Kulturë
Shazim Mehmeti: Rrëfime nga Anëtejana (I)
E hene, 29.11.2010, 10:12 PM
SHAZIM MEHMETI
RRËFIME NGA ANËTEJANA
Botues: Nositi- sh
Për botuesin: Shazim Mehmeti
Redaktor: Shpend Taulanti
Recensent: Ramadan Musliu
Kopertina & disejni: Shazim Mehmeti
e-mail: nositi@yahoo.com
Shtypi: Tringa Design
Tirazhi: 1000 copë
SHAZIM MEHMETI
RRËFIME NGA ANËTEJANA
S’KA BOTË PA BOTË, S’KA BOTË PA HISTORI…
(rrëfimi i parë)
Froni ku jam i ulur,
mbështetur rri,
mbi mua.
S’ka botë pa botë.
S’ka botë pa histori.
S’ka histori pa botë.
Një botë është një Njeri.
Një Njeri një botë është,
dhe ca më shumë.
Nuk jam Ti,
e pranoj.
Por, historinë time
kam edhe unë.
Më parë se përrethjen tënde
veten sajova.
Nuk më mjaftoi.
Vetja qe
shumë pak për mua.
E padurueshme vetmia ish,
që në zanafillë.
Njëshi veten shpiku.
Ti këtë e di,
besoj.
Te njëshi nis gjithçka.
Njëshi është njësh,
te njëshi nis rrugëtimi im
pa fund.
Më parë se Ty,
shpika erën,
zjarrin e madh,
dritën,
dhe ujin e kthjellët.
E prapë se prapë,
e prapë se prapë,
vetminë sëmundje kisha.
Fryma ime
është në gojën tënde.
Syri im
është në syrin tënd.
Veshi im
në veshin tënd është.
Ti je në zemrën time.
(Dhe unë
në zemrën tënde jam?)
Nuk thashë se më ke për zemër.
Për zemër, thashë,
të kam.
Ç’ndiejmë,
s’themi përherë.
Ves i erës është ky.
Jemi, a s’jemi erë?
Njësh për Njësh të bëra,
mbi Gjithçka.
Me një qen brenda teje,
të dërgova atje poshtë,
ku je.
Ti s’dije,
ti akoma s'di,
parajsa ç’është.
Akoma atë e përthith,
akoma atë e përfrymon,
akoma atë s’e di, s’e njeh.
Më kujtohet
e jotja bimë,
si shndërrohej,
si bëhej Ti.
Avullohej kurmi im,
teksa të shikoja
si hapje sytë të shohësh,
dhe e përthithje trishtimin tënd
dhe timin.
Vetmisht,
të përkëdhelte,
vetmia.
Vetmisht
e përprekje
vetminë.
E më erdhi keq për ty,
më erdhi keq për ty.
Që atë ditë e sot,
Ti veç grua dëshiron.
Buka jote e nxehtë
është grua.
Buka jote e ftohtë
është grua.
Buka jote e munguar,
edhe ajo, është grua.
Shkaku qe ky,
që bëra gruan, o Ti!
Hunda jote është gjak.
Syri yt është gjak.
Zemra jote është gjak,
o, dëshpërim!
Gjaku yt
është dëshpërim i saktë,
i saktë!
Akoma frymon
ai qen brenda teje,
e shoh.
Është ç’ekuilibër
ai nëns,
tamam qen.
Ti je
në përparësi ndaj meje.
Ti ke fundfillim,
unë fund nuk kam.
Kush ka fund
qan për pafund.
Kush ka pafund
qan për fund.
Për Fund,
unë qaj,
për Fund!!
Ti qan për pafund!!!
TI KALËROVE ERËN!...
(rrëfimi i dytë)
Erë siç je,
Ti kalërove Erën.
Dhe gjumin e parë
bëre,
pa gjumin.
Dhe fjete
me Mishin tënd,
pa e njohur Natën.
Për asgjë
s’të lakmova,
veç për mëkatin!
Atë ditë,
yjet shndrisnin
në pikë
të Pikëditës.
Si Zogj Zjarri
çuçurisnin
yjet
atë ditë.
Teksa ribëheshe
mbi mishin tënd,
yjet për së pari
e njhnin gëzimin.
Gëzim yjesh,
mëkati yt!
Sa shumë kam qarë,
mbi Vdekjen
e parë,
tënden,
mbi Atdhe!
Sa lotë kam derdhur,
o Mrekulli!
Qiejsh
shumë Shira
u derdhën, atë ditë!
Siç e sheh,
s’e shpika unë shiun,
e shpike Ti!
Dhe
Rilindjen
e Mishit Mëkator,
Ti shpike!
Ti shpike,
Atdheun Grua,
dhe Bijtë e tu të Vdekjes,
që vdekje s’njihnin
e vdekje shpikën,
pa ditur ç’bëjnë!
Së brendshmi,
Bijve të Vdekjes,
Xhelozinë u lexoja.
Dhe qaja,
pandaras,
për ta!
Sa shumë
ua xhelozoja
Xhelozinë!
Sa shumë
ua xhelozoja
Mëkatin!
E s’arrija t’i kopjoj,
e s’arrija t’u përngjaj,
fare,
o Ti!
Ti shpike
Atdheun e burrit,
dhe gjaku yt shpiku
Vrasjen për këtë Atdhe!
Ky qe çasti
kur njoha Dhembjen tënde,
Pikëllimin tënd
të Madh,
e të parë!
Ky qe çasti
kur së pari
dëshirova vdekjen time,
në Anëtejanë!!!
MË SHUMË SE BURRIN, GRATË FJALËN DUAN!...
(rrëfimi i tretë)
Më shumë se burrin,
më shumë se burrin,
gratë fjalën duan.
Kjo qe arsyeja
pse shpika fjalën,
e ta vura në gojë.
Ti
as nuk dije
ç’është vdekje,
as nuk dije ç’është varr,
kur gjakun tënd
vrave,
për grua.
M’u desh
të të dërgoj
Sorrë mbi krye,
të të krokasë,
të të mësojë
për Vdekje
e për Varr!
Ti
vëlla s’ke dashur kurrë.
As sot e kësaj dite,
Ti vëlla nuk do.
Ti je
gjak prej gjaku.
Ti je Gjakgjak,
Gabimi im i madh!
Dhe dëshpërim
je Ti!
O Ti,
që vëlla vret,
për grua
e për asgjë!
Me fjalën
që ke në gojë,
Ti qesh në verandë ere,
kap çuçuritjen e yjeve
e më thua:
faleminderit Njësh,
faleminderit Njësh,
që më bëre njeri!
Faleminderit më thua,
po njeri nuk je,
o mjerim, mjerim!
Veç mjerim
Ti je,
Ti je fara
që hodha gabimisht!
Të mbolla lule
e mbive therrë!
Të dhashë nur,
të dhashë fytyrë,
të dhashë
dhe frymën time
O Ti!
Ti sa hape sytë,
sa shijove
diell, tokë e ujë,
qeshe me cinizëm
e më the:
“Më jep dhe grua
dhe shporru
n’daç!
Që tani jam Njësh!
Jam Njëshi Njësh!”
Ky qe çasti
kur mallkova veten
për së pari herë!
Ky qe çasti
kur mallkova veten
dhe të mallkova ty,
O Dëshpërim!
Dhe mallkimi im
të ndjek,
dhe mallkimi im
përjetë
do të të ndjekë
O Mallkim, Mallkimi im!!!
TË DUA, NJËSH!
(rrëfimi i katërt)
Baaahhhhhhhh!
Ma zuri frymën
mallkimi!
Të dua, o Njësh!
Të tillë siç je sot
dhe siç do të jesh
edhe nesër.
Dhe pasnesër.
Dhe...
...dhe në të paspasnesërmen
e pafundit pa fund.
Me erën
që kalëron mbi ty, të dua,
dhe me shpirtin tënd
që kalëron erën
drejt meje.
Me erën erë në erë
dhe me erëerën në ty.
Me flakëzjarrin
në zemrën tënde,
dhe me zemrën tënde
në zemrën time flakëzjarr.
Me mallkimëmblin
në shpirtin tënd,
dhe me shpirtin tim
ëmbëlmallkim.
Me dhembjen
kozmike
që na ndjek.
Me ndjekjen e kozmikes
dhe me kozmikën
e ndjekjes.
Me mëkatin e ëmbël
dhe me ëmbëlsinë mëkatore.
Deri në qelizë
dhe përtej qelize.
Te e fshehta
fshehtake.
Te magjia e fshehtakes
dhe te atomi i pazbuluar
i fshehtësimagjisë.
Të tillë siç je
dhe
siç do të jesh.
Këtu
dhe atje.
Atje
dhe këtu.
Në Anë
dhe në Tejanë.
Në Tejanën e Anës
dhe në Anën e Tejanës.
Në zemrën e qiellit
që sajova për ty dhe veten time
dhe në qiellin e zemrës
që sajova për veten time
dhe për ty.
Në nënqendrën e nëntokës
që fshehtova për ty dhe për veten time
dhe në nëntokën e nënqendrës
që fshehtova për veten time
dhe për ty.
Në vorbullën vorbull
të ujit dashuror
dhe në vorbull vorbullën
e dashurisë ujore.
Në cepin e poshtëm
të yllit mëngjesor
dhe në këndin e kreshpëruar
të mëngjesit yjor.
Në ankthin e pritjes jetë
dhe në pritjen e jetës ankth.
Ty që di ta zbukurosh
mëkatin tim,
Ty që di të më lejosh
ta zbukuroj mëkatin tënd.
Ty që di ëmbëlsisht
ta mëkatosh të bukurën,
Ty që di mëkatisht
ta ëmbëlsosh bukurinë.
Të dua
siç di të dashurojë
vetëm Mbinjëshi Njësh,
siç di të dashurojë
vetëm Njëshi Mbinjësh!!!
SHPIRTËRAT NUK I ZGJODHËM NE!...
(rrëfimi i pestë)
Shpirtrat
nuk i zgjodhëm ne.
Zemrat
nuk i zgjodhëm ne.
Ndjenjat
nuk i zgjedhim ne,
trupat, fytyrat,
nuk i zgjedhim ne.
Për asgjë s’jemi
meritorë,
meritor është Njëshi,
Mbinjëshi Njësh.
As vend,
as mend,
as frymë,
nuk zgjodhëm ne,
as sot,
as dje,
as pardje!...
Nuk zgjedhim dot,
dot nuk jemi meritorë,
për asgjë.
Meritor është Njëshi,
Mbinjëshi Njësh.
Dhe mendimet
dhe paramendimet
s’i zgjedhim ne.
Meritorë nuk jemi
për asgjë.
Meritor është Njëshi,
Mbinjëshi Njësh.
Paramendomë
siç e ka shkruar Mbinjëshi,
siç më ke në ndjenjë.
Siç të kam në ndjenjë,
të paramendoj.
Kam kohë të të paramendoj,
kam kohë të të ndjej,
kam kohë të të dua,
pa pushim.
Në dritë
dhe në padritë,
në pafundin e pafund,
me dritë
dhe me padritë,
paramendomë!
Paramendomë si Njësh
(siç mendoj se më ndjen),
në kokër shpine shtrirë,
paramendomë!
Mëkatesh zbuluar,
trupshtruar,
si prej nëne lindur
paramendomë,
nën një dritë të kaltër
lulake
nurake
ku vërtetësia vdes!
Dhe mendoje veten
deri në dritëlindje engjëlluar,
si prej nëne lindur,
zbuluar,
të tillë siç të paramendova,
të tillë siç të paramendoj
dhe në këtë çast,
të tërë
dhe më këmbë,
përballë Njëshit,
mbi Njësh!
O Hënë e luluar dritëshe!
O Hënë e rilindur
mbi malmëkat lulor,
që hapin nis e hedh
drejt Njëshit malmëkat!
O Hënë e mëkatuar ëmbëlore!
Po e lë këtu paramendimin,
O Hënë!...
Tashmë, je ti Njëshi
që më paramendon
si Diellin mëkator,
si Mbinjëshin e shpluar, malmëkat!
Je ti Mbinjëshi
që derdhesh me dritëtrup,
me dridhje,
e me Hënëmëkat
sipër Mishit Diellor,
sipër Njëshit Mbinjësh!!!
DASHURI ZOGJSH ËNDËRRORË, NË DITËN QË ZBRITI NJERIU MBI TOKË...
(rrëfimi i gjashtë)
.......
Oh, Skifter!
Sapo e zbulova botën!
Je shumë i mirë!...
Je shumë i mirë!...
Po më mirëson ti, o Pëllumbeshë!
Të dua marrëzisht!
Me ty, dritën zbulova!
Ooooo, sa frikë,…
sa frikë kam të dua dikë!...
Nuk e ke idenë!
Kisha qenë mirë nën lëvozhgen time!...
Tani kam frikë veten,
tani kam frikë fluturimin e lirë
dhe pse ndoshta do më bëjë mirë
ky fluturim me ty!…
Por, të kam zemër, Skifter!
Kam frikë se të dua
më shumë se ç'mendoja!
Meqë s'të kam pranë,
të paramendoj, o shpirt,
të paramendoj,
si të përqafoj,
si të puth, të zhvesh, ...!
Dhe nuk më mjafton, o shpirti im!
Paramendomë duke të rënë në gjunj,
duke ta nuhatur aromën trupit
o dashuri e rilindur, dashuri!
Ti i shpike gjunjtë!
Nuk do mund të të lija
të më bijsh në gjunj!
Ti veç do uleshe në gjunjtë e mi.
Do rrija përbri teje,...zemër!
Dashuromë, o Pëllumbeshë,
me tërë forcën dashuromë!
Merrma kokën në duart e tua,
e më puth, e më shtrëngo,
e më lejo të tretem
deri në qelizën e fundit,
në zemrën tënde,
në shpirtin tënd,
në trupin tënd!
Me ty e shpika dritën,
me ty e shpika fluturimin!
Më ndjej brenda teje, o Jetë, o Fluturim!
Paramendomë duke u tretur,
duke u bërë ujë,
në trupin tënd!
Ti e shpike imagjinatën!
Zemër,
shpirt,
Skifter!....
Imagjinata jote
është shumë e fuqishme,
di të shtegtojë!...
Jam i lindur të të dashuroj,
je e lindur të më dashurosh,
o Shpirt Pëllumbeshe!
Ti m’i jep jetës, aromë!
Dashurohet me shpirt e për shpirt,
o Shpirti im!
Ti shpirtin shpike!
shttttttttttttttttttttttttttttttttttt!,
mos na dëgjojë Mbinjëshi Njësh!
Shtttttttttttttttttttt,
le të dëgjojë!
Ai na shpiku me zjarr!
Ai është si ne!
Më puth,
më përqafo!
Të puth fort!
Me ty jam si nën hipnozë...,
rrokur fort në krahët e tu!…
Ti dhe hipnozën shpike!
Shpirti im,
nuk di në je e vetëdishme
për lumturinë që më jep!
Ti e shpike lumturinë!
Krahët e tu, përreth qafe i ndjej!
Dërgomi buzët e mishta,
gjuhën e lëngësht!
Ti po e shpik përthithjen,
shpirti im!
Ti e shpike dorëzimin!
Jam e jotja tani,
dhe pse ne frikë!...
Ai na shikon!
Shtttttttttttttt!
Ti e shpike përjetësinë!
E imja qofsh përjetë!
Ai e di,
Mbinjëshi na do, na do!
Ndjeje dorën time në flokun tënd,
ndjeje frymën time në veshin tënd,
ndjeje kalimin e shpirtit tim drejt trupit tënd,
drejt shpirtit tënd,
përmes gojës sime në veshin tënd!
Shijoje pëshpërimën e dashuringjitjes,
shpirtngjitjes,
trupngjitjes,
zemërngjitjes,
zemër!
Ti pëshpëritjen shpike!
Të ndjej shpirt!
Nuk e di për sa do të jem e jotja,
qielli është i kaltër, i madh !
Ndoshta një kalimtare e rastësishme
në zemrën tënde jam,
por ... të ndjej,
të ndjej,
o zemër, o Skifter!
Ti e rishpike ndjenjën!
Më shtrëngo fort tek gjoksi yt i shpluar!
Dua ta ndjej rrahjen tënde zemërore,
dua të bashkohem me të,
të tretem në të!
Ti dhe tretjen shpike, Skifter!
Ti shpike dridhjen, Pëllumbeshë!
Ne i falemi fatit,
atij i falemi ne!
Më rreh zemra fort,
të ndjej, të ndjej!
Përfytyroj si mishrat tanë bëhen një,
jam brenda teje,
po çmendem misheshpirt në ty,
një dridhje e ëmbël rrëmon me mua,
të dua, të dua,
brenda teje jetoj!
Jeto dhe ti me mua brenda teje,
përjeto,
përjetomë me ëndrrën tënde,
Pëllumbeshë!
Ti dhe ëndrrën shpike!
Ti shpike përmbushjen,
ti më përmbush!
Jemi kaq larg
dhe arrin të më përmbushësh kaq shumë
kaq thellë!
Ti shpike ribërjen,
ti më ribën,
ti më bën të mos ndihem bosh!
Ndihem e engjëlluar teksa flas me ty,
teksa përjetoj me ty!
Ti rishpike dashurinë,
ti më dhuron dashuri!...
Do më duash gjithmonë kështu,
o Njëshi im, Skifter?
Gjithmonë, gjithmonë, Shpirt!
Ti shpike pafundin!
Më ndjej si tretem me pafund,
më ndjej në më të thellën, tënden thellësi,
në çdo qelizë më ndjej!
Ti shpike qelizën!
Më ndjej si bëhem ujë brenda teje,
në thellësinë tënde ujore po zhytem thellë, thellë!...
Ti shpike ujin dhe thellësinë,
ti po e shpik zhytjen!
Dhe ti bëhu ujë, o shpirti im,
dhe ti bëhu ujë!
Më ndjej,
më ndjej si pi ujë në ujin tënd!
Ohhhhhhhhhhhhh!,
më tërbove!...
Ti shpike tërbimin!
Tërbohu, shpirt Pëllumbeshe!
Ky tërbim është fillimtërbim!
Ti shpike fillimtërbimin,
ti shpike rrugën!
Ne kemi më rrugë për të bërë,
ne kemi më për t'u dashur,
për njëri tjetrin na bëri Ai!
Ti shpike rishkrehjen!
Ma ndjej,
ma ndjej rishkrehjen, shpirti im,
thellë brenda teje rishkrehjen ma ndjej,
dhe ti rishkrehu bashkë me mua,
me mua, o Shpirt!...
Ti po e shpik ofshamën, zemër,
ti më lë pa fjalë.
Nuk kam gjuhë,
nuk kam fjalë,
kam veç këngën në këtë çast yjor!
Ti këngën shpike!
Të ndiej shumë thellë,
shumë thellë!...
Oohh, sa thellë, sa thellë!
Jam e përzjarrur,
ti po e shpik zjarrin, shpirt!
Ti po e shpik dhe ujin, dhe notimin!
Më duket sikur të kam pranë
dhe i shoh sytë e tu
me sytë e mi të brendshëm, shpirt!
Je i tëri muskul,
je i tëri brenda!
Ti po e shpik brendinë,
ti po e shpik shpikjen!
Dashuroma rishkrehjen,
dashuroma rishpikjen, shpirt!
...............
...............
Shtttttttttttttttttttttttt,
Pëllumbesha ime,
fli,
pusho!...
Ti shpike gjumin!
Më vonë do e shpikim,
rishtas dashurinë!
Shttttttttttttttt,
Skifteri im!
Ti shpirt i furrishëm,
që loz me mua
si erënjomëza me purtekën!
Ti shpike sërishjen!