E shtune, 27.04.2024, 02:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Stinë e begatë për filmin shqiptar

E hene, 03.09.2007, 06:56 PM


Kanë përfunduar tre filma, pritet dy premiera dhe xhirimet e dy filmave të rinj

Nga Flori Slatina

Teksa yjet e kinematografisë botërore zbresin plot sharm në tapetin e kuq të Venecias (fatkeqësisht edhe këtë vit kinemaja shqiptare nuk merr pjesë), këto ditë në Festivalin e 57-botëror të filmit, regjisori Fatmir Koçi dhe grupi i tij i xhirimit, nën temperatura afër 40 gradë, në Shkodër po punon me ritme të shpejta për t’u dhënë fund xhirimeve të filmit “Koha e kometës”, një skenar i vetë regjisorit, i ndërtuar mbi romanin “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadaresë.
Pas xhirimeve në Maqedoni, Koçi po u jep dorën e fundit këtyre xhirimeve në Shkodër, duke mbyllur kështu një projekt të nisur thuajse pesë vjet më parë. Regjisorit iu desh të përballej me shumë vështirësi, si financiare, ashtu edhe vështirësi të tjera objektive, të cilat më në fund, falë këmbënguljes dhe mbështetjes së fuqishme ndërkombëtare arriti që ky film të mbyllej, nga një staf i madh profesionistësh dhe me në buxhet rekord për filmin shqiptar, mbi 2.5 milionë euro.
Filmi i Fatmir Koçit “Koha e kometës” pritet me shumë interes jo vetëm për këtë fakt, por edhe pasi Koçi ka qenë nga regjisorët e suksesshëm të viteve të fundit, mjaft i lakuar nëpër festivale, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare. Njëherësh ky film që ka bazën nga romani i famshëm i Kadaresë “Viti i mbrapshtë”, i përkthyer në mjaft gjuhë dhe shumë i njohur në arenën ndërkombëtare. Nga ana tjetër për këtë film janë angazhuar edhe mjaft aktorë të huaj, me një karrierë të shkëlqyer ndërkombëtare.
Mendohet që gjithçka të përfundojë në vitin e ardhshëm, për një premierë luksoze e pse jo një ballafaqim ndërkombëtar të suksesshëm. Shpresojmë që ky film të shkelë Kanën apo Venecian e pse jo edhe më lart, deri në SHBA.
“Filmi është një sfidë me të cilën synohet promovimi i vlerave të filmit ballkanik dhe arritja e një prestigji ndërkombëtar në festivale.” Ky ka qenë mesazhi i Alain Midziç, producenti boshnjak i shtëpisë gjermane të produksionit “L.A.R.A Enterprises”, gjatë prezantimit të filmit në Shkup. Regjisori Fatmir Koçi ka përzgjedhur aktorë me famë ndërkombëtare, krahas aktorëve tanë, si Blerim Destanit, aktori i Hollivudit, Ralph Moeller, Masiela Lusha, aktori i njohur maqedonas Vllado Jovanovski, Çun Lajçi, Genti Zenelaj, Xhevdet Jashari, Luan Jaha, Adem Karaga, Marsela Lena, Naomi Valeska, Mendim Murtezi, Sefedin Shabani, etj. Drejtor i fotografisë është irlandezi Donal Gilian (Donal Gillian). Skenografia i është besuar Igor Toshevskit, ndërsa për kostumet kujdeset kostumografja maqedonase Zhaklina Krstevska.
Por për filmin shqiptar duket se kjo stinë ka qenë shumë e suksesshme. Politikat e ndjekura nga QKK, kanë dhënë frytet e tyre. Me buxhetin e kësaj qendre kanë përfunduar xhirimet e filmave “Ne dhe Lenini” me regjisor Saimir Kumbaron dhe “Sekretet e një të çmenduri” nga Spartak Pecani. Të dy filmat janë në fazën e post-produksionit dhe pritet që në fund të vitit të jepen edhe premierat e tyre. Të dy regjisorët kishin kohë që nuk ngjiteshin në sheshin e xhirimit, Kumbaro që nga viti 1991, pas suksesit “Vdekja e kalit”, ndërsa Pecani, nga viti 1994 me filmin e shkurtër “Vazhdojmë me Bethovenin”. Por të dy kanë qenë të pranishëm në film, njëri me dokumentarë, tjetri me telenovela e me biznesin e filmit.
Sipas Pecanit, “Sekretet e një të çmenduri” ka si qëllim të hapë me modesti kutinë e sekreteve të një vendi, duke imagjinuar se çfarë drejtimi mund të marrë gjenerata e ardhshme, duke propozuar nëse jo një zgjidhje, të paktën një lidhje me botën, një vigjilencë dhe përshtatshmërinë e domosdoshme të vetvetes”. Për këtë film ai ka angazhuar një staf të mirë aktorësh, si Neritan Liçaj, Ndriçim Xhepa, Enver Petrovci, Ermela Teli, Burbuqe Çifliku, Eftiola Lsçka, Pandi Toçe, Arta Muçaj. Filmi është njëkohësisht një dramë psikologjike dhe një film alegorik.
Ndërsa filmi “Lenini dhe ne” është një komedi e zezë dhe në vetvete përmban një mori mesazhesh. Ai nuk flet vetëm për ca pleq që janë në një shtëpi të moshuarish, por shtron një problem të madh se çdokush nga ne, të vjetrit më shumë e ju të rinjtë më pak, e kemi brenda një Lenin të vogël si tumor”, thotë Kumbaro.
Edhe ai, për të mishëruar personazhet e tij, sipas skenarit të Pulahës, ka angazhuar një staf me aktorë të shkëlqyer që i kanë dhënë tonin kinematografisë shqiptare ndër vite, si i madhi Robert Ndrenika, Hajrie Rondo, Tinka Kurti, Lazër Filipi, Margarita Xhepa, Elvira Diamanti etj.
Pas premierës, në qershor 2007, të filmit “Mao ce Dun” të Besnik Bishës, në shtator apo tetor, ende nuk e kanë vendosur producentët, pritet edhe premiera e filmit “Një histori provinciale” e regjisorit Artan Minarolli, një film i bazuar në skenarin e Ylljet Aliçkës, ku marrin pjesë aktorë të shkëlqyer, si Robert Ndrenika, Mirush Kabashi, Aleko Prodani, Sheri Mita, Arta Muça, mes tyre edhe violinisti Tedi Papavrami.
Vitin e ardhshëm pritet të fillojnë xhirimet dy filma të tjerë të metrazhit të gjatë, fitues në projeket e QKK për vitin 2006, filmi i Gjergj Xhuvanit, me titull provizor “Pesë biçikleta për në Evropë” dhe filmi “Gjallë” i Artan Minarollit.
Burime nga QKK, thonë se kanë në dispozicion edhe një sasi fondesh shtesë për këtë vit, të cilat do të bëjnë të mundur edhe mbledhjen e radhës së bordit, për të përcaktuar projekte të tjera për filmat e 2008-ës.
Pa llogaritur filmin e animuar dhe dokumentar, edhe në filmin me metrazh të shkurtër, për vitin 2007, u realizuan filmat “Busullka” i regjisorit Bujar Alimani dhe “24 orëshi i një dhjetë mijë lekëshi “ të Redi Trenit, Shqipëria është ndër vendet që prodhon më shumë filma në rajon, dhe ka pasur edhe suksese në arenën ndërkombëtare.
Por gjithsesi duhet që këta filma të kenë edhe një cilësi më të lartë, të jenë me më shumë pretendime, pasi duhet të përfshihen edhe në festivale të dorës së parë, si në Kanë, në Venecia, në Berlin etj, për të mos llogaritur pjesëmarrjen për çmimin “Oscar”.
Nuk është çudi që një ditë ta kemi edhe ne fatin, sikurse vende të tjera të rajonit ballkanik, si Maqedonia, që ka fituar njëherë “Palmën e Artë” me “Para shiut”, apo këtë vit Rumania me filmin e saj. Vetëm pak ditë më parë u mbyll festival i Sarajevës (ne nuk morën pjesë as aty) dhe fitues u shpall një film turk. Kinematografia jonë duhet të luftojë më tepër për këtë ballafaqim, pasi nuk duhet të prodhojë vetëm filma për tregun e brendshëm, që për fat të keq edhe ai le shumë për të dëshiruar, apo filma për statistika, apo për të “rruajtur ndonjë lek”. Filmat tanë nuk e mbyllin asnjë xhiro rreth Shqipërisë në kinematë e pakta dhe për më tepër aty ku ka kinema këta filma kanë shumë pak shikues.
Suksesi i filmit në arenën ndërkombëtare do t’u japë mundësi edhe kineastëve sikurse dhe shikuesve që të përballen me vlera të vërteta të artit kinematografik gjysmëshekullor.

Filmi 2007

- Janë dhënë premierat e filmave: “Busulla” (Bujar Alimani), “24 orët e një dhjetëmijë lekëshi” (Redi Treni), “Butterfly” (Stefan Taçi), “Mao ce Dun” (Besnik Bisha)
- Kanë përfunduar xhirimet: “Ne dhe Lenini”( Saimir Kumbaro), “Sekretet e një të çmenduri” (Spartak Pecani), “Koha e kometës” (Fatmir Koçi)
- Priten premierat e: “Një histori provinciale” (Artan Minarolli) dhe “Trishtimi i zonjës Shnajder”(Piro Milkani)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora