E shtune, 08.08.2020, 07:40 AM (GMT+1)

Aktualitet » Bota

Titanik, rrëfimi i të shpëtuarës së fundit

E shtune, 18.04.2009, 08:29 AM


Millvina Dean ishte një bebe kur familja e saj hipi në bordin e titanikut. Nuk kujton asgjë nga ai udhëtim, nga shpëtimi, apo nga i ati, i cili u fundos bashkë me anijen. Por është gjithsesi një ngjarje që ka patur ndikim të thellë në jetën e 97-vjeçares. Kur ishte vetëm 9-javëshe, Millvina Dean, u ul në një prej varkave të shpëtimit nga kuverta e Titanikut që po fundosej. Sot, ajo shet të fundmit prej sendeve të saj të paharrueshme për të paguar për kujdestaren e shtëpisë.

Pothuajse 100 vjet pasi u fundos nën dallgët e Atlantikut, superanija oqeanike që mendohej e pafundosëshme vazhdon të ketë një mbërthim të fuqishëm mbi imagjinatën tonë. Atë kohë ajo u përshëndet si një triumf i inxhinierisë, ndonëse u gjunjëzua përpara forcave të natyrës që në udhëtimin e saj të parë. Mes 1517 të vdekurve kishte të varfër, të pasur, dhe të tjerë mes këtyre dy shtresave.

Magjepsja është kaq e madhe, saqë kohët e fundit një entuziast i shkroi asaj duke i thënë se ishte gati të paguante 100 sterlina për disa fije floku. Edhe ajo, një veterane e qarkut të konventës së Titanikut që nga viti 1985, është disi e habitur. “Vajzat më prenë disa flokë dhe vendosën një fjongo të kuqe përreth duke më thënë: “Nuk do të dëgjosh më prej tij”, thotë ajo me një buzëqeshje që i pushton të gjithë fytyrën. “Por ai e dërgoi çekun. Unë i shkrova sërish duke i thënë se më kish rikthyer besimin tek besnikëria e njerëzve”.

Kjo anekdotë ka një anë edhe më serioze. Gruaja mezi arrin të paguajë faturat mujore prej afro 3000 sterlina dhe është në rrezik të humbasë dhomën në azilin e pleqve të Sauthemptonit. Dhe kështu, më 18 prill, të fundmit prej sendeve të saj të vyera që i ka si kujtime prej Titanikut do të dalin në ankand, duke përfshirë një çantë që u përdor për të kthyer nga New Yorku sendet që i përkisnin familjes së saj, pasi ajo, e ëma dhe vëllai dyvjeçar u shpëtuan.

“Unë kam një filozofi, nëse duhet të bësh diçka, s’ke ç’bën, duhet ta bësh. Mos kthe kokën pas me zemër të thyer, asnjëherë”, thotë. I njëjti drejtues ankandi është duke shitur një faqore që një tjetër burrë përdori për t’i dhënë qumësht bashkëshortes së tij dhe dy vajzave. Ai baba i devotshëm u kacavor nëpër litarin e një varke shpëtimi përpara se të rikthehej në kuvertë dhe drejt fatit të tij të pashmangshëm.

Vetëdije kolektive

Millvina e di më mirë se çdokush tjetër se sa e madhe është ende magjepsja prej Titanikut. Udhëtimi i saj në vitin 1912 i formësoi në mënyrë të thellë jetën, e megjithatë ajo nuk ka asnjë kujtim prej tij, apo të babait, i cili humbi në ujërat e ftohtë të Atlantikut në atë ditë fatale. Ajo është njëkohësisht pjesë e historisë, por edhe e shkëputur prej saj. E si ka jetuar të gjithë jetën e saj nën hijen e fatkeqësisë më të madhe në historinë e transportit detar? “Unë jam një lloj personi që e trajton çdo gjë ashtu si vjen”, thotë. “Ndoshta nuk është diçka e zakonshme, por unë nuk pyes asnjëherë asgjë për këtë, për mua është thjeshtë diçka që ka ndodhur në të kaluarën. Sigurisht, më ka ndryshuar të gjithë jetën time. Nëse nuk do të fundosej anija, unë do të isha një amerikane që do të bëja një jetë të zakonshme amerikane”.

Dhe ana tjetër e përjetimit të një tragjedie të tillë është se ajo i hapi aventura që përndryshe nuk do t’i kish patur asnjëherë, duke udhëtuar nëpër botë për të folur me entuziastë mbi Titanikun. “Titaniku ka krijuar shanse të mëdha në jetën time. Kam qëndruar në hotelet më të mirë dhe kam takuar kaq shumë njerëz të mrekullueshëm. Nuk do të kisha përjetuar asnjëherë eksperiencat që kam shijuar, si për shembull udhëtimet në Amerikë, Zvicër, Gjermani, Suedi,, Francë”. Millvina ishte tetë vjeç, kur e ëma, Georgetta i kish thënë se babai kishte vdekur në moshën 27-vjeçare në tragjedi dhe ata kishin mbijetuar. Kishte qenë shumë e trallisur për të folur deri në atë kohë. “Nuk ndjeva asnjë lloj emocioni kur ma tha sepse nuk e kisha njohur asnjëherë tim atë”, thotë Millvina. Ndërkohë që Titaniku rrallë diskutohej, Georgetta i kish folur mjaftueshëm me kalimin e viteve për të ndërtuar një panoramë të asaj që kishte ndodhur. Familja i kish hipur anijes në Sauthempton për të nisur një jetë të re në Kansas, atje ku Bertram kish në plan të hapte një sipërmarrje duhani. “Unë besoj tek fati sepse ne nuk duhej që të hipnim fare në Titanik, ne duhej që të shkonim në një anije amerikane”, thotë Millvina.

“Atë kohë pati një grevë qymyri dhe kështu i gjithë qymyri shkoi për Titanikun, pra anija jonë nuk mund të nisej. Dikush i shkroi tim ati dhe i tha nëse dëshironte të shkonte me Titanikun, dhe ky u përgjigj se sigurisht që mendonte se ishte e mrekullueshme”.

Në atë natë fatale, i ati kish dëgjuar një zhurmë dhe ishte ngjitur në kuvertë për të parë. “Ai u kthye dhe tha se anija kishte goditur një ajsberg dhe i tha mamasë që të ngrinte fëmijët nga shtrati dhe të hipnin menjëherë në kuvertë. Mendoj se ishte kjo gjë që na shpëtoi. Ne ishim në klasin e tretë dhe shumë fëmijë që ndodheshin këtu nuk shpëtuan”. Ndërkohë që është e lumtur të kujtojë ngjarjet si ia kanë treguar, Millvina refuzon të shikojë filmin e James Cameronit për fatkeqësinë duke u druajtur se do ta trondiste shumë.

“Ndonëse nuk e njihja tim atë, në fund do të ndihesha shumë e prekur. Do të vrisja mendjen se çfarë i ka ndodhur. Do të lija imagjinatën të rendte me mua, duke menduar se çfarë do të bënte ai”. Ajo beson se kjo tragjedi do të vazhdojë të mbërthejë imagjinatat. Një buzëqeshje ia përshkon sërish fytyrën teksa kujton grupet e shumtë të fëmijëve të shkollave më të cilët ka folur për Titanikun. “Zakonisht qëndroj në mes dhe jam e rrethuar nga fëmijë të vegjël. Nuk më pëlqejnë aspak djemtë e vegjël sepse zakonisht ata dinë më shumë se sa unë”. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora