Editorial
Mërgim Korça: Futbollisti Panajot Pano, përkthyesi Pashko Gjeçi, si edhe ndjenjat e një mërgimtari
E diele, 24.01.2010, 11:00 PM

si edhe ndjenjat e një mërgimtari.
Shkruar nga: Mërgim Korça
Sa më shumë kalojnë vitet aq më i ndjeshëm bëhet njeriu. Pa le pastaj kur arrihet një moshë ku lista emërore e të njohurve të vdekur fillon e bëhet dukshëm më e gjatë se sa ajo e të njohurve ... énde të gjallë ! Në këto ujëra plluckoj edhe unë.
Dëndur e kam kujtuar Panajot Panon i cili ish nga ata qendërsulmues, thuajse të pashoq, që i ndërtonin vetë aksionet e pastaj me vërshime të rrëmbyeshme drejt portës kundërshtare, ku topi nuk u shqitej nga këmba, gjuanin dhe ... shënonin ! Cili sportdashës i viteve të rinisë sime e ka harruar golin e Panajotit shënuar në portën e Jashinit të famshëm?

Kësisoji ndërrimi i jetës Panajot Panos së ndjerë, krahas trishtimit që më ngjalli në përkujtim të tij, e pati edhe atë forcë shtytëse shpirtërore që, për anë brengës arriti të lartësoj’edhe ndjenjën tjetër, siç ësht’ajo e krenarisë tek ne, të mërguarit larg Atdheut !
Në vazhdim, për t’i u larguar shtjellës mendimeve të trishta si edhe ndjenjave bashkë-shoqëruese të tyre ... fillova t’i hedh një sy shtypit shqiptar. Në faqet e para si zakonisht, veç lajme për efekt ndaj lexuesit. Në dy gazeta, doemos ndërmjet njoftimeve tjera zhurmëndjellëse, ishte edhe informacioni lidhur me vdekjen e yllit të futbollit shqiptar, Panajot Panos. Nga që ndjeshmërínë n’ato çaste e kisha shumë të theksuar e për t’i u mënjanuar ndjenjave të trishta i u shmanga shtypit shqiptar e duke lundruar nëpër internet, veç kur mësoj një lajm tjetër të trishtë : kishte ndërruar jetë përkthyesi Pashko Gjeçi ! Ah, sa kohëzgjatje të shkurtër pati ajo ndjenja e krenarísë kombëtare e cila mu ngjall tek mësova vdekjen e nderit të futbollit shqiptar, Panajot Panos. Një vorbull’e re ndjenjash skajshëm trishtuese më shakulloi të tërin ! Rryeshëm, mes mugëtirës të së kaluarës, erdhën dhe u përndritën në nënvetëdijen time emrat si edhe fytyrat e asaj plejade letrarësh të rinj, nxënës të Patër Vinçenc Prennushit, Patër Justin Rrotës, Patër Marin Sirdanit etj. etj., të shkolluar në vazhdim në universitete perëndimore duke u diplomuar me Summa cum Laude. Mes tyre ndrit edhe emri i Pashko Gjeçit, i fundit në listën e ndritur të atyre tashmë të ndjerë !
E burgosën, e internuan, e detyruan tërë jetën të punojë punëtor krahu, profesor Guljelm Dedën. I internuar, ulur këmbëkryq mbi krevat, shkruan e shkruan përgjatë 17 vitesh pune të tillë prej skllavi dhe e përfundon shqipërimin e veprës Lodovico Ariostos me titull Orlandi i Çmendun. Dyzetmijë vargje njëmbëdhjetërrokësh, të rimuar e të hedhur me bukurshkrim në katërqind fletore, janë kulmimi i punës profesor Guljelm Dedës !
E së fundi, i përshënjuar sipas udhëzimeve katoviciane, mbas vitit 1990 ai u detyrua, që të gjente pak prehje shpirtërore, të shkoj’e të ndërrojë jetë në Itali e atje edhe ... të harrohet nga vëndi i tij !
Gjithashtu e burgosën dhe u munduan t’a depersonalizonin profesor Mark Demën ! E cili ishte faji i tij ? Sepse nxënësve maturantë u dha si temë hartimi : Puna e rëndë fizike përkul trupin. Paraja përkul shpirtin. Ndërsa unë sot, nga lartësit’e viteve 2000, e shoh prekshëm se sa realist ka qenë i ndjeri profesor tek u a dha nxënësve temën e mësipërme. Edhe ky profesor i shquar, përgjatë kalvarit të jetës tij nën diktaturën komuniste, e shqipëroi njerën nga kryeveprat botërore, Eneidën e Virgjilit. Po sa para bëjnë vlerat intelektuale të tijat ? Edhe ky, mjeshtër i letërsis’edhe i kulturës, ndërroi jetë ... i harruar në Atdhén’e Tij !
E i fundit i asaj plejade profesorësh si edhe intelektualësh të shquar, ndërroi jetë para dy ditësh në Tiranë profesor Pashko Gjeçi. Ndjeva dhimbje tek e mësova lajmin mortór, por kjo dhimbje u shumfishua falë faktit se me të merr fund plejada e shqipëruesve më të mëdhenj të kryeveprave botërore të letërsisë, posaçërisht të asaj klasike latino-italiane si edhe asaj klasike të Greqisë lashtë !

Lexuesi i vëmendshëm mund t’a ketë vënë re se si për të tre këta mjeshtra të fushës shqipërimeve unë nuk e kam përdorur emërtimin cilësor përkthyes, por i quaj shqipërues ! Sa për një hedhje drite të përgjithëshme, pjesa më e madhe prej nesh mërgimtarëve mendojnë se janë të aftë të përkthejnë nga gjuha e huaj e vëndit ku banojnë në shqip. Jo zotërinj. Tjetër është të përkthesh, (ose të mendosh se përkthen), e tjetër është të shqipërosh. E pra Pashko Gjeçi me shokët e plejadës tij, jo vetëm përkthenin por edhe shqipëronin ! Këtej t’a mësojë lexuesi se si profesor Guljelm Deda, (me të cilin kam patur nderin gjatë vitit 1951 të thyej gurë për më se tetë muaj radhazi në Malin e Taraboshit), më thoshte edhe përsëriste ... shpesh, kah përkthej ndo’j varg të vështirë, a ma beson se kalojnë orë të tâna derisa e realizoj ashtu si m’tingllon mue n’vesh vyeshëm ?
I përmenda më lart dy dhimbje që e bashkëshoqëruan njeratjetrën tek mësova ndërrimin jetë të profesor Pashko Gjeçit : dhimbja për vetë profesorin si edhe dhimbja se me të u shua edhe pishtari i fundit i asaj plejade letrarësh të shquar !
E tashti i erdhi radha, në mbyllje të këtij shkrimi, edhe dy dhimbjeve të tjera.
E ftoj lexuesin të më ndjekë e të nxjerrë përfundimet. Nderimet që i janë bërë furbollistit posaçërisht të talentuar e të shquar Panajot Panos, më kanë gëzuar për së gjalli të tij. Të tjerat, mbas vdekjes së tij, e zbutën sadopak masën e keqardhjes për humbjen e tij nisur nga vlerësimi i madh që i u bë edhe me këtë rast. Mirëpo lënja në hije, në heshtje si edhe krejtësisht mbas dore e ngjarjes madhore të ndërrimit jetë të profesor Pashko Gjeçit, (në vazhdim edhe të pararendësve të tij sa i takon kategorisë skajshmërisht intelektuale së cilës ajo plejadë i takonte), e rrëgjoi dukshëm krenarínë time si bashkëkombas dhe më bën t’a pyes veten : A ka Lidhje Shkrimtarësh dhe Artistësh në Shqipëri, apo vazhdon edhe mbijeton po ajo e cila yll polar, krahas yllit të kuq, kishte edhe luftën e kllasave ? A ka Institut Studimesh Albanologjike ? A ka Akademi Shkencash ? Apo të tre këta institucione shkencore vazhdojn’e veprojnë akoma me synimin që të ndiqet shtegu i paracaktuar nga diktatura që çdo arritje shkencore në Shqipëri zanafillën e ka patur mbas 29 Nëntorit 1944 ? Apo mos personalitete të këtij liveli i kemi me bollëk në Shqipëri ?
Në përmbyllje, ja edhe brenga ime e fundit. Profesor Pashko Gjeçi në vargoren e shqipërimeve të tij, ka edhe njerën nga kryeveprat letrare të Götes, Faustin. Rastësija e solli që ndërrimi jet’i shqipëruesit të Faustit të bëhet shkak që të trajtohet sot edhe një dukurí e cila ka lidhje të drejtpërdrejtë me mosvlerësim vlerash e talentesh të mëdha në fushën e arteve shqiptare. Në rastin e shqipëruesve që trajtuam sot, ka qenë e mallkuara luft’e kllasave e cila vlerësonte partishmërinë para vlerave shkencore.
Vijmë tek rasti konkret. Pikërisht sot, me 22 janar të vitit 2010, në Helsinki, kryeqytetin e Finlandës së largët, në SUOMEN KANSALLIS OOPPERA, vihet në skenë opera FAUST me muzikë të kompozitorit të famshëm francez Charles Gounod. Tre janë personazhet protagoniste të dorës parë të kësaj melodrame : Fausti, Margerita si edhe Mefistofeli. Dhe a u a merr mëndja lexuesve të nderuar se, në pllakatat e reklamave të shpërndara an’edhe kënd Helsinkit, personazhi i Margeritës interpretohet me 22 dhe 29 janar si edhe në shkurt më 3 më 8 si edhe 13 nga sopranoja shqiptare Ermonela Jaho ? Shtoj se kjo soprano, që tashmë ka pushtuar skenat e operave nga më të vlerësuarat europiane, kudo që interpreton kërkon që emri i saj të shoqërohet në pllakata me cilësorin Sopranoja Shqiptare Ermonela Jaho ! Dhe unë pyes: Si ka mundësi që kjo soprano e cila duartrokitet me ovacione të publikut ngritur në këmbë në teatrot e operave më në zë europiane e më tej, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri në kryeqytetin e Perusë, Lima, që arriti e ftuan edhe këndoi edhe në atë që konsiderohet caku më i madh i vlerësimit botëror, Metropolitani i New York-ut, vazhdon dhe mbahet në hije në Shqipëri? Shikoj gazetat, ndjek lajmet nga Tirana, asgjë ... heshtje. Asnjë njoftim rreth aktiviteteve në Finlandë. Nisur nga ky fakt ku institucioni përgjegjës i kësaj fushe e quan këtë soprano prapa listës, atëhere mendoj se duhet t’i shqetësoj Instancat më të larta shtetërore dhe t’u ve në dukje se Sopranoja Shqiptare Ermonela Jaho, tashmë e radhitur krahs elitës sopranove kalibri botëror, e paemëruar nga Shteti Shqiptar, në fakt funksjonon si Ambasadore e Kulturës Shqiptare në botë !
Duke e shikuar me sy kritik të kaluarën diktatoriale ku më vlerë kish një kooperativist i partishëm se sa një profesor me cene biografike, (a ngeli njeri pa kësi cenesh në Shqipëri), e duke shpresuar që për hir të nderimit kombit tonë nga bota, vlerat tona duhet t’i qëmtojmë, inkurajojm’edhe mbështesim, se kësisoji e sendërtojmë të ardhmen, i hedh dritë figurës kësaj artisteje shkalle botërore mos ngjasë edhe me të si me Aleksandër Mojsiun e madh për të cilin së gjalli Stefan Zweigu pati pohuar ... Mojsiu sjell diellin e vëndit të tij kudo që shkon, por si të tyrin e reklamojnë austriakët ... ndërsa varrin e ka në Lugano të Zvicrës! A nuk qe Shqiptar Ai?
Komentoni
Artikuj te tjere
Vladimir Bruçaj: Martesat e detyruara, nje drame qe nuk ka fund
Neki Lulaj: Qeveria e premtimeve kolosale dhe e realizimeve minimale
Dibran Demaku: Nga po lëviz diaspora shqiptare
Engjëll Koliqi: Faleminderit President!!!
Sabile Keçmezi- Basha: Në Maqedoni droe se po përsëritet historia ndaj shqiptarëve
Halit Bogaj: Si e përballuam vdekjen tënde, president?
Vladimir Bruçaj: Jemi kombi ku bashkohen kulturat, jo ku perplasen ato
Halit Bogaj: Duke e lexuar shkrimin e Ilir Dardanit
Valon Kurtishi: Bojkot maqedonishtes
Valon Kurtishi: Afër realizimit ëndrra historike e shovinistëve grekë
Halit Bogaj: Diogardi për Skënderbeun
Simon Puta: 17 janari i Gjergj Kastriotit
Valon Kurtishi: Nacionalizmi sllavomadh provokon përsëri
Dibran Demaku: Kur qeveria bie në gjumë?!
Neki Lulaj: Thasët me dosje sekrete të zyrtarëve të lartë të Serbisë...
Dibran Demaku: Mbahu Shkodër-Loce!
Bajrush Behrami: Parat, elita politike, brengat dhe varfëria e popullit
Halit Bogaj: Kadarea dhe Kosova
Everest Haxhi: 69 vjet duke kerkur fajtorin!
Agim Vuniqi: Ne jemi të fortë atëherë kur jemi bashkë