E marte, 04.10.2022, 05:20 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Kujtimi për mësuesin tim, për endrrën e shkrimit...!

E diele, 15.03.2009, 04:40 PM


Në 20-vjetorin e vdekjes së shkrimtarit dhe publicistit, Ali Sutaj

KUJTIMI PËR MËSUESIN TIM, PËR ENDRRËN E SHKRIMIT...!

Nga Sejdi BERISHA
  
 ...Mësuesit, fillova t’ia mësoj edhe tabiatin, edhe veprimin, por edhe ëndrrat e tij. Dhe, që atëherë, për çdo mëngjes e vija nga një gur në murin e dashurisë për mësuesin tim, për mësuesin Ali. Por, e pranoj, se kur dëshiron ta thuash dhe ta shfaqesh e shpjegosh tërë atë që e ke në zemër për dikend, atëherë, askush., pra as unë, nuk ia dal dot që krejt e pa harresë t’i shoh e t’i radhis rrugëtimet nëpër ato periudha aq të dashura, aq të vështira, aq me peshë historike. Për këtë arsye, edhe mendimi dhe kujtimi, nganjëherë të ikën, apo edhe të fluturon nga mendja me mijëra herë, dhe si zogu që të ikën nga dora, nuk mund t’i kapësh dhe të bëhet sikur diçka ta zë dritën dhe frymën, e nuk të lë për ta thënë tërë atë që ke dhe dëshiron për ta thënë. Kështu do të jetë edhe në këtë shkrim për kujtimet për mësuesin tim dhe për ato kohëra që janë aq të dashura, edhe pse të hidhura!...
   ...Nuk di as vetë, gjithnjë, edhe atëherë, edhe sot, shumë i dua foletë, të cilat m’i zgjojnë ndjenjat dhe më shpijnë kah ëndrrat e çuditshme. Lidhej dhe kalitej kështu dashuria për shkollën, për mësuesin, për folenë, e më vonë edhe për atdheun... dhe, mësuesi im u fut në qenien time, shëtiste nëpër damarët e gjakut tim, nëpër mendjen time plotë ëndrra njomëzake dhe të paarritura fëmijërore. Kështu u lidha me mësuesin. Prej atëherë, e doja më shumë vargun poetik, edhe pse nuk e dija se mësuesi im merrej që atëherë me shkrime, përmes së cilave nxjerrke ndijimin dhe synimet e njeriut tonë, që shpesh ishin të ndrydhura dhe të mbyllura në kutinë e zjarrit të shpirtit dhe zemrës...
   ...Mësuesi gjithnjë, gjithnjë ndalej tek banka ime për të më provokuar me ndonjë varg poezie, apo me ndonjë copëz mësimi që më hapte horizontin e mendjes dhe njëherësh ma shtonte dhe forconte guximin për të shëtitur më “serbez” nëpër ëndrrat e mia... Ata telat e madhështisë krijuese të tij sikur kishin zënë rrënjë tek unë, dhe me te u takuam në një rrugëtim tjetër. Tash, në fushën e gazetarisë, të krijimtarisë publicistike dhe letrare...
   ...Krahas që mësova shkronjat e para dhe e “pjeka” abetaren, duke kaluar koha dhe vitet, puna dhe afërsia me mësuesin më sollën në atë ëndrrën e shkrimit, e cila, më bëhet se, që nga kur isha në bark të sime nënë, sikur isha përcaktuar për një gjë të tillë!
   ...Mësuesin e takoj në gazeta e revista, shumicës të së cilave u dha shpirt dhe rrugë të mbarë. Shkrimet e tij, jo vetëm se begatuan jetën kulturore dhe letrare, por ato i trimëruan shumë e shumë të rinj e të reja për ta rrokur pendën, qoftë në gazetari apo edhe në letërsi...
   ...Mësuesit tim, i cili, optimizmin e kishte shumë karakteristik, ia dija edhe shpirtin, edhe këngën, edhe shkrimin plotë begati, plotë mllef, të cilat, tinëzisht ia “gërryenin” dheun nën këmbë! Për këtë, edhe shkrimet e tij të lexuara me shumë kureshtje, gjithnjë, apo në të shumtën e rasteve i ka përfunduar me pa përfundim(!), por gjithsesi me provokim për komentim dhe me kureshtje të një shtrirjeje të gjerë... Andaj, kujtimi im për mësuesin, Ali Sutaj, më rëndohet me pezmin e dhembjen, sepse, kur ai iku përgjithmonë, sikur këtë e bëri në heshtje, apo kjo heshtje ishte mangësi e shoqërisë...!
I nderuari përgjithmonë mësuesi im, Ali Sutaj, tash i kam kaluar të gjashtëdhjetat dhe pas vetes kam lënë goxha shumë shkrime, por dua të them se, siç e marrin sytë dritën nga natyra, ashtu e merr shpirti dhe mendja dritën nga dituria, pra, nga mësuesi...

Ali Sutaj
Ali Sutaj
1.  
   Të shkruash për njerëzit të cilët të janë pjesë e jetës dhe e historisë, jo vetëm se të sjellin kujtesën prapa dhe të ngarkojnë me mallëngjim dhe me krenari po se po, është njësoj si të krijosh rrathë e rrudha përfundi syve, të cilat tregojnë për rrugëtimin, për dhembjen dhe ngrohtësinë, por edhe të kthejnë tek ëndrrat, shumë prej të cilave dot nuk i ke realizuar dhe as kurrë nuk do t’i realizosh. Unë, e kam një specifikë të të shkruarit të posaçëm, sepse, edhe rrugëtimi im është specifik, mbase karakteristik e i mbarësuar me lëngun më të hidhur, sipër të cilit nganjëherë kam hedhur sherbet!
   Tash, kujtimi për mësuesin tim, i cili ishte një idol i dritës dhe i diturisë për të gjithë ne që ishim në klasën e tij, më kthen në atë kohën aq të mirë, aq të ëmbël, aq të trishtë, që,  atëherë ishim pa ndonjë vetëdije për shkollën dhe mësimin. Por, atëbotë, gjithnjë më trokisnin dhe ma ngacmonin mendjen fjalët e babait tim të përvuajtur, ama të stërpërvuajtur, por që ishe një plak stoik dhe plotë elan e dashuri për jetë dhe për lumturinë e familjes, të kombit dhe atdheut, i cili në ditën e parë të shkollimit tim, me duart e tij më uli në bankën e shkollës, dhe më pat thënë: kafshatën e bukës do ta heq nga goja vetëm e vetëm që të shkollohesh dhe të bëhesh i zoti i vetvetes,... e të mos heqësh të zitë e ullirit sikurse unë!”.       Andaj, aty zuri ai lumi i ëndrrave të mia të cilat m’i bëri edhe më të qëndrueshme mësuesi im.
   Në fillim, nuk kisha ndonjë ndjenjë as dashuri për mësuesin, për atë njeri thatak dhe me fytyrë pak të zeshkët. Për këtë, unë as shokët dhe as shoqet e mia nuk kishim faj, sepse, nuk kishim as traditë, as ndonjë parapërgatitje për rëndësinë e diturisë dhe as për mësimin. Ishim gjeneratë, e cila tek sa e fillonte kapjen e synimit për të ditur dhe për t’i marrë më vonë ngacmimet edhe për mësim, edhe për dituri, të cilat, paralel na ngjallnin atë ndjenjën e zjarrit shpirtëror, ndjenjën e atdhetarisë.
   Dikur më vonë, mësuesit, fillova t’ia mësoj edhe tabiatin, edhe veprimin, por edhe ëndrrat e tij. Dhe, që atëherë, për çdo mëngjes e vija nga një gur në murin e dashurisë për mësuesin tim, për mësuesin Ali. Por, e pranoj, se kur dëshiron ta thuash dhe ta shfaqesh e shpjegosh tërë atë që e ke në zemër për dikend, atëherë, askush., pra as unë, nuk ia dal dot që krejt e pa harresë t’i shoh e t’i radhis rrugëtimet nëpër ato periudha aq të dashura, aq të vështira, aq me peshë historike. Për këtë arsye, edhe mendimi dhe kujtimi, nganjëherë të ikën, apo edhe të fluturon nga mendja me mijëra herë, dhe si zogu që të ikën nga dora, nuk mund t’i kapësh dhe të bëhet sikur diçka ta zë dritën dhe frymën, e nuk të lë për ta thënë tërë atë që ke dhe dëshiron për ta thënë. Kështu do të jetë edhe në këtë shkrim për kujtimet për mësuesin tim dhe për ato kohëra që janë aq të dashura, edhe pse të hidhura!
  
2.
   Në atë kohë, mësimin nuk e zhvillonim në objektin e shkollës, sepse shkolla ishe e vogël për të gjithë nxënësit. Për këtë arsye më mungon edhe ai kujtimi për aktin e parë të dramës dhe të gëzimit për shkronjat, për abetaren. Mësonjëtoren e kishim në katin e dytë të ndërtesës së xhamisë në fshatin Carrabreg të Deçanit. Ishte një dhomë e madhe por me dritare shumë të vogla, nga të cilat pak depërtonte drita, por edhe rrezet e diellit! Por, dua ta them një gjë. Se, kjo mësonjëtore më hyri në qejf, sepse, për të arritur deri tek ajo, duhej kaluar shkallëve të cilat kalonin pranë minares së xhamisë, në zgavrën e të cilës e kisha hetuar një fole sorrash, e që unë, nuk di as vetë, gjithnjë, edhe atëherë, edhe sot, shumë i dua foletë, të cilat m’i zgjojnë ndjenjat dhe shpijnë kah ëndrrat e çuditshme. Për këtë arsye, thuaja se gjithnjë i pari arrija në shkollë, por, para se të hyja në klasë, e “vizitoja” folenë në të cilën kishin qenë dy vezë me plotë pika të zeza të kthyera në ngjyrë kafe. Vetëm i prekja dhe i ledhatoja duke e lutur Zotin që nesër në fole të ketë më shumë vezë. Më shumë, sepse, gjithnjë mendoja, se në fole do të qelin më shumë zogj...! Sa mirë! Kështu lidhej dhe kalitej dashuria për shkollën, për mësuesin, për folenë, e më vonë edhe për atdheun...
   Dhe, një ditë, mësuesi im më “zuri” në grackë. Isha duke e kontrolluar folenë, dhe ai më pyet se çfarë po bëja aty pranë zgavrës së vogël në minaren e xhamisë. Kur i tregova fije e për pe, ai m’i përkëdheli flokët e mia të egra e të pakrehura, duke më thënë:
  -Eh, edhe ti je si zogu, dhe nëse bëhesh i mirë, do të këndosh mirë mu si ai...!”.
Në atë moment më krisi diçka në kokë, dhe, edhe pse isha i vogël, tani mësuesi im u fut në qenien time dhe shëtiste nëpër damarët e gjakut tim, nëpër mendjen time plotë ëndrra njomëzake dhe të paarritura fëmijërore. Kështu u lidha me mësuesin. Prej atëherë, e doja më shumë vargun poetik, edhe pse nuk e dija se mësuesi im merrej që atëherë me shkrime, përmes së cilave nxjerrke ndijimin dhe synimet e njeriut tonë, që shpesh ishin të ndrydhura dhe të mbyllura në kutinë e zjarrit të shpirtit dhe zemrës. Për këtë arsye që e doja vargun, edhe ai ma kishte pikatur syrin, e sidomos kur mësonim copëza mësimi dhe vjersha. Atëherë, ai me mua “humbte” më shumë kohë se me të tjerët, apo mua më dukej ashtu.
   Nuk më “ç’kapej” derisa nuk bindej se mësimet i kisha të qarta ashtu sikurse edhe mesazhin e tyre. Kështu, rrugëtuam unë dhe mësuesi im, Ali Sutaj. Por, njëherë, afria e tij dhe gëzimi im për pak sa nuk u “fundosen”. Këto dy gjëra sikur gati më plandosen përgjithmonë...
   E vëreja se pas njësisë mësimore, mësuesi im, në tavolinën e tij të punës “shkarraviste” diçka, apo i paloste ca fletë dhe i fuste në zarfe, edhe pse, atëherë nuk dija se çfarë është as shkrimi dhe as zarfi. Pra, sikur gjithnjë më thoshte imagjinata ime se mësuesi që na puthte zemrën për çdo mëngjes, përpiqej t’i ndihmonte kombit edhe me diçka tjetër. Me shkrimin e tij, për ta arsimuar e për ta mësuar njeriun tonë.

3.  
   Dhe, ku dua të dal. Një ditë m’u afrua afër bankës dhe me zë të ultë e të ëmbël më tha që të shkoj me te deri tek tavolina e tij e punës. Ma dha një zarf të mbyllur dhe më përcolli deri në korridorin e klasës së vetme në xhaminë e fshatit.
  -A e di se ku është posta në Deçan?, më pyeti.
  -Po.-i thash. Sepse, për fat të mirë, kisha qenë atje dy herë me babain tim.
  -Eh, mirë. Ja merre këtë letër dhe këto para. Dorëzoje këtë në postë, por para se t’ia dorëzosh punëtorit në sportel, i thua: “preporuçeno”(që në gjuhën shqipe do të thotë, rekomande). Dhe, pastaj ia japë edhe paratë, kurse ai ta jep një copë letër tjetër si vërtetim.
   E mora letrën dhe paratë, dhe, prej xhamisë së Carrabregut e deri tek posta në Deçan, nuk praja duke e përsëritur fjalën “preporuçeno”! Por, çfarë ndodhi para se ta hedh hapin brenda pragut të postës? Më iku kjo fjalë e mallkuar nga mendja. Por, megjithatë, nëpunësit në sportel ia dorëzova letrën dhe paratë dhe u ktheve për në shkollë i tëri pelin. Kur arrita në klasë, i tëri isha i ulur në djersë nga zori që kisha harruar atë fjalën për ta thënë, që më pat porositur mësuesi.
  -Pse ke nxituar kaq shumë? E sheh se je lodhur dhe je i kapluar i tëri në djersë?!-mësuesi m’i fshiu djersët nga balli, dhe më tha:
  -Bëre ashtu si të mësova?!
   Nuk u përgjigja fare, por ia plasa vajit dhe ia tregova tërë ngjarjen. Assesi të pajtohesha dhe i tëri dridhesha. Mësuesi më përqafoi disa herë duke bërë përpjekje që të më pajtojë:
  -Mos bën merak. Ajo letër nuk ka qenë diçka me vlerë, por veçse një shkrim imi për tu botuar në gazetë. Nëse humbet, e kam kopjen tjetër dhe do ta dërgojmë sërish. Do të shkojmë së bashku në postë,...!
   Ky ishte ai momenti, i cili gati më solli në shkallën e thyerjes shpirtërore, por edhe për “largimin” nga mësuesi im. Kjo, s’më ka lënë të qetë për javë të tëra. Por, mësuesi gjithnjë, sërish ndalej tek banka ime për të më provokuar me ndonjë varg poezie, apo me ndonjë copëz mësimi që më hapte horizontin e mendjes dhe njëherësh ma shtonte dhe forconte guximin për të shëtitur më “serbez” nëpër ëndrrat e mia.
   Por, edhe tjetra. Mësuesi im, ishte aq i dashur për të gjithë ne shokët dhe shoqet, sa që, për besë asnjëherë nuk ia huqnim mësimin. Por, ky mësues, me të cilin kishim lidhur ndjenjat dhe të gjithë penjtë shpirtëror, atë botë si ta lëshonte toka. Na iku nga shkolla dhe nuk di si ta shpjegoj këtë as tash. Me siguri, ndoshta, nga dhembja dhe dashuria  që kisha për të. Andaj, edhe pse nuk e di as nuk e mbaj dot në mend kur iku nga shkolla jonë, ata telat e madhështisë krijuese të tij sikur kishin zënë rrënjë tek unë, dhe me te u takuam në një rrugëtim tjetër. Tash, në fushën e gazetarisë, të krijimtarisë publicistike dhe letrare.
  
4.
   Që nga bankat e shkollës fillore i shkrova dhe i botova vargjet dhe poezitë e para në gazetat ku ishte faqja për fëmijë. Dua të them, se krahas që mësova shkronjat e para dhe e “pjeka” abetaren, duke kaluar koha dhe vitet, puna dhe afërsia me mësuesin më sollën në atë ëndrrën e shkrimit, e cila, më bëhet se, që nga kur isha në bark të sime nënë sikur isha përcaktuar për një gjë të tillë!
   Shkruaja e botoja poezi e shkrime të tjera, të cilat, në të njëjtën kohë edhe me trimëronin edhe më frikësonin, dhe të dyja këto bashkë ma zgjeronin horizontin dhe më kalitnin për t’u përballur me të gjitha sfidat e jetës. Por, për këtë, tani mësuesin e takoj në gazeta e revista, shumicës të së cilave u dha shpirt dhe rrugë të mbarë. Shkrimet e tij, jo vetëm se begatuan jetën kulturore dhe letrare, por ato i trimëruan shumë e shumë të rinj e të reja për ta rrokur pendën, qoftë në gazetari apo edhe në letërsi.
   Ai, brenda shkrimeve të veta, përveç edukatës dhe kulturës, mbërthente edhe obligimin moral të vetëdijesimit dhe të ndërgjegjësimit individual, kolektiv dhe kombëtar. Këtë e kam hetuar edhe tek rrugëtimi im në fushën e gazetarisë dhe të publicistikës përgjithësisht. Pra, në gazetari kur i bëja hapat e parë, kisha vullnet, elan e guxim por edhe profesionalizëm. Megjithatë, në këtë punë shpesh mund të bësh keq edhe pa qëllim. Pra, ky profesion donte dhe do gjithnjë përkushtim dhe pjekuri e maturi.
   Në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, derisa isha gazetar i RTP-së (Radiotelevizionit të Prishtinës), nga një mbledhje të rëndësishme, e shkrova raportin i cili duhej të emitohej në Radio-Prishtina. Edhe pse në nivel profesional, ishte raport i “rreptë”, dhe ja, e takoj mësuesin tim në një kafene. Përshëndetëm me te, por e ngrehim edhe nga një gotë raki. Kërkova këshillën e tij për raportin që e kisha shkruar nga mbledhja e cekur. Pasi e lexoi raportin, i cili duhej të emitohej në ditarin e radios të orës nëntëmbëdhjetë, më tha:
  -Raportin e ke shkruar mirë dhe në mënyrë profesionale, por ka tone të ashpra kritike dhe mllef individual për gjendjen. Andaj, mos e dorëzo për emetim. Për gjëra të tilla, të preferoj që raportin të cilin e shkruan në këtë frymë dhe ton, ta lësh për një ditë më vonë për ta emetuar, pastaj, vetë do ta kuptosh se nevojitet ndërruar shumëçka. Shkrimin duhet lënë për të “ardhur” si turshinë?!... Atëherë e ka lezetin dhe shijen e duhur.
   Veprova ashtu siç më këshilloi mësuesi, dhe raportin të cilin e kisha shkruar një ditë më parë, pothuaj se tërësisht e rishkrova, sepse, siç më tha mësuesi, më ishte ngritur arsyeja, më ishte “ftohur” gjaku. Dhe, padyshim se më doli shumë më mirë.
   Edhe ky ishte një mësim dhe vule përvoje e profesionalizmit që vinte nga mësuesi im dhe jo vetëm imi. Dhe, sikur tërë jetën, Ali Sutaj, ngeli mësues i devotshëm i imi, ai, nga i cili i mësova shkronjat dhe i mora mësimet e para.
  
5.
   Gjatë jetës, sërish jam takuar shpeshherë me mësuesin tim. Me një rast, u takova në një kafene. Kaluam disa orë së bashku. Si mësuesi me nxënës dhe si nxënësi me mësues, por edhe si miku me mik dhe si shkrimtari me shkrimtar, apo gazetari me gazetar. Flasim për profesionin, për jetën dhe hallet tona dhe të popullit. Gjatë bisedës, mësuesi im, Ali Sutaj, pasi më shikoi e shikoi, më thotë:
  -Sejdi, je duke punuar shumë. Kaq shumë që ke energji,... Sa mirë!-ngriti gotën me hidhërim dhe me një gllënjkë e zbrazi. Pastaj, uli kokën dhe sikur mbylli sytë për ta tretur dhunshëm mendjen dika. Por, për ta kthyer në tavolinë ia ktheva:
  -Hë, mësuesi im,... e ke mendjen e sertë?!-më shikoi e më shikoi, sikur njeri që nganjëherë e tepron me raki.
  -Sejdi,...je nxënës imi,... po ta kam lakmi,...
  -Për çfarë? –thashë.
  -Jo,jo. Për asgjë! –sikur frenoi mendimin dhe pasi revoltueshëm liroi frymën rebeluese nga kraharori, ma ktheu:
  -As kjo punë,... nuk është asgjë...!
  -Cila punë? – i thashë.
  -Lëre,... tash!
   Dhe, kurrë nuk mësova për këtë “lëre tash” nga mësuesi im, i cili, optimizmin e kishte shumë karakteristik, sepse, unë ia dija edhe shpirtin, edhe këngën, edhe shkrimin plotë begati, plotë mllef, të cilat, tinëzisht ia “gërryenin” dheun nën këmbë! Për këtë, edhe shkrimet e tij të lexuara me shumë kureshtje, gjithnjë, apo në të shumtën e rasteve i ka përfunduar me pa përfundim(!), por gjithsesi me provokim për komentim dhe me kureshtje të një shtrirjeje të gjerë.
   Andaj, kujtimi im për mësuesin, Ali Sutaj, më rëndohet me pezmin e dhembjen, sepse, kur ai iku përgjithmonë, sikur këtë e bëri në heshtje, apo kjo heshtje ishte mangësi e shoqërisë. Njerëzit si ai, kanë lënë gjurmë, e gjurmët në rrjedhat e jetës e kanë pavdekësinë dhe historinë të cilat duhet respektuar dhe çmuar përgjithmonë. Dhe, këtë shkrim për mësuesin tim, Ali Sutajn do ta përmbyll pak me mllef, si atë raportin nga mbledhja për të cilin ua shpjegova më lartë se e konsultova mësuesin: ata që nuk i harrojnë bijtë as mësuesit e vet, ata gjithnjë kryelartë mund ta shikojnë historinë dhe rrugëtimin e ndritshëm të saj, pra edhe të kombit, edhe të atdheut...!
   I nderuari përgjithmonë mësuesi im, Ali Sutaj, tash i kam kaluar të gjashtëdhjetat dhe pas vetes kam lënë goxha shumë shkrime, por dua të them se, siç e marrin sytë dritën nga natyra, ashtu e merr shpirti dhe mendja dritën nga dituria, pra, nga mësuesi. E, ti mësuesi im, edhe pse para njëzetë vitesh, po ashtu ike si me pabesi, edhe sot je mësues, edhe sot të shikoj nga banka e shkollës. Mësuesi im i dashur, në muajin prill fillon syri i pranverës, gufon bari dhe ngrehin kokë lulet, andaj, pse ike mu në këtë muaj?!... E, more mësuesi im, edhe sot ta di shkrumbin tënd...! Ja, kaq mësuesi im, për Ty. E di se kjo është pak, shumë shumë, pak...!



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora