E shtune, 27.04.2024, 12:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Ringjallja e aramaishtes, gjuhës së Krishtit

E shtune, 25.04.2009, 08:20 AM


Iliana Barkil vesh xhinse të ngushta, çizme dhe xhaketë lëkure, e nevojshme për t‘u ruajtur nga i ftohti në malet Kalamon, në veri të Damaskut. I pëlqejnë spektaklet televizive, filmat amerikanë dhe është shumë e dhënë pas notit. Por kjo adoleshente siriane tërhiqet edhe nga diçka tjetër, aramaishtja, gjuha e folur nga Krishti.

15-vjeçarja Iliana është pjesë e një projekti të jashtëzakonshëm për të ruajtur dhe ringjallur gjuhën më të vjetër që ka mbetur ende gjallë. Tingëllon mjaft afër asaj gjuhe që me shumë gjasa flitej në fazat e hershme të krishterimit në Galile, Izraelin e sotëm. "Në Nazaret, ku lindi Krishti, flisnin pak a shumë të njëjtën gjuhë që flasim ne sot të Malula", thotë mësuesi Imad Reihan, një nga personazhet më të rëndësishëm në fshatin e Akademisë së Gjuhës Aramaike, ku studion edhe Iliana Barkil.

Sa për të marrë një shembull, shprehja aq e njohur nga të krishterët e zellshëm: "Eli, Eli, lama sabaçtani" ("Zoti im, Zoti im, përse më harrove"), e thënë nga Krishti ndërsa gjendej i gozhduar mbi kryq, është thënë në gjuhën aramaike.

Tashmë, kjo gjuhë konsiderohet nga UNESCO "e rrezikuar seriozisht", ndërkohë që flitet nga shtatë mijë njerëz në Malula, fshat i dominuar prej katolikëve grekë (melikitë), kishat dhe ritualet e të cilëve u takojnë epokave më të hershme se islami dhe arabishtja. Neo-aramaikishtja, për të përdorur termin e duhur shkencor, flitet edhe nga tetë mijë banorë të tjerë të fshatrave përreth, njëri prej të cilëve popullohet tërësisht nga myslimanë.

Rënia e aramaishtes, e nisur prej kohësh, u përshpejtua ndjeshëm në vitin 1920, kur zona nisi të shtonte lidhjet me rajonin përreth, pasi autoritetet koloniale franceze ndërtuan një rrugë nga Damasku në Alep. Televizioni, interneti dhe largimi i të rinjve drejt qyteteve të mëdha në kërkim të punës, e pakësoi edhe më shumë numrin e folësve të kësaj gjuhe. Ditët e sotme, shumë prej burrave punojnë jashtë fshatrave si shoferë kamionësh frigoriferikë, që kalojnë papushim shkretëtirën drejt Arabisë Saudite. E megjithatë, shumë shenja mbeten edhe sot dhe janë të dukshme: në fshatin Sidnaja, jo shumë larg nga Malula, besimtarët flasin me një theks të fortë aramaik në Kishën e Zonjës Sonë.

Ndërkohë që tani gjërat janë përmirësuar ndjeshëm. "Kur shkoja në shkollë, para tridhjetë vjetësh, nuk na lejohej të flisnim aramaisht", thotë Mukhail Bkheil, nga prapa banakut të dyqanit të suvenireve "Abu Gjergji", në sheshin e Malulas. Dyqani gjendet tamam në pikën ku autobusët lënë turistët e shumtë që vijnë për të vizituar Kishën e Mar Taklës, një martir i hershëm i krishterë. Kisha gjendet në një guvë në shpatin shkëmbor të një kodre. "Tani, falë Presidentit Asad, kemi edhe një institut ku mësohet kjo gjuhë", thotë ai.

Mukhail Bkheil na lexon lutjen e Zotit në aramaisht, por flet shumë lirshëm me miqtë e tij, duke theksuar edhe më tej faktin se është një gjuhë e gjallë dhe në shëndet të plotë, e nuk bëhet fjalë për një gjuhë të ruajtur vetëm në liturgji. Saada Sarhan, administratorja e Akademisë së Gjuhës, e ka mësuar aramaishten që fëmijë dhe e flet më së miri, por tregon se shpesh ndjehet e detyruar të flasë arabisht, kur mes të pranishmëve ka edhe arabishtfolës. "Të bësh të kundërtën, është mungesë edukate", thotë gruaja.

Mund të duket çudi, por shtysën më të fortë aramaishtja e mori nga një film hollivudian: "Pasioni i Krishtit", një film që u shfaq në kinematë botërore në vitin 2004, duke hapur debate të forta, por që për fat të mirë i parapriu Akademisë së Gjuhës Aramaike. E themeluar nga Universitetit i Damaskut, me mbështetjen e qeverisë, ambientet e saj moderne janë kompletuar me kompjuterë, tekste të reja mësimore, një staf mësuesish i përbërë nga gjashtë veta, që u japin mësim 85 studentëve të niveleve të ndryshme.

Elias Taxha është njëri prej nxënësve: ky ish-mësues matematike, i lindur aramaishtfolës, donte të mësonte edhe si ta shkruante këtë gjuhë. "I flas vajzës dhe bashkëshortes sime vetëm në aramaisht, megjithëse ndodh që ime bijë të më përgjigjet në arabisht", shpjegon ish-mësuesi i matematikës. E bija, 25-vjeçarja Miladi, së fundmi është martuar me një burrë që nuk flet aramaisht dhe Taxha trembet se kjo do bëjë që nipërit e tij të mos e mësojnë dot aramaishten.

Ndërkohë që Siria mbetet gjithsesi vend shumë i ndjeshëm politikisht, pa harruar që "arabizmi" qe një prej prioriteteve të politikave edukative të qeverisë, pasi partia Ba‘ath u ngjit në pushtet në vitet gjashtëdhjetë. "Në Siri gjendet një numër i madh minoritetesh: cirkaziatikë, armenë, kurdë e asirianë, kështu që vendimi për të lejuar mësimin e gjuhëve të tjera në shkollat shtetërore merr rëndësi shumë të madhe, thotë mësuesi Imad Reihan. Por qeveria është e interesuar të promovojë zhvillimin e gjuhës aramaike, pasi i ka rrënjët shumë thellë në historinë e Sirisë".

Vëzhguesit thonë se themelimi Akademisë së Aramaishtes tregon për shenja hapjeje nga ana e shtetit. Duke pasur parasysh armiqësinë e fortë mes Sirisë dhe Izraelit, i cili vazhdon të mbajë të pushtuara Lartësitë Golan, nuk është aspak çudi që e vetmja tabelë në aramaisht në Malula- gjuhë me shkronja shumë të ngjashme me hebraishten -gjendet në Akademinë e Aramaishtes. "Ndryshe, njerëzit do mendonin se disa prej ndërtesave janë vendbanime izraelite", tha me shkaka një vizitor nga Damasku.

Ekspertët linguistë janë të mendimit se Siria po vepron shumë mirë duke promovuar këtë pjesë të trashëgimisë së saj. "Aramaishtja aktualisht gëzon shëndet të plotë në Malula", thotë profesor Gofri Kahn, i cili mëson filologji semitike në Universitetin Kembrixh. "Ndërsa dialektet aramaike në Turqi, Irak dhe Iran rrezikojnë shumë të zhduken", shprehet Kahn.

Imad Reihan iu gëzua shumë një vizite të bërë së fundmi nga një ekip i UNESCO-s. Kjo ngjalli shpresa për më shumë fonde, të cilat mund të përdoren për fjalorë të rinj, ku do mund të grumbullohen edhe më shumë fjalë.

Ndërkohë, mësimi vazhdon. Iliana e nisi mësimin në akademi nëntorin e shkuar. "Im atë flet aramaisht, ndërsa ime më jo, duke qenë se është nga Libani, thotë adoleshentja. Unë e flas shumë mirë, por dua ta vazhdoj studimin që ta mësoj sa më rrjedhshëm. Nuk di shumë gjëra mbi gjuhën aramaike. Por di se është shumë e lashtë".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora