E premte, 26.04.2024, 11:02 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Kush na ka qeverisur këta 100 vjet

E shtune, 18.08.2007, 10:39 PM


Që nga plaku i Vlorës, Ismail Qemali, e deri tek i sapozgjedhuri Topi

I kemi zgjedhur, na janë imponuar, i kemi sharë, përmbysur, syrgjynosur e harruar, por rrallë, shumë rrallë nderuar

Ato ditë që Bamir Topi ulej në Poltronën Presidenciale, në njërën prej shumë analizave që mbushën gazetat, shkruhej për të, duke e cilësuar si të pestin President të Shqipërisë. I bie telefonit të shkrojtësit, mik i imi dhe i them se e kish gabim, pasi Topi ishte i gjashti, se edhe Zogu kishte qenë për 3 vjet President. Jo m‘u kthye serbes, Zogu ishte mbret, ç‘ne President. Duke mbajtur dufin brenda, u përpoqa t‘i shpjegoja se para se Zogu të bëhej Mbret, kishte qenë President dhe them se ia mbusha mendjen, por biseda më risolli në mend mosnjohjen ulëritëse të historisë së shtetit të tyre nga shqiptarët. Se, kur çuditej një njeri i letrave për punë të Presidencës së Zogut, merre me mend se si e dinë historinë të tjerët. Dhe meqë shkollën, falë Zotit, e kam bërë për inxhinieri, mjeshtëri që të bën racional në të menduar dhe që t‘i bësh gjërat sa më të sistemuara, u ula t‘u sjell këtu një histori të shkurtër të kryetarëve të shtetit shqiptar, që kur e zumë fill atë më 1912-ën, e deri ditën kur e trashëgoi zoti Topi.

Së pari, dua t‘u sjell në mënyrë skematike një ndarje të periudhave të historisë së shtetit tonë, sipas formës së organizimit të tij.

Monarkia e Parë, 1912-1914 Periudha e njohjes së Shqipërisë si Principatë e Pavarur, deri në largimin e Princ Vidit.
Regjenca e Parë, 1920-1925 Periudha nga Kongresi i Lushnjës që rinjohu formën monarkike të shtetit, deri në rrëzimin e qeverisë së Fan Nolit.
Republika e Parë, 1925-1928 Periudha e Republikës së Ahmet Zogut.
Monarkia e Dytë, 1928-1939 Periudha e Mbretërisë së Zogut I.
Monarkia e Tretë, 1939-1943 Periudha e Mbretërisë së Viktor-Emanuelit III, deri në kapitullimin e Italisë.
Regjenca e Dytë, 1943-1944 Regjenca gjatë pushtimit gjerman.
Republika e Dytë, 1946-1990 Periudha nga shpallja e RPSH (RPSSH), deri në shpalljen e pluralizmit politik.
Republika e Tretë, 1991- Periudha nga zgjedhjet e prillit ‘91 e në vazhdim.

Na pëlqen të themi shpesh se shteti shqiptar është një shtet i ri i pakonsoliduar, se shqiptarët nuk kanë eksperiencë shteti e kështu me radhë, po ma do mendja se e bëjmë për të shfajësuar veten dhe siç e kemi zakon, për ta gjetur gjithmonë të keqen tek dikush tjetër dhe jo tek vetja. Shqiptarët edhe përpara shpalljes së pavarësisë, ishin nënshtetas të një shteti, të Perandorisë Osmane pra, shtet në të cilin ata lindnin, bënin shkollën, paguanin taksat, shkonin ushtarë, bënin karrierë, merrnin poste të të gjitha niveleve, shisnin e blinin prona, hapnin gjyqe e kështu me radhë. Nuk ishin fise të egrish në xhunglat e Amazonës a shkretëtirat e Afrikës, që kishin rrojtur lakuriq a të mbuluar me pupla dhe që e zbuluan qytetërimin në shekullin e XX dhe që u falet të mos bëjnë dot shtet edhe sot e kësaj dite, por kishin qenë jetë e mot në mes qytetërimeve më të ndritura të dynjasë. Kështu që, nëse shqiptarët pas 3-400 vjetësh administrate turke dhe 100 vjetësh administrate shqiptare, ende janë gati t‘u nxjerrin sytë njëri-tjetrit dhe nuk pushojnë së bërtituri nga mëngjesi në darkë kundër shtetit të tyre, më thotë mëndja se fajin duhet ta kërkojnë jo te Sulltani i Turqisë apo Mbreti i Italisë, po diku tjetër, mes vendit.

Po le ta lemë këtë rrugë, se nuk i del fundi dhe të kthehemi ku e nisëm. E nisa këtë punë për të thënë se, para vitit 1912, kryetari i shtetit ku bënin pjesë shqiptarët, ishte ca si larg dhe nuk rrinte në Tiranë po në Stamboll. Dhe kur Turqia mori të tatëpjetën, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIX, mes kombeve të Ballkanit, shqiptarët u kujtuan të fundit të bënin diçka për veten e tyre.

Monarkia e Parë, 1912-1914: Periudha e njohjes së Shqipërisë si Principatë e Pavarur deri në largimin e Princ Vidit.

Megjithëse Ismail Qemali zyrtarisht nuk ka qenë kryetar i shtetit, por i qeverisë në ato ditë të krijimit të shtetit shqiptar, ai mbuloi disa prej këtyre funksioneve. Edhe vetë atij i pëlqente kjo gjë, mjaft të kujtojmë që ndër akuzat që i janë bërë, kanë qenë edhe ato për lidhjen e disa marrëveshjeve dhe dhënien e disa koncesioneve që ishin prerogativë e kryetarit të shtetit, kur ky të caktohej përfundimisht. Sidoqoftë, edhe për respekt të veprës së tij, më lejoni ta rreshtoj Ismail Beun në radhën e parë të kësaj liste. Ismail Qemal bej Vlora, pinjoll i një prej familjeve më të mëdha feudale të Jugut, e kaloi jetën duke ushtruar detyra e funksione në administratën e lartë osmane, derisa në pleqëri, pas Luftës së Dytë Ballkanike, u kujtua se mund të ushtronte këto detyra edhe për vendin e vet, që ishte në grahmat e fundit për t‘u coptuar midis fitimtarëve. Ndërmarrja funksionoi dhe Kuvendi i Vlorës mbeti guri i themelit për shtetin shqiptar, që edhe pas gati një shekulli mbetet në tranzicion të përjetshëm. Ismail Qemali dha dorëheqjen në janar të 1914-ës dhe u tërhoq në Itali, ku edhe vdiq në vitin 1919.

Kalojnë dy vjet dhe më në fund, në fillim të vitit 1914, Fuqitë e mëdha përcaktojnë statusin e shtetit të ri ballkanik, si Mbretëri e Trashëgueshme dhe zgjedhin, jo pa kontradikta, mbretin e saj: Princin Vilhelm von Wied, nën emrin Wilhelmi I, Mbret i Shqipërisë. Mbreti Vilhelm I, që u përjetësua në historinë e shqiptarëve me emrin Princ Vidi, pinjoll i një prej familjeve më të vjetra gjermane, ushtarak me profesion, e mori me bindje detyrën si çdo prusian i vërtetë, por nuk pati fat në të. Përballë disiplinës së tij prusiane, dosjeve me ligje e rregulla, pantallonave me vijë dhe frymës perëndimore, shqiptarët vunë Haxhi Qamilin me brekushe dhe me thirrjen "dum Babën".

Është e kuptueshme dhe e njohur si u rrënua gjithçka, midis trishtimit të çdo njeriu me mënd në kokë dhe përpjekjeve të pafrytshme të atyre shqiptarëve patriotë që shihnin të thërrmohej ëndrra e tyre e vjetër, pikërisht në ditët e realizimit të saj. Princi, që ishte i martuar me princeshën Sofia, e cila u bë edhe mbretëresha e parë e shqiptarëve, kishte dy fëmijë, princin trashëgimtar Karl-Viktor dhe princeshën Eleonorë. Pas largimit tragjik nga Shqipëria, Vidi u mobilizua në ushtrinë perandorake gjermane, duke shërbyer në frontin Lindor me gradën e gjeneralit. Gjeneral gjerman them, dhe jo nga këta tanët, që bëhen edhe me tre e katër yje pa e shkrepur një herë dhe pastaj ditën që duhen, ia mbathin nga dritarja.

Regjenca e Parë, 1920-1925: Periudha nga Kongresi i Lushnjës që rinjohu formën monarkike të shtetit, deri në rrëzimin e qeverisë së Fan Nolit.

Me largimin e Princ Vidit nga Durrësi, për Shqipërinë do të vijojnë 6 vite të gjata lufte, kaosi, rrëmuje, pushtimesh, dhe rreziku për zhdukje nga harta e Ballkanit. Hapin vendimtar për t‘i dhënë fund këtij kaosi dhe rreziku që po bëhej real, e ndërmori Kongresi i Lushnjës, me përfaqësues nga e gjithë Shqipëria. Ndër të tjera, Kongresi vendosi që, duke ruajtur regjimin monarkik, deri në kthimin e Princ Vidit ose vendosjen e një Mbreti tjetër, të krijohej një organ regjence, i quajtur Këshilli i Naltë i Regjencës, që përbëhej nga 4 anëtarë, nga një për secilin komunitet fetar të vendit. Ky sistem vijoi të funksiononte, megjithëse me disa dorëheqje apo ndryshime të parakohshme, deri në janar të vitit 1925.

Republika e Parë, 1925-1928: Periudha e Republikës së Ahmet Zogut.

Ditën e Krishtlindjeve të vitit 1924, Ahmet bej Zogolli, në krye të trupave të veta, hyn në Tiranë dhe përmbys qeverinë e Fan Nolit, i cili largohet në mërgim në Itali, për të mos e parë më vendin e tij deri në fund të jetës. Zogu nuk humbet asnjë ditë. Rivendos në fuqi qeverinë legale të rrëzuar në qershor nga Revolucioni i Qershorit, akt ky që u konsiderua si rivendosje e Legalitetit, duke mbetur në histori me këtë term.

Pas kësaj, në janar të vitit të ri 1925, pas mbledhjes së një Asambleje shpallet Republika me Ahmet Zogun si President të saj. Se sa e pavarur ishte Asambleja në vendimin e saj, mjafton të themi se në 62 vota, Zogu mori 60 dhe një abstenim (!). Emri zyrtar i shtetit do të ishte "Republika Shqiptare" dhe Zogu "Kryetar i Republikës", duke i bërë edhe një ndryshim mbiemrit të vet, nga trajta turke Zogolli (shkurtim i Zog‘oglu) në Zogu. Gjithashtu, është për t‘u vënë re se termi i përdorur brenda vendit, përgjithësisht ishte "Kryetar" dhe jo "President", duke u përpjekur të përdorte një term të shqipes, në vend të një termi që në mendjen e shqiptarëve ishte i pakuptueshëm. Me shpalljen e Republikës, Zogu u dha fund pretendimeve të Princ Vidit, presionit të fuqive të huaja si edhe përpjekjeve për lëvizje të brendshme nga opozitat e të gjitha llojeve.

Monarkia e Dytë, 1928-1939: Periudha e Mbretërisë së Zogut I.

Republika nuk pati jetë të gjatë. Në gusht të vitit 1928 mblidhet sërish një Asamble Kushtetuese, në dukje me baballarë të kombit, por në fakt dallkaukë pa flamur, që do ta shpallnin edhe sulltan po t‘u kërkohej. Asambleja e shpalli vendin "Mbretnia Shqiptare" dhe Ahmet Zogun Mbret i Shqiptarëve, me emrin Zog I. Kujtoj këtu, se edhe kjo Asamble, votoi pro ndërrimit të regjimit me unanimitet të plotë. Zogu preferoi termin "Mbret i Shqiptarëve" në vend të "Mbret i Shqipërisë", në shenjë rivendikacioni drejt të gjithë shqiptarëve dhe trojeve të tyre edhe jashtë Shqipërisë së atëhershme, duke tërhequr mbi vete kështu edhe zemërimin e Jugosllavisë dhe Greqisë. Në vitin 1938, Zogu martohet me konteshën hungareze Geraldinë Aponyi, e cila mori titullin Mbretëreshë e Shqiptarëve, martesë nga e cila erdhi në jetë, në ditët e fundit të Monarkisë, Princi Trashëgimtar Leka.

Ahmet Zogu, bashkë me Enver Hoxhën, mbeten dy figurat që më së shumti kanë ndikuar në historinë e Shqipërisë së kohëve moderne, duke qenë ende e vështirë të bëhet vlerësimi i ftohtë i rolit të tyre. Zogu vdiq në mërgim në vitin 1961, i mallkuar nga regjimi i atëhershëm i Tiranës, mallkim që e ndjek ende sot, pasi edhe gati dy dekada pas vendosjes së demokracisë në vend, asnjë qeveri nuk është kujtuar të kthejë në vend eshtrat e tij, ndërsa nga ana tjetër, familja dhe oborri të kthyer në Tiranë, duket se janë të interesuar më tepër për gjëra reale si çështja e pronave, sesa për çështje nderi.

Monarkia e Tretë, 1939-1943: Periudha e sundimit të Viktor Emanuelit III, deri në kapitullimin e Italisë.

Më 7 prill të vitit 1939, trupat italiane pushtojnë Shqipërinë. Zogu, me gjithë premtimet për të mbathur opingat, për të dalë malit, e më the të thashë, nuk bëri asnjë rezistencë, duke u tërhequr nëpërmjet Greqisë me gjithë familjen dhe oborrin.

Më 12 prill, pak ditë pas pushtimit, një tjetër Asamble Kushtetuese mblidhet në Tiranë. Janë po ata politikanë dredharakë, që kishin votuar për të gjitha regjimet që u ishin vënë përpara dhe sërish ishin gati të votonin. Asambleja, e cila edhe kjo votoi 100% pro, i ofroi kurorën e Shqipërisë Mbretit të Italisë Viktor Emanueli III, i cili u bë kështu "Mbret i Italisë dhe Shqipërisë dhe Perandor i Etiopisë" dhe bashkëshortja e Tij, Mbretëresha Helena, u bë Mbretëreshë e Shqipërisë. Një dërgatë shqiptare shkoi në Romë për t‘i ofruar Kurorën dhe Mbreti italian e pa mbretërinë që i ofruan, një herë të vetme, gjatë vizitës së bërë në maj të vitit 1941.

Viktor Emanueli III, Mbret i Italisë nga viti 1900 deri më 1946, njeri me kulturë të thellë dhe fitimtar përkrah Antantës në Luftën e Parë Botërore, mbetet ende sot një nga figurat më të debatuara të historisë italiane. Figura e tij u cenua fillimisht nga rezistenca e dobët që i bëri ardhjes në fuqi të Musolinit dhe u godit fort nga qëndrimi jo shumë i denjë që mbajti pas kapitullimit famëkeq të 8 shtatorit 1943. Për sa i përket Shqipërisë, pavarësisht nga investimet dhe ndërtimet e pafund të bëra këtu nga italianët, bashkëkohësit e kujtojnë Viktor Emanuelin të thoshte "nuk e dua atë grumbull gurësh". Edhe këtë Mbret e ndoqi mallkimi i të tjerëve krerë të shtetit shqiptar. Vdiq në mërgim në Egjipt në vitin 1947.

Regjenca e Dytë, 1943-1944: Regjenca gjatë pushtimit gjerman.

Shtator 1943. Italia kapitullon dhe ndërron barrikadë, duke u hedhur në anën e aleatëve. Në Shqipëri hyjnë gjermanët që mbushën boshllëkun e krijuar nga kapitullimi italian dhe, natyrisht që Asambleja e radhës u mblodh për të kthyer timonin në anën tjetër. Asambleja e tetorit të vitit 1943, shpalli rrëzimin e bashkimit të Shqipërisë me Italinë dhe pavarësinë e vendit dhe, meqenëse rrëzoi një Mbret duhej të zgjidhte një tjetër. Për të mos hapur probleme e debate të kota në një situatë krize si ajo e momentit, Asambleja rikrijoi Këshillin e Naltë të Regjencës, i cili do të luante rolin e kryetarit kolektiv të shtetit, deri në caktimin e formës së regjimit pas Lufte, sipas modelit të Këshillit të Naltë të viteve ‘20. Si regjentë u zgjodhën Mehdi Frashëri (bektashi), Lef Nosi (ortodoks), Fuat Dibra (syni) dhe patër Anton Harapi (katolik).

Megjithëse Këshilli do të drejtohej me rotacion tremujor, do thënë se Fuat Dibra ishte vazhdimisht i sëmurë, derisa vdiq në janar të 1944-ës, ndërsa patër Harapi pranoi të merrte pjesë, por jo ta drejtonte Këshillin dhe për rrjedhojë, Mehdi Frashëri gjatë gjithë periudhës deri në fund, qe praktikisht kryetar i shtetit. Në tetor të vitit 1944, në prag të hyrjes së partizanëve në Tiranë, Këshilli i Regjencës dha dorëheqjen dhe u tërhoq drejt Shkodrës. Fati i anëtarëve të tij qe i trishtë. Lef Nosi u kap në Shkodër në dhjetor të atij viti, pas një viti u kap maleve ku qe strehuar edhe patër Anton Harapi dhe të dy u pushkatuan në vitin 1946. Mbijetoi vetëm Mehdi Frashëri, i cili u tërhoq bashkë me gjermanët dhe vdiq në arrati vite më vonë.

Republika e Dytë, 1946-1990: Periudha nga shpallja e RPSH (RPSSH), deri në shpalljen e pluralizmit politik.

Ndërsa në fund të tetorit 1944, në Tiranë Këshilli i Naltë i Regjencës jepte dorëheqjen, po ato ditë në Berat, pushteti komunist merrte format e shtetit të ri, në atë që është quajtur "Mbledhja e Dytë e KANÇ-it" (Këshilli Antifashist Nacional-Çlirimtar). Në këtë mbledhje, ai shpallej si trupë legjislative dhe Kryetari i Kryesisë së tij, si kryetar i përkohshëm i shtetit. Kryetar i Kryesisë së Këshillit të KANÇ-it, u rizgjodh doktor Omer Nishani, që ishte zgjedhur në këtë funksion që në Kongresin e Përmetit, në maj të atij viti. Omer Nishani, gjirokastrit, kishte mbaruar për mjekësi në Vjenë dhe kishte qenë për shumë vjet në emigracion. U kthye në Shqipëri pas pushtimit italian në vitin 1939 dhe pas pak kohe pranoi të merrte detyrën e anëtarit të Këshillit të Shtetit, që e mbajti deri në vitin 1943, për të ndërruar barrikadë dhe kaluar pas kësaj me Lëvizjen Antifashiste.

Pas Çlirimit të vendit, në dhjetor të vitit 1945 u organizuan zgjedhjet e përgjithshme, nga të cilat doli Asambleja Kushtetuese, e cila u mblodh në ditët e para të janarit 1946, me detyrë kryesore legalizimin e pushtetit dhe shtetit të ri. Do thënë që me këtë Asamble vazhdon seria e Asambleve Kushtetuese shqiptare, që gjithmonë ishin mbledhur jo për t‘u bërë ballë sfidave të vendit, por thjesht për të legalizuar sipas dëshirës të fortin e radhës, mbret, diktator a sekretar i parë të ishte ai. Është e tepërt të sqaroj se, edhe kjo Asamble votoi 100% pro. Nejse. Asambleja shpalli Shqipërinë "Republikë Popullore" dhe si kryetar shteti Presidentin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPPSH-së, post në të cilin u rizgjodh Omer Nishani.

Skema e shtetit të zgjedhur, qe ajo sovjetike, ku atje pushteti real ishte në dorë të Sekretarit të Përgjithshëm të PK të BRSS, ndërsa pushteti formal mbahej nga Presidenti i Presidiumit të Sovjetit Suprem të BRSS-së. Vetë Enver Hoxha, zot absolut i vendit për 4 dekada, nuk figuron për asnjë ditë të vetme në krye të shtetit shqiptar, duke ia lënë këtë post thjesht honorifik të tjerëve. Nëse, për një shaka të hidhur të historisë, do të donim ta gjykonim atë sipas ligjve të po asaj kohe, do të ishte e vështirë ta dënonim, pasi firma e tij nuk figuron në asnjë dokument të dalë nga dora e legjislativit, ku ai ishte deputet i thjeshtë, apo e kreut të shtetit, që ai nuk qe asnjë ditë.

Dr. Omer Nishani e mbajti postin deri pak muaj para vdekjes, ndërsa në vend të tij, në gusht 1953, u zgjodh Haxhi Lleshi, duke i bërë edhe një ndryshim të lehtë në titull. Tashmë ai quhej jo më "President i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH-së", por "Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH-së". President a kryetar qoftë, titulli nuk e justifikonte dot gjatësinë e vet me peshën reale gati jo ekzistente. Haxhi Lleshi, me origjinë nga një prej familjeve më të dëgjuara të Dibrës, që në vitin 1942 iu bashkua Lëvizjes Antifashiste, duke krijuar dhe një çetë partizane. Në vitet 1944-1946 kishte qenë ministër i Brendshëm dhe më pas deputet, derisa mori detyrën e kryetarit të shtetit. Edhe atë e ndoqi fati i shumë të tjerëve para tij. Pas vitit 1992, burgoset dhe qëndron në burg deri në vitin 1996, kur lirohet për shkak të moshës dhe sëmundjeve.

Në vitin 1982, Enver Hoxha, që pas spastrimit të grupit të Mehmet Shehut, i kishte hapur rrugën drejt trashëgimisë Ramiz Alisë, deshi ta konsakronte këtë gjë edhe në drejtimin e shtetit. Në nëntor të atij viti, Haxhi Lleshi i le detyrën Ramiz Alisë si kryetar i shtetit, me titullin kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSSH-së. Titullit i qe shtuar edhe një "S", pasi Shqipëria në vitin 1976, ishte bërë përveçse "Republikë Popullore" edhe "Socialiste".

Republika e Tretë, 1991: Periudha nga zgjedhjet e prillit ‘91 e në vazhdim.

Fundi i sistemit sovjetik në Lindje, natyrisht që do të sillte edhe fundin e këtij sistemi në Shqipëri. Ramiz Alia, veçse u përpoq të nxirrte në një breg, që nuk u mor vesh kurrë se cili ishte, anijen e shpartalluar shqiptare, duke u përpjekur të qëndronte në timon dhe duke ndërruar vetëm spaletat. Në prill të vitit 1991, pas zgjedhjeve të para pluraliste, shteti komunist mori fund edhe formalisht. Shqipëria u shpall Republikë, me kryetar shteti Presidentin e Republikës dhe Ramiz Alia u zgjodh President, post që e mbajti për një vit, deri në prill të vitit 1992. Edhe kësaj radhe nuk u thye "tradita" e votimit unanim, duke votuar 100% pro për shpalljen e Republikës, ndërsa më në fund, pas 80 vjetësh të shtetit shqiptar, u votua jo me unanimitet për Presidentin.

Pas tërheqjes së tij nga jeta politike, vetëm pak muaj më pas, Alia iu nënshtrua traditës shqiptare të burgut, për të qëndruar brenda deri në shkurt të vitit 1997, kur "shkatërrimi i shtetit" dhe jo "logjika e shtetit" e bënë të shkonte në shtëpi në moshën 72-vjeçare. E vetmja relike e së shkuarës, që ka kaluar 60 vjetët e fundit të historisë së Shqipërisë në protagonizëm politik, Alia mbetet një arkiv i së shkuarës, por që për zgjedhje personale, shenjat janë se do ta marrë atë me vete në varr.

Ato çka ndodhin pas dorëheqjes së Ramiz Alisë dhe zgjedhjes si President e Sali Berishës, nuk janë faqe të historisë, por pjesë të realitetit ende prezent. Berisha, ish-komunist prej dhjetëra vjetësh, erdhi në fuqi si antikomunist, qeverisi si komunist dhe u përmbys nga trashëgimtarët e komunistëve. Vetëm në Shqipëri mund të jenë të kuptueshme rebuse të tilla! Pas Sali Berishës, vijojnë Presidenca e qetë e Rexhep Mejdanit dhe ajo e trazuar e Alfred Moisiut, i cili nuk arriti të na krijonte precedentin e mandatit të dytë (normal) të një Presidenti.

Pas tij, me një lëvizje në të cilën mbinë të gjithë llojet e ferrishteve, por asnjë filiz morali, në ditët e fundit të muajit që shkoi, në Presidencën shqiptare arriti Bamir Topi. Nuk do folur keq për mjetet, se historia e botës njeh shumë shembuj prijësish që kanë ardhur në fuqi me lloj- lloj mjetesh jo shumë të pastra, por pastaj kanë ditur të ndreqin edhe mëkatin e ardhjes, edhe të qeverisin me paqe e drejtësi popujt e tyre.

Statistika dhe kuriozitete:

Midis kryetarëve të shtetit shqiptar ka 2 të huaj (Princ Vidi dhe Viktor Emanueli III); 4 katolikë, 4 ortodoksë dhe 15 myslimanë e bektashinj; 3 mbretër, 2 pashallarë, 6 presidentë dhe 2 priftërinj.

Në momentin e marrjes së detyrës, më i riu ka qenë Ahmet Zogu, si President, 29 vjeç, ndërsa më i moshuari Ymer pashë Vrioni, 80 vjeç.

Më gjatë në detyrë ka qëndruar Haxhi Lleshi, që për pak muaj nuk arriti të bënte 30 vjetët, ndërsa më i vjetri ende gjallë është Ramiz Alia, sot 82-vjeçar.

Ende nuk është kaluar ylberi për të pasur një femër në krye të shtetit, por kemi pasur 3 mbretëresha, nga të cilat e para iku dhe nuk e pa më Shqipërinë (mbretëresha Sofia), e dyta nuk shkeli asnjë ditë këtu (mbretëresha Helena), dhe e treta iku lehonë për t‘u kthyer e vdekur këtu në pleqërinë e thellë (mbretëresha Geraldinë).

Kemi një të vdekur në detyrë (Fuat Dibra); 6 të burgosur për shkak të detyrës dhe 2 të pushkatuar (Lef Nosi dhe patër Anton Harapi), ndërsa 8 janë përmbysur nga froni, apo shkulur nga poltrona para afatit.

5 kanë vdekur në arrati, vetëm 3 e kanë varrin dhe nderohen në Shqipëri, ndërsa gjithë të tjerët, ose janë varrosur jashtë, ose u ka humbur varri pa nam e nishan.

I kemi vrarë dhe arratisur, i kemi pushkatuar e përmbysur, i kemi sharë e burgosur, u kemi humbur varrin, por gati asnjëherë nuk i kemi nderuar. Dhe kur jemi sjellë kështu me ata që vetë i kemi vënë në krye tonë, merre me mend pastaj se sa mund të duam e nderojmë njëri-tjetrin.

Nr: Emri: Funksioni: Periudha:
1 Ismail Qemal Vlora Kryetar i Qeverisë së Përkohshme Nëntor 1912 - Janar 1914
2 Vilhelmi I Mbret i Shqipërisë Mars 1914 - Shtator 1914
3 Aqif pashë Biçaku, imzot Luigj Bumçi, Mihal Turtulli, Abdi Toptani Këshilli i Naltë i Regjencës Janar 1920 - Dhjetor 1921
4 Ymer pashë Vrioni, Ndoc Pistuli, Refik Toptani, Sotir Peci " Dhjetor 1921 - Dhjetor 1922
5 Xhaferr Ypi, Gjon Çoba, Refik Toptani, Sotir Peci " Dhjetor 1922 - Janar 1925
6 Ahmet Zogu Kryetar i Republikës Shqiptare Janar 1925 - Shtator 1928
7 Zogu I Mbret i Shqiptarëve Shtator 1928 - Prill 1939
8 Viktor Emanueli III Mbret i Shqipërisë Prill 1939 - Tetor 1943
9 Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Fuat Dibra, patër Anton Harapi Këshilli i Naltë i Regjencës Tetor 1943 - Tetor 1944
10 Omer Nishani Kryetar i Këshillit ANÇ Tetor 1944 - Janar 1946
11 Omer Nishani President i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH Janar 1946 - Gusht 1953
12 Haxhi Lleshi Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH (RPSSH) Gusht 1953 - Nëntor 1982
13 Ramiz Alia Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSSH Nëntor 1982 - Prill 1991
14 Ramiz Alia President i Republikës së Shqipërisë Prill 1991 - Prill 1992
15 Sali Berisha " Prill 1992 - Korrik 1997
16 Rexhep Mejdani " Korrik 1997 - Qershor 2002
17 Alfred Moisiu " Qershor 2002 - Korrik 2007
18 Bamir Topi " Korrik 2007 -



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora