E premte, 26.04.2024, 08:42 AM (GMT+1)

Faleminderit

Gjon Neçaj: Jam arbër...

E premte, 29.05.2009, 07:46 PM


JAM ARBËR…

(Në nderim të shkrimtarit Nonda Bulka,në 75 vjetorin e botimit të librit “Kur qan e qesh bilbili”)

Nga Gjon NEÇAJ

“Jam arbër dhe arbëri është gjithmonë i lashtë e është gjithmonë i ri”.Këto fjalë si testament të Nonda Bulkës,shprehin pavdekësinë e tij,duke qënë përherë i ri dhe i pranishëm në historinë e letërsisë shqipe.
Nonda Bulka,shkrimtar dhe personalitet i shquar i arsimit dhe kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar,lindi në Leusë të Përmetit,me 5 mars 1906.Shkollën fillore e kreu në fshat,të mesmen në liceun e Korçës më 1929.Më tej Nonda ndoqi studimet unversitare për drejtësi në Tuluzë të Francës,derisa iu ndërpre bursa dhe u kthye në Shqipëri.
Me 1933 emërohet mësues i gjuhës shqipe dhe frënge në :liceun e Korçës.Me 1937 internohet në Gramsh.Më vonë ai nuk u pajtua me pushtimin dhe përkrahu luftën nacionalçlirimtare.
Pas çlirimit të vendit,Nonda Bulka jep mësime në gjimnazin e Tiranës,shkollën pedagogjike,teknikumin financiar dhe për 17 vjet rresht jep gjuhë dhe letërsi shqipe në shkollën e mesme dhe të lartë të partisë Tiranë.Vitet e fundit emërohet në fakultetin histori-filologji,në degën e frëngjishtes dhe jep historinë e letërsisë frënge dhe kurse frëngjishteje me pedagogë.
Sipas kujtimeve të një ish-nxënësi të tij në teknikumin financiar në Tiranë,në orën e letërsisë ai ishte i pazëvendësueshëm.Ora e mësimit me profesor Nondën kalonte shumë shpejt.Shpesh ai fliste për Mitrush Kutelin dhe thoshte se studimet për ekonomi e bënë shkrimtar të madh.Pra edhe ju,na drejtohej neve,bëhuni ekonomistë të mirë,se do bëheni edhe shkrimtarë të mëdhenj.Sigurisht kjo ishte një nxitje për të studiuar lëndën e letërsisë,kujton ish-nxënësi i tij.
Aktviteti i tij shoqëror është i gjerë.Ai ka marrë pjesë aktive në jetën shoqërore.Ka qënë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimeve Profesionale,anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik,anëtar i Komitetit Drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve e anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë.Nonda Bulka ka qënë një ndër themeluesit e revistës “Hosteni”,bashkëpunëtor dhe anëtar i kolegjiumit.
Në vitet e para pas çlirimit ka qënë bashkëpunëtor i ngushtë i gazetes “Bashkimi”,ku ka shkruar me qindra shkrime aktualiteti me pesudonime të ndryshme,si Vëzhguesi,Gërjepi,Chri-Chri,etj.,etj.
Nonda Bulka ishte për zhvillimin e arsimit e të kulturës  dhe me shkrimet e tij ndikoi në rritjen e ndërgjegjes së kombit.Adhuronte dhe frymëzohej nga Naim Frashëri.Si shkrimtar ka filluar të shkruaj në shtypin periodik të kohës që në vitin 1932,sidomos në revistën “Bota e Re “,”Illyria” dhe “Minerva”,ku botonin krijuesit e tjerë bashkëmoshatarë me Bulkën.Shkrimet i botonte me pseudonimin Chri-Chri,Sti-Sti,etj dhe është përpjekur kurdoherë të demaskojë gjëndjen shoqërore e feudoborgjeze ,siç dëshmojnë edhe veprat e shkruara prej tij.Këtë linjë të gazetarisë letrare e vazhdoi edhe pas çlirimit në gazetën “Bashkimi”,në revistën “Hosteni” dhe në gazeta e revista të tjera të kohës.Tematika e këtyre shkrimeve ishte lufta e së resë kundër së vjetrës.
Duke patur si moto në krijimtarinë e tij një thënie të shkruar dhe botuar që në vitin 1932,Nonda Bulka letërsinë e cilësonte shprehje dhe pasqyrë të gjallë,të thellë dhe të vërtetë të ambientit shoqëror.Si libra më vete ai ka një trashëgimi me vlera,si : Kur qan e qesh bilbili,1964,në dy botime,Skica  dhe tregime,1950,Vargje satirike,1951,Në dritën e yllit,poezi,1952,Soditje,poezi e prozë,1957,Kur qante e qeshte bilbili,1962,Bij të shkrepit,poezi,1963,Fabula,prozë,1965,Maska të çjerra,prozë ,1966,Legjenda e një fisi,prozë poetike,1966.
Letrarët përparimtarë të viteve tridhjetë,në veprat e tyre pasqyruan realitetin e asaj kohe.Nonda me brezin e shkrimtarëve të atyre viteve,arriti në konkluzionin në shkrimet e tyre patriotike,se kombëtarja buron jo vetëm nga e kaluara,nga tradita,nga fryma patriotike e rilindjes,por edhe nga e sotmja,nga problemet e mëdha shoqërore.Te ky brez,siç shprehet shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi,ishte krejt e natyrshme të shfaqeshin disa tipare të reja me brendinë e kombëtares,sepse shkrimtarët e rinj të viteve tridhjetë,një pozicion i tillë i çonte ata ta vërtetonin çështjen kombëtare jo si tabu,por si një proces në zhvillim.Letërsia,shkruante Nonda,është shprehja,pasqyra e gjallë,e thellë dhe e vërtetë e ambientit shoqëror.
Nonda Bulka është marrë me përkthime të ndryshme,duke sjellë në shqip disa nga kryeveprat e letërsisë botërore.
Ai goditi me satirë therëse fenomene të kohës në shoqërinë shqiptare.Nonda Bulka me kulturën e tij të gjerë,me zgjuarsinë dhe sensing realist,i shërbeu atdheut të vet gjithë jetën derisa mbylli sytë përgjithmonë me 17 nëntor 1972 në Tiranë.Por vepra që la pas,e bën të pavdekshëm dhe me trashëgiminë letrare mbetet kurdoherë midis nesh.Mendojmë që strukturat përkatëse të shtetit duhet të kujtohen që ky personalitet i shquar i kulturës kombëtare të nderohet dhe vlerësohet ashtu siç e meriton.
E ky shkrim me rastin e 75 vjetorit të botimit të veprës së parë,është një homazh e një kujtesë për patriotin dhe shkrimtarin Nonda Bulka.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora