E hene, 18.11.2019, 02:51 PM (GMT)

Kulturë » Muzikë

Zina Zdrava: Komercializmi eklipson artin e vërtetë

E enjte, 27.07.2006, 04:42 PM


Zina Zdrava me te bijen
Zina Zdrava këngëtarja e njohur e muzikës popullore të Shqipërisë së mesme, njëkohësisht dhe pedagoge e kantos në liceun artistik Jordan Misja vjen pas një festivali ndërkombëtar të muzikës popullore të zhvilluar në Angli. Në këtë festival ku marrin pjesë grupe të ndryshme të muzikës popullore, grupi nga Shqipëria zë vendin e katërt. Vajza e këngëtares së njohur, Ulpiana Aliaj, fiton çmimin e parë në muzikën klasike. Këngëtarja e specializuar për muzikë klasike ka një dëshirë të veçantë dhe një dobësi për muzikën popullore të cilën e ka kënduar në skena shqiptare dhe botërore gjatë gjithë jetës së saj.Një album i ri me orkestrime live i regjistruar në studiot e Francës i cili ka të përmbledhura 16 këngë popullore do të vij këto ditë në tregun muzikor shqiptar. Ky album nuk do të ketë vetëm këngë të Shqipërisë së mesme siç jemi mësuar të dëgjojmë këngëtaren Zina Zdrava por edhe këngë të trevave të ndryshme të cilat janë po aq të dashura për të. Këngëtarja shpreh një keqardhje të madhe për degradimin e muzikës popullore e cila është shndërruar në një muzikë komerciale. “Këto vitet e fundit po mungojnë dhe aktivitetet për muzikën popullore të cilat më përpara kanë qënë të shpeshta ku edhe ne dilnim dhe ishim të pranishëm në publik. Në atë kohë ne regjistronim me orkestër live çdo këngë, ndërsa tani është futur elektronika dhe çdokush mund të bëhet këngëtar” shprehet këngëtarja Zina Zdrava. Këngëtarja thekson se ne kemi një pasuri të madhe folkloristike dhe se i vjen keq kur sheh që këngëtarët kopjojnë muzikën e huaj dhe nuk këndojnë muzikën e pastër shqiptare.

-Zina ju jeni një këngëtare profesioniste ku për shumë vite keni kultivuar muzikën popullore të Shqipërisë së mesme, gjithashtu interpretoni po aq mirë dhe në zhanrin klasik. Çfarë kujton nga vitet e para të daljes në publik?
Zina. Publiku shqiptar më njeh më shumë si këngëtare e muzikës popullore të Shqipërisë së mesme dhe për këtë më vjen mirë, por unë jam një këngëtare klasike sepse shkolla që kam përfunduar, Institutin e Arteve sot Akademia e Arteve të Bukura është e profilizuar në zhanrin klasik. Por muzika popullore ka qënë një dëshirë e imja për ta interpretuar dhe natyrisht që edhe aktivitetet artistike në atë kohë kanë qenë më shumë për këngën popullore. Në Elbasan ne ishim pak këngëtarë që këndonim nëpër aktivitete të ndryshme artistike, isha une, Albert Tafani, vëllezërit Zena që përfaqësonim qytetin e Elbasanit në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare.
-Ju përveç këngëve të Shqipërisë së mesme keni interpretuar edhe këngë shkodrane ku keni bashkëpunuar në duet me Ibrahim Tukiçin dhe këngëtarë të tjerë dhe këto ditë ju zbuloni një cd me 16 këngë popullore të regjistruara në studiot e Francës me orkestrime live?
Zina.Unë këngën popullore nuk e ndaj në zona, edhe pse njihem si një këngëtare e muzikës popullore të Shqipërisë së mesme, unë kam interpretuar edhe këngë të trevave të ndryshme të vendit tonë, këngë shkodrane, korçare, beratase etj dhe me të vërtetë jam ndjerë shumë mirë nëpër aktivitete të ndryshme jashtë shtetit kam interpretuar disa këngë me Ibrahim Tukicin, ku në Francë ne regjistruam disa këngë me vegla të gjalla dhe tani unë dua që këto materiale ti publikoj sepse janë shumë të bukura.
-Ndalemi pak tani tek vajza juaj Ulpiana e cila vazhdon studimet e larta në konservatorin e Bolzanos në Itali dhe që ndjehet më mirë të muzika klasike sesa të ajo popullore, dhe që në festivalin e zhvilluar në Angli ju fitoni çmimin e parë?
Ulpiana. Unë pasi mbarova liceun artistik Jordan Misja, vazhdova Akedeminë e Arteve në degën e kantos për 2 vjet më pas u shkëputa për të vazhduar në Bolzano të Italisë ku studioj aktualisht. Në Itali kemi pasur disa aktivitete muzikore të organizuara nga shkolla dhe që unë jam paraqitur mjaft mirë në zhanrin e muzikës klasike ku edhe studioj. Në festivalin e zhvilluar para pak ditësh në Ëells të Anglisë ku merrnin pjesë këngëtarë nga vende të ndryshme të botës unë u përzgjodha në treshen finaliste ku më pas u vlerësova me çmimin e parë. Ky ishte një nga momentet më emocionuese sepse nuk mendoja se do vlerësohesha me këtë çmim në një festival ndërkombëtar dhe kaq prestigjioz.
-Zina ju përveç emocioneve të çmimit që mori vajza juaj keni përjetuar edhe emocionet e pjesëmarrjes suaj dhe grupit nga Shqipëria në festivalin e zhvilluar në Angli ku midis grupeve nga vende të tjera të botës ju vlerësoheni me çmimin e 4?
Zina. Ishte një nga aktivitetet më të bukura të karrierës sime organizimi i këtij festivali të muzikës autoktone dhe që pjesëmarrja ishte e madhe, kishte grupe nga shumë vende të botës. Më ka bërë shumë përshtypje se për të vlerësuar pjesmarrësit në këtë festival juria nuk shikonte vetëm materialet muzikore të përzgjedhura por edhe veshjet tona, që nga opingat dhe kostumet tona popullore etj. Nga përzgjedhja e jurisë grupi ynë u vlerësua me çmimin e 4 dhe kjo ishte një arritje për ne. Natyrisht që emocionet ishin të mëdha për mua sepse unë kisha dhe vajzën pjesmarrëse në festivalin e muzikës klasike e cila u vlerësua në të me çmimin e parë.
-Zina ju përveçse jeni një këngëtare e mirë jeni gjithashtu dhe një pedagoge e mirë e kantos. Si janë marrëdhëniet tuaja me nxënësit?
Zina. Unë kam vite që punoi pedagoge në liceun artistik Jordan Misja në Tirane dhe vërtet ndjehem mirë me nxënësit që përgatis sepse dhe ata gjithmonë janë ndjerë mirë me mua gjatë orëve të kantos. Në lice unë përveç lëndës së muzikës klasike zhvilloj edhe mësim për folklorin tone ku dhe vetë nxënësit janë të interesuar të dinë më shumë për muzikën popullore edhe pse ato profilizohen në zhanrin e muzikës klasike kur vazhdojnë studimet e larta në Akadaminë e Arteve të bukura. Disa nga nxënësit më njohin si këngëtare, por ka edhe nga ata që nuk më njohin por që më njohin prindërit e tyre.
-Ju i keni munguar skenës dhe ekranit për disa vite. Mund ta na e thuash arsyen?
Zina. Tani dihet se si po veprohet me muzikën popullore, sepse kanë dalë dhe këngëtarë të rinj ku po shikojmë më tepër komercializëm sesa profesionalizem. Këto vitet e fundit po mungojnë dhe aktivitetet për muzikën popullore të cilat më përpara kanë qënë të shpeshta ku edhe ne dilnim dhe ishim të pranishëm në publik. Në atë kohë ne regjistronim me orkestër live çdo këngë, ndërsa tani është futur elektronika dhe çdokush mund të bëhet këngëtar. Unë mendoj që edhe publiku duhet të ndryshoi shijet e tij sepse muzika popullore është ajo e krijuar nga populli dhe është tabani i folklorit tonë.
-Keni menduar për të realizur ndonjë album me këngët që ju keni interpretuar në vite?
Zina .Kam shumë dëshirë që të kem një album të ri muzikor por vështirësia qëndron se ne nuk na financon dikush për realizimin e tij. Unë kam shumë materiale të ruajtura ku do të doja ti riorkestroja dhe ti sillja si një dhuratë për adhuruesit e mi. Duhen shumë para për realizimin e albumit dhe mundësitë financiare janë të pakta. Shpresoj që në një të ardhme të afërt do të kem edhe unë një album me këngë popullore.
-Ulpiana, ju pasi të përfundoni studimet në Itali do të riktheheni këtu apo do vazhdoni të qëndroni në itali?
Ulpiana. Së pari kam dëshirë të mbaroj studimet me sukses dhe pastaj do të rikthehem këtu për të vazhduar një punë, gjithashtu për të qenë e pranishme në aktivitet muzikore në vend.
-Cili është mesazhi që përcjell Zina Zdrava interpretuesve të rinj të muzikës popullore?
Zina. Të gjithë interpretuesve të rinj të muzikës popullore do ju sugjeroja që të këndojnë muzikën e pastër shqiptare dhe jo atë të kopjuar sepse ne kemi një pasuri të madhe folkloristike nga jugu në veri dhe kjo duhet vlerësuar dhe ruajtur ashtu siç është krijuar nga vetë populli.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT