E shtune, 27.04.2024, 03:21 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Bamir Topi karikaturë e Berishës president

E diele, 12.04.2009, 08:17 PM


Topi - Berisha
Ina Rama karikaturë e Antonio di Pietros, Bamir Topi karikaturë e Berishës president, dhe rimarrja e projektit të Ramiz Alisë për politikën shqiptare me vetëm një parti të madhe

Nga Kastriot Myftaraj

Ina Rama ka në Shqipëri shumë më tepër pushtet se ç’ kishte Antonio Di Pietro në Itali, derisa Di Pietro ishte vetëm një prokuror në Milano (sostituto procuratore, pra vartës i kryeprokurorit të Milanos), ndërsa Ina Rama është Prokurore e Përgjithshme e Shqipërisë. Prandaj Ina Rama ka më shumë shanse të ketë sukses atje ku Di Pietro dështoi. Antonio Di Pietro, siç e tregoi veten më pas publikisht dhe zyrtarisht, ishte një i majtë fanatik, i cili e përdorte pushtetin që i jepte posti i tij si prokuror, për të bërë një përmbysje politike në Itali, duke goditur në mënyrë selektive partitë rivale të partisë komuniste dhe të aleatëve të saj, në mënyrë që partia komuniste që kishte ndryshuar emrin, të mbetej e vetmja parti e madhe në Itali, ashtu që të mund të vinte në pushtet dhe ta mbante gjatë atë.
Antonio Di Pietro dhe i ashtuquajturi pool mani puliti i Prokurorisë së Milanos ia arritën së parës, pra që praktikisht të eliminojnë partitë rivale të partisë komuniste dhe në radhë të parë Partinë Demokristiane dhe Partinë Socialiste. Di Pietro dhe i ashtuquajturi pool mani puliti u bë krahu i armatosur i ish-partisë komuniste italiane (tashmë Partia Demokratike e së Majtës) në organin e akuzës publike. Zgjedhjet e vitit 1994 në Itali do të shënonin triumfin e së majtës ish-komuniste, e cila do të mbetej e vetmja parti e madhe në Itali, rreth së cilës do të orbitonin partitë e tjera. Planet e Di Pietros dhe të eprorëve të tij në të majtën ish-komuniste u prishën nga fakti se, në krahun tjetër të politikës, dy muaj para zgjedhjeve doli befasisht Berlusconi, i cili arriti që të riorganizonte një qendër të djathtë efektive dhe që përbënte një rival serioz për të majtën ish-komuniste. “Forza Italia” e Berlusconit, jo vetëm, doli si një tjetër parti e madhe e re në krahun e djathtë të politikës në zgjedhjet e vitit 1994, por i fitoi ato në kuadrin e një koalicioni të qendrës së djathtë.
Atëherë militantët e majtë të të ashtuquajturit pool mani puliti e vunë në shënjestër Berlusconin, me synimin e qartë për ta eliminuar politikisht. Në verën dhe vjeshtën e vitit 1994, kur Berlusconi ishte kryeministër, në Itali u krijua një situatë e çuditshme kur një prokuror militant i majtë u betohej miqve të tij për kryeministrin e djathtë se “Io quelo lo sfaccio”, ndërsa kryeministri i djathtë shikonte se shteti ligjor nuk ekzistonte më në Itali për të. Gjërat arritën deri në një pikë absurde, kur Berlusconi, i cili ishte kryeministër, ose duhej të ulte kokën dhe t’ i nënshtrohej dhunës së një Di Pietroje i cili kishte zgjedhur të bënte karikturën e prokurorit famëkeq sovjetik Vishinskit, të gjyqeve politike të Moskës, ose duhej që të ndiqte traditën italiane dhe të vriste Di Pietron për vetëmbrojtje. Në fakt Di Pietro pretendoi në atë kohë se ishte kërcënuar me jetë dhe masat e sigurisë për të u shtuan në maksimum. Berlusconi nuk ishte nga ata që ulnin kokën, kështu që Di Pietro u detyrua që të jepte dorëheqjen si prokuror.
Di Pietro hyri në politikë duke kandiduar në zgjedhje për partinë ish-komuniste, dhe duke u bërë më pas ministër i qeverisë së majtë, me çka konfirmoi atë që e dinin të gjithë se ai ishte një militant i majtë. Ky ishte një veprim i sinqertë që Di Pietro duhet ta kishte bërë më parë. Largimi i Di Pietros nga magjistratura saktësoi një vijë të kuqe në institucionet italiane, një vijë e cila nuk mund të kapërcehet, dhe përtej së cilës një magjistrat duhet të tërhiqet dhe të kthehet pas e të shkojë zyrtarisht në politikë, nëse do. Luftën e Di Pietros kundër Berlusconit e vazhduan shokët e Di Pietros, por jo me zellin e tij, se tashmë ishte stabilizuar një vijë e kuqe. Shpejt u pa qartë se Di Pietro politikan, ishte shumë më pak i vlefshëm për të majtën se Di Pietro prokuror. Di Pietro mendonte se e majta do ta bënte lider atë, dhe kur nuk ia përmbushën këtë ambicie, ai u largua nga partia ish-komuniste, për të dalë në zgjedhjet e vitit 2001 me partinë e vet, e cila mori një numër të papërfillshëm votash. Më pas Di Pietro u rikthye në aleancën me partinë ish-komuniste, kandidoi për të qenë lider i partisë së re që bashkonte partitë e majta, duke treguar qartë ambiciet e tij maksimaliste politike.
Ina Rama i hyri praktikisht së njëjtës sfidë si Di Pietro kur ishte prokuror. Ina Rama po vazhdon në linjën e Sollakut të penalizimit selektiv të politikanëve, duke proceduar penalisht politikanë vetëm nga një anë e politikës, nga PD, dhe jo nga PS, edhe pse atje ka jo pak dosje për politikanë të saj, dhe në rradhë të parë për Edi Ramën. Duke bërë këtë Ina Rama në pamje të parë instrumentalizohet nga Presidenti Topi, i cili është i dëshiruar për të eliminuar ata njerëz në PD, të cilët janë pengesë që Topi ta kontrollojë partinë, në mënyrë që pasi të mbarojë mandatin e presidentit, të bëhet kryetar i PD. Sigurisht, nëse një PD e penalizuar humb zgjedhjet, Topi do ta ketë më të lehtë që ta marrë nën kontroll partinë pas zgjedhjeve me anë të një kukulle të tij, të zgjedhur përkohësisht si kryetar.
Si rrezikun kryesor Topi shikon Bashën, për të cilin e di se është dizenjuar për të qenë pasues i Berishës në krye të partisë. Topi bëri llogari që ta eliminonte Bashën me anë të Ina Ramës, gjë që nuk ia arriti. Lufta e Ina Ramës me Bashën dështoi si lufta e Di Pietros me Berlusconin dhe tashmë Ina Ramës nuk i mbetet veçse të ndjekë shembullin e Di Pietros, pra të japë dorëheqjen dhe të hyjë në politikë, qoftë në PS të Edi Ramës, qoftë në G-99 qoftë duke krijuar partinë e vet aleate me to. Ina Rama, nëse vazhdon të rrijë në krye të Prokurorisë pas vendimit të Gjykatës së Lartë për çështjen e Rrugës Rrëshen-Kalimash, do të jetë një karikaturë e Di Pietros, që do të përpiqet të vazhdojë të bëjë prokuroren politike atje ku i dha fund di Pietro.
Për t’ u kthyer tek planet e Topit, ai synon që me anë të Prokurorisë të eliminojë dhe kandidatët e tjerë të padëshiruar, që mund të dalin, si Topallin etj., Topi ka bërë llogari që t’ i detyrojë të tërhiqen, duke u bërë presion me anë të prokurorisë. Topi si President është shndërruar praktikisht në karikaturën e Berishës president. Berisha si president shfrytëzoi Dispozitat Kushtetuese të prillit 1991, të cilat i jepnin presidentit kompetenca të gjera, dhe e ndalonin vetëm që të mbante postin e kryetarit të partisë, por nuk ia ndalonin postet e tjera partiake. Kjo ishte bërë se dispozitat kushtetuese që zëvendësonin Kushtetutën e vitit 1976, u bënë kur në pushtet ishte PPSH (PS), e cila e bëri presidentin e fortë për interesin e vet. Kjo gjë sigurisht që i bëri komoditet Berishës kur erdhi në pushtet një vit më vonë. Berisha, në kohën që ishte president, mbante dhe partinë nën kontroll, gjë për të cilën kritikohej nga opozita, e cila megjithatë nuk mund të thoshte se kjo ishte antikushtetuese, sipas ligjeve kushtetuese që kishte bërë vetë. Ndërsa në rastin e Topit gjërat janë ndryshe. Sipas Kushtetutës në fuqi presidenti është i depolitizuar dhe çdo ndërhyrje e tij në punët e brendshme të një partie, është antikushtetuese. E megjithatë sot opozita dhe mediat pranë Edi Ramës e quajnë si të mirëqenë faktin që Presidenti Topi vazhdon të intrigojë në PD, duke tentuar që ta marrë nën kontroll partinë me anë të mbështetësve të vet atje.
Topi president është karikatura e Berishës president, se derisa Berisha president i përdorte hapësirat që i jepnin dispozitat kushtetuese për të fuqizuar PD, Topi president e shkel Kushtetutën për të dobësuar PD. Standardi i dyfishtë që përdoret ndaj veprimeve të Berishës president dhe Topit president tregon se shqetësimi i atyre që e kritikonin Berishën për mënyrën si vepronte kur ishte president nuk ishte ligji kushtetues, por fakti që në politikën shqiptare ekzistonte një tjetër parti e madhe veç PS.
Kur mediat pranë Edi Ramës mbështesin Topin në përpjekjet e tij për të marrë PD nën kontroll, me anë të njerëzve të tij atje, këtë gjë e bëjnë se e dinë që një PD e kontrolluar nga njerëzit e Topit ose një PD me Topin kryetar nuk do të jetë më një parti e madhe, por do të reduktohet në një tjetër parti të vogël. Me këtë zbatohet projekti i vjetër i Ramiz Alisë, në fillim të pluralizmit në Shqipëri, që në vend të kishte vetëm një parti të madhe dhe kjo të ishte PPSH që do të transformohej në PS, e cila nuk do të kishte përballë një tjetër parti të madhe, por një grup partish të vogla. Kjo do të ishte një gjë po aq e keqe sa ç’ do të ishte sikur skena politike shqiptare të mbetej vetëm me një parti të madhe, e cila do të ishte PD.
E vërteta është se PD ka arritur që të mbijetojë si një parti e madhe në këto 19 vjet të pluralizmit vetëm në sajë të Berishës. Sigurisht që edhe Berishën e futi në politikë Ramiz Alia në dhjetor 1990, por Ramiz Alia nuk e kishte llogaritur Berishën për kryetar të PD, çka u kuptua kur në konferencën e PD në shkurt 1991, kur për herë të parë do të zgjidheshin forumet drejtuese të PD dhe kryetari, si dhe në Kuvendin I të PD në shtator 1991, Ramiz Alia dhe PPSH (më pas PS) parapëlqenin qartësisht rivalët e Berishës në parti. Berisha atëherë mbijetoi politikisht se pati mbështetjen e amerikanëve, të cilët e përzgjodhën si njeriun e aftë për të drejtuar PD si një parti opozitare me PPSH (PS), dhe për ta mbajtur këtë parti në kuotat elektorale të një prej dy partive të mëdha në vend. Berisha mbijetoi në politikë gjatë këtyre 19 vjetëve, se amerikanët e dinin se pa të skena politike shqiptare do të mbetej njëpolare, gjë që amerikanët nuk e donin.
Ato qarqe ndërkombëtare që kanë sjellë Edi Ramën në krye të PS dhe e mbështesin atë, duke i mundësuar që ta kthejë këtë parti në një parti autokratike, parapëlqejnë që skena politike në Shqipëri të jetë njëpolare, duke qenë atje vetëm një parti e madhe, PS e sunduar nga Edi Rama. Janë këto qarqe ndërkombëtare ato që e sollën Ina Ramën në krye të prokurorisë me anë të Bamir Topit, dhe që e komandojnë Ina Ramën për ta përdorur prokurorinë si një armë për spastrimin e skenës politike në vend, sipas komoditetit të tyre. Këto qarqe ndërkombëtare janë ato që nxjerrin para Sorosin si veglën e tyre dhe rrufepritësin e tyre. Por nuk u duhet lejuar ky komoditet, se Soros është vetëm një kukull e komanduar me fije e Familjes Rothschild. Ishte gazeta “The Economist”, pronë e kësaj familjeje çifute ajo që drejtoi luftën kundër Berlusconit në mediat ndërkombëtare me synimin e qartë për të eliminuar liderin që prishte planet e atyre qarqeve ndërkombëtare që e donin politikën italiane njëpolare, me partinë ish-komuniste, si të vetmen parti e madhe. Të njëjtët njerëz komandojnë fijet dhe në Shqipëri, duke synuar të zbatojnë të njëjtin plan. Në të ardhmen do të ketë të dhëna më të detajuara për punët e Familjes Rothschild në Shqipëri dhe për atë se përse ajo është përzier në Butrint.
Në Shqipëri njeriu kryesor që ka mbështetur planin e errët për ta bërë politikën shqiptare njëpolare me të vetmen parti të madhe PS të drejtuar nga Edi Rama është ambasadori amerikan Withers, i cili duhet të japë dorëheqjen pas dështimit të Ina Ramës. Ambasadori Withers dhe mediat sorosiane brenda dhe jashtë vendit, si “The Economist” e mbështesin Presidentin Topi se duan që ai të realizojë atë gjë që nuk e bëri dot Ramiz Alia në 1990-1992, dhe lobi greko-amerikan në aleancë me Sorosin në 1997, pra që PD të reduktohej në një nga partitë e vogla në vend. Nëse Topi ia arrin që të bëhet kryetar i PD, do të jenë e majta dhe mediat e saj që do ta venë në lojë si veteriner, duke e quajtur PD-në një stallë derrash dhe lopësh, derisa ka në krye një veteriner.
Por Bamir Topi, me luftën që i bëri me anë të Prokurorisë, atij që e shikon si rivalin e vet kryesor në PD për trashëgiminë e Berishës, pra Lulzim Bashës, arriti një efekt boomerang. Në fakt Basha doli nga beteja me prokurorinë dhe praktikisht me Topin, duke fituar atë që nuk e kishte kapitalizuar më parë, rritjen e profilit të tij politik. Ndërtimi i Rrugës Durrës-Kukës, që në fakt është rruga Tiranë-Prishtinë, tashmë është e lidhur me emrin e Bashës, ndërsa emri i Topit ka hyrë në listën e atyre që deshën ta pengojnë ndërtimin e kësaj rruge. Duke konsideruar faktin se kjo rrugë ka një vlerë të veçantë për elektoratin e djathtë, Topi është zhvlerësuar shumë tek ky elektorat, duke qenë se drejtoi në prapaskenë luftën ndaj Bashës. Kjo është një hipotekë e rëndë për të ardhmen politike të Topit, pasi të largohet nga kolltuku i presidentit. 



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora