E premte, 26.04.2024, 08:25 PM (GMT+1)

Faleminderit

Nënë Tereza i dhuron medaljonin një myslimani

E merkure, 12.09.2007, 08:14 PM


Nga Mark BRUNGA

Nënë Tereza, bamirësja e madhe shqiptare, ka vizituar qytetin e Durrësit në vitin 1991. Ishte periudhë ndryshimesh të mëdha shoqërore e demokratike dhe, siç ndodh gjatë ndryshimit të stinëve ku të parat janë dallëndyshet që lajmërojnë ngrohjen e motit, edhe Nënë Tereza mund të cilësohet si një ndër dallëndyshet e para që solli pas vetes klimën e ngrohtë të demokracisë. Për qytetarët durrsakë, ardhja e saj ishte një gjë e jashtëzakonshme, madje tej kufijve të imagjinatës. Shfaqja e saj para qytetarëve përjetohej si një mrekulli dhe si mrekulli mbaheshin mend edhe bisedat e shpërndarja e distinktivave me shenjtoren Shën Mëri qytetarëve të thjeshtë, të cilët i takonte në rrugë. Nënë Tereza përzgjodhi qytetin e Durrësit si vendin ku do të ngrinte dhe misionin e parë të motrave të saj, mision që do të ishte porta e hapur e bamirësisë për të varfërit dhe për të pashpresët si në Durrës ashtu dhe në vendbanime të tjera, ku gjurmët e varfërisë së tejskajshme kishin krijuar shtresa të shumta njerëzish në nevojë. Lidhur me vizitën e bërë në Durrës dhe hapjen e këtij misioni, Sabri Cevani, i ndëshkuar gjatë viteve të diktaturës për mospërputhje me rregullat e ekonomisë së centralizuar dhe tendenca drejt ekonomisë së liberalizuar, qe personi që fati e privilegjoi për të shoqëruar Nënë Terezën në Katedralen Katolike të Durrësit ”Shën Luçia”, si dhe në Komitetin Ekzekutiv pluralist e më pas në shëtitjen e saj për të përzgjedhur një banesë të përshtatshme ku do të ngrihej Misioni i Motrave të Nënë Terezës. Pas shëtitjes dhe përzgjedhjes, Nëna e të gjithë shqiptarëve e përcolli deri në banesën ku ai jetonte dhe duke u ndarë me të bamirësja i bëri një dhuratë të pazakontë. Sabriu, që është i besimit mysliman, e falënderoi Nënë Terezën për dhuratën e çmuar dhe i premtoi se dhuratën e saj do ta ruante në shtëpinë e vet si gjë të shtrenjtë duke falënderuar gjithnjë Zotin që i dha rastin fatlum që të takonte Nënën e të gjithëve. Po për çfarë dhurate bëhet fjalë? Dhe më tej, si u njoh Sabriu me Nënë Terezën?

Takimi
 
Ka qenë 5 korriku i vitit 1991, kur Sabri Cevani, ndërsa po shëtiste me familjen e tij në trotuarin përballë xhamisë së madhe të qytetit, pranë i ndaloi një furgon i bardhë, i përdorur. Atij kurrë nuk do t’i shkonte ndër mend se në këtë furgon, me derën e parë të prishur nga ndonjë përplasje, udhëtonte Nënë Tereza. Ai kujton se si nga furgoni zbriti një shtetas i huaj dhe e pyeti nëse ka ndonjë që di gjuhën italiane. Famullitarit italian që e pyeti, Sabriu iu përgjigj se e dinte gjuhën dhe se ishte në dispozicion të tij. Miku e ftoi, duke iu lutur, që të vinte te makina dhe të takonte Nënë Terezën. Sabriut s’i besohej për momentin dhe kur e pa me sy bamirësen e madhe u përkul dhe i puthi duart. Më pas, kur e mori veten pas një hutimi të shkurtër, ai e ndihmoi misionaren e shenjtë që të gjente rrugën për te Katedralja katolike “Shën Luçia”, e cila sapo kishte filluar të restaurohej. Te dera e kishës, Nënë Terezën e rrethuan banorë të të gjitha moshave, duke përfshirë pleq e fëmijë, të cilët ajo i takonte të gjithë. Sabriut i ka mbetur e ngulitur në kujtesë ajo dritë e zjarrtë shprese që vezullonte në sytë e të gjithëve gjatë këtij takimi tepër të rrallë. Në këtë takim, Nënë Tereza shoqërohej nga monsinjori si dhe tri motra nga të cilat dy indiane dhe një spanjolle, spanjollja quhej Paola dhe ngiste makinën.

Misioni
 
Nënë Tereza pasi pa kishën, iu drejtua Sabriut se ajo kërkonte të gjente një banesë për motrat e saj që do të ushtronin veprimtarinë në Durrës. Sabriu i rekomandoi të kërkonin Mark Demën, ish-prift, i burgosur politik, që mbante në atë kohë çelësat e kishës, por ajo kërkoi që të shkonin më parë në Komitetin Ekzekutiv Pluralist për të parë se ç’mund të siguronin ata. Në Komitet, - kujton Sabriu, - nuk gjetëm as kryetarin Fatmir Minguli dhe as zëvendëskryetarin Agron Fishta. Sekretari Bilbil Bardhi bisedoi me të në anglisht. Nënë Tereza i kumtoi se kishte autorizim nga Kryeministri i atëhershëm Ylli Bufi për t’i siguruar strehimin për motrat. Me kërkesën e Nënë Terezës, ekipi u fut nëpër lagjet e qytetit dhe më pas ndoqi rrugën e bregdetit drejt Currilave, ku i pëlqeu një vilë, e cila për shumë vite me radhë kishte qenë rezidenca e sekretarëve rajonalë të Partisë së Punës. Më vonë, kjo banesë iu dha sipas kërkesës së paraqitur dhe shërbeu për mjaft vite si qendër e Misionit të Motrave të Nënë Terezës.

Dhurata
 
Sabriu kujton se si Nënë Tereza, pasi shëtiti Durrësin nën drejtimin e tij, i tha: ”Tani na udhëhiq drejt shtëpisë tënde”. Pasi e çoi te shtëpia, ajo qëndroi pak, pasi qe shumë e lodhur, nuk pranoi të pinte kafe, por i dha një dhuratë tepër të çmuar, të cilën Sabriu e ruan si një kujtim të veçantë e të rrallë. Në çastin e ndarjes, - kujton ai, - Nënë Tereza nxori nga gjiri i saj medaljonin me figurën e Shën Mërisë dhe më tha: ”Kjo është e imja, personale, por po ta dhuroj ty”. Sabriu thotë se pas kësaj dhurate e falënderoi duke i thënë: “Megjithëse i përkas besimit mysliman, ne e njohim krishtërimin, njohim Librin e Shenjtë, Ungjillin, njohim dhe besojmë Krishtin si i dërguar i Perëndisë, besojmë në virgjërinë e Shën Mërisë, pra këtë dhuratë do ta ruaj në shtëpinë time si gjënë më të çmuar”. Pastaj shton: ”Falënderoj Zotin që më dha rastin fatlum për të takuar Atë, Nënën e të gjithëve!” Në prag të ndarjes, Nënë Tereza e përqafoi Sabriun, ia mori të dyja duart në duart e saj të ngrohta dhe ia afroi te buzët. Sabriu kujton: “M’i mori të dyja duart, m’i puthi dhe më tha tri herë: “Të bekoftë Zoti!” Edhe ai ia puthi me respekt duart Nënës së madhe, shenjtores së ardhshme dhe, duke u lutur, u nda nga ajo...
“Kur Nënë Tereza ndërroi jetë, ndjeva një dhimbje të madhe në shpirt. Që atë ditë, i jam lutur Zotit që Ajo të prehet e qetë në Parajsë. Ajo i përket të gjithë njerëzimit dhe jo vetëm komunitetit të krishterë”, - thotë ai.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora