E premte, 26.04.2024, 01:14 AM (GMT+1)

Mendime

Mark Marku: Pse e humbi debatin televiziv Edi Rama

E shtune, 28.03.2009, 11:15 AM


Pse e humbi debatin televiziv Edi Rama

Nga Mark Marku

Kryetari i Partisë Socialiste, zoti Edi Rama, ka zhgënjyer parmbrëmë në  debatin e zhvilluar në një panel me gazetarë dhe analistë, zhvilluar në kanalin televiziv Top Channel. Ai nuk ka mundur t’u japë përgjigje disa pyetjeve themelore që kanë të bëjnë me projektin elektoral të partisë së tij. Më konkretisht, Edi Rama nuk iu përgjigj pyetjes logjike se “çfarë konkretisht u ofron kjo parti shqiptarëve, ose më saktë se çfarë surprize fshihet pas sloganit ‘përtej të majtës dhe të djathtës’? Edhe pas përgjigjeve të tij nuk u kuptua se cilat do të jenë prioritetet e qeverisë së ardhshme socialiste nëse PS-ja dhe Edi Rama i fiton zgjedhjet, çfarë reformash ekonomike do të kryhen, cila do të jetë oferta e tij për papunësinë, dhe çfarë alternativash ofron kjo parti për krizën e sistemit energjetik, për arsimin, për infrastrukturën, për integrimin e kështu me radhë. Përgjigjja e tij në këtë rast ishte e vetme dhe e njëjtë “oferta jam unë”. Madje ai shkoi më tej, duke u thënë shqiptarëve se ishin me fat që e kishin Edi Ramën. Pa i mohuar meritat e tij në politikën shqiptare gjatë këtyre viteve, deklarimi i tij të dukej më afër delirit të politikanëve paranojakë se sa realitetit politik që ngërthen në vetvete dukuria Rama. Por Rama nuk iu përgjigj edhe pyetjeve të tjera të rëndësishme. P.sh., ne nuk e kuptuam se pse politika e tij ishte e re, nuk morëm një përgjigje nëse ai do të kandidonte në listën e deputetëve të PS-së e kështu me radhë. Militantët e PS-së duhet të jenë zhgënjyer shumë teksa kanë marrë vesh se gjenerali i tyre nuk është ende i vendosur për të marrë pjesë në betejë bashkë me ta, pasi mes lënies së postit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe pjesëmarrjes si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ai ishte gati të zgjidhte të parën, d.m.th. të mbetej kryetar Bashkie.
Arsyet e humbjes së debatit televiziv të parmbrëmshëm shpjegohen me vetë modelin politik të Ramës. Ai është modeli i liderit politik që e mbështet strategjinë e komunikimit mbi imazhin. Zakonisht liderë të tillë bëjnë kujdes që imazhi i tyre të shkojë tek sa më shumë njerëz dhe për këtë përdorin me efikasitet mediat televizive që janë instrumente të përsosura të përhapjes së imazhit. Liderët e imazhit e zëvendësojnë imazhin me idenë, veprimin me gjestin, faktet me opinionet, transparencën me dukjen e transparencës, debatin me iluzionin e tij, dialogun me iluzionin e tij, përmbajtjen me formën. Specialistët e komunikimit i quajnë telepolitikanë këtë kategori politikanësh dhe mendojnë se ky model i ka fillesat në fushatën e presidentit amerikan Kenedi, i cili qe i pari politikan modern që diti ta kuptojë rëndësinë e televizionit, një media kjo e re atëherë që sapo ishte shfaqur. Por që një politikan të ketë një sukses afatgjatë mendojnë specialistët imazhi është i pamjaftueshëm. Për këtë arsye duhet bashkuar me idenë.
Rama e humbi debatin me gazetarët, pra pikërisht për shkak të modelit të vet. Ky model nuk mund të përballojë një debat përmbajtësor. Dhe debati i parmbrëmshëm ishte pikërisht një i tillë. Ai prekte çështjet themelore të një fushate elektorale, çështjet kryesore të pushtetit dhe problemeve që priten të zgjidhen prej tij, shqetësimet kryesore të vendit. Por modeli i telepolitikanit nuk shqetësohet për gjëra të tilla. Dhe pikërisht për këtë arsye as nuk mund dhe as nuk do të përgjigjet. Rama e humbi debatin pikërisht se politikani i imazhit mishërim i përsosur i të cilit ai është në politikën shqiptare nuk i duron pse-të. Pse-ja do të thotë futje në punë e logjikës, e fakteve, e bindjes nëpërmjet tyre. Dhe paneli me të vërtetë e teproi me pse-të e tij.
Zhgënjimi që solli Rama është pak befasues, pasi fushata e tij ishte në ngjitje dhe mjaft mirë e konceptuar po ta vlerësosh me kriteret e komunikimit dhe të marketingut politik. Ta pranojmë, ishte një orkestrim gati i përsosur. Megjithatë dukej se diçka i mungonte. Kjo diçka ishte përmbajtja. Dhe ishte pikërisht kryetari PS-së që e zbuloi mungesën e saj të madhe. E jo kundërshtari. Përtej të majtës dhe të djathtës nuk ka përmbajtje.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora