E premte, 26.04.2024, 06:10 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

“Klonimi”, sundimi dhe “fluturimi” i mbretit Zog në arrati

E marte, 11.09.2007, 09:18 PM


Historia ashtu siç është: Ahmet Zogu u bë mbret me Dekret Parlamentar e jo me trashëgimi familjare

Çurçill bllokoi Zogun të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri, mbasi i bëhej presion nga Greqia e Jugosllavia

Përparim HALILI

Në datën 1 Shtator 1928, në orën 9 e 14 minuta të mëngjesit, u shfuqizua emërtesa: “Shqipëria Republikë” dhe u dekretua emërtesa: “Shqipëria Monarki”, ligjëruar nga Asambleja Kushtetuese e cila kishte dalë nga zgjedhjet e dekretuara të datës 17 Gusht 1928, në raportin votues: 15 mijë frymë për çdo asambleist dhe 7500 frymë për çdo fraksion, ndarë në bazë prefekturash

Mbretit Zog, megjithëse e braktisi vendin në 7 prill 1939, iu përgatit një takim në rezidencën e tij në Londër, me një titullar të “Foreing Office, i cili e pyeti Ahmet Zogun, nëse ishte i gatshëm për t’u nisur drejt Shqipërisë, për të organizuar një ushtri me vullnetarë shqiptarë kundër qeverisë së Enver Hoxhës dhe ai u përgjigj, se ishte gati, madje sa më shpejt

E ëma e Ahmet Zogut, Sadije Toptani, kërkoi që Ahmeti të shkonte me studime në Stamboll, mbasi kështu do të bëhej më i ditur e më i zoti, për të drejtuar burrat e për të zgjidhur problemet e zonës, duke thënë: “Do ta çoj në shkollë që të mësojë e të jetë i zoti, të bëhet trashëgimtar dhe i pari juaj, dhe kur të kthehet të dëftoj me vepra, se është në gjendje të mbajë e të respektoj besën që ju i keni dhënë derës së Zogollëve

Viti 1908 shënoi vdekjen në moshën 41 vjeçare të Xhemal Pashë Zogut, babait të Ahmet Zogut, i njohur si një nga prijësit e krahinës së Matit. Pas kësaj, bara e shtëpisë dhe e fisit i mbeti nënës së Ahmetit. E gjithë kjo, u kuvendua në “Kuvendin e Pleqënisë” së Matit. Pasi Sadije Zogut(Toptanit), iu besua vazhdimi i drejtimit të kullës së zogollëve, në kuvend u diskutua dhe një problem tjetër, që lidhej me të ardhmen e trashëgimtarit të zogollëve, Ahmetit:

1. Ahmet Zogu, pavarësisht moshës së re, të qëndronte në Mat dhe të shpallej Prijës i Fiseve të Matit, për t’i drejtuar ata në kuvendet dhe rrugën e tyre.

2. Sadija e ëma e tij, kërkoi që Ahmeti të shkonte me studime në Stamboll, mbasi kështu do të bëhej më i ditur e më i zoti, për të drejtuar burrat e zonës dhe për të zgjidhur problemet e zonës.

Problemi i parë u zgjidh. Ndërsa për problemin e shkollimit të Ahmet Zogut, trashgimtarit të zogollëve, pati debate të ashpra. Sadija, këmbënguli deri në grindje me burrat e Matit, duke mos u tërhequr nga vendimi i saj për shkollimin e djalit. Edhe kuvendi i pleqënisë, u nda në dy pjesë, ku njera kërkonte qëndrimin e Zogut në Mat, ndërsa tjetra që ai të shkonte me studime. Debati ishte tepër i ashpër, aq sa po të mos ndërhynte Sadije Toptani në dhomën ku mbahej Kuvendi i Pleqënisë, do të kishte ndodhur edhe gjakderdhje. Ajo, duke kërkuar zbutjen e gjakrave, tha se, djali është i ri. Do ta çoj në shkollë që të mësoj e të jetë i zoti të bëhet trashëgimtar dhe i pari juaj. Kur të kthehet, ai do të dëftoj me vepra, se është në gjendje të mbajë e të respektoj besën që ju i keni dhënë derës së Zogollëve. Kuvendi i Pleqënisë, dëgjoi fjalët e saj dhe miratoi nisjen e Ahmet Zogut me studime.

Ja kush e ka firmosur Mbretërinë e Zogut

Fillimisht pushteti i monarkut të zgjedhur, Ahmet Zogut, nisi dhe vazhdoi për më pak se 4 vjet, si “Republikë e Shqipërisë”, duke patur atë kryeministër, të rikthyer në pushtet pas rrëzimit të qeverisjes “stinore” të Nolit. Kjo formë qeverisje e Shqipërisë, megjithëse u konsiderua e “suksesshme”, u interpretua si “jo funksionale për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit”, që ndodhej në prapambetje të theksuar. Ndaj dhe duhej zvendësuar menjëherë, me një formë tjetër regjimi. Zërat për këtë ndryshim, fillimisht dolën nga zyrat e qeverisë, përballë të cilave, Ahmet Zogu mbante qëndrim prej aleati të “heshtur”. Sipas shtypit të kohës, brenda e jashtë vendit, ideja e kthimit të Shqipërisë në Mbretëri, ishte projektuar nga Zogu. Nga një marrëveshje që ai pati, me një grup ansambleistësh, u hodh propozimi për të realizuar drejtimin e vendit me Monarki. Pas kundërshtimesh, ky propozim u paraqit në parlamentin shqiptar të asaj kohe, me këmbënguljen, që t’i jepej fund qeverisjes me “Republikë”. Deri në Shtator 1928, Shqipëria kishte një Ansamble Kushtetuese, që vendoste pa asnjë revokim, për ndryshimet e mëdha në jetën e vendit. Pikërisht kjo ansamble, trajtoi edhe ndryshimin e formës së regjimit zyrtar, duke punuar për hartimin e dokumentacionit dhe marrjen e vendimit për shpalljen e Shqipërisë, Mbretëri. Pas fazës përgatitore, parlamenti u mblodh në seancë të posaçme. Në datën 1 Shtator 1928, në orën 9 e 14 minuta të mëngjesit, u shfuqizua emërtesa: “Shqipëria Republikë” dhe u dekretua emërtesa: “Shqipëria Monarki”. Këtë akt e ligjëroi Asambleja Kushtetuese. Kjo asamble e dalë nga zgjedhjet e dekretuara të datës 17 Gusht 1928, në raportin votues 15 mijë frymë për çdo asambleist dhe 7500 frymë për çdo fraksion, përbëhej në bazë prefekturash, nga asamblesitë përkatës, llogaritur numerikisht, sipas ndarjes gjeografike të vendit, si më poshtë:

Prefektura Durrës:

Zija Toptani, Shazivar Alltuni, Seit Toptani, Vasil Rusi, Rexhep Matja, Isuf Gjinali.

Prefektura Elbasan:

Shefqet Vërlaci, Hasan Biçakçiu, Andon Beça, Ahmet Hastopulli, Hajdar Blloshmi, Riza Kishta.

Prefektura Korçë:

Pandeli Evangjeli, Kostaq Kotta, Bexhet Frashëri, Llambi Bimbli, Kristaq Kosturi, Syrja Pojani, Sulejman Starova, Haki Mborrja, Xhaferr Ypi.

Prefektura Berat:

Sami Vrioni, Ferit Vokopola, Spiro Papa, Vehip Sevrani, Hysni Toska, Hamit Myftiu, Milto Tutulani.

Prefektura Dibër:

Xhelal Zogu, Abdurrahman Dibra, Hafëz Xhemali, Abdurrahman Saliu, Kol Mjeda, Fiqiri Rusi.

Prefektura Gjirokastër:

Hiqmet Delvina, Haver Hurshidi, Fejzi Alizoti, Kasëm Radovicka, Petro Pogaj, Mihal Kaso, Thoma Papapano, Harallamb Papadhopuli, Petro Harito.

Prefektura Shkodër:

Musa Juka, Engjëll Sereqi, Ndrek Kiçi, Maliq Bushati, Jak Koçi, Mark Kapedani, Lec Deda, Halit Rroji.

Prefektura Kosovë:

Sali Vuçiterna, Bahri Begolli, Hasan Kryeziu.

Prefektura Vlorë:

Ibrahim Xhindi, Dr. Simonilli, Sadik Sashka.

Kabinetet Qeverisëse gjatë 10 vjetëve të Monarkisë

Gjatë 10 vjetëve të Mbretërisë së Ahmet Zogut, janë krijuar 8 kabinete qeverisëse, të përbërë nga emra të njohur.

KABINETI PARË

U krijua në datën 5 shtator 1928, me këtë përbërje:

Kostaq Kotta - Kryeministër

Hiqmet Delvina - Ministër Drejtësie

Iljaz Vrioni - Ministër i Jashtëm

Kostaq Kotta - Ministër i Brendshëm

Milto Tutulani - Ministër Finance

Sali Vuçiterni - Ministër i Punëve Botore

Musa Juka - Ministër Bujqësie

Xhaferr Ypi - Ministër Arsimi

Kjo qeveri u shpërnda në datën 13 janar 1929.

KABINETI DYTË

U formua brenda 24 orëve, në 14 janar 1929, me këtë përbërje:

Kostaq Kotta - Kryeministër/Ministër i Brendshëm

Hiqmet Delvina - Ministër Drejtësie

Rauf Fico - Ministër i Jashtëm

Milto Tutulani - Ministër Finance

Abdurrahman Dibra - Ministër Arsimi

Salih Vuçiterni - Ministër i Punëve Botore

Musa Juka - Ministër Bujqësie

Kjo qeveri u shpërnda në datën 5 mars 1930.

KABINETI TRETË

U formua në datën 6 mars 1930, me këtë përbërje:

Pandeli Evangjeli - Kryeministër

Vasil Avrami - Ministër Drejtësie

Rauf Fico - Ministër Jashtëm

Musa Juka - Ministër i Brendshëm

Izet Dibra - Ministër i Punëve Botore

Mehdi Frashëri - Ministër Ekonomie

Kjo qeveri u shpërnda në datën 11 prill 1931.

KABINETI KATËRT

U formua më 20 prill 1931, me këtë përbërje:

Pandeli Evangjeli - Kryeministër

Milto Tutulani - Ministër Drejtësie

Hysen Vrioni - Ministër i Jashtëm

Musa Juka - Ministër i Brendshëm

Lame Kareco - Ministër Finance

Hil Mosi - Ministër Arsimi

Izet Dibra - Ministër i Punëve Botore

Seit Toptani - Ministër Ekonomie

Kjo qeveri u shpërnda në datën 7 dhjetor 1932.

KABINETI PESTË

U formua në 11 janar 1933, me këtë përbërje:

Pandeli Evangjeli - Kryeministër

Vasil Avrami - Ministër Drejtësie

Xhafer Vila - Ministër i Jashtëm

Musa Juka - Ministër i Brendshëm

Lame Kareco - Ministër Finance

Hil Mosi - Ministër Arsimi

Izet Dibra - Ministër i Punëve Botore

Seit Toptani - Ministër Ekonomie

Kjo qeveri u shpërnda në 7 dhjetor 1933.

KABINETI GJASHTË

U formua më 11 janar 1934, me këtë përbërje:

Pandeli Evangjeli - Kryeministër

Vasil Avrami - Ministër Drejtësie

Xhafer Vila - Ministër i Jashtëm

Musa Juka - Ministër i Brendshëm

Abdurrahman Dibra - Ministër Finance

Marash Ivanaj - Ministër Arsimi

Sandër Saraçi - Ministër i Punëve Botore

Dhimitër Berati - Ministër Ekonomie

Kjo qeveri u shpërnda në 16 tetor 1935.

KABINETI SHTATË

U formua më 21 tetor 1935, me këtë përbërje:

Mehdi Frashëri - Kryeministër/Ministër Drejtësie

Fuad Asllani - Ministër i Jashtëm

Et’hem Toto - Ministër i Brendshëm

Rrok Gera - Ministër Finance

Nush Bushati - Ministër Arsimi

Ndoc Naraçi - Ministër i Punëve Botore

Dhimitër Berati - Ministër Ekonomie

Ky kabinet u shpërnda në 7 nëntor 1936

KABINETI TETË

U formua më 9 nëntor 1936, me këtë përbërje:

Kostaq Kotta - Kryeministër

Thoma Orrlloga - Ministër Drejtësie

Eqerem Libohova - Ministër I Jashtëm

Musa Juka - Ministër i Brendshëm

Kolë Thaçi - Ministër Finance

Faik Shatku - Ministër Arsimi

Kostaq Kota - Ministër i Punëve Botore

Terenc Toçi - Ministër Ekonomie

Kjo qeveri vazhdoi punën deri në pushtimin e vendit, shoqëruar me ndryshime e zvendësime postesh të disa ministrave


“Fluturimi” i ish-mbretit Zog në vitin 1939, duke lënë pas Shqiëprinë e pushtuar

Ish-mbreti Zog u largua nga Shqipëria dhe faktet tregojnë, se ai ishte (para)përgatitur për këtë ikje, që siç kuptohet, pushtimi fashist ka qënë skemë e shumë kohëve më parë. Po ku shkoi, ku qëndroi dhe ku veproi ish-mbreti i dekretuar i shqiptarëve?

Pas stacionit të parë të qëndrimit të tij në Greqi, akoma pa mbushur vitin pasi kishte lënë Shqipërinë dhe konkretisht në pranverën e vitit 1940, Ahmet Zogu, vendosi të largohej nga qyteti i Bordos. Këtë vendim ia nxiti frika dhe kujdesi, që monarku shqiptar po tregonte për të mos rënë në duart e aleatëve të Italisë fashiste. Kështu pra, Zogu së bashku me pjesën e tij të oborrtarëve besnikë që e shoqëruan në arrati, u largua nga qyteti ku strehohej dhe nisi të vihet në kërkim të një stabilizimi, si ekzilant politik. Paraprakisht i dërgoi një telegram Mbretit të Britanisë së Madhe, Xhorxhit të VI, duke i kërkuar strehim politik. Përgjigja ishte miratuese dhe ish-Mbreti Zog, princesha Geraldinë, trashëgimtari Leka dhe motrat e mbretit, së bashku me të ikur nga vendet e tyre, si francezë, çifutë, italianë, çekë, polakë, rumunë, bullgarë, serbë etj, vazhdoi udhëtimin në drejtim të Londrës.

Çurçilli nuk mbështeti “Projektin e Ahmet Zogut”

Mbërritja e ish-Mbretit Shqiptar, Ahmet Zogu në Londër, u shoqërua me takime të shumta të tij, me mbretër, politikanë e qeveritarë të disa vendeve në mërgim. Pas këtyre takimeve, Zogu u prit në rezidencën qeveritare, nga ish-kryeministri britanik, Çurçill. Sipas dokumenteve, kreu i lartë i qeverisë në Londër, realizoi një seri takimesh, madje të shpeshta me ish-mbretin shqiptar Ahmet Zogu. Në biseda, Ahmet Zogu i prezantoi atij, planet për t’u rikthyer në Shqipëri, duke garantuar të jetë në krye të shumë vullnetarëve luftëtarë, duke synuar të futej nga kufiri i Greqisë. Çurçill nuk ia miratoi projektin, sepse ishte koha, kur Londrës i bëhej presion i fuqishëm nga Greqia dhe Jugosllavia, për të mos mbështetur eksponentë dhe lëvizje të tilla. Kjo e detyroi Çurçillin, që jo vetëm të mos bëhej aleat i projektit të Zogut, por as të mos e njihte “Qeverinë Shqiptare në Mërgim”. Njëherazi, në kundërshtim me qëndrimin e Zogut për çështjen shqiptare, Qeveria Britanike nuk dëshironte të diskutohej, madje as të zihej në gojë problemi i Kosovës. Megjithëkëtë, për të përligjur “ndjenjën kombëtare” (edhe pse i kishte dhuruar Titos Shën Naumin si shkëmbim të rikthimit në pushtet pas puçit kundër Nolit), problemi “Kosovë” mbeti gjoja rivendikim konstant i mbretit Zog në të gjitha takimet me autoritetet e larta të Londrës dhe kjo krijoji premisa, që situata e raporteve të tij me ta të lëkundej.

Mbreti Zog, në vazhdim të demagogjisë së tij, nuk pranoi kompromise për të cënuar kufijtë etnikë shqiptarë. Për këtë, ai u përballë me presione të shumta të bëra prej aleatëve, madje më shpesh prej qeverive në mërgim të Jugosllavisë e Greqisë. Nga ana tjetër, shtypi vendas, për të përligjur presionin greko-serb, shkruante: “Shqiptarët janë bashkuar me Italinë për të pushtuar Greqinë”, kur në fakt ishte e kundërta, mbasi ishte Greqia ajo që kishte shkelur trojet shqiptare në luftë me Italinë. Në atë kohë, situata percipitoi e tillë, që më së fundi as Çurçilli nuk kishte mundësi t’i afronte asnjë hapësirë Zogut, për mbështetjen e planeve të paraqitura. Dokumentet sekrete të Foreing Office, dëshmojnë, se si Mbretit të Serbisë, Pjetrit të II, ashtu dhe mbretit të Greqisë, Georg i II-të, Çurçilli u kishte premtuar “zgjidhje të mira punësh për trojet shqiptare”, duke u garantuar zbatimin e një plani të studiuar e të miratuar, për ndarjen e Shqipërisë mes Greqisë e Jugosllavisë. Fill pas këtyre situatave, mbretit Zog, iu përgatit një takim në rezidencën e tij me një titullar të Foreing Office. Ai e pyeti Ahmet Zogun, nëse ishte i gatshëm për t’u nisur drejt Shqipërisë, për të organizuar një ushtri me vullnetarë shqiptarë. Mbreti Shqiptar, iu përgjigj, se ishte gati dhe madje sa më shpejt të ishte e mundur, duke falenderuar Qeverinë e Londrës për këtë mundësi të krijuar. Pas pranimit, Zogut iu bë e ditur, se të nesërmen në orën 06 të mëgjesit, i vihej në dispozicion një makinë te hyrja e shtëpisë, për ta çuar në aeroport. Dilomati britanik, sqaroi mbretin zog, se koha e shkurtër e përgatitjes për t’u nisur drejt Shqipërisë, kishte lidhje me fshehtësinë e kryerjes së shërbimeve të tilla, të cilat, për arësye sigurie, bëhen të ditura vetëm pak kohë përpara nisjes. Pas disa vonesash të pashpjegueshme, mbreti Zog mëson lajmin, se këtë mision e ka refuzuar Greqia, duke mos pranuar qëndrimin e tij në bazën britanike në Greqi. Kjo pengoi nisjen e misionit të Zogut. Ndërkohë avioni, me të cilin ishte planifikuar udhëtimi i tij drejt Athinës, ishte rrëzuar duke mos shpëtuar asnjë nga pasagjerët.

Një varr për mbretërorët

Edhe pse ish-familja mbretërore “Zog” në vitin 1939 kur Shqiëpria u pushtua dhe ai si “koka” e këtij vendi duhej të mos ia mbathte edhe po të digjej i gjallë, edukata historike, ashtu si me gjithë mbretërit dhe diktatorët e botës, imponon që edhe familja “Zogolli” të ketë një varrezë symbol. Nëna e Mbretit Zog e ka varrin në Tiranë. Eshtë një varr, që për arësye politike mbeti në heshtje për gjithë kohën e viteve të pushtetit komunist. Mbreti Ahmet Zog vdiq jashtë Atdheut dhe atje ndodhet edhe varri i tij. Pas tij, vdiq Nëna Mbretëreshë Geraldinë. Kjo e ka varrin në Shqipëri. Tani vdiq mbretëresha Suzan. Edhe kjo e ka varrin në Shqipëri. Nesër e kështu me rradhë, do të vdesin pasardhës mbretërorë të tjerë të familjes. Varret e tyre janë atje, brenda varrezës publike. Po a duhet të jenë atje? Natyrisht, mendojmë që jo! E themi këtë, jo se zogollët janë më të mirët ndër fiset shqiptarë, por sepse edhe pse të dekretuar, janë ish-mbretërorë të Shqipërisë. Shteti duhet të miratojë një varrezë për ish-familjen mbretërore, madje në një vend që të mund të jetë edhe i mundshëm për t’u vizituar. Sepse duam apo nuk duam, edhe pse e braktisën atdheun në ditën e zezë të pushtimit fashist, ajo familje është pjesë e historisë së këtj vendi. Ashtu siç është duhet shkruar historia. Ndaj themi, se është momenti dhe detyrimi, për të ngritur një varrezë të tillë “muze” të kësaj familjeje. Së pari, varret e ish-Familjes Mbretërore, duhet të mblidhen të gjithë dhe me to të krijohet “Varreza e Familjes Mbretërore ZOGU”. Ne duhet ta respektojmë historinë edhe kështu, siç bota ka vepruar prej vitesh, qoftë edhe pse shumë nga mbretërit e shteteve kanë qënë mizorë.  



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora