torturës serbe, në veçanti, pas vdekjes të Titos. Referenca e Jusuf Gërvallës për Perëndimin, dëshmon edhe orientimin tij të vërtetë. Ai nuk ka as më të voglin iluzion për përkrahjen e Lindjes, e cila është në një bllok me Rusinë.
Jusufi është i dëshpëruar se vetëm Radio-Tirana përkrahu demonstratat e Kosovës, ndërkohë që të tjerët i heshtën. Por ai nuk dorëzohet dhe shpreson se një ditë do të ndergjegjësohet edhe bota përparimtare dhe demokratike, për kërkesat e drejta dhe legjitime të shqiptarëve të Kosovës dhe do ta mbështesin Kosovën dhe viset tjera shqiptare në Jugosllavi. Artikulli i fundit i Jusuf Gërvallës, ashtu si dhe artikujt e tjerë të mëparshëm, është serioz dhe dinjitoz. Në të nuk ka fraza bombastike dhe përralla marksiste-leniniste, siç shkruanin grupimet tjera mërgimtare në organet e tyre të shtypit. Aty ka analizë, e cila, edhepse e bërë tri dekada më parë, i ka rezistuar kohës.
Bazuar në këto të dhana dhe plot të tjera të pa thëna në këtë shkrim timin, është e dështuar përpjekja e disave për ta paraqitur Jusuf Gërvallën me bindje komuniste.
Krahas këtij shkrimi, po ju dërgojmë për botim edhe artikullin e fundit të Jusuf Gërvallës, me titull: "Bota prognozon, të vërtetën se sheh (thotë)".