E premte, 26.04.2024, 01:27 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Uran Butka: Masakra e 1951, Prokurori dhe Gjyqtari: I pushkatuam pa gjyq 22 vetë

E premte, 27.02.2009, 07:03 PM


Masakra e 1951, Prokurori dhe Gjyqtari: I pushkatuam pa gjyq 22 vetë

Nga Uran Butka

Masakra e natës së 26 shkurtit 1951 është ngjarja më tipike e krimeve të komunizmit e njëherësh më kundërligjore dhe më me pa precedent në historinë e legjislacionit shqiptar e të huaj.
Së pari, arestimet që u kryen më datën 20-23 shkurt 1951, mandej pushkatimet dhe burgimet, të cilat, ndonëse u bënë për shkak të hedhjes së një sasie të vogël dinamitit në Ambasadën Sovjetike në Tiranë, më 19 shkurt, ora 17.45, nuk kishin asnjë lidhje me këtë incident dhe asnjë lidhje me ndonjë akt tjetër terrorist. Këto ishin arrestime dhe dënime politike- përgatitur qysh më parë nga Sigurimi i shtetit dhe Ministria e Brendëshme dhe të urdhëruara nga Byroja Politike e KQ të PPSH.
Arrestimet u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme.
Lista e parë, e përgatitur nga sektori i parë i Drejtorisë së Sigurimit, me kryetar Pilo Shanto, mban titullin tronditës: Personat e arrestuar që propozohen për t’u ….. Mbi pikat, titullarët mund të shkruanin ç’të dëshironin: për t’u pushkatuar, për t’u burgosur etj.
Nga kjo listë e gjatë, krerët e Ministrisë së Brendshme zgjodhën dhe shënuan me kryq emrat e Tefik Shehut, Hekuran Trokës, Lluka Rashkoviç, Haki Kodrës, Thoma Katundit, Mehmet Ali Shkupit, Gjon Temalit, Fadil Dizdarit dhe Pandeli Novës. Lista e dytë, e përgatitur në sektorin e dytë të Sigurimit nga drejtori, kapiteni i parë Rasim Dedja, përmbante tetë propozime, nga të cilat u përzgjodhën për t’u pushkatuar, duke u shënjuar me nga një kryq përbri emrit: Ali Qoraliu, Zyhdi Herri, Gafurr Jegeni, Petro Konomi, Jonuz Kaceli dhe Sabiha Kasimati.
Lista e tretë e parapërgatitur në sektorin III të Sigurimit nga major Edip Çuçi, ka titullin vrasës: Lista e elementit që propozohet për t’u dënuar me vdekje.
Kryetari i Sektorit III të Sigurimit mund t’i propozonte prokurorisë e gjykatës t’i gjykonte e dënonte sipas fajeve që duhet të provoheshin, por jo ta vendoste vetë dënimin me vdekje! Sigurimi i shtetit ishte vendosur mbi organet e drejtësisë, të cilat kishin mbetur formale dhe zbatonin verbërisht urdhërat e vendimet e Ministrisë së Brendshme. Një shtet policor, më kriminali në gjithë vendet komuniste të Lindjes.
Nga lista e tretë, e hartuar më 22.2. 1951, u përzgjodhën për t’u pushkatuar: Pjerrin Guraziu, Qemal Kasaruho, Anton Delhysa, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia.
Emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Qemal Kosoruhos dhe Manush Peshkëpisë u vendosën në listat e pushkatimit nga Enver Hoxha, i cili i njihte mirë personalisht.
Së dyti – Akuza e Prokurorit ushtarak Siri Çarçani, mban datën 25.2.1951 dhe përmban akuzën: Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste; janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propoganduar rrëzimin me dhunë të Pushtetit popullor dhe kanë hedhur parrulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve amerikano – anglezë e satelitëve të tyre.
a) Akuza është kolektive, për të gjithë e njëjta akuzë, ndonëse të akuzuarit, siç është provuar edhe në hetuesi – nuk kanë asnjë lidhje apo bashkëpunim me njëri tjetrin; nuk janë pjestarë të ndonjë organizate politike apo terroriste; nuk kanë pasur asnjë aktivitet për akuza të tilla.
Edhe në gjyqet e para të vitit 1945, nuk ka pasur asnjë rast të tillë të ngjashëm, ndonëse të pandehurit i kanë përfshirë në grupe armiqsore, por për secilin janë dhënë akuza e prova të veçanta. Ndërsa në vitin 1951, kemi një akuzë të përgjithshme me tri reshta, asnjërit nuk i përmëndet akuza për pjesmarrje ose dijeni për ndonjë akt terrorist, aq më pak për bombën në Ambasadën Sovjetike – për shkak të së cilës u arrestuan.
Siri Çarçani dëshmon: “Unë kur kam nënshkruar aktakuzën, nuk kam pasur dosje hetimi të dërguar nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Personat që kanë emrat në aktakuzë, unë nuk i kam njohur fare dhe si prokuror nuk kam marrë pjesë në hetimet që zhvillonte Sigurimi i Shtetit. Unë nuk i kam lexuar dhe as i kam parë proces verbalet e marrjes në pyetje të të pandehurve dhe as ndonjë material tjetër të dosjes hetimore. Pasi nënshkrova aktakuzën, më duket se ia kam dhënë Sotirit dhe se ku ka përfunduar ajo nuk e di. Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk ka zhvilluar gjygj ndaj këtyre të pandehurve”. Nga këto pohime të mëvonshme të Siri Çarçanit, rezulton se ai nuk e ka hartuar akt akuzën, po e ka nënshkruar atë që i është servirur nga Ministria e Brendëshme. Nuk ka parë dosje hetimore, nuk ka marrë pjesë në hetime, madje nuk i ka njohur kurrë viktimat. Dhe ajo çka është thagmë, është pohimi i tij se “nuk është zhvilluar gjygj ndaj këtyre të pandehurve.”
Së treti – Akuza e prokurorit ushtarak është e mbështetur në nenet 2, 3,7 dhe 8 të ligjit numër 372 datë 12.12.1946. Mirëpo, sipas këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi, nuk janë respektuar e kryer proçedurat ligjore, po janë shkelur skajshmërisht e anashkaluar ato.
Me aktakuzën e datës 25.02.1951 të prokurorit, të gjithë të akuzuarit janë dërguar për gjykim në gjykatën e lartë ushtarake nën akuzën e parapërgatitur “për faje kundër popullit e shtetit”. Siç rezulton nga aktet e dosjes hetimore, asnjërit të të pandehurve nuk u është komunikuar ndonjë akuzë; nuk është bërë ndonjë proces hetimor ndaj tyre me përjashtim të Gjon Temalit, që është pyetur nga seksioni i sigurimit të shtetit (edhe në këtë rast nuk i është komunikuar atij ndonjë akuzë konkrete por vetëm thuhet “mbi akuzën që i atribuohet”.) Procesverbali i hetimit nuk është firmosur as nga i akuzuari as nga hetuesat që e kanë marrë në pyetje.
Asnjë provë nuk e ka shoqëruar këtë të ashuquajtur hetim. Kjo gjë e bën hetimin inekzistent dhe të gjitha veprimet të kundraligjshme. Së katërti – gjykata Ushtarake me kryetar nën kolonel Shuaip Panariti dhe anëtar kapiteni i parë Vangjel Kocani dhe kapiten i parë Nonda Papuli, e ka filluar shqyrtimin e çështjes më 26.02.1951 ( sipas vendimit të kësaj gjykate që mban datën datën 27.02.1951) dhe është shprehur për dënimin e të gjithë të akuzuarve me vdekje – me pushkatim, duke u bazuar po në ligjin 372 datë 12.2.1946. Ky gjykim, nëse është bërë, është tërësisht i kundërligjshëm, sepse nuk janë pyetur fare të pandehurit, nuk është hetuar gjatë gjykimit, nuk ka pasur dëshmitarë e ballafaqim, nuk janë paraqitur prova, nuk është lejuar prokurori dhe as apelimi. “Ky vendim është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë shprehet gjykata në fund të vendimit”. Në fund është firmosur nga kryetari dhe Vangjel Kocani dhe nuk është firmosur nga anëtari i Gjykatës Nonda Papuli dhe sekretari Hidaji Bejo. Pra procesverbali ka mbetur i pafirmosur plotësisht.
Të gjitha këto e bëjnë gjyqin, nëse është kryer, të kundërligjshëm.
Së pesti, krahas proçesverbalit e vendimit që përshkruam më lart, datë 27.2.51 mbështetur mbi ligjin 372, datë 12.12.46 në dosjen gjyqsore, ekziston edhe një proçesverbal tjetër –vendimi, po me datën 27.2.51, pa numër vendimi e pa numër protokolli, që gjykon të akuzuarit, por mbi bazën e ligjit të ri “Mbi gjykimin e organizatave terroriste “, që ishte dekretuar një ditë më parë, më datë 26.2.51, por që u miratua më 5 mars 1951 nga Këshilli i Ministrave për t’u bërë i zbatueshëm. Pra, viktimat u “gjykuan” dhe u pushkatuan në mesnatën e datës 26 shkurt, kur dekreti u miratua më datën 5 mars, ndërkohë që s’ishte botuar ende në Fletoren Zyrtare! Absurdi i këtij gjykimi, nëse është bërë, por që “dokumentohet” nga ky proçesverbal i falsifikuar, qëndron në faktin tragjik, se të akuzuarit nuk ekzistonin më, ata ishin vrarë në mesnatën e datës 26.2.51 dhe ishin hedhur – të lidhur me tela me gjëmba, në një gropë të përbashkët buzë lumit të Erzenit, pranë urës së Beshirit . Madje, njëri prej tyre, Jonuz Kaceli ishte vrarë më parë gjatë torturave në birucat e Sigurimit të Shtetit.
Pra, “gjykoheshin” njërëz që ishin vrarë një ditë më parë dhe nuk ekzistonin fizikisht, si në një teatër absurd dhe proçesverbali u hartua të nesërmen në datë 27.2.51, pas ekzekutimit të tyre, siç është vërtetuar plotësisht më vonë.
Rasim Dedja, kryetar i sektorit të dytë të Sigurumit të Shtetit, dëshmon: “Gjatë pyetjes së të pandehurve nga ana e hetuesve të ngarkuar me këtë çështje, shumica e të cilëve ishin operativë të Sigurimit, janë mbajt shënime dhe nuk janë mbajt procesverbale të rregullta në pozitën e të pandehurit dhe hetuesit. ..Për pushkatimin e këtyre personave nuk është bërë gjyq dhe këtë e them, pasi nga pyetjet që bëheshin në zyrat e Ministrisë së brendshme, ata janë çuar direkt në vendin e pushkatimit dhe nuk u është lënë kohë për gjykimin e çështjes…” ( Nga dëshmitë e Rasim Dedes, 19.11.1993)
Po ç’ishte ligji i ri mbi gjykimin e organizatave terroriste. E para s’ishte ligj – sepse nuk u miratua në parlament ( Kuvendin Popullor ). Ishte një dekret – i formuluar nga Ministria e Brendshme dhe i firmosur në ditën e pushkatimit nga presidenti i Republikës, Omer Nishani dhe sekretari Sami Baholli. Ky dekret u hartua menjëherë për të justifikuar vrasjet e paligjshme të 22 viktimave. Dihet se arrestimi dhe pushkatimi i tyre pa gjyq bëri bujë brenda e jashtë Shqipërisë. Ministri i Brendshëm M.Shehu, frymëzuesi dhe zbatuesi i këtij dekreti, deklaroi në atë kohë me mburrje: “Dekreti i Kuvendit Popullor i datës 26 shkurt është një armë shumë e fortë në duart e pushtetit tonë për të goditur pa mëshirë armiqtë e brendshëm”.
Ky dekret të zi, i paprecedent në legjislacionin shqiptar dhe të huaj, siguronte e përligjte arrestimet, vrasjet dhe burgimet masive nga ana e organeve të diktaturës pa respektuar etapat e proçedurës penale, binte në kundërshtim me kushtetutën dhe me ligjislacionin e asaj kohe.
Zv-Ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, ia serviri këtë projekt-dekret ministrit të Drejtësisë, Manol Konomi, i cili e konsideroi “jooportun”.
Në mbledhjen e Pleniumit të KQ të PPSH që u bë po atë ditë, M.Shehu e cilësoi Manol Konomin kapitulant dhe pleniumi e përjashtoi nga Komiteti Qendror si dhe e shkarkoi si Ministër i drejtësisë, ndonse ai u përpoq të justifikohej. Ja ç’thotë vetë Manol Konomi në plenum: “Në punën si ministër, unë kam pasur mjaft raste oportunizmi, por për të pushkatuar 20 veta armiq, unë nuk kam aspak frikë. Këtë gjë le ta thonë edhe shokët e partisë që punojnë në drejtësi, nëse unë druhem nga armiku. Prandaj, jo 20 veta, por edhe më shumë po të thotë partia, unë jam gati t’i pushkatoj. Unë e siguroj KQ se këtë gjë nuk e kam bërë me asnjë mënyrë se kam pasur frikë se më ka zënë paniku, po ndjenja e inferioritetit më ka shtyrë të bëj këtë kërkesë ( për dorëheqje, shën.Red)…Sidoqoftë, kudo që të më vërë partia, unë do ta kryej detyrën…”
Nga pikpamja juridike, shqyrtimi dhe dhënia e dënimit nga gjykata ushtarake mbi bazën e dekretit të zi nr 1223 dt 26.2.1951, ka qënë i kundraligjshëm, kjo edhe për arsye se të gjithë veprimet hetimore janë kryer jo në bazë të ligjit apo dekretit të ri, mbasi ato janë kryer pa dalë ky dekret. Pra veprimet hetimore e gjyqësore i kanë paraprirë ligjit.
Së gjashti, të gjithë këto veprime të paligjshme, mbyllen me një vendim po të kundraligjshëm. Në vendimin gjyqësor, megjithëse viktimat akuzohen për organizim dhe pjesmarrje në një organizatë terroriste, nuk sillet asnjë provë, asnjë dëshmi, nuk thuhet asnjë emër organizate, asnjë veprim i saj, nuk bëhet asnjë arsyetim dhe analizë.
Përkundrazi, edhe nga shpjegimet e të akuzuarve ( nëse janë pyetur vërtet) nuk del asnjë e dhënë që ata të jenë pjesmarrës të ndonjë organizate, të kenë njohje dhe të kenë biseduar midis tyre.
Të marra në tërësi këto shkelje të ligjit, si edhe mungesa e plotë e një hetimi, e një gjykimi, si edhe ekzistenca e një dokumentacioni të pasaktë, kundërthënës e të pafirmosur, e bëjnë “vendimin” e Gjykatës Ushtarake të kundërligjshëm, duke e vënë atë dhe trupin gjykues përpara përgjegjësisë ligjore.
Së fundi, akuza dhe dënimi i 22 martirëve, ishin politike. Vetë mbledhja e byrosë Politike dhe e Komitetit Qëndror të PPSH më datën 20 shkurt 1951 dhe vendimet që mori partia për masa të menjëhershme represive, ishin politike dhe në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi dhe me kartën e OKB të firmosur nga Shqipëria. Mjafton të përmendim fjalët e M.Shehut në Byronë Politike: “Të arrestojmë rreth 100 apo 150 veta, nga të cilët 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë, duke zgjedhur sigurisht ata më kryesorët…Kjo masë do të procedohet me nje masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji…Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe, po të jeni edhe ju dakort, veprojmë që sonte”. Të gjithë anëtarët e Byrosë: “Jemi dakort me këto masa!” ( Nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike, 20 shkurt 1951) Menjëherë nisën arrestimet, qysh në datën 20 shkurt 1951 dhe në ditët në vazhdim të muajit shkurt, por edhe në muajt e tjerë të vitit 1951. Arrestimet masive bëheshin natën, jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjitha krahinat e tjera, për të goditur e asgjësuar “reaksionin” dhe për të terrorizuar gjithë popullin.
Ligjet që ekzistonin dhe organet e drejtësisë mbeteshin krejt formalë. Çdo gjë urdhërohej nga kupola partiake, organet e drejtësisë e përligjnin këtë përdhosje të ligjit, madje angazhoheshin dhe e dhunonin edhe vetë, sipas urdhërave që merrnin nga lart. Nuk kishte asnjë shenjë të shtetit ligjor, nuk kishte asnjë fije drejtësi, madje as procese gjyqësore të mirëfillta. Gjithçka ishte e inskenuar, e montuar, e manipuluar. Makina e partisë-shtet punonte me gjakun e viktimave të pafajshme.
Ishte një terror paralel dhe i dyfishtë: njëri brenda partisë, ideologjik e psikologjik, për të terrorizuar e gjunjëzuar elementët e partisë që mund të mendonin ndryshe dhe tjetri terror vrastar, fizik e shpirtëror, në sy të popullit dhe brenda popullit, për ta terrorizuar e gjunjëzuar përfundimisht atë dhe për të imponuar regjimin komunist që nuk honepsej në Shqipëri.
Më datën 26 shkurt u dhanë konkluzionet e E.Hoxhës dhe u morën vendimet për konsolidimin e vijës staliniste të partisë dhe të qeverisjes dhe po më datën 26 shkurt u bënë kurbanët e parë të kësaj vije kriminale: 22 intelektualë shqiptarë në plumb!
Pushkatoheshin, burgoseshin e internoheshin njerës të pafajshëm, pa gjyq e pa vendime ligjore, vetëm me urdhëra arbitrare nga lart dhe veprime policore kriminale të organeve të diktaturës. Po aq kriminale ishte edhe përpjekja për të falsifikuar e tjetërsuar ngjarje, dokumente e procesverbale, për të justifikuar e mbuluar krimin. Kryetari i Gjykatës së Lartë, Shuaip Panariti, firmosi një gjykim dhe një vendim të Gjykatës Ushtarake, që s’është bërë e s’është marrë kurrë. Po ashtu edhe anëtari i Gjykatës së Ushtarake, Vangjel Kocani, i cili dëshmon: “Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga ish-kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuiap Panariti dhe më tha se ti e di që është hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike, Sigurimi ka arrestuar dhe një pjesë nga të arrestuarit, 22 veta janë pushkatuar pa u bërë gjyq. Prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqsor penal formal, pasi gjyq nuk mund të bëjmë, se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjygj personat… Shuaipi më tha se vendimi i gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë dhe duhet ta bëjmë këtë, pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit e në atë kohë ishte kryeministër E.Hoxha. Shuaipi më tha: “Ti Vangjel mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe neve në fakt nuk gjykojmë njeri”. Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv, duhet të mbyllësh gojën, të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror. Pas kësaj, kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme… Shuaipi më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar dhe unë e kam firmosur…”
Ky është një krim i pandëshkuar. Dënimi i krimit është një akt kulture.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora