E diele, 04.05.2025, 02:21 AM (GMT+1)

Kerko: Remzi Salihu

Remzi Salihu: Struktura ironike e muzës poetike

E diele, 27.12.2009, 08:34 PM


REMZI SALIHU

                                                                                            

STRUKTURA IRONIKE E MUZËS POETIKE


            Kalosh Çeliku: “Ehu” (poezi), botoi: Asdreni, Shkup 2008.


  Që në fillim të këtij shkrimi, jam i detyruar të them se komunikimi i veprës poetike ’’Ehu’’ i Kalosh Çelikut për lexuesin vjen me një diskrepancë të trashëguar të domethënies së shkruar dhe asaj të menduar. Nga ky kuptim ironik ndërtohet struktura poetike e këtij vëllimi poetik. Për t’i kapur përmasat kuptimore të kësaj përmbledhje, gjithsesi duhet lexuar vëllimet poetike të më hershme dhe sidomos vëllimet poetike ,,Atdheu ky burrë pa grua’’, si dhe përmbledhjen poetike ,,Engjëlli im është Grua’’. Lexuesi te vëllimi poetik ,,Ehu’’ hynë në leximin e kuptimit në mënyrë të zakonshme sikurse te librat poetik të përmendura më lartë. Si për nga gjuha, ashtu edhe për nga ndarja ciklike, kjo përmbledhje poetike formësonë tërësinë e stilit poetik të autorit në fjalë. Drita përhapet në errësirë  si ndonjë shkëndijë e përplasur në acarin e dimrit të mbuluar me ferexhenë e zezë shoqërore e politike të kohës. Edhe më e qartë se drita ndriçon ironia e madhe kuptimore e rrezeve simbolike, të cilat, brenda një leximi të parë kurreshtarë, ose na gëzon ose na trishton. Veçanërisht domethënia shpalohet, cullakohet nga kjo errësirë në ,,qytetin e rremë në agun e dimrit’’, ku macja jeton më mirë se një poet, ku ,,poeti nëmur’’ bën jetë më të shëmtuar se qeni. Këtu kemi të bëjmë një dimension të pakontrolluar të jetës dhe vdekjes. Imazhi gri i Bit - Pazarit nga varfëria humb shkëlqimin antik të bukurisë. Koha flet për një situatë që të burgos me bythë të kthyera kah qielli e me kokë të futura thellë në kontejnerët e skamjes, për të kërkuar ekzistencën, burrave u ka rënë çmimi i vlerës njerëzore. Dhe nëpër këtë situatë të zymtë dhe të errët të kohës defilojnë me mburrje Doktor zinjtë, Trusakatët, Hodumët melezë, Buçat e katundit, Langojt etj, përballë tavernës dhe Rrapit ku konsumohet vera me dy shtamba deri në mesnatë vonë. Poeti flet për një kohë të plaguar dhe i mbetet konsekuent, nga veranda e gjykimit, kritikë ndaj absurditetit jetësorë, që ngushton lirinë dhe demokracinë e individit në shoqëri.

     Vëllimi poetik ,,Ehu’’ është një pasthirrmë rrënqethëse e jetës kundër vdekjes, fatit dhe fatkeqësisë së njeriut në sheshin tonë kulturorë. Autori del në fushëbetejë me të keqen, të shëmtuarën, ai, madje, bëhet i papërkulur në mbrojtjen e të vërtetës, atdheut, që është uzurpuar dhe ka rënë në gjunjë nga truskatët e që e shkërdhejnë nga dita në ditë. Poeti katapulton me mjete figurative kundrejt anomalive dhe individëve, me armën e tij ,,penën shpatë’’ të fortë ironike e poetike. Muza e tij në këtë luftë të pa barabartë ndihmohet nga zanat e malit, duke pirë qumësht fuqie artistike nga burimet e pashtershme të gjinjve inspirues e atraktiv të këngëve popullore.

     Në vazhdën e harkut refleksiv e ironik poeti Kalosh Çeliku vazhdon rrugën kreative që ta shpaloj veçantinë e tij poetike edhe në librin ,,Ehu’’. Kjo vepër përmbush hijen e përndjekur nëpër kohë dhe hapësirë të poetit me një gjuhë satirike. Vëllimi poetik ,,Ehu’’, përmbush serinë poetike stilistikore të vëllimeve të më parshme të autorit. Kjo mënyrë e të shkruarit sjell frymën e veçantisë dhe individualitetit poetik, vepra ngjesh, formëson e strukturon një vizion mjeshtërorë të gjuhës, shprehjes dhe formës poetike. Spontaniteti dhe thyerja e vargut inkarnon gjuhën provokative ironike me përmasa sarkastike. Poezia e Kaloshit përmbush teknikën domethënëse në brendinë e motiveve, temave që trajtonë. Energjia e tij shtangohet në stil, e cila shpalos në tërësi shqetësimin, thyerjen e vargut të pa normëzuar e që në esencë shpreh përjetimet vetanake gjatë shtegtimit imagjinativ të përvojës jetësore nëpër kohë dhe hapësirë. Me anë të kërkesës së fshehtësisë poeti na grish në degët e shumta të ironisë së kuptimit. Koncepti i kuptimit plotëson konceptin e peshës, e cila peshë kuptimore bie e imponuar në gjykim të lexuesit. Gjuha figurative, siç janë metafora, ironia, simboli kthehen në subjektivitet të fortë të domethënies, sidomos, në veçantinë e domethënies të gjuhës origjinale, të vrullshme me një shfaqje tipografike me thyerje të vargut. Poeti përdor një liri gramatikore të vargut, në vend të fjalisë përdor grupe fjalësh e sintagma të veta dhe jo sipas normave gramatikore, por sipas mendjes dhe stilit të tij. Poeti në tërësinë e  veprës sjell në brendi të thellë me ndjenjë subtile. Çeliku angazhohet në poezinë e kohës, jo për qëllime politike karrieriste të veta, por për një emancipim të gjithanshëm të kuptimit, për lirinë e cila për autorin s’është kurrfarë lirie, por që është me plot demagogji e negativitete. Kjo poezi shumë kuptimore e shtresore jep kundërthëniet e individit përballë jetës, ndërmjet lirisë njerëzore dhe asaj shoqërore. Poezia e tij jep sentenca e fotografi të hidhura ndërmjet njeriut dhe drejtësisë së tij, fatit dhe fatkeqësisë së individit dhe shoqërisë së individit dhe shoqërisë si viktimë e kohës. Temat dhe motivet e trajtuara janë pjesërisht realiste, pjesërisht groteske, ato shëmbëllejnë si rrëfime satirike. Janë vargje e vjersha që kamxhikojnë “demokracinë”, apo lirinë e rrejshme, që s’është liri e vërtetë. Poezia e këtij poeti hynë në konturat apo rregullat e fatit të njeriut. Ironia e tij bëhet art i zhvendosjes së këngëtimit me qëllim, që lexuesi të bëhet i vetëdijshëm për rrenat e shëmtuara, gëzimet dhe brengat. Qartësia e të kundërtës shpalohet duke dhënë imazhe reflektuese se si do të ishte e jo si shtiret në të vërtetë komunikimi. Poeti do që lexuesi i tij të ketë çdo gjë si ndërdije, përpara se të jetë vonë për një pësim e anomali të caktuar. Poezia e tij është një sabotim permanent i vdekjes. Në këtë vëllim poetik poeti nuk ka tone melankolike vajtuese e idilike, por autori është në luftë, pa kursyer edhe vdekjen e përhershme me anomalitë e kohës dhe shoqërisë. Përditshmëria e shëmtuar e përdhunon autorin me padrejtësitë e saja të shumta, andaj ai mpreh shpatën e ironisë për t’i rrëzuar në shtrat kuptimi të gjitha të këqijat që i bëjnë barrikadë lirisë në shtrat të mendjes. I detyruar të luftoj ballë për ballë me kundërthëniet e përditshmërisë makabre dhe si instrument lufte përdor fjalën dhe gjuhën satirike dhe  ngandonjëherë kalon në sarkazëm. Kalosh Çeliku është poet poliedrik. Deri tani nuk njihet vetëm si poet lirik, por edhe si dramaturg, romancier. Krijimtaria e tij udhëhiqet nga një kod besimi e poliedrik për t’u përballuar me negativitetet e shoqërisë. Tek ai shihet një siguri e plotë ndaj kërkesës së tij sublime për jetën. Ai këtë e ndërton sipas shijes së vet personale. Dobësia, pasiguria dhe dyshimi për të janë momente të papranuara. Gjatë krijimit të tij  sjell reminishenca poetike  me atake e kamxhikoje leksikore nga fauna e tij tradicionale. Ai kalon nga vendi në vend për të kapur atë tipiken, esencialen e shprehjes dhe shpalon, ngjesh me kujdes në formën e stilit të vet atë artistiken. Poeti e cullakon ndjenjën dhe e vesh me armën e tij tipike me shtambaverë dhe poezi. E vetmja grua lakuriqe që ia kthen potencën e frytshme meditative është poezia. Ajo është gruaja më tërheqëse dhe besnike dhe shumë  xheloze që e shëtitë poetin nëpër taverna, nëpër natë e kohë të ndryshme dhe nuk di ta përzë atë hyjneshë që i sjell ekstazë e kënaqësi të domosdoshme, andaj është i pamundur ikja nga ky rrugëtim i vështirë dhe i këndshëm dhe s’ka fuqi ta përzë këtë shqysë nga vetja, se ajo ka diçka të mahnitshme që i vardiset pa orarë e kohë të pa caktuar, si halucinacion i pashkëputshëm në kujtesën e tij. Poeti sa herë që sheh veten të plogësht kërkon fuqi nga zanat, si Muji dhe Halili kalorsjak në këngët popullore.

     Vëllimi poetik ,,Ehu‘’ është një pasthirrmë, aklamacion revoltuese, shqetësuese për jetën dhe vdekjen.. Ky është një vëllim poetik që sjell poetin në dyluftim, me të shëmtuarën e kohës, me një humor e shprehje që del nga përvoja dhe përjetimi i jetës. Gjithsesi se poenta e ligjeve të këtilla të shprehjes e bëjnë këtë libër tërheqës dhe provokativ. Karikatura individësh që dalin në betejë të shprehjes të simbolizuara me vëmendje e mjeshtëri janë mjaft të kapshme dhe të tipizuara mirë në këtë rreth poetik, sepse flasin për një realitet prekës të shoqërisë, kështu që ironia dhe vargjet e këtilla paraqesin anën komike të lirikës me gjuhën dhe dinamikën e vet të zhvillimit. Satirat e Çelikut sjellin mënyrën kritike për individët, klanet, shoqëritë, ose dobësitë e përgjithshme të një rrethi apo grupi të caktuar dhe shpesh me një ton agresiv paditës. Këtë brumin e ngjeshur satirik poeti e gatuan me një stil të kapshëm ironik e si për qëllim ka karikimet e tepruara të rrethanave kohore. Satirës klasike i ka dhënë formë të re, lexuesit i duket se autori tërë kohën merret me kurvat dhe verën, por në realitet ky poet rebelohet në përkushtim të fjalës, dhe pas kësaj nudo lakuriqësie të ujkut plak që i di të gjitha dredhitë e kohës fshihet, e shëmbëllen brenda vargjeve diçka tjetër, që s’ka të bëj me pornografi. Në këtë tavernë të shëmtuar kohore, ku luhet striptiz i devalvuar i politikës dhe njerëzve që servilohen, edhe e mira edhe e keqja, me potencën e oreksit të pa ngopshëm të pa kuptimësisë. Trusakatët, Hodumët melezë, janë ndjekësit dhe militantët më të shëmtuar të një klani apo rrethi, që pretendojnë gjithnjë të mjelin shoqërinë dhe kohën me pavlerat e tyre të gënjeshtrës. Poeti mendimin e vet e adreson për diku tjetër. Ai komplikon kuptimin e gjuhës së zakonshme, duke u bërë një kritik atakues i asaj që nuk është, por që duhet të ishte e kuptohet nga konteksti i saj. Njerëzit si Buça,  Trusakati, Langoshi, vihen artistikisht në shprehjen e gjuhës së ironisë retorike, që në thelb kuptohet e kundërta nga ajo që thuhet, madje ajo në thellësi të mund edhe të vetëkuptohet. Në disa raste fjalori ironik shnd?rrohet tërkunfles, e cila ngandonjëherë kuptohet vetëm nga rrethi i gjuhës komunikatave të një rrethi apo vendi me zhargon të caktuar, e që ato vet e nënkuptojmë këtë lloj gjuhe të komunikimit. Shprehja dhe gjuha e mendimit ironik në vargjet e Kalosh Çelikut kontekstualizohet dhe për kuptimin e tyre duhet lexuesi të jetë i parapërgatitur për ta kuptuar anën komunikative të tekstit. Po qese lexuesi e ka të lexuar vëllimin poetik ,,Atdheu ky burrë pa grua’’, atëherë ai disponon një parapërgatitje për ta kuptuar qëllimin e autorit edhe në këtë vepër. Nëse ne jemi të ngjeshur me njohuri të diskursit poetik të tekstit dhe kontekstit, atëherë kuptimin e vargjeve të vëllimit poetik ,,Ehu‘’, do ta kemi edhe më të qartë. Sepse tekstlinguistika e ironisë nuk është vetëm rrjeta e vet tekstuale, por shumë më tepër se sa një mendim i kuptuar thjesht vulgar. Konkluzionin që kemi para sysh si shërbim komunikativ të interpretimit nga teksti i parashtruar të nënkuptohet si komunikim poetik i suksesshëm, apo i pasuksesshëm.

         Rrethi i ciklit të vëllimeve poetike, ku dominon ironia, është në marrëdhënie strukturore të njëjtë. Dhe shumë tema dhe motive të duket se përsëriten. Kështu që forma e shprehjes, ku shpalon ironinë, mund të nënkuptohet, kur ka tërësinë e kuptimit të tekstit që kemi në shqyrtim. Lexuesi i rëndomtë këtë mënyrë të leximit të vargjeve nuk mund ta kuptoj në mënyrë eksplicite, pa pasur  një përgatitje paraprake. Megjithatë kjo përmbledhje poetike ka ngritjen e vet artistike, ku lexuesi do ta gjej kënaqësinë dhe gjykimin e vet...



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx