E premte, 18.10.2019, 11:26 PM (GMT+1)

Komente

Fejzi Hajdari: Presidenti njënacional i shtetit "multietnik"

E marte, 14.04.2009, 06:18 PM


Presidenti njënacional i shtetit "multietnik"

Nga Fejzi Hajdari

Qytetarët e Maqedonisë ose më saktësisht maqedonasit, zgjodhën Presidentin e tyre. Pak a shumë kështu do të mund të komentohej raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni. Praktikisht, shqiptarët pa ndonjë kushtrim partiako-politik, bojkotuan zgjedhjet presidenciale, por jo edhe ato lokale.

Parë nga aspekti i përmbushjes së kritereve për rrjedhën e zgjedhjeve, gjithçka do të dukej normale, por nëse ky cikël zgjedhor shikohet nga aspekti praktiko-pragmatik, në një shtet multietnik siç është (pretendon të jetë) Maqedonia, atëherë gjërat dallojnë shumë. Madje-madje marrin edhe dimension shqetësues dhe me pasoja eventuale të paparashikueshme.

A.

Nëse gjykojmë realisht, mund të thuhet se kreu i shtetit maqedonas, por edhe opozita maqedonase, sikurse shumë herë gjatë cikleve të deritanishme zgjedhore, nuk bënë pothuajse asgjë për të animuar (nxituar) shqiptarët të votojnë njërin nga dy kandidatët presidencialë maqedonas. Retorika e tyre elektorale dhe paraelektorale, kishte harruar pothuajse shqiptarët dhe interesin shqiptar në Maqedoni. Madje, disa prej tyre, nuk kishin harruar vesin e vjetër, atë të shpalosjes së "rrezikut" të Maqedonisë nga shqiptarët. Garuesit presidencial me këtë rast kishin "harruar", se shqiptarët përbëjnë një të tretën e popullatës në Maqedoni. Të sillesh me një komoditet të tillë duke mos marrë parasysh interesin vital kombëtar të shqiptarëve dhe të pretendosh të bëhesh President i atij shteti, ku shqiptarët përbëjnë një të tretën, është më tepër se absurd. Sepse Presidenti duhet të përfaqësojë të gjithë qytetarët, ndërkohë që këtu kemi bojkot total nga ana e shqiptarëve.

Dhe, pikërisht, bojkoti i shqiptarëve, është element i ri në këto zgjedhje. Element i cili jep kurajë dhe dëshmon vetëdijesim politik dhe kombëtar. Sepse, me këtë u dëshmua se shqiptarët nuk bien në grackën e kandidatëve të cilët mendojnë se me një fushatë treditore "proshqiptare" munden ta shkarkojnë nga shpina bagazhin e tyre disavjeçar (madje, disadekadësh) antishqiptar. Sjellja e këtillë e elektoratit shqiptar dëshmon kalim nga një fazë e naivitetit, në një fazë të pjekurisë kolektive politike.

Ku mbetet me këtë rast legjitimiteti i Presidentit, të cilin nuk e votuan shqiptarët (si faktor kyç për ruajtjen e stabilitetit të vendit), por edhe një pjesë e madhe e maqedonasve dhe bashkësive të tjera etnike?. Rrjedhimisht mund të thuhet se Maqedonia gjatë mandatit të ardhshëm do të ketë president njënacional.

B.

Bojkoti shqiptar i zgjedhjeve presidenciale nxori në pah një vetëdije të lartë kolektive shqiptare, e cila deri tani fatkeqësisht, shqiptarëve u kishte munguar: Të njohin interesin shqiptar edhe te politika maqedonase, pa u ndikuar nga faktori politik shqiptar. Ata, në mënyrë civilizuese e të qytetëruar, votuan me përqindje të madhe për zgjedhjet lokale, ku për kryekomunar po garonin kandidatët. Por, shqiptarët me këtë rast nuk shfaqën pothuajse kurrfarë interesi për të votuar kandidatët presidencialë (dy maqedonas). Praktika e deritanishme kishte treguar se shqiptarët kanë ditur të bëhen pengje të apeleve të partive shqiptare për të mbështetur politikanë maqedonas. Të dëshpëruar nga vota e derdhur në arkën e kandidatëve presidencialë maqedonas, shqiptarët kësaj radhe u përcaktuan për bojkot, i cili pothuajse solli buzë greminës rregullshmërinë e zgjedhjes së Presidentit.

C.

Mesazhi nga shqiptarët për bllokun politik maqedonas, pa dallim, kësaj radhe ishte shumë domethënës dhe i qartë. Ciklet e ardhshme zgjedhore presidenciale, nuk mund të realizohen pa shqiptarët, sepse dështimi është evident dhe si rrjedhojë mund të ketë pasoja shumë të dëmshme për Maqedoninë. Imazhi i Maqedonisë për organizimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike, mund të zbehet aq shumë, saqë plotësimi i kritereve për rrugëtimin drejt strukturave euroatlantike, mund të vihet në pikëpyetje. Kandidati për President, qoftë maqedonas apo shqiptar, duhet të reflektojë, zotohet dhe punojë, për të gjithë qytetarët njësoj pa dallim përkatësie etnike. Në një shtet, që pretendon të jetë multietnik, nuk mund të ketë President njënacional, sepse çfarë legjitimiteti dhe ndikimi do të ketë ai te një e treta e popullatës. Ky është problem shumë serioz dhe shqetësues që mund ta injorojnë vetëm politikanët apo krerët shtetërorë, që nuk kanë vizion për të ardhmen e këtij vendi. Pallavrat e Kryeministrit Nikolla Gruevski dhe të tillëve si soji i tij, se në këtë mënyrë po bëjnë politikë dhe po ruajnë rejtingun, mund t‘i kushtojnë shumë, por kam frikë se atëherë do të jetë shumë vonë. E kaluara jonë e hidhur e afërt, më në fund duhet të na shërbejë si leksion. Po nuk e mësuam këtë, vështirë më se do të mund të organizojmë zgjedhje, e lëre më diçka tjetër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT