E marte, 29.09.2020, 06:07 AM (GMT+1)

Personalitete

At Zef Pllumit, spitali Gemelli, Romë

E enjte, 30.08.2007, 07:05 PM


Nga Ardian Klosi
 
Padre, ndigjova që ke fillue me ardh ndër mend e me thanë të drejten jam merzitë pak. Ti pate premtue para do vjetsh se ke vendosë me ndejtë i marrë e mos me dekë, për me tregue. Tash po ndij nga miqtë e përbashkët prej Rome se je shtri atje n’Gemelli dhe nuk po ndin ma zanin e marrisë, por veç ate të dekës. A thue mbaruen tregimet? E plotsove krejt testamendin? Asht ba i arsyeshëm, ndigjoj doktorat rreth teje, tash veç serum e oksigjen, asgja tjetër që mund t’i bajë dam. As sytë nuk i lodh ma me ato zhgarravinat e tij, që i ftillonte me nji lupë ma të madhe se vetë letra.
Me thanë ma saktë, të kanë shtri në spital, padre, se t’ishte për ty s’e kishe lanë kurrë gjallë në botë Shqipninë. Po doni me m’kthye në frigorifer, pse s’më leni me dhanë shpirt ktu? ishte ankesa jote e fundit në aeroport para se me t’nisë.

Unë tash as në telefon s’flas dot me ty as privatisht s’të shkruej dot, por po të nis nji letër me gazetë, sepse e di që sa të përmendesh, ke me kërkue të rejat e fundit prej Tirane, e ndoshta po ta lexojnë pak dhe „Shekullin“.

Së pari të rejat këndej. Po çka me të thanë unë padër Zefi? ktu ashtë siç e ke lanë e siç ka me qenë për shumë e shumë vjet. Veç se janë shtue gënjeshtarët e mashtruesit, asnji ndryshim. Ti nuk do me ndigjue rrenat e fundit, apo? Se ku di unë, do vinë kancelare n’tetor, se ministri i energjisë ka shpikë do tec-a me rrota që ecin e ecin pastaj ngulen në Vlorë, se po zbulojnë arin e vjedhun, se kanë gjetë fajtorat e ’97-s, shka me të thanë ma? Grabitsa e mashtruesa kudo. Nandë orë rrymë kam në ditë, kur i kam, e administrata po do me më mbushë mendjen se paskam dymbëdhetë. Nxehtë shumë, padre, zheg i hidhun, thatësinë e tokës e thatësinë e shpirtit, pikë mendimi i mençun e pikë shiu nuk e lag kët atdheun tonë.

Diku pate shkrue se na shqiptarët e kemi marrë atdheun inat. „E morën inat sepse atdheu asht nji andërr, asht nji shpresë e cila duhet të realizojë të gjitha andrrat e njeriut. Ndërsa nën diktaturën komuniste atdheu ishte tirani, atdheu ishte ai që zhdukte çdo andërr, anmiku ma i madh për njeriun. Kësisoj shqiptari fitoi urrejtje për atdheun e vet“. Ky inat jo vetëm që po mban shumë, por po shton përditë veprat e veta mbi këtë çikëz të rruzullit. Kur shef se ç’bajnë shqiptarët me pyjet, bregdetin, lumenjtë, gjelbrimin rreth qyteteve tyne, them se nuk asht thjesht inat, por tërbim e çmendi. S’po t’i them konkretisht se kam frikë mos t’vjen prapë arsyeja sapo që m’u ktheve pak marroq. Por po kam shumë frikë se ka me u plotsue ajo profecia jote: „se si ka me shpëtue Shqipnia e populli shqiptar mendoj se asht nji punë shumë e vështirë. Aq vjet sa janë dashtë me shkatërrue ndërgjegjen njerëzore, familjen, burrnin shqiptare, nuk kanë me mjaftue për me muejt me i vu në vend... Duhet nji rini e ardhshme, jo rinia që vjen, të arrijë me ndreqë damet e mëdha, shkaktue popullit shqiptar në këto vite.“

Ti ma the nji si rrugë shpëtimi, a fillimin e saj, kur folëm herën e mbrame në telefon, në korrik. „Po s’ashtu kta të dy...“. Atë „ashtu“ nuk po e shtjelloj ma tej, se ta marrin për keq, se kanë me u habit që sugjeron mënyra jo fort demokratike e humane nji simbol i humanizmit si ti. Po ty ajo të duel nga thelbi i shpirtit, e unë të dhashë plot të drejte, sepse a ka ndonji rrugë demokratike me shpëtue nga kta të dy e nga ata dymijë që u rrinë pas e i mbajnë fort?

Më fal se u futa në politikë e të mërzita pak, padre. Ti s’ke të bajsh me ta e ata s’kanë të bajnë me ty. Ma e keqja asht, për mue, kur të sillen rrotull, të prekin e të përqafojnë, e duen me marrë pak nga hiri dhe pastërtia jote. Njerëz të përlyem keq me diktaturën dhe diktatorin. Vinë të trokasin në derë, të puthin dorën, të ngjiten nëpër librat që ti shkruen e ikin të gëzuem si me pasë marrë nji indulgjencë prej teje. E ti ua jep me bujari, se ata të gjorë nuk e dini se je i butë si pllumbi i Krishtit, se nuk ke anmiq e se të vjen keq për të gjithë, edhe për persekutorët e tu të njiherit. Kur erdha me të takue në dimën te Kuvendi Françeskan, më thanë se ishe largue për në Berat. Pse? i pyeta. Ka shkue në dasmën e djalit të ish-drejtorit të burgut, më njoftuen.

I përfytyroj padre, kur ti t’kesh ardhë krejt ndër mend, e me arsye t’plotë të kesh shkue tek ai ma i Arsyeshmi, që dhashtë ky i Arsyeshumi me t’i zgjatë ditët e vjetët e marrisë aq sa do ti e sa duem na, si kanë me u mbledhë rreth lëvozhgës së pllumbit (për të cilën shumë thonë se asht skifter), për me derdhë lott e hutinit. Ah, ma mirë mos jem fare atë ditë, padre, në ma të parandsishmen ditë tanden.

Ti që ke ba kaq punë të mira në jetën tande, nji punë nuk e bane të mirë: nuk na i le pesë nxanës, tre, dy, nji që të punojshin, të dinin e të shkruenin si ty. Tek ajo radha e françeskanve të mëdhaj, ku ke shkrue për Fishtën, Gjeçovin, Dodajn, Marlaskajn, Prendushin, Sirdanin, Harapin, Rrotën, Gjokën, Palajn, Kurtin, Demën, Shllakun do kisha mundë me të shtue ty. Pa as ma të voglën droje, se ata i banë nder shkollës e ti u ban nder atyne. Po pastaj? Pastaj vjen nji zbrazti e madhe që nuk di kur ka me u mbushë nëse do t’mbushet ndonjiherë. Nuk po besojnë dot si ti, nuk po e duen Shkodrën e vendin si ti, nuk po e shkruen kush n’ato qela e n’ato shkolla gegnishten si ty. Si iku Martin Camaj në poezi (s’pati kohë as me u ba i marrë, i shkreti) e si po don me na lanë ti në prozë, unë s’di ku do gjindet ajo penë e ajo forcë me vazhdue traditën qindavjeçare.

E di që s’ishte faji yt e s’mund të t’mjaftonin vjetët e pleqnisë për me e ba kët punë, padre. Puna në të vërtetë, ajo puna e mbrapshtë ishte e Partisë. Sepse kosa e saj i ra krejt nji kopshtije, nji shejze me aq yje të rralla, aq keq sa e shqymbi thuejse fare. Ti mbete për kujtesë e për me kapë shekullin e 21 n’emën tyne, nji shekull që ma keq për kët kulturën tonë nuk kish si me fillue.

Ja ku po e mbyll kët letër të dytë për ty në gazetën tonë, më fal që s’pati fort dritë, por ti ke falë shumë ma tepër se kaq. Më fal që përdora edhe gjuhën tande ndoshta dikund me gabime, por edhe ktu mos u shqetëso se kemi teorisiena që m’kastigojn shpejt.

Hajt pra, falë me shndet doktorave e thueju se ka shumë këtu në Shqipni si ata, që të duen përsri marroq.

Miku yt 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora