E premte, 26.04.2024, 04:26 AM (GMT+1)

Mendime

Bardh Rugova: Mburrje shqiptare në katër pamje

E diele, 26.04.2009, 02:39 PM


Bardh Rugova
Bardh Rugova
Mburrje shqiptare në katër pamje

Në botë njerëzit mburren me ndershmërinë e tyre, me shprehitë e punës, me qetësinë individuale dhe me civilizimin. Kosovarët mburren me të tjera veti

Nga Bardh Rugova

Pamja e parë është një kafene e vogël, pak para fajronit. Dritat janë të zbehta dhe tavolinat janë bosh. Të gjitha, përveç njërës, fare në skaj. Aty është ulur një burrë në moshë pak më të shtyrë dhe tymos duhan i vetmuar. Kamerieri ia ndërron taketuken dhe duket më i hareshëm se herë të tjera. Pastaj, burri i vetmuar ngrihet ngadalë-ngadalë, i thotë diçka me zë të ulët kamerierit dhe niset po aq ngadalë-ngadalë drejt derës.

Kamerieri vjen te tavolina jonë.

A e patë, atë njeri?!

Po!

A e njohët, kush ishte?!

Jo!

Këtij njeriu i mjafton të rrijë me ty pesë minuta, e të të mashtrojë, e të t’i marrë, në mos gjë tjetër, dhjetë euro. S’ka më i samës. Aty për aty të bën budalla!

Kush qenka ky!

Babai im!

Kaq tregoi kamerieri dhe vazhdoi me mburrje drejt banakut, ku po e priste cigarja e ndezur që me tymin e saj po krijonte hije në murin e lokalit me drita të zbehta.

Një pikëçuditëse e madhe u shfaq në kokat e bashkëbiseduesve. Kamerieri sapo ishte mburrur se e kishte babanë hajn. Zakonisht, njerëzit përpiqen t’i përshkruajnë prindërit e tyre si të ndershëm, të fortë e të dijshëm. Mirëpo, që dikush mburret se e ka babën hajn e mashtrues, ky qenka një trend i ri në kulturën kosovare.

Pamja e dytë është një shinobus që kalon nëpër qendër të Gjenevës. Në ulëset e prapme, dy gra shqiptare njoftohen për herë të parë. Muhabeti lidhet me shumëçka, para se të arrijë te e pashmangshmja: E ku punon ti!

Gruaja që kishte zërin pakëz më të hollë se tjetra tregon se punon në një supermarket. Pastaj merr pamjen e mburrjes.

Kjo gati se nuk është punë. Veç pare më japin. Vërtet pastruese jam, por ndonjëherë – ‘qy ndonjëherë, shpeshherë – hyj në nevojtore dhe nuk bëj asgjë. Vetëm rri dhe askush nuk më thotë asgjë. Pastaj, kur vjen koha, ia bëj nja dy herë më fshesë vër dhe shkoj në shtëpi. U kënaqa!

E lumja ti, i tha gruaja tjetër me zë pak më të trashë.

Zakonisht, njerëzit mburren me shprehitë e tyre të punës, mburren me aftësinë e tyre për të punuar. Me forcën. Tani, qenka një tjetër trend. Njerëzit po mburren me dembelinë e tyre. Me mospunën.


Pamja e tretë është sheshi në qendër të Prishtinës. Fryn një erë e lehtë, por burra dhe gra enden pa dert nëpër sheshin e granitit. Një burrë me mustaqe takon mikun e vjetër. Pas pyetjeve të zakonshme (qysh je? a po lodhesh?), mustaqoshi vendos t’i binte trup.

Nuk po lodhem, por po nervozohem. E kur nervozohem unë, kurrkush ciu nuk guxon të më bëjë. Më skuqen e më zgurdullohen sytë, më nxihen buzët, një si rrëqethje ma kaplon trupin. Jam në gjendje ta shqyej këdo që më kalon pranë. Të gjithë ma kanë frikën. U them të gjithëve: mos gaboni të më bëni nervoz, se kur nervozohem nuk di pastaj çfarë mund të bëj!

Kaq tha mustaqoshi dhe i lëshoi fytyrës një hije pakëz më të rëndë. Ishte një hije: a po e di ti me kë je duke folur a jo?!

I samës je ti, ia rrahu krahun tjetri.

Burri me mustaqe sapo po e tregonte edhe një trend të ri të mburrjes shqiptare. Po mburrej që është i trentë, i krisur, që ka probleme nervore. Në ndonjë vend tjetër, njerëzit që kanë probleme të tilla do ta konsultonin ndonjë psikiatër. Vetëm në Kosovë, kujtojnë se është virtyt të mos mund të kontrollosh vetveten.


Pamja e katërt është një zyrë e pluhurosur. Dëgjohet zhurma e lehtë e tastierave të kompjuterëve dhe një telefon tutje, atje nga fundi i zyrës. Afër derës, një punëtor i ri merr ca këshilla nga punëdhënësi. Punëdhënësi i thotë se për punën që bënte, do të duhej të ishte pakëz më i gjallë, pakëz më komunikues, më i shkathët me fjalët.

Epo, unë jam malësor, tha punëtori duke e nxjerrë gjoksin përpara me mburrje, për t’ia mbyllur gojën shefit dhe për ta argumentuar ngathtësinë e tij.

Shefi vetëm tundi kokën.

Derisa në të gjithë botën mburren me civilizimin e tyre, shqiptarët vazhdojnë të mburren me primitivizëm. Tjetër është të respektosh traditën, trimërinë e të parëve. Mirëpo, duhet pasur parasysh se në atë traditë të afërt ka shumë pak vend për t’u mburrur me dijen, artin, shkencën, shtetbërjen, biznesin, zhvillimin e teknikës...

Në vend se të ecet përpara, disa njerëz kanë hyrë në trendin e së kaluarës, të mburrjes me të qenit i pashkollë, i palarë, i padijshëm, i pashtet, i paqytetëruar. Kudo në botë njerëzit mburren me nivelin shkencor, me artin, me trashëgiminë në fushën e dijes, por ne mburremi me mosdije dhe moscivilizim.

Kështu, mbyllen katër pamjet e mburrjeve shqiptare. Mburremi që jemi hajna, papunëtorë që i kemi nervat të dobëta dhe që jemi të paqytetëruar.

Në një sistem të tillë vlerash, të krijuar nga sistemi i arsimit, mediumet dhe institucionet kosovare në disa vjet të fundit, ata që janë të ndershëm, punëtorë, të qytetëruar, që mund të kontrollojnë sjelljet e tyre konsiderohen qullashë që nuk i duhen shoqërisë. Vaj shoqëria!

Me fjalë të tjera: Siç thotë edhe ajo motoja olimpike: ndonjëherë, me rëndësi është vetëm të marrësh pjesë!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora