Faleminderit
Baki Ymeri: Thanas Kantili - Luftëtar i përflakur i kolonisë shqiptare të Bukureshtit
E shtune, 05.09.2009, 10:00 PM
Thanas Kantili |
Dhe pas Te-deumit të shërbyer në
gjuhën e ëmbël nënore, vinte fjalimi i parë i rastit i mbajtur prej një
personaliteti nga më të lartët e vëndit, i pasuar prej fjalimesh të
shqiptarëve, të cilat kurdoherë më çdo festë, kurorëzoheshin në fund prej
veteranit të madh Thanas Kantili, të zjarrtit, të flaktit, të djegurit dhe të
zhuriturit luftëtar të Kolonisë në Rumani. Ky me gjith natyrën e tij zakonisht
hijerëndë, kur fliste në kishë në këto festa kombëtare nuk e përmbante dot
veten nga mallëngjimi gjer në mbarim të fjalës, po i shpërthenin lotët mu në
mes duke e përfunduar pastaj me fjalët e papritura: Rrofsh moj rrofsh! Ti do të
rrosh e do të jesh moj Shqipëri! Dhe kisha mbaronte kështu në mes të gëzimit
dhe të dashurisë, që ish gëzim kombëtar dhe dashuri kombëtare, dhe anëtarët
ktheheshin nëpër vatrat e tyre me shpresën më të rritur për mëmëdhenë.
Nga Baki
Ymeri (Bukuresht)
Duke hulumtuar
veprimtarinë e korçarëve të kësaj metropole në periudhën e Mbretërisë,
konstatojmë se Bukureshti paraqet lulen më të bukur të diasporës shqiptare në
botë. Bukureshti, sipas Lasgushit ishte “kryeqyteti i Shqipërisë së mërguar”,
“qyteti që mban emrin më bujar të të folurit shqip”. Janë pikërisht korçarët e
kësaj qendre që e kanë ndezur dhe mbajtur të pashuar flakën e shenjtë të
Rilindjes Kombëtare. Në një zonë të vjetër të
Bukureshtit, ndërmjet Bibliotekës së Akademisë dhe Stacionit Hekurudhor
“Gara de Nord”, në rrugën Calea Grivicei, gjendet një nga shtëpitë më të vjetra të rilidësve tanë, ajo e Thanas Spiro
Kantilit, i cili, sipas “Shqipërisë së Re” të Konstancës (1933), “punoj dhe u
sos për Shqipëri, atëherë kur kjo gjendej në robëri”.
Në bazë
të dokumenteve që i ruan me shenjtëri nipi i këtij rilindasi të zjarrtë, Niko
Kantili, kuptojmë se para vitit 1880, kjo ka qenë pronë e një hebreu: Simon
Goldemberg. Këtë e dëshmojnë edhe disa akte autentike, që nga viti 1833. Niko Kantili
është i biri i një gjermanke (Elizabeta Opricesku), dhe i një shqiptari
boboshtar (Theodor Kantili). Edhe përnga
pamja, edhe përnga sjellja, edhe përnga karakteri e temperamenti, lë
përshtypjen se është shqiptar. Posa merr vesht se nga jemi e nga vijmë, për të
kërkuar rrënjët e lashta të shqiptarizmit, na thot:
“Më fal që po të
shqetsoj! Nuk e di zotrote në je shqiptar, ngase ke emër
Në këtë shtëpi të vjetër, nuk ka munguar kurrë
mikpritja tradicionale e shqiptarëve, shton zoti Niku. Për kontributin që pat
dhënë përgjatë Rilindjes Kombëtare, gjyshi im, Thanas Kantili, më 2 shtator të
vitit 1914 (në kohën e Princ Widit) qe dekoruar nga Mbretëria Shqiptare me
“Medaljen Ushtarake në Bronz” (dorëshkrimi është në gjuhën frenge). Dokumentet
që na i prezanton Niku, janë origjinale dhe autentike, të nënshkruara e të
vulosura. Ndër to shquhet Testamenti i Thanas Kantilit, ku përmes një fjalori
të zgjedhur, plot respekt e përdëllim ndaj gruas e fëmijëve, defilon shpirti i
një shqiptari të shenjtë. Thanasi e përfiton nënshtetësinë rumune në vitin
1926, ndërsa në vitin 1932, Mbreti Carol II, e nderon përmes një dekreti, me
titullin “Meritul Comercial si Industrial, Cl.II” (Merita Komerciale dhe
Industriale, Kl.II).
Punoi dhe u sos për Shqipëri, kur kjo gjendej në robëri
Thanas Kantili ishte
një nga anëtarët më aktivë në Komitetin e Shoqërisë Shqiptare “Dituria” e
Bukureshtit. Emrin e tij e hasim në dokumentet e kësaj shoqërie, që nga viti
1896. Më 11 prill të vitit 1899, në kuadrin e Kuvendit Vjetor të Diturisë,
Thanas Kantili zgjidhet nënkryetar. Nga “Përlindja shqiptare” e Sofjes,
kuptojmë se në mbledhjen e zakonshme që ka bërë Shoqëria “Dituria”, në vitin 1903, në një pyll jashtë Bukureshtit,
krahas Kristo Dakës dhe Jovan Lazarit, Thanas Kantili flet fjalë të zjarrta dhe
propozon që të dy shoqëritë (Drita e Dituria) të bashkohen ngase “bashkimi bën
fuqi”. Emri i Thanas Kantilit ndërlidhet edhe me mbledhjen historike të
Bukureshtit (5 Nëntor 1912), kur u morën vendimet lidhur me Pavarësinë e
Shqipërisë. Nga kujtimet e botuara të Asdrenit në “Shqipërinë e Re” të
Konstancës (29 Nëntor 1925), kuptojmë se
se në mbledhjen e fundit të konsultimeve e bisedimeve, përveç Ismail Qemalit,
Luigj Gurakuqit, Kristo Meksit, Aqile Eftimiut, Dhimitër Zografi etj., e merr
fjalën edhe Thanas Kantili.
Thanas Kantili ka patur
një vajzë, Ekaterinën, dhe 5 djem: Nikollën,
që vdiq i ri, si pasojë e një pneumonie, pastaj Konstantinin, Tonin,
Vasilin, dhe Teodorin, babain e Nikut. Todori
jetoi ndërmjet viteve 1918-1996. Edhepse ka lindur në Rumani, në një familje
patriotike, aq shumë e ka dashur Shqipërinë, saqë shkon, derisa ish
kryeministër ungji i tij, Pandele Vangjeli, e shkollohet në Tiranë, Durrës,
Korçë e Shkodër. Korina e Niku nuk mund të harrojnë kurrë përmallimin e tij,
dëshirën e tij të vetme, për ta parë edhe një herë Shqipërinë, para se të
ndërrojë jetë. Një një dëshirrë të këtillë, të zjarrtë, e hasim edhe te shqiptarët
e sotëm të Bukureshtit, të cilët shuhen pa e parë Shqipërinë, si pasojë e
impotencës patriotike të ishkomunistëve me pasaportë diplomatike. Së bashku me
korçarët Duro, Zografi, Milkani e Buzi, vëllezërit Kantili ishin ndër tregtarët
më të shquar të Bukureshtit. Thonë se aq i pasur ka qenë, saqë ka djegur thasë
të tërë me para kur u ndërruan paratë, në shenjë të stabilizimit të vendit,
ndërsa pjestarë të kësaj familjeje fisnike, që kanë ardhur para 13O vitesh në
Rumani, figurojnë edhe në katalogjet telefonike të Bukureshtit: Xhorxheta,
Maria, Nikulae, Toni, Vasile, Kristina,
Konstantini dhe Angjelika, të gjithë duke mbajtur mbiemrin Cantili (shq.
Kantili).
Thanas Kantili vdiq në
një spital të Bukureshtit, më 14 shtator të vitit 1933. Lajmi i hidhur u përhap
si vetëtima ndër krejt shqipëtarët e kësaj qendre, ku e njihnin si një patriot
të palodhur, që tërë jetën punoi për vëndin e tij, pa pretedime personale apo
materiale. Varrimi u bë pas dy ditësh, më 16 shtator, me një ceremoni të
shkëlqyer, në varret e Shën Premtes (Sf. Vineri), atje ku qe varrosur më 1913,
apostulli i shqiptarizmit, Nikolla Naço, kurse më 1947, Asdreni. “Një pjesë e
madhe e Shqipëtarëvet të Bukureshtit, morën pjesë në këtë varrim. Trupi i të
ndjerit Kantili ish mbuluar me lule edhe
me kurora. Një kurorë vjente nga ana e
Komunitetit, një tjetër nga ana e Kryekonsullatës,
një kurorë nga ana e Shoqërisë së Boboshtarëve dhe një tok kurorash të tjera
nga ana e farefisit të tij. U mbajtën
një tok fjalimesh, duke treguar aktivitetin dhe zemërgjerësinë e të
ndjerit. Fjalën e parë e mbajti delegati i Odës Tregtare të Bukureshtit, duke
nxjerrë në pah se si një jetë të tërë, i ndjeri punoi me ndershmëri dhe qe
shembëll për të tjerët”. Shënimet prezente vijnë nga numri 539, i së
përjavshmes “Shqipëri e Re”, që delte asokohe në Konstancë. Ja edhe fjala e
Asdrenit, me rastin e varrimit:
Një nga të parët nismëtarë të
kësaj Kolonie kreshnike
Zotërinj të brengosur! Pik së pari këtu
shfaqim hidhërimin e Kryekonsullatës Mbretënore për vdekjen e pa-pritur të
patriotit, që e deshti me gjithë shpirt e zemër Shqipërinë, si një shqiptar me
plot ndjenja që ish, si edhe
ngushëllimet e kësaj Kryekonsullate, familjes dhe gjithë far’ e fisit të tij.
Do të jenë fjalë të tepërta, në dua të bëj këtu një përshkrim të jetës së
Thanas Kantilit! Jeta e tij trupësonte vetëm e vetëm mirësinë edhe
zemërbardhësinë, në tërë kuptimin e fjalës, sa nuk i ze besë që të gjendet një,
midis nesh, që të mos e dijë edhe të mos e ketë njohur dhe kuptuar, këtë cilësi
të rrallë, të shpirtit të tij.
Thanas
Kantili si patriot, qe i pari ndërsenjës, i cili me fjalët e zjarrta dhe me
flagën e dashurisë s’atdheut, që përmbante në vehten e tij fisnike, nuk linte
asnjë rast me zërin e tij të fortë, që shpërthente si bubullimë, pa mos i
çfaqur haptazi mendimet dhe ndjenjat, që i valonin pa rreshtur në kraharorin e
tij, për t’i treguar ato që ndjente edhe për t’i bindur të tjerët se e drejta
edhe e vërteta duhet të dalë në dritë,
siç dolli, dhe aqë shumë
mallëngjehej sa kur shifte, derthte lotë dhe qante, qante prej dhempshurisë! Në
patriotizmë qëndronte i patundur, pa ligësi shpirti, as dredharak, pa asnjë
pikë interesi, por përkundrazi, ay vetë nga pak a shumë sa kishte, jepte me
dorë plot. E ndjente për detyrë edhe e kishte për krenari. Ndihmonjës i çdo
çështje kombëtare, shpirtndrituri sa rrojti, i solli nder Kollonisë së këtushme
dhe kombit përgjithësisht. Dhe me ç’do fjalë të bukura shpirtnore, dhe me ç’do
farë ndihme pa përtim, mund të them, ka qenë një shtyllë e fortë edhe e
ndritshme, një nga më të parët nismëtarë të kësaj kollonie kreshnike.
Thanas Kantili si mirëbërës
i të varfërve, prapë qëndronte në krye të ç’do vepre mirësije me dorëgjerësin’
e tija të pashëmbëlltë. Ç’do njeri që e shkelte edhe që ndjehej në nonjë
nevojë, Thanasi kurrë nuk e përcjellte nevojtarin të dalë dorëzbrazur nga pragu
i derës së tij. Me sa vura re edhe unë vetë, prej aqë kohe që e njihnja, me
gjithë që fshihej kur bënte të mirën, shumë herë shëkonja që hynin, herë pleq,
herë gra të veja, të varfër si nga
t’anët, si edhe të tjerë, të huaj, që Thanasi të mos u jepte disave atë çast,
edhe disave që u jepte muaj për muaj, nga një sumë, duk’ i përcjellë gjithmonë
me një të qeshur në buzë: e bënte të mirën me të djathtën pa të dijë e
mëngjëra!
Thanasi
si krye i familjes së vet, qe aq i mirë dhe i urtë, sa nga urtësija e tij nukë
kuxonte të nxjerrë nga goja një fjalë të keqe, një përtim apo një të sharë
kundra bijve të vet, por duke pandehur gjithmonë që fëmija e tij vetvetiu t’ia
kuptojë mendimin që ushqente, edhe dhempshurinë atnore që kish për ta, do të
mundin të shkelin po në gjurmat e tij. Por në këto të pakta fjalë, nuk mundet
t’i bëhet apollogjija e të gjithë veprave të tij, e gjithë jetës së tij, siç ka
qenë një karakter i pashoqtë, si një pasqyrë e kulluar, të cilën shumë veta
duhet t’a kenë para sysh, për t’udhëzuar edhe për t’i vazhduar gjurmat edhe
faktet e mira të tij. Thanasi në jetë s’kish as armiq, se ishte i zoti që
kundërshtarin t’a përballë, ta zbutë me fjalë të ëmbla dhe me sjellje vërtet bujare. Në dyqanin e tij, si
të dorës së tretë, shifnje njerëz të dorës së parë, nëpunës të lartë,
politikanë, artistë si edhe shkrimtarë të shquar të këtij vëndi, të rinë me të
në fjalë e të kuvendojnë, të kënaqur prej tij,
nga ç’do pikëpamje të sjelljes së tij.
Pa le më një patriot
kur i vinte. Nuk dinte si e si t’a presë sa më mirë. Thanasi s’kishte mësime
por ishte i zoti të japë mësime. E dëgjonte tjetrin me durim edhe jepte
këshilla. Kish dhembje për ç’do send në vehte të tij, por ndjente edhe dhembjet
e të tjerëve dhe vuante ai bashkë me ta. Ishte dikush i brengosur, ay e
ngushëllonte. Ish aq zemërbardhë sa shpesh herë vinte gjer në sakrificën e vet,
si një dëshmor! Tani që na la, dhe vajti në prehje pas një mbarimi jete aqë
tragjik, le të thomi: Kujtimi i tij qoft’ i përjetëshmë! Edhe i Madhi i jetës, t’i bëjë vënd prehjeje
me të shkëlqyer, atje në gjirin e Abrahamit, si shpirtmirë që ish! Perëndija
e ndjeftë!
Përkrahësi shqiptarëve që kanë shkelur tokën e këtij
vendi liriprurës
Pas Asdrenit
foli ekonom At.Steliani, një fjalim tepër të gjatë, duke treguar mjaft
mirë shpirtin e të ndjerit Th. Kantili. Një fjalë tjetër mbajti kryetari i
Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit, Nikolla Xhorxhesku. Pas këtij
foli zoti Nikolla Tabaku, i cili në rmes të tjerave tha: “Në një kohë rreziku
për Shqipërinë, shqipëtarët e Bukureshtit ishin mbledhur dhe po bisedonin se
ç’masa duhet të marrin për të mirën e vëndit. Thanas Kantili i cili nga hera ka
qenë plot kurajo dhe guxim ka thënë me
një rast: “Ne jemi këtu deputetët e Shqipërisë, pra neve na mbetet bara për
shpëtimin e Shqipërisë”. Serën e fjalimeve e mbylli Dhimitër Pasko (Mitrush
Kuteli), nga ana e Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë të Rumansisë:
“Të pikëlluar Miq! Pas
një perëndimi të ngadalshmë e plot dhembje, u këput midis nesh, veterani Thanas Kantili, një nga
kollonat e gurta të Kolonisë Shqipëtare të Bukureshtit, të cilën e pat nderuar
edhe ndriçuar me zellin dhe veprën e tij. Atdhetar kur s’kish Atdhe, Shqipëtar
kur s’kish Shqipëri, luftëtar kur shokët ishin të rrallë, i veneruar plak
Thanas Kantili punoi një jetë të tërë me zell të palodhur, që t’i japë flakë e
gjallëri një ideali të vetëm: liria e Atdheut. Këshilltar, nënëkryetar dhe
kryetar i Kollonisë Shqipëtare, dhe anëtar i saj i pandarë, zëri i tij
tingëlloi rradhë pas rradhe, në të gjitha mbledhjet kombëtare, të mbajtura në
Bukuresht dhe gjetkë.
Edhe Kongresi Kombëtar
i Trieshtës, e dëgjoi zërin e tij
sulmonjës me fjalë të arta, i cili u jepte gjallëri ndjenjave. Thanas Kantili,
ushtar i thjeshtë i detyrës, ka qenë kurdoherë edhe një nga përkrahësit e pakursyer
të intelektualëve shqiptarë, të cilët kanë shkelur tokën e këtij vëndi
liriprurës. Për shërbimet e çmuara,
të sjella çështjes kombëtare, Shoqëria e Studentëve Shqipëtarë i shfaq
homazhin e saj, duke u zotuar të shkelë pas gjurmave të dukshme që la prapa
tij. I qoftë e lehtë toka e mërgimit!”.
Thanas Kantilit dhe Kisha Shqiptare e Bukureshtit
Sipas Lasgush Poradecit, festa
më e madhe e Kolonisë dhe kishës shqipe të Bukureshtit ishte 28 Nëntori: Dita e Flamurit dhe Shën Gjergji: Emri i Gjergj Kastriotit. Këto kremtime bëheshin me
bujën dhe madhështinë më të madhe, duke e ftuar në Seli të Kolonisë dhe në
kishë autoritetet dhe personalitetet më të larta të vëndit, me mbretin në krye
të të gjithëve. Ftoheshin dhe përfaqësitë e huaja, ambasadorët, ministrat,
konsujt, të cilët në atë atmosferë ngazëllonjëse të botës shqiptare i jepnin
kishës dhe festës një madhëri dhe një madhështi të rrallë.
Kisha qe e mbushur përplot, dhe tri të katërtat e të
pranishmëve rinin nga mungesa e vëndit jashtë në obor, bukur të rrethuar dhe të
stolisur për atë festë. Aty jashtë në obor, më të djathtën e hyrjes kryesore të
Kishës qëndronte i vendosur me shkëlqim flamuri i Kollonisë, i cili ishte më i
madhi dhe më i bukuri nga gjithë flamuret e shoqërive dhe organizatave të Bukureshtit që kishin
flamur. Flamuri i Kolonisë shqiptare ishte i kuq me shkabën dykrerëshe në mes,
qe bërë prej mëndafshi të qëndisur rreth-e-përqark me bufka të arta dhe kishte
më një anë dy esharpa, njëra e kuqe, tjetra e zezë, të cilat mvareshin me
hijeshi prej majës së shtizës gjer përposh. Shumë i rëndë ishte flamuri dhe nga
ky shkak e mbanin përherë dy veta, njëri tosk, tjetri gegë, të mveshur secili
burrërisht me robet e tyre kombëtare.
Kurse kjo ishte pamja e përjashtme e kishës nër festat më
të mbëdha të saj (28 Nëntor dhe Shën Gjergj), përbrenda ajo shkëlqente
nga uniformat dhe robat e zyrtarëve, po më shumë nga fryma shqiptare që frynte
në zemra. Dhe pas Te-deumit të
shërbyer në gjuhën e ëmbël nënore, vinte fjalimi i parë i rastit i mbajtur prej
një personaliteti nga më të lartët e vëndit, i pasuar prej fjalimesh të
shqiptarëve, të cilat kurdoherë më çdo festë, kurorëzoheshin në fund prej
veteranit të madh Thanas Kantili, të zjarrtit, të flaktit, të djegurit dhe të
zhuriturit luftëtar të Kolonisë në Rumani. Ky me gjith natyrën e tij zakonisht
hijerëndë, kur fliste në kishë në këto festa kombëtare nuk e përmbante dot
veten nga mallëngjimi gjer në mbarim të fjalës, po i shpërthenin lotët mu në
mes duke e përfunduar pastaj me fjalët e papritura: Rrofsh moj rrofsh! Ti do të rrosh e do të jesh moj Shqipëri! Dhe
kisha mbaronte kështu në mes të gëzimit dhe të dashurisë, që ish gëzim kombëtar
dhe dashuri kombëtare, dhe anëtarët ktheheshin nëpër vatrat e tyre me shpresën
më të rritur për mëmëdhenë.
![]() |
Korcaret e Bukureshtit me Asdrenin ne mes (1938) |
![]() |
Shoqeria Lira e Bukureshtit, 1918 |