E merkure, 04.12.2024, 07:41 PM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Valbona Çoba, shqiptarja që i riktheu Amerikës Merilin Monronë

E merkure, 06.06.2007, 09:15 PM


Prej disa ditësh, mund ta shohësh në oborrin e Teatrit Kombëtar por edhe në ndonjë lokal në shoqërinë e miqve të saj. E veshur me xhinse, me një bluzë të thjeshtë, e pa trukuar, për një çast nuk të shkon ndërmend se syu po të sheh atë bukuroshen shqiptare që sfidoi Greqinë dhe po korr suksese të pasidiskutueshme në botën e “egër” të New Yorkut. Madje edhe vetë Valbona, ashtu në pamjen e parë, (tepër e thjeshtë dhe e sjellshme) nuk të lë përshtypjen se është pikërisht ajo vajza VIP, fotot e së cilës, për një muaj të tërë, janë transmetuar edhe në internet.
Është shpallur si fotomodelja më e mirë e muajit qershor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ndërsa ka lidhur kontrata me agjenci prestigjoze, Valbona Çoba ka mundur kështu të hedhë hapa të suksesshëm edhe në botën "e egër" të Nju Jorkut. E ka lënë pas, prej kohësh Athinën, pa i braktisur kurrsesi pasarelat, pasionin për të qenë gjithnjë një fotomodele e arrirë. Hiret e mbi të gjitha vendosmëria e saj, e kanë ndihmuar që t'i bëjë ballë konkurrencës së fortë me fotomodelet e njohura në Amerikë. Duke dalë mbi to. Kështu muaji qershor ka qenë për fotomodelen shqiptare një muaj fati. Por duket se fati bashkudhëton me të që në lindjen e saj. Këtë e pohon dhe vetë vajza me sy bojëqielli, por ëndrra e saj sapo ka filluar të bëhet e prekshme. Dhe si për çudi, është sërish Tirana ajo që hap magjishëm dyert e saj për talentin e bukuroshes shqiptare. Ëndërron skenën e teatrit dhe kinematografinë, ndërsa këto ditë bën prova për të vënë në skenë dramën e saj të diplomës. Ka ardhur për pak kohë për të ikur sërish, dhe ndoshta nesër do të jetë një nga aktoret e Hollywood-it. Pothuajse e ka cekur edhe këtë endërr në Amerikën e largët. Por vetëm në celuloid aty ku është shumë e aftë. Pse jo, nesër Amerika mund të ketë sërish një Merilin Monro, por kësaj radhe shqiptare.

Rruga e karrierës
Valbona Çoba e ka fillin e nisjes në rrugën e spektaklit, pikërisht në vitin 1991, kur u shpall "Mis fotozhenia 1991", në konkursin e parë të bukurisë femërore në Shqipëri "Mis Albania". Pas kësaj, Çoba e sheh rrugën e suksesit jashtë Shqipërisë. Zgjedh Greqinë, ku për disa vite punon me ngulm për të hyrë në radhët e fotomodeleve më të njohura në Athinë. Dhe në Greqi, gjithçka nis me një konkurs bukurie, ku Çoba shpallet "Miss Trupi më i bukur '97" në Greqi. Për shumë vite ajo renditet në radhën e dhjetë modeleve më të njohura në Greqi, ku ka pasur mundësinë të bëjë një karrierë vërtet të mirë. Merr pjesë në shumë show të ndryshme televizive, organizuar nga kanali më i njohur në Greqi ANT 1. Më pas mendon se këtë rrugë duhet ta vazhdojë në një vend ku karriera e fotomodeles është më e vështirë, por nëse fitohet është edhe më e sigurt.
Zgjedh Nju Jorkun, e në pak kohë ia arrin të dalë në pozicionin që dëshiron. E ndërkohë nuk është ndarë edhe nga drama, të cilën e kishte lënë në mes në Tiranë. Në Fakultetin e Dramës në Akademinë e Arteve, Valbona Çoba është diplomuar vitin e kaluar. Dhe puna e diplomës së saj është vlerësuar mjaft nga pedagogët e këtij fakulteti, sidomos nga pedagogu me të cilin ka dhënë provimin, Kiço Londo. Pikërisht është ky sukses i arritur në Akademinë e Arteve që solli Çobën në Shqipëri. Jo përgjithmonë, por sa për të realizuar një projekt që ajo ka në dorë së bashku me regjisorin Kiço Londo. Puna me të cilën ka mbrojtur diplomën në Akademinë e Arteve, drama "Xhordan", e shkruar nga dy dramaturge angleze, do të rivihet sërish në skenë. Regjisori Kiço Londo ka vendosur që këtë punë diplome të ish-studentes së tij t'ia servirë edhe njëherë artdashësve. Në rolin e vetëm të kësaj drame, është Valbona Çoba, e cila ka lënë për pak ditë Nju Jorkun për t’u rikthyer në Tiranë, ku për revistën “Spekter” tregon rrugën e vështirë të suksesit.

Çoba: Për të ardhur në Shqipëri gjithmonë do të gjej një arsye...

Jeni në Tiranë, rastësisht?
Jo. Jo krejt rastësisht. Vitin e kaluar mbrojta diplomën me regjisorin Kiço Londo me dramën “Xhordan”, një monodramë kjo. Që atëherë lindi ideja, dhe e imja dhe e Kiços, ishte dhe kënaqësia e të dyve njëkohësisht, që këtë dramë ta vinim në skenë në një shfaqje të mirëfilltë, jo shfaqje diplome. Kështu që ky projekt më solli në Tiranë. Më në fund vendosëm ta japim tani. Shpresoj që në mes të nëntorit do të jetë premiera. Ende nuk e kemi përcaktuar datën e saktë.

Për çfarë flet konkretisht drama?
Është një tragjedi, një ngjarje e vërtetë që ka ndodhur në Londër, në vitin 1987. Eshtë shkruar nga dy vajza Anna Reynolds dhe Moira Buffini. Në qendër të veprës është një grua e re e cila vendoset në një rrethanë tepër të vështirë. Kërkojnë t’i marrin fëmijën e saj. Ajo nuk mund të jetojë dot pa të ashtu sikundër fëmija 12-muajsh nuk mund të jetojë dot pa nënën. Atëhere ajo bën një kontratë me fëmijën. Vendos ta mbysi foshnjen me jastëk dhe pastaj të vrasi veten për t’u larguar që të dy përfundimisht nga kjo botë. Ndërsa mbytja e fëmijës funksionon, vetëvrasja nuk funksionon. Këtë grua e mbyllin në çmendinë dhe më pas në burg. Se si vepron ajo më tej ejani ta shihni në shfaqje.

Përtej kufijve të Shqipërisë jeni e suksesshme në fushën e modelingut, ndërsa në Tiranë po shfaqeni si aktore. Ju ku e shihni më shumë veten?
Modelja është diçka fare e rastësishme, më gjeti nuk e gjeta dhe vazhdoj të bëj të njëjtën gjë edhe në Amerikë. Por gjithmonë me mendimin që në një të ardhme shumë të afërt, për mua do të ishte një urim ky, do të bëj kalimin nga modele në aktore.

Si mendoni për kë do të vijnë më shumë spektatorët, për premierën apo për Valbonën?
Jam shumë e sigurt se ajo që do t’i sjellë më shumë spektatorët tek unë do të jetë kurioziteti. Ata më kanë parë aq sa kanë mundur si modele, sepse dinë shumë pak në krahasim me atë që unë kam bërë. Kështu që jam e bindur se ata do të vijnë më shumë nga kurioziteti, e kanë parë Valbonën si modele, po jo si aktore.

Shfaqja juaj është një monodramë, domethënë e tëra barra e skenës bie mbi ju. Do të mund ta përballoni këtë premierë?
Po, jam nga fillimi i shfaqjes e deri në fund vetëm dhe skena, dekori nuk është aspak ndihmues. Është një dekor bosh, unë ndodhem në qeli, do të ketë vetëm një stol ku ulem. Nuk kam dialog me dikë tjetër, nuk kam dekor të më ndihmojë, kam vetëm një foshnje, një stol dhe një gotë kos. Me këto tre elementë duhet të mbaj shfaqjen që është një orë e gjysmë gati. Them se do t’ia arrij, patjetër që po.

Jeni gati për një shfaqje të tillë?
Edhe pas pesë shfaqjeve që do kem dhënë, por të më pyesësh do të them prapë nuk jam gati. Duhet shumë, më shumë. Unë do të kërkoja akoma më shumë.

Le të flasim për karrierën tuaj përtej Shqipërisë. Pse zgjodhët Amerikën pas një suksesi të arritur në tokën helene?
Pa folur për ikjen time, Amerikën e kam menduar si të vetmen zgjidhje për ikjet e të gjithë shqiptarëve. Kam idenë se emri shqiptar dëgjohet njëlloj kudo në Evropë. Një fëmijë i sjellë nga unë në të ardhmen do më falenderonte që i kisha zgjedhur me kujdes këtë vend për të qenë qytetar i tij. Por nuk është aspak zgjedhja e këtij vendi si qëllim ku çdo artist do ta zgjidhte për të arritur akoma dhe akoma më shumë. Të bëhesh artist është thjesht një punë. Që të arrish të bëhesh i njohur pastaj është një sukses. Në Amerikë mund të punosh shumë mirë.

Mund të thoni se jeni e suksesshme në New York?
Qëllimi më i madh kur u nisa për në Amerikë ishte realizimi i një kontrate, të paktën mbas një viti me një agjenci famoze. Këtë e doja edhe për të marrë përsipër dokumentet e mia, si sponsor edhe për prestigjin si modele e njohur. Këtu mund të them se fati erdhi lumë. Vetëm mbas dy muajsh, dokumentet e mia u dërguan në qeveri për t’u mbajtur në Amerikë si një njeri me të dhëna speciale në fushën fashion industri dhe s’ka vetëm dy javë që këtë kërkesë agjencia ime e përsëriti prapë. Arrita që në konkurset e para të pozoj për revista të njohura, të fitoj reklama për firma famoze. Si blumindels-maximiliano, shija njyjorkeze nuk më refuzoi, ndërsa ka refuzuar mjaft modele të njohura nga Evropa. Sapo kam filluar shkollën 2-vjeçare "William Esper" art dhe pse marr vazhdimisht kurse të teknikës dhe artit amerikan. E pajisur mirë si modele ndihem e varfër për t’u bërë një aktore amerikane. Kultura është forcë. Së shpejti është duke ardhur faqja ime e internetit të cilën e kisha në plan për vitin tjetër por shkas për këtë nxitim ishte reklama që m’u bë në faqet e internetit nga club viplife për të cilin bëra reklamën e muajit si modelja kopertinë. Ndërsa gjithmonë media vetëm më ka përdorur mua, këtë radhë them se median e përdora unë. Reklamimi i fotove të mia ishte shumë i nevojshëm në Amerikë ku unë nuk njihem si në Greqi. Emailet e shumta me oferta pune ishin një arritje. Nga punët e mia më të fundit dhe me rëndësi është dhe kalendari "I love America" ku pozojne 13 cover modele me rroba banjë prej flamurit amerikan. Janë nga fotot e karrieres sime që pëlqej më shumë.

Çfarë ju ofroi më shumë Greqia?
Është shumë vështirë të flasësh në të njëjtën kohë për të kaluarën dhe të ardhmen. Në Greqi unë bëra të njohur vajzën shqiptare për bukurinë dhe klasin e saj. Pra Greqia më dha famën. Duke njohur luftën që bëhet atje kundër shqiptarëve nuk mund të të shkonte ndërmend se mund të shihje nëpër kinkaleritë revista varur me kopertinën e vajzës "Alvaneza" (shqiptare'), apo posterat e mëdha nëpër mure dhe autobuze. Në fillim as unë s’e kuptoja ç’po ndodhte. Media greke më prezantonte me vleresime nga më sensacionalet. "Shqiptarja që po bën Greqinë të dridhet si nga një tërmet", "Çoba ka pushtuar plotësisht aristokracine greke", e të tjerë tituj si këto. Në një fushë si modelingu ku konkurrenca ishte e frikshme aq sa edhe fillimi, sukseset vazhdonin. Arrita të lidh kontrata për agjenci të mëdha si “Helena Model”, “ACE model”, ”Creative model”, etj. Punoja me kontrata të gjata dhe të përsëritura për kompani të njohura në botë si. “L'Oreal”, “Cigaret Rex”, “Dizel”, “Pantene” “V.Rilken”. Patatet chips, birra Haineken, cimcakizi Clorets, motorin “Malagut” dhe katalogët e njohur "Sloge", "Luna", "Winter", "Vingo", "La pel", "Lolita', “Vanesa” etj. Shumë modele të suksesshme dhe profesionale provojnë kohën e shkurtër të këtij profesioni. Ndërsa unë i rezistova për 10 vjet. Të arrish të bëhesh vajza e kopertinave dhe posterave do të thotë që ke lënë mbrapa mijëra modele të tjera të cilat mbyllin karrierën e tyre pa prekur kopertinën. Të gjitha këto nuk arrihen sikur bukuria fizike mos jetë e plotësuar me aq seriozitet, talent, personalitet dhe kulturë sa majat e artit kërkojnë për të të mbajtur në vite. Po të kishin ndodhur të tëra këto në Amerikë them se sot do të isha shumë e pasur. Aktualisht nuk jam aq e pasur. Në Amerikë vajta 25 vjeç dhe them se kam shkuar në kohën e gabuar por jo në vendin e gabuar.

Ka vend për korigjime?
Në se ka një gjë që do korigjoja po të filloja nga e para në Amerikë, do të kisha pranuar vërtet të shpenzoja më shumë, për të pasur një manaxher që do të më krijonte me shumë mundësi që t’i përkushtohesha më shumë filmit, krahas modelingut. Mamaja ime më ka ndihmuar shumë, por ajo ndihmë mjaftonte vetëm për fillimin në Greqi, kur unë s’pranohesha në punë e pashoqëruar dhe as që të firmosja kontrata për shkak të moshës dhe faktit se ende nuk isha bërë star. Ndërsa kur aktiviteti dhe fama ime u shtua ajo nuk mund të zëvendësonte punën e aq njerëzve të tjerë. Nuk kishte as lidhjet as gjuhën e duhur. Këtë gjë ajo po kërkon ta korigjoje në Amerikë, duke kërkuar me shumë pretendime një agjent për të cilin ende s'e kemi vendosur.

A do të mund të bënit më shumë karrierë në Shqipëri?
Nuk e di për fajin tim apo të medias shqiptare, por karriera ime pothuajse nuk njihet fare në vendin tim. Është ende e pa zbuluar gjërësia, potenca e modeles shqiptare jashtë vendit. E ftuar pa përjashtim në të gjithë kanalet greke, në koncertet më të mëdha, në programet më të shikuara të tyre me vlerësime tepër speciale, dhe nuk jam ftuar asnjëherë nga ndonjë kanal televiziv shqiptar, as në atë të TVSH-së, përveç se në një emision të mëngjezit nga regjisorja Vasilika Londo, një vit më parë. Njerëzit dinë aq sa mund të thuhet nëpër revista, por kasetat e mia nuk janë pranuar të jepen as nga TVSH-ja dhe as nga të tjerët. Konkurrenca jashtë vendit që e vogël më ka mësuar t’i kuptoj, t’i dalloj gjërat edhe nga e bardha në të bardhë. Nuk është aspak qytetërim dhe kulturë fanatizmi për të mbajtur larg atë që unë kam arritur. E megjithatë rrugë ka plot dhe ditë ka plot.

Si modele keni pozuar ndonjëherë nudo?
Në se ka një gjë që nuk më ka pëlqyer, dhe them se kam bërë mirë, ka qënë refuzimi i kërkesave të vazhdueshme të shumë fotografëve, revistave për të pozuar nudo. Sapo isha e zgjedhura e tyre, rrallë mund t’i shpëtonin pretendimit për të futur diçka seksi në historinë e fotove. Nuk kam asnjë kompleks për të qenurit sexi, bile them se nëse tek nje grua kjo mungon, të lë përshtypjen se asaj i mungon një tipar. Të pozoja nudo nuk më pëlqente dhe kaq. Ndërsa ndihem e lodhur ende, por që kurrë nuk e kam realizuar, ka qenë kërkesa për të pozuar nudo. Nuk më joshi kjo kërkesë as kur më janë ofruar shuma të mëdha dhe as kur nga refuzimet kam patur ftohje me agjencinë time. Kjo sepse ajo humbte shumë para nga ky refuzim. Për të pozuar nudo vërtet e kam problem dhe paragjykim. Një modele që pozon nudo, më krijon ndjenjën e diçkaje të pistë. Ndërsa për një porno-star do ta quaja shumë profesionale. Në momentin që një modele shfaqet në revistë nudo, çfarë ajo modelon? Kjo ndodhte vetëm në Greqi. Nuk ka një modele famoze greke që të mos ketë kopertina dhe faqe të tëra nudo. Në Amerikë është kundërta. Agjencia nuk ta kërkon një gjë të tillë dhe duhet të firmosësh që t’i nuk bën nudo as me klientë të tjerë. Pra nuk kam bërë nudo dhe nuk do bëj asnjëherë si modele. Nuk do ta gjykoja Valbonën nëse skena e një filmi do t’ia kërkonte të zhvishej, po kjo jo për ndonjë rol të parëndësishëm.

Pas shumë endjesh nëpër qytete të ndryshme, ku jetoni aktualisht?
Aktualisht jetoj në Manhatan. Erdhëm këtu pasi lëvizëm nga Brooklyn dhe nuk e dimë ende nëse këtu është vendosja e fundit. Los Anxhelos është exakt stacioni për t’u bërë aktor. Sa shumë lëvizje pa qëndruar akoma asgjëkundi.

A do të ktheheni në Shqipëri?
Nuk mendoj se ka ndonjë arsye për të lënë Amerikën. Atje gjërat shkojnë mirë. Edhe prindërit ndihen mirë. U stabilizuan shpejt me dokumentet dhe gjuhën. E ardhmja gjithmonë mund të jetë një surprizë. Nuk dihet.

A ju mungon vendi juaj atje?
Do të ishte njësoj sikur të më pyesnit a kini atdhe? Nëse një gjë kaq e madhe si atdheu nuk të mungon do të thotë që nuk ka ekzistuar kurrë. Në të gjitha intervistat e mia kam deklaruar sinqerisht se për të ardhur në Shqipëri gjithmonë do të gjej një arsye. Ndaj çdo njeriu të ri apo të vjetër, të ashpër apo sentimental në tip, braktisja e vendit i kthehet në një mall, në një mungesë që kurrë nuk zëvendësohet.

Si e kaloni kohën e lirë?
Atje janë kaq të shumta mënyrat për të kaluar kohën e lirë dhe kaq shkencore, të pasura me ide e qëllime sa shpesh herë mund të ngatërrohesh e të pyesësh vehten: je në kohën e lirë apo duke mësuar diçka? Unë i shfrytëzoj këto por ajo që mbetet primare tek unë është kinemaja. Ka ditë që e planifikoj vetem për këtë. Kinemaja ngjitur me derën e shtëpisë sime shfrytëzohet aq mire nga unë. Hyj me një biletë dhe nuk dal deri sa shoh 2, 3 ose 4 filma që jepen. Mos më keqinterpretoni. Nuk është aq serioze por jo dhe aq e keqe kur ka vende që të lejojnë ta bësh. Nuk shkoj aq shpesh nëpër mbrëmje private dhe kërcimi. Këtë verë kam shfrytëzuar të gjitha llojet e sporteve në ujë të cilat më bëjnë aq të çmendur sa dhe ato në ajër.

E bukur, e suksesshme por, e dashuruar?
Ka disa raste kur më pëlqen tek një grua të paraqiturit pak naive ose pak budallaqe. Kjo më ka nxjerrë shpesh nga ato situata kur efekti si femër ka trazuar keq ndonjë person, po aq publik sa unë ose më shumë. Për t’u larguar e edukuar lë të mendoj se ndodhi diçka e tillë. Ndiej se mund ta bëj edhe me pyetjen tuaj këtë, për të qenë e edukuar. Realisht, profesioni nuk më ka lejuar ta trajtoj veten aq sa ka pasur nevojë. Për t’i rezistuar konkurrencës së madhe të të qenurit përditë e freskët dhe bukur nuk kam gabuar aq shumë. Jo se kam qenë perfekte. Të gjithë në mosha të ndryshme bëjnë disa gabime të asaj moshe, kur mendojnë të trajtojnë vehten. Por shumë e vogël u bëra modele, punoja si një star, pa u kënaqur kurrë si një star.
Por nuk më kanë munguar aq gjatë ata që më sipatizojnë dhe ata që unë simpatizoj. Pasionet dhe ngacmimet e ardhura prej simpative nuk mbajnë pa prekur disa ndodhi dashurie, por ato nuk janë të shpeshta. Nuk ju detyrohesh dhe mund të quhesh korrekte dhe kur nuk iu përgjigjesh me diçka sensuale. Në të tilla raste më pëlqen ta zëvendësoj këtë mungesë me ndonjë surprizë. Surprizat që mbajnë në vetvehte zgjuarsi, kanë po aq efekte në të ndjerë dhe ndoshta më shumë në kohë se sa efektet prej të prekuri, prej përsëritjesh.

Ç’mendoni për bukurinë?
Nuk do të kisha lexuar kaq shumë mbi bukurinë sikur profesioni që më dha famën të mos kishte pasur bazë për fillim bukurinë por një diplomë. Teoritë, thëniet mbi bukurinë janë të shumta e vlerësuese por unë dua të ndalem tek rëndësia dhe përcaktimi filozofik që Oscar Wilde i ka bërë këtij nocioni. Ne të gjithë vëmë re se një fytyre të bukur i besojmë më shumë dhe më shpejt, jo shpesh fytyrat e shëmtuara bëhen popullore. Kush nuk do donte të ishte i bukur, çdo gjë rreth tij deri dhe e gjithë bota, mbi të cilën ai rri. Diçka ndryshon në profesionin e modeles. Bukuria nuk ka dhe nuk pranon atë bukuri që shohin dhe vlerësojnë njerëzit. Shumë bukuri misesh apo modelesh kanë dështuar para bukurive standarde që celuloidet, makinat e hekurta duan. Aparatet mekanike që regjistrojnë bukuritë të hedhin tutje sapo ti nuk luan sensualisht me to, nuk përcjell me tepricë emocionin, nuk di t’i prekësh. Unë e kam pasur më të lehtë të jem një sensuale e suksesshme edhe me mashkullin më tekanjoz se sa me kamerat dhe polaroidet. Nuk mund të jesh kurrë e suksesshme në foto nëse ju beson leksioneve dhe të mungon ndjeshmëria. Aparati kap dhe lëvizjen më të vogël të gabuar, të një muskuli edhe kur ti mendon se çdo gjë ka qenë perfekt. Të punosh për revistën duhet diçka tjetër. Përveç bukurisë fizike të trupit, duhet talenti, bukuria e trurit. Ndiheni me fat që Zoti ju ka bërë të tillë, apo punoni për këtë?
Fillimisht them se kam qenë me fat, jo vetëm pse isha e bukur. Isha fëmijë e një familjeje me shumë kërkesë dhe që dinte të gjente sa më shumë mënyra për të realizuar ëndrrat e fëmijëve. Shumë e veçantë dhe progresive për këtë ka qenë mamaja. Pak vajza e kanë atë fat që nënat e tyre të jenë dhe shoqet e tyre më të mira. Unë me motrën time, Eda, kemi qenë vërtetë me shumë fat. Nuk ka asgjë të bukur ose të shëmtur që ndodh në jetën tonë dhe mos jetë mamaja e para që ne nxitojmë t’ia themi asaj. Çmimi, "Mis fotozhenia" që më dhanë në Shqipëri ishte spontan, nuk kishin ç’të më jepnin tjetër.
Greqia do të zbulonte se Zoti më kish dhuruar talentin e të pozuarit. Kamerat dhe aparatet më donin aq shumë sa bënë të më duan dhe grekët. Të bëhesh famoze në një fushe rivalesh si modelingu apo filmi është vërtet bukur. Por të bëhesh famoze në këtë fushë në një vend të huaj është vërtetë e merituar. Mban mend vetem të punuarit shumë, të lodhurit shumë. Dhe të shtosh këtu që dhe staret kanë anën e errët të jetës së tyre si çdo njeri. Njerëzit shohin vetem luksin, sukseset, dritat që mediat drejtojne drejt tyre.

Valbona Coba, misioni Hollivud

31-05-2007

“Miss Universe Albania” e ka sjelle ne Tirane per nje kohe me te gjate se zakonisht. Por, jo pergjithmone. Sepse pas gares shqiptare te bukurise, Valbona Coba ka ende shume per te bere ne Amerike. Dhe i pari ne liste eshte aktrimi. Per te cilin eshte gati te sakrifikoje edhe jeten private
Gjate ketyre pak diteve qe eshte vendosur ne Tirane, adresen e ka pasur gjithkund. Here i eshte dashur te vrapoje tek vajzat konkurente te “Miss
Universe Albania”, here ne Sheraton per te pare ambientet ku do te zhvillohet konkursi i paralajmeruar prej kohesh, e here ne takimet me organizatoret e tij...

E mberthyer koke e kembe nga pergatitjet e spektaklit qe e kane kthyer edhe nje here ne nje gare bukurie, shoqerise me miqte e vjeter i eshte gezuar vetem gjate drekave te shpejta apo takimeve rastesore. Te njejtin fat ka pasur edhe ajo pjese e familjes qe jeton ne Tirane. Pasi, edhe pse kjo eshte nje nga ato heret e pakta kur Valbona Coba rri ne Tirane me shume se tre dite, misioni per te cilin ka ardhur ketu nuk i ka lene shume kohe te lire. Kjo here ka qene krejt e ndryshme nga ato te zakonshmet. Prandaj per te gjithe ata qe dilnin jashte listes se pjesemarresve ne “Miss Universe Albania” dhe sigurisht jashte liste se miqve te ngushte nuk e kane pasur fort te lehte ta takonin.

Megjithate, te pakten lokalin e preferuar, edhe gjate kesaj vizite ne Tirane Valbona nuk e ka ndryshuar. E veshur sportive me xhinse, bluze pambuku, kepuce te sheshta dhe floket e mbledhura thjeshte, oret e vetshpallura te lira i ka shtyre si gjithmone te “Noel”-i, restoranti i vogel e i ngrohte diku prane Teatrit Kombetar, streha e dikurshme jo vetem e ish-missit, por edhe e artisteve te njohur te kryeqytetit. Sapo i ka dhene fund provave me vajzat e spektaklit te bukurise dhe pas nje dite te gjate, fort e zakonshme per kete sezon, Valbona rrefen bashkepunimin e fundit me fotografin Fadil Berisha. Duke sqaruar nje here e mire se nuk behet fjale per vjedhje te spektaklit te Grabockes e as konkurence te pandershme karshi saj. Ky rikthim ne Tirane i Valbones dhe Berishes se bashku, eshte vetem e vetem per te perzgjedhur nje perfaqesuese per ne “Miss Universe”. Nje gare e rendesishme e bukurise boterore ku Berisha eshte prej kohesh fotografi zyrtar, e ku Shqiperia disa here ka rrezikuar te mos marre pjese. Nje mision, starti i te cilit daton nje vit me pare, e qe kete here eshte perfundimisht zyrtar.

Cka megjithate nuk shenon te parin bashkepunim te Valbones me Berishen. Perkundrazi. Ky eshte vetem projekti i radhes qe u ngjiz vitin e shkuar ne Los Anxheles, atehere kur fotografi ishte vene ne kerkim te nje vajze shqiptare per ta derguar ne edicionin e radhes se “Miss Universe”. Dhe jo rastesisht. Miss-i ne fuqi i dale nga gara qe cdo vit organizonte Vera Grabocka, nuk plotesonte kriterin e moshes, ishte nen 18 vjec. Dhe kjo e rrezikonte pjesemarrjen e Shqiperise ne evenimentin e madh. Ndaj Berisha preferoi te “germonte” vete nder bukuroshet shqiptare, ashtu pa zhurme dhe publicitet, deri kur perzgjodhi Eralda Hitajn. “Kjo nuk ishte hera e pare qe ndodhte”, thote Valbona. “Edhe me pare Shqiperia ka rrezikuar te mos perfaqesohej fare. Ndaj Fadil Berisha organizoi nje konkurs posacerisht per te nxjerre nje vajze, destinacioni i se ciles te ishte vetem “Miss Universe”. Ndersa te drejten perfundimtare te perzgjedhjes Berisha do ta siguronte vetem pak muaj pasi Eralda garoi ne Nju Jork, vitin e shkuar. Ai fitoi licensen e organizimit te “Miss Universe Albania”, duke siguruar nje here e mire edhe emrin e Shqiperise ne listen e vendeve qe kerkonin vendin e me te bukures se botes.

Nderkaq i mesuar me eksperiencat qe organizatoret e spektakleve te tille kishin, Berisha do te kerkonte edhe nje bashkepunetor tjeter, i cili duhej te merrej me organizimin e vajzave konkurente ne Tirane. Duhej t’u mesonte sekretet e nje gare te tille, qe nga ecja mbi pasarele, veshja, grimi e deri tek prezantimi para publikut. Dhe zgjedhje me te mire se nje tjeter bukuroshe e dale po nga nje spektakel bukurie nuk mund te kishte. Aq me teper kur behej fjale per Valbona Coben. “Ky bashkepunim lindi sepse edhe une kam konkuruar ne nje konkurs bukurie.

Dhe duke pasur parasysh faktin se te gjithe drejtoret e shteteve te tjera pjesemarrese kane qene me pare ne gara te tilla, Berisha mendoi se kete pjese te spektaklit mund ta beja une. Sepse ai qe i perket kesaj bote, i di me mire sekretet e saj”, thote Valbona duke shtuar nderkaq se qellimi i dyshes se ardhur nga Amerika nuk eshte spektakli i madh, show ne nje salle si ajo e Pallatit te Kongreseve, publiciteti apo fitimet prej tij. “Qellimi yne eshte vetem te perzgjedhim nje vajze sipas kerkesave te “Miss Universe”. Dhe kjo justifikon edhe menyren pothuaj ne heshtje me te cilen eshte organizuar konkursi ne Hotel Sheraton. Te 14 vajzat nga Shqiperia jane perzgjedhur nga agjensia “Jeta Modeling” per te garuar ne fund per titullin e me te mires. Por, edhe per t’u pergatitur me pas per misionin e madh: Garen nderkombetare, qe kete vit zhvillohet ne Meksike.

Nderkaq, qe nga hera e pare kur Berisha i propozoi nje projekt shqiptar, Valbones iu desh te mendohej jo pak nese do te angazhohej me bukuroshet e Tiranes. Iu desh te matej mire para se te thoshte “po”, sepse para se gjithash i duhej te parashikonte se sa kohe do t’i harxhonte ky projekt i ri. Sapo ishte zhvendosur nga Nju Jorku ne Los Anxheles dhe nuk kishte kohe per te humbur. Sidomos tani qe ne plan te pare nuk ka me pasarelat dhe modelimin, por aktrimin. Endrren e vjeter, me te cilen eshte perballur vite me pare edhe ne Tirane. “Kjo ishte edhe arsyeja qe u largova nga Nju Jorku. Duhej bere dicka qe te beja kalimin nga modele ne aktore. Keshtu u vendosa ne Los Anxheles sepse aty eshte edhe industria e filmit”, thote Valbona, me te cilen duket se fati eshte treguar vertet bujar.

E ndjelle qe ne fillim nga deshira per te shkelur boten e lakmuar te Hollivudit, oferta e pare per te interpretuar ne nje film bukuroshes shqiptare do t’i vinte me shume se dy vjet te shkuara. Menjehere sapo kishte shijuar te qenit protagoniste ne reklamen e gjigandit tregtar “Bloomingdale’s”. “Kjo reklame ishte vertet ogur i mbare sepse ajo me futi ne sage. Them keshtu meqe deri atehere per te tilla reklama preferoheshin aktore dhe jo modele sic isha une”. Cka mjaftoi qe ne adrese te Valbones, te vinte edhe ftesa per t’u anetaresuar ne Shoqaten e Aktoreve te Amerikes, e bashke me te edhe oferta per te interpretuar ne filmin e saj te pare, “Jo bole so Nihal”.

Nje prodhim indiano-amerikan, i cili do te bente jo pak buje pas shfaqjes ne kinema. Aty shqiptarja interpretoi rolin e agjentes se FBI dhe sigurisht qe polemikat qe erdhen menjehere pas filmit ishin edhe nje reklame e mire per te. “Filmi shkaktoi zhurme sidomos ne Indi, sepse u tha se aktoret qe luanin rolin e kercimtareve indiane ishin shume te zhveshura. Teper seksi per Indine. Madje gjate kohes qe filmi u shpernda, atje u vune edhe disa bomba ne kinemate ku do te shfaqej”. Dhe kjo sigurisht qe do te bente edhe efektin e kundert: Sa me shume qe diskutohej pjesa e aktoreve indiane, aq me pare behej ai.

Deri sa u rendit filmi i dyte me i shfaqur ne bote. Nje start i mbare qe shume shpejt do te ndiqej nga nje tjeter oferte. Sepse pas bashkepunimit indian, Valbona do te fitonte edhe nje tjeter rol ne komedine “Hitch”, me protagonist Eill Smith, i shfaqur edhe ne Shqiperi, dhe se fundi personazhin e nje gjykateseje amerikane ne filmin e ri televiziv “Boston legal”. Duke shenuar keshtu nje sfide te re amerikane per 32-vjecaren. Qe prej muajsh po provon nje tjeter ritem ne jeten e saj. Krejt te ndryshem nga ai i Nju Jorkut. “Los Anxheles eshte nje qytet i madh, i shperndare ne nje hapesire te madhe. Nese ne Nju Jork arrija te beja disa pune gjate dites ketu eshte pothuaj e pamundur. Mund te arrish te realizosh maksimumi dy kinoprova dhe te treten ta shtysh per me vone, sepse eshte e pamundur te arrish ne kohe”, thote ajo. Mision qe behet edhe me i pamundur tani qe ofertat per filma nuk jane i vetmi impenjim i Valbones. Sepse keto kohe ajo eshte futur ne tre kurse njeheresh. I pari per te mesuar theksin amerikan ne te folur, i dyti per te pervetesuar tekniken e ashtequajtur “Aleksander”, mbi levizjet e sakta te trupit gjate aktrimit, dhe nje te trete per aktrim. Duke nenkuptuar keshtu qe kinemaja eshte vertet qellimi i madh dhe i vetem i Valbones.

Nje qellim qe gjithsesi e ka nje kosto. Dhe jo fort te vogel: Gjithe keto vite intensive ne Amerike ish-misit shqiptar i kane “vjedhur” edhe ate pak kohe qe mund t’i mbetej per te zene miqesi te reja. Aq me pak per te krijuar nje lidhje. “Te kesh nje mik eshte luks, sepse duhet te kesh kohe ne dispozicion qe t’i perkushtohesh. Dhe une nuk e kam nje gje te tille. Dhe besoj se kjo vlen per te gjithe”, thote ajo, duke mbyllur nderkaq cdo shteg qe nje e ardhme e afert do te mund te ndryshoje dicka ne jeten e saj. Sepse kjo pjese e jetes nuk eshte fare ne axhenden e Valbones. Tani per tani qellimi i vetem i saj eshte aktrimi, dhe vetem ai. Dhe nuk ka nder mend te heqe dore per per asnje arsye ne bote. As per nje dashuri. Aq me teper qe Valbona e ka nje shembull, te cilin sa here e kujton bindet edhe me shume se ka te drejte. E meqe jeton ne nje shtepi me prinderit i duhet ta kujtoje jo fort rralle, sepse shembulli eshte pikerisht e ema. Dikur nje aktore e talentuar e Teatrit Kombetar, ende pa e shijuar deri ne fund famen e saj, ajo vendosi te hiqte dore.

Do te martohej me te atin e Valbones, nje njeri i nderuar me shume detyra partiake asokohe. I cili, ne te njejten kohe nuk e mendonte qe bashkeshortja e tij te merrej me aktrim. Keshtu qe asaj iu desh te zgjidhte mes marteses dhe teatrit. Nje dileme qe nuk do te zgjaste shume sepse mamaja e Valbones ne fund zgjodhi dashurine e saj. “Nuk do te bej kurre te njejten gje. Sigurisht e respektoj dashurine e prinderve te mi, por shpesh here cuditem me ate vendim te mamase. Une jam nje njeri qe i marr gjerat me pasion dhe preferoj t’i coj deri ne fund”, thote Valbona. Cka do te thote se “Miss Universe Albania” i kesaj jave eshte vetem nje nder projektet e shumta me te cilat Valbona po merret keto kohe. Nje ftese e bere nga nje mik qe ajo e pranoi. Pertej kesaj jave ne Tirane, synimi i saj eshte shume me i madh se nje spektakel bukurie. Ai shkon edhe pertej modelimit, per te cilin eshte mesuar te permendet per shume vite. Misioni i vertete i Valbones mbetet filmi. Te cilin ka nder mend ta arrije me cdo kusht.

Dashuria e perfolur me Bledin

Megjithese prej vitesh ne Amerike Valbona Coba nuk i ka munguar shtypit shqiptar. Dhe jo vetem me lajme nga bota e modes. Heren e fundit qe ish-misi shqiptar u perfol jo pak ishte jo me per aktrimin a moden, por per nje historie dashurie. Qe sipas asaj qe thuhej, rrenjet i kishte ketu ne Tirane. U shkrua per nje mesazh dashurie qe Bledi Strakosha kishte derguar ne adrese te saj ne internet, cka mjaftoi qe tymnaja e thashethemeve t’i kapercente kufijte e kronikave roze. “Me ka thene dicka per kete ime moter qe jeton ketu, dhe eshte vertete per te qeshur. Me Bledin jemi miq te vjeter dhe te mire. Flasim per gjithcka, qofte edhe per historite tona personale. E verteta e atij mesazhi ne fakt eshte krejt e ndryshme nga c’eshte shkruar”, thote Valbona. “Sapo isha larguar nga Tirana dhe bisedonim on-line. E ngacmova sepse po degjonte nje kenge romantike, dhe ai me humor m’u pergjigj me disa vargje te tipit qe “ikja ime i kishte shkaktuar vetmi dhe boshllek”. Ishte nje shaka e zakonshme. Nje batute, asgje me shume” shton duke qeshur, por edhe duke perseritur edhe nje here tjeter qe te pakten tani per tani dashuria eshte ajo ane qe nuk ben pjese ne planet e jetes se saj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora