E marte, 18.06.2019, 04:56 PM (GMT+1)

Kulturë » Muzikë

Veli Sahiti - Trix

E enjte, 29.04.2004, 07:40 PM


VELI SAHITI: GRUAN E KAM BIONDINË, POR ME ËNDJE IU KËNDOJ ZESHKANEVE

Nga Korab Lecaj

Veli Sahiti
Veliu i këndoi zeshkanes. Kontrast!!! Ai bashkëshorten e ka biondinë. Bashkëshortja e tij e kishte futur në “gjyqin” femëror dhe e pyeste kush është ajo zeshkanja që i ke kënduar? Pas gjithë kësaj “gjykate ushtarake” femërore, Veliu u detyrua t’i këndojë edhe biondinës. Natyrisht me dëshirën e tij. Kurrsesi s’mund të thuash, se nga ai këngëtari që mund të kesh takuar ashtu kalimthi duke drekuar tek Bar Piceria “Syri” në Ferizaj, të të ketë mbetur një imazh i bukur i kësaj dreke. Përkundrazi, aty vetëm ke dëgjuar zërin e tij melankolik. Zëri i tij tash e tri dekada është i njohur tek ajo pjesë e shoqërisë, që të gjithë ne e quajmë elitë. Sigurisht si për çdo këngëtar, festivali i asaj kohe “Rinia këndon” ishte destinacion i përcaktuar i tij. Por, për të arritur aty i duhej shumë punë, ndoshta edhe për ta mposhtur atë ndrojtjen e një djaloshi 20-vjeçar.

Kështu nisi rrugën e vështirë dhe të bukur të artit Veli Sahiti, solisti i rok grupit të famshëm TRIX. Tashmë një baba rreth të pesëdhjetave, me mjekër pak të thinjur, elegant, i veshur me një sako me katrorë, me një palë xhinsa, e sheh të ulur në një qoshe duke shfletuar shtypin dhe duke pirë çaj dreke, në destinacionin e tij të përhershëm - te piceria “Syri” në Ferizaj. Veli Sahiti, për tri dekada me radhë, me shokun më të ngushtë të jetës së tij, kitarën, ka shkrirë në telat e saj tinguj që ia thonë dashurisë dhe që rimojnë shqip.

Pikërisht këta tinguj melankolikë, shumë shpejt u shndërruan në “epidemi”. Pas gjithë kësaj u vërtetua se pas kësaj epidemie, fshihej “virusi” TRIX. Nuk shërohet lehtë, sepse po të dëgjosh këngët e tyre “Dashuria në qershor” apo “Pa ty”, sot do të futesh në “armatën” e fansove, dhe do të jesh nën urdhërat e “komandant” Veli Sahitit.

A thua kush është kjo “ushtri” që komandohet nga Veliu?
Pa dyshim se rinia. Ia vlen të përmendësh emrin “Trix” dhe menjëherë mendja e tyre ikën atje tek vargjet e këngës “Moj zeshkanja ime”. Trix-at sa herë që vijnë në Prishtinë, është mundim që t’i kërkosh nëpër rrugët e kryeqytetit apo në ndonjë kafene. Syri nuk mund t’i shohë edhe në skenë, rrallë... por kur i sheh, ata këndojnë, dhe pas vetes e lënë të eksituar masën dhe ikin atje në qytetin e bukur të tyre - Ferizaj.

Veli Sahiti i këndoi zeshkanes. Kontrast!!! Ai bashkëshorten e ka biondinë. Veliu tregon për bashkëshorten e tij që e kishte futur në “gjyqin” femëror, dhe e pyeste kush është ajo zeshkanja që i ke kënduar?
Pas gjithë kësaj “gjykate ushtarake” femërore, Veliu u detyrua t’i këndojë edhe biondinës. Natyrisht me dëshirën e tij. “Trix”, fenomeni shqiptar i muzikës së lehtë apo si i quajnë edhe ndryshe, mbretër të rokut shqiptar, deri më sot kanë kompletuar një bagazh të madh me albume. Një muaj më parë, këta “Beatëlsa” shqiptarë e pushtuan tregun me albumin e 14 –të të tyre që u titullua: “Engjulli im”. FENOMEN!!!! Mirëpo, kjo nuk do të thotë se ata nuk janë të gatshëm që në një të ardhme të afërt, albumi i 15-të të mos të jetë në rend. Kantautori Veli Sahiti nuk lodhet fare. Gjithmonë ai është i gatshëm të sjellë freski për “konsumuesit” e këngës së tij. Veliu i “Trix-it”, njeriu modest, komunikativ, mikpritës, shpesh i bie qejf për të ngrënë pogaçe, apo të ketë pak kos pas flisë. Atij i pëlqejnë njerëzit modestë dhe urren gënjeshtarët.

Si lindi “legjenda” TRIX?
Pikërisht ishte viti 1973, kur lindi legjenda “TRIX”. Atëbotë ata kanë qenë tre veta. Ishin shokë që nga bangat shkollore. Në fillim grupin e pagëzuan “TRIO”. Këtë emër e mbajtën për dy vjet me radhë, kurse më vonë vetë Veliu spontanisht shkronjën “O” e kishte fshirë me një “X” dhe lindi emri “TRIX”. Atëherë ishin ëndërrat e tyre, fillimi i një karriere. Veliu thotë se nuk mendonin për popullarizim. “Filluam që të lozim me dy kitara, që do ta quaja një prim i karrierës tonë. Filluam të harmonizojmë pikat e fillimit me dy kitara në veprim, kjo ishte një ombrellë e përgjithshme për elementet tona, të cilat figuronin në këngë, ku ishte i pandarë folklori-burimor shqiptar, që e cilësonte çdoherë. Unë si kompozitor që nga ajo kohë, por edhe tani mundohem ta ruaj me një fanatizëm të veçantë folklorin”, thotë Veliu. Ai nuk e mohon se edhe më tej mundohen që të jenë të kuptueshëm për publikun dhe se vit pas viti të ruhen, përpunohen, të modernizohen, por kurrsesi mos të humben si thelb i elementit të folklorit. “Trix”, tashmë prima i këngës së lehtë shqipe. Ata sot njhen si “mbretër” të rokut në çdo cep të shqiptarisë. Veliu nuk e fsheh çelësin e suksesit të tyre. Ai thotë se si çdo grup, që tash e sheh edhe te të rinjtë, por edhe tek ata, nuk ka qenë enigmatik çelësi i suksesit të tyre. Për ta hapë një derë, kantautori Sahiti thotë se duhet ta kesh çelësin dhe gradualisht ajo derë të hapet. Te “Trix”, ky çelës ka qenë gradual dhe me punën e vet grupit ata arritën ta hapin derën, derë kjo që i drejtoi te bota e quajtur karrierë. “Deri më tani, mund të them se është një gjeneratë e tretë, që neve ende na mbanë në skenë. Mbajtja jonë në skenë ishte freskia dhe çdoherë jemi munduar që dhuruesve tanë t’ju servojmë këngë, të cilat me të vërtetë tingëllojnë shqip”, shprehet Sahiti.

Ai edhe tani habitet se si ata ende i dëgjon një gjeneratë e tretë, si bie fjala këngën “Zeshkanja” që është si një identitet i një kohe që “Trix” e ka pasur në të kaluarën, apo siç thotë kantautori një dashuri që ishte në kohën studentore. Këngën “Zeshkanja”, ende të rinjtë e ndiejnë në shpirtin e tyre, natyrisht se edhe e çmojnë. Veli Sahiti ky këngëtar që i këndoi shumë dashurisë, siç duket në këtë këngë ai kishte shprehur dashurinë e tij të “gabuar”. Sot ai bashkëshorten e ka biondinë. KONTRAST!!! Apo edhe ndoshta e ka pasur ndonjë zeshkane në jetën e tij studentore, që ndoshta edhe sot “Në zemër ka një mall” për zeshkanen tashmë të ndaluar. “Bashkëshortja ime është biondinë, dhe gjithsesi më ka shtyrë që ta komponoj dhe këndoj një këngë për biondinat. Se gjithmonë më thoshte “kush ishte ajo zeshkanja që i ke kënduar?” - Ajo ishte një imagjinatë, asgjë nuk ka qenë e vërtetë, dhe shpeshherë mund ta them ndasinë pse këndova një herë për zeshkanen e tani për bionden. Zeshkanja, mund të them se ishte dashuria e asaj kohe”, thotë Veliu, në sytë e të cilit shihet qartë se “zeshkanja” paska ekzistuar dikur. Kënga e parë e grupit “Trix” ishte kënga “Për ty”, një këngë e cila me formimin e Festivalit “Rinia këndon”, iu dha shenjë shumë rok-grupeve të asaj kohe (në vitin 1975), ku për herë të parë Reshat Randobrava si producent i “Radio Prishtinës” në atë kohë, i kishte formuar dhe i kishte marrë në një ansambël. Edhe për shumë grupe të tjera që u plasuan në këtë festival, prima ishte rezoni i atij kompozitori që u kishte dhënë mirënjohje shumë rok-grupeve, jo vetëm “Trix-it”.

“Ëndrra jonë ishte se si të dalim edhe ne në një mënyrë konceptuale. Kjo më shtyri që ta komponoj këngën e parë “Për ty” dhe pas saj ishte kënga “Dashuria në qershor”. Këto janë ato dy këngët e para që u realizuan në vitin 1975, dhe ne ekzekutuam me rok-grupet e atëhershme shqiptare”, thotë Veliu. Ishin shumë rok-grupe të asaj kohe, të cilëve iu bashkangjit edhe legjenda e sotme “Trix”. Si Grupit “MAK” me këngëtarin Agim Misini, tani të ndjerë, “Balada”, grupi “Luniasët” (më herët këta rokerë quheshin “Therandosët” që ishte një grup nga Prizreni dhe mund të them se ishte rok-grupi i parë i shqiptarisë, shprehet Veliu. “Trix” pas vetes ka grumbulluar deri më sot një “karvan” të madh me albume. Deri më tani ata kanë realizuar 14 albume. Por, këtu duhet shtuar se edhe një album në qoftë se e bëjnë do ta bëjnë të mirë. “Trix” asnjëherë nuk ka qenë i varur nga kompozitorët. Tek ata ka qenë ajo përparësia se ata kanë komponuar vetë. Gjithashtu aranzhimet dhe tekstet, por ndonjë prej tyre edhe e kanë huazuar. “Në përgjithësi volumin e këtyre e ka bërë puna graduale dhe sistematike, dhe për atë ne kemi ardhur te një numër ndoshta pak maksimal me 14 albume”, tregon Veliu i Trix-it. Veliu asnjëherë nuk ndiente ndonjë kënaqësi speciale për albumin e vet. Ai gjithmonë i thoshte vetes se është dashur edhe diçka më shumë, kështu që e linte për albumin tjetër. Atij kjo i ka ndodhur gjithmonë, mirëpo ka qenë e suksesshme dhe atë e ka shyrë që të nxjerrë albume të reja.

“Albumi i fundit doli para një muaji dhe titullohej “Engjulli im”. Ky album ka qenë një freski për adhuruesit e “Trix-it” dhe kjo u është dedikuar atyre që janë mësuar të dëgjojnë këngët e këtij grupi me zhanrin e njohur. Në këtë album do të dëgjojnë atë çfarë kërkojnë, duke pasur parasysh edhe një përpunim pak më modern”, përfundon Veli Sahiti.

Veli Sahiti, dikur avanturist
Tekstet e “Trix-it”, tekste dashurie. Veliu në këto tekste ka futur edhe jetën e tij studentore. Natyrisht se meqë i këndon vuajtjes dhe jetës studentore, atëherë jeta studentore ndonjëherë gjendet në kornizat e dashurisë. “Unë them se teksti është ai që mban këngën, e jo kënga tekstin. Melodia pa tekst të mirë vështirë mbijeton”, thotë Veliu. Ai merr shumë tekste të autorëve të ndryshëm, dhe bën një seleksionim të veçantë, derisa të vjen te një tekst që është cilësor. Sa i përket teksteve dhe realitetit, ai thotë se kanë të bëjnë edhe me jetën e tij personale. “Nuk mund të them se të gjitha tekstet i kam huazuar, kam tekste edhe nga jeta ime studentore, ku i kam kënduar ndarjes, bashkimit, dashurisë, zeshkaneve, biondinave…” thotë Sahiti. Përpos këngëve të dashurisë “Trix-i” ka edhe këngë epike, kombëtare, kur ata edhe kanë jetuar atë realitet. Këtu ai veçon vitin 1981. Veli Sahiti është edhe arsimtar i muzikës. Në publik njihet si artist i këndshëm dhe i mirë. Sa është bashkëshort dhe prind i mirë Veliu? “Unë jam baba i katër fëmijëve. Elona, është vajza e madhe që shkon në mjekësi, në vitin e tretë. Pas saj vjen Alba, e cila ka afinitet të muzikës, përndryshe ka marrë pjesë në festivale të ndryshme. Ajo ka kryer shkollën e ulët të muzikës dhe pa ia imponuar ajo ka punuar me dëshirën e vet.

Pas saj vjen Thesari, djali pak më “problem”, të cilit, siç shprehet Veliu, absolutisht nuk i intereson muzika dhe shpesh shkon në kabinetin e babit të tij dhe i thotë: “Boll bre babi më, lëre këtë, hajde dalim pak se e kam marrë topin”. Vogëlushi Thesar, është i regjistruar në shkollën e futbollit në Ferizaj. Ai tani është në klasën e katërt. E fundit “ëmbëlsira” - Fiorela, vajza e vogël e cila sivjet do të këndojë në ndonjë festival. Edhe kjo “ëmbëlsirë” e vogël pritet që të ecë pas hapave të babit të vet. Veliu e ka edhe bashkëshorten Sadijen, me të cilën janë të lumtur në jetën martesore për 15 vjet radhazi. Veliu, ndoshta pak e kishte vështirë ta bënte për vete Sadijen (bashkëshorten), sepse ajo ishte biondinë. Veliu dikur iu këndoi shumë zeshkaneve, e tash ra në “kurthin” e biondinës. Pa dyshim se Veli Sahiti u “detyrua” që të këndojë një këngë edhe për biondinat. “Ferizaji ishte një nyje e veçantë. Celulat e para të dashurisë me bashkëshorten time ishin natyrisht në këtë qytet”, thotë Veliu.

Ai tregon se nuk kishte qenë takimi i tyre me letra siç ndodhte atëherë. Spontanisht kishin filluar në mënyrë shoqërore, dhe gradualisht nga një dashuri e shprehur nga ana e Veliut. “Fjala e parë e imja që ia pata thënë atëherë dashnores, tanimë bashkëshortes sime, ishte romantike: TË DUA (Hahahaha… qeshet). Dhe mund të them se fjalë më të ëmbël se kjo nuk ka”, tregon duke qeshur me të madhe Veliu. Ai tregon edhe për jetën e tij studentore, kur ai ishte vetëm 20-vjeçar. Natyrisht se Veliu si student ishte edhe fytyrë publike, edhe pas gjithë kësaj kishte edhe shqetësime nga ana e femrave. Femrat ndoshta “zeshkanet”, sepse edhe iu këndoi atyre, ato të cilat atëbotë edhe për disa minuta do të kishin dëshirë të jenë në përqafimin e Veliut të rok-grupit “Trix”. “Komplekset tona ishin atëherë kur ne shkuam në Prishtinë si studentë, vinin shumë studentë nga të gjitha anët e Kosovës, aty ka filluar një farë shqetësimi nga adhuruesit dhe adhurueset, mirëpo ne ishim të rinj, edhe ne si çdo i ri realizonim ëndërrat e dashurisë rinore”, nënvizon Sahiti. Atëkohë 20-vjeçari Veli Sahiti, nuk mund të thuash se nuk bënte pjesë në botën e avanturistëve.

“Ti them vetes time se nuk kam qenë avanturist, kam qenë, në njëfarë mënyre në një kohë kam bërë pjesë në botën e avanturistëve. Si student është e pamundur që mos ta kesh një kornizë të avanturës, është e pamundur të largohesh nga ajo. Por unë me gruan time i kemi shtjelluar të gjitha këto dhe nuk kam probleme tani”, tregon Veliu duke pasë frikë se mos e dëgjon bashkëshortja. Tani, thotë ai, nuk ka shumë komplekse të tilla. Ende jeton dhe punon në Ferizaj. Del edhe në kryeqytet çdo tri ditë. Ka adhurues përskaj të cilët i flasin, kanë dëshirë të rrijnë me të. Popullaritetin,Veliu e merr dhe ia lë vetëm formës skenike - prezentimit të tij në skenë. Aty ai mundohet ta ruan veten e tij dhe të jetë ai që është. “Unë kam dëshirë të jem i afërt me publikun”, shprehet Veliu. “Shundi dhe (bërllogu)… Nuk i përkas asaj sfere. Ajo e cila më ngacmon dhe më dhemb mua si kompozitor dhe si këngëtar i një grupi, më dhemb e sotmja, sepse huazimet të cilat merren totalisht nga këngët greke, sllave apo turke…

Është absurde se si një kompozitor mundet ta marrë këngën totale dhe t’ia ofrojë një këngëtari me emër”, shprehet Veliu i brengosur për lulëzimin e kuazivlerave në muzikën shqiptare. “Këtu është paradoksi që i shtynë këta këngëtar të këndojnë këngë të huazuara. Nuk është ana materiale e tyre që ata t’ia ofrojnë një kompozitori që të komponojë një këngë tamam shqip. Ky nuk është modernizim, por është një vlerë e kopjuar nga muzika e huaj, që unë mund të them se kjo shkon në dëm të muzikës shqiptare”, thotë me plot fanatizëm Veliu. Ai thotë se derisa mediat tona i pranojnë këto kuazivlera, derisa të kenë në stafin e tyre njerëz profesionistë që t’i seleksionojnë këto këngë, atëherë, shprehet Veliu, konsumatorë do të kenë edhe në të ardhmen

Pogaqa, ushqimi i preferuar i Veliut
Veli Sahiti, një fanatik i këngës shqipe është “luftëtari” më i madh i shundit dhe kuazivlerës në përgjithësi. “Shundi dhe (bërllogu)… Nuk i përkas asaj sfere. Ajo e cila më ngacmon dhe më dhemb mua si kompozitor dhe si këngëtar i një grupi, më dhemb e sotmja, sepse huazimet të cilat merren totalisht nga këngët greke, sllave apo turke… Është absurde se si një kompozitor mundet ta marrë këngën totale dhe t’ia ofrojë një këngëtari me emër”, shprehet Veliu i brengosur për lulëzimin e kuazivlerave në muzikën shqiptare. “Këtu është paradoksi që i shtynë këta këngëtar të këndojnë këngë të huazuara. Nuk është ana materiale e tyre që ata t’ia ofrojnë një kompozitori që të komponojë një këngë tamam shqip. Ky nuk është modernizim, por është një vlerë e kopjuar nga muzika e huaj, që unë mund të them se kjo shkon në dëm të muzikës shqiptare”, thotë me plot fanatizëm Veliu. Ai thotë se derisa mediat tona i pranojnë këto kuazivlera, derisa të kenë në stafin e tyre njerëz profesionistë që t’i seleksionojnë këto këngë, atëherë, shprehet Veliu, konsumatorë do të kenë edhe në të ardhmen. Ai shpreson se mediat kosovare do ta marrin me seriozitet këtë punë.

Veliu kohën e lirë e kalon në Ferizaj te piceria “Syri”.
“Unë çajin e mëngjesit por edhe makiaton e preferoj këtu te piceria “Syri” në Ferizaj. Këtu e kaloj kohën e lirë”, thotë mjeshtri i muzikës së lehtë Veli Sahiti. Gjersa e sheh të ulur në një qoshe te piceria “Syri”, duke shfletuar shtypin, na lë një përshtypje se Veliu merret me politikë? “Sa i përket politikës nuk merrem me të shumë, shfletoj gazetat dhe më intereson sfera politike, por jo në ombrellën e partive politike. Politikës nuk i besoj shumë”, nënvizon Sahiti. Ai i urren gënjeshtrat, njerëzit të cilët nuk kanë princip në jetë dhe i pëlqen modestia te njerëzit, por më së shumti sinqeriteti. Preferon të dëgjojë muzikë rok botëror me këngëtarët e mirënjohur dhe mbretërit e muzikës rok, Beatels, Elvis Preaslyn, Frek Sinatren, kurse nga ajo shqip ai preferon ta dëgjojë Nexhmije Pagarushën dhe Luan Zhegun. Ushqimin, Veliu, më së shumti e preferon atë të tryezës tonë, fasule, mishoriz, flia, pogaqe dhe më së shumti i pëlqen ajo që në Ferizaj i thonë kërlanat e kallamojta. Nga pijet preferon më së shumti xhusin. Dhe mund të themi se Veliu është konsumuesi më i madh i xhusit. Sa i përket mesazhit për dëgjuesit e “Trix-it” dhe lexuesit e “Fokusit”, ai thotë se mediat në përgjithësi duhet të merren me këngëtarët që janë të larguar nga skena, por që kanë cilësi. Kurse për konsumuesit e muzikës së tij ai thotë se do të jetë në skenë dhe i lidhur shpirtërisht me publikun. Veliu si student ishte edhe fytyrë publike, edhe pas gjithë kësaj kishte edhe shqetësime nga ana e femrave. Femrat ndoshta “zeshkanet”, sepse edhe iu këndoi atyre, ato të cilat atëbotë edhe për disa minuta do të kishin dëshirë të jenë në përqafimin e Veliut të rok-grupit “Trix”.

“Komplekset tona ishin atëherë kur ne shkuam në Prishtinë si studentë, vinin shumë studentë nga të gjitha anët e Kosovës, aty ka filluar një farë shqetësimi nga adhuruesit dhe adhurueset, mirëpo ne ishim të rinj, edhe ne si çdo i ri realizonim ëndërrat e dashurisë rinore”, nënvizon Sahiti.

Profili
Ditëlindja: 15.08.1956
Vendlindja: Ferizaj
Hobi: Sporti, futbolli
Këngëtarët më të preferuar: Beatels, Elvis Presly, Nexhmije Pagarusha, Luan Zhegu.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT