Kulturë
Cikël poetik nga Timo Merkuri
E merkure, 06.07.2011, 06:58 PM
 Timo Merkuri
Timo Merkuri
 
 
Dhimbja
 
Dhimbja është banore e qytetit tim,
në lagjen time e ka shtëpinë,
 
në jetën tonë hyri pa trokitur.
Oh, ç’bujtëse e përzishme, e zymtë.
 
Tani bisedat na ngjajnë me përshpirtje
dhe lulet në ballkon kanë aromë thimjani.
 
e trëndafili të bjerë era dashuri.
 
 
Bulevardi i dhimbjes
 
Unë nuk mund të shëtis
            në bulevardin “1 Maji” në Sarandë
ku dielli shkëlqen ftohtë
            si një pllakë përkujtimore
dhe neonet ndrijnë mbi qepallat e mbrëmjes 
            si lotët në sytë e nënës së Hysen Açakos.
 
Në këtë Bulevard,
            ku në skaj të pranverës
kortezhit të luleve u prijnë dy pëllumba të gurtë
            që kanë parcelizuar jetën në trembëdhjetë vjet
këtu dhimbja ka një emër fëmije
dhe vdekja ka emrin shtet.
 
Përkujtimore
 
Sa të pikëlluara janë përkujtimoret
ndanë rrugëve. Sa të pikëlluara
e të zymta. Si policë në kohë shtetrrethimi
që të ftohin zemrën
e të thonë në çdo çast:
Këtej kaloi vdekja, ndalohet gëzimi!
 
Pranë tyre njerëzit ecin ngadalë
e të heshtur. Sikur shkelin mbi plagë 
të pambyllura. Sikur zgjojnë dhimbjet
te buzëqeshja e murosur
në porcelan, që dëshmon
se lumturisë i janë mbyllur shumë shtigje.
 
Përkujtimoret ndanë rrugëve,
si qirinj të porsandezur në një varrezë.
 
Vajzat kanë mërguar
 
... e te pragu i shtëpisë sime
një trëndafil i bardhë nusëron.
 
Mëngjeseve kur nisem për rrugë
më përcjell me dënesa e lot.
 
E diç më thotë mes psherëtimave.
 
Por unë s’mund ta këpus
se s’kam kujt t’ia dhuroj.
 
Shtëpia e refugjatit të humbur
 
Është një shtëpi aty në Jug,
e vogël. Si shtëpia e kukullës.
Me dritaret mbuluar nga qerpikët e pjergullës
e me manin te pragu,
që iu thanë pëllëmbët e gjetheve në degë
pa e thënë urimin “Mirëseerdhe, bir”.
 
Është një shtëpi aty në Jug,
e heshtur. Si një plakë e braktisur.
E një vijë uji që kalon te pragu, si vija e fatit
në një pellg, në pëllëmbë të oborrit mbledh gjithë yjet.
por nuk ia zbardh dot ditët vetmisë.
 
O, kjo shtëpi e vogël në Jug,
                        si një pikë loti nën qepallë,
është nga pak shtëpia e ne të gjithëve.
 
Çast
 
Bunacë e lehtë
dhe një shi që rigon.
 
Është vjeshtë vërtet 
                        apo vendlindja ime,
me shaminë e natës ulur mbi ballë, vajton.
 
Kostandini
 
Kostandini është nisur të sjellë Doruntinën,
motrën, që s’i erdhi në nëntë morte
se i shoqi e kishte nxjerrë trotuareve prostitutë.
 
Patjetër do ta sjellë. Ndaj e braktisi varrin
që nëna të mos qajë të gjallë për të vdekurit 
e të mos mallkojë të vdekurit për të gjallët 
që rrojnë me turp.

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










