E premte, 26.04.2024, 08:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Filmi ''Kapetan Leshi'' dhe kënga ''Po vijnë krushqit''

E merkure, 04.02.2009, 10:31 PM


FILMI “KAPETAN LESHI” DHE KËNGA “PO VIJNË KRUSHQIT”

 

Nga Demir KRASNIQI

 

Njëri ndër filmat e parë të kinematografisë jugosllave të pas Luftës së Dytë botërore , është filmi i regjisorit beogradas Velko Bullajiq dhe kryeaktorit Aleksandar Gavriq, me titull: “Kepetan Leshi”.

            Ky film, ka qenë njëri ndër filmat më degradues dhe nënçmues ndaj luftës së popullit shqiptar të Kosovës, i cili në vazhdimësi ka luftuar për liri kombëtare, të drejta dhe barazi. Klika e regjimit hegjemonist serbosllav , me shovinizmin e vet të ushtruar mbi shqiptarë, ka bërë që të gjithë ata shqiptarë që kanë luftuar për të drejtat dhe barazinë kombëtare shqiptare, t’ i quaj me përbuzje “ballistë”!

 Me këtë fjalor përbuzës dhe nënçmues ndaj luftëtarëve të Ballit Kombëtar Shqiptar dhe të NDSH-së, të cilët edhe i trajtonte si armiq të Jugosllavisë titoiste sllavokomuniste , janë provokuar dhe nënçmuar të gjithë shqiptarët të cilët e kanë krye shërbimin ushtarak nëpër kazermat e Armatës Popullore të Jugosllavisë (JNA), duke i thirrur dhe duke i provokuar ata si “ballistë”!

            Gjeneratat e reja të djemve shqiptarë, të cilët nuk kishin njohuri se kush ishin ballistët dhe Balli Kombëtar Shqiptar, ndiheshin të ofenduar dhe të nënçmuar me këto etiketime dhe sa herë që ushtarët serbë iu drejtoheshin shqiptarëve me pyetjen :”Gde ste vi ballisti?” ( Ku jeni ju ballistë ?) - ushtarët shqiptarë ua kthenin: “Mi smo ballisti, a vi ste çetnici !”( Ne jemi ballistë , por edhe ju jeni çetnikë!).

            Me motivacion se forcat partizane jugosllave , kanë zhvilluar luftëra kundër okupatorëve dhe armiqve të vendit, ata në fakt, kanë luftuar edhe kundër forcave revolucionare shqiptare, me arsyetim se gjoja, po i luftonin lëvizjet balliste !

            Një luftë të këtillë gjenocidale ndaj popullit shqiptar të Kosovës, më së miri e kanë trajtuar dhe pasqyruar përmes filmit të titulluar :”Kapetan Leshi”, film ky që fund e krye i është kushtuar grupit të luftëtarëve dhe patriotëve më të shquar shqiptarë të asaj kohe, të udhëhequr nga kreshniku i Karadakut – Hasan Ali Remniku .

            Vet kryepersonazhi i këtij filmi, Kapetan Leshi, është simbolikë e udhëheqësit të këtij grupi: Hasan Ali Remniku, i cili përveç që ishte i njohur si luftëtar i paepur, trim i patrembur, kishte gjoksin e mbuluar me qime të leshit , aq sa armiqtë e tij, i frikësoheshin edhe për së vdekuri gjatë ekspozitës së kufomës së tij, nëpër disa qytete të Kosovës, me ç’ rast po sa i afroheshin kufomës së tij –  trishtoheshin dhe iknin nga vendi i ekspozitës !

            Me rastin e xhirimit të këtij filmi, regjisori beogradas Velko Bullajiq, e angazhon kompozitorin Rexho Mulliq, që t’ a kompozojë muzikën adekuate për këtë film.

            Kompozitori Rexho Mulliq , ishte një mysliman i lindur nga rrethi i Palvës, i cili që herët ishte i kyçur në radhët e partizanëve sllavo-komunistë dhe pjesëtarë aktiv i LNÇJ-së. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, këtë komunist të përbetuar, Beogradi e çon në mision të caktuar në Kosovë, për ta mbikëqyrur muzikën dhe për t’ i bërë “terbie” muzikantët dhe këngëtarët nacionalist shqiptar !

            Është interesante të ceket, se ky kompozitor – mbikëqyrës i kulturës kosovare, ka punuar, krijuar dhe martuar në Kosovë, ku ka jetuar deri në vdekje, dhe asnjëherë në jetën e tij, nuk e ka folur asnjë të vetmen fjalë në gjuhën shqipe ! Madje, as “Mirë dita” nuk i ka thënë kujt në gjuhën shqipe?!

            Për ta përshtatur muzikën adekuate për filmin “Kapetan Leshi”, që i dedikohej Hasan Ali Remnikut dhe grupit të tij, kompozitori Rexho Mulliq e merr si lajtmotiv muzikën dhe këngën me titull:”Po vijnë krushqit!”

            Kjo këngë, që këndohej në gjuhën shqipe, ndonëse nuk i dihet autori i tekstit, fund e krye është e lidhur me aktin e tradhtisë së Grupit të Hasan Ali Remnikut, nga ana e UDB-së serbo-jugosllave të ndihmuar nga disa shërbëtorë besnik shqipfolës, të cilët e tradhtuan këtë Grup dhe e nisën për në rrugë të vdekjes !

            Një gjë dihet mirëfilli, se Grupi i Hasan Ali Remnikut, për në rrugë të vdekjes është nisur nga fshati Bresalc i Gjilanit, për të udhëtuar këmbë nëpër male , në drejtim të Prizrenit dhe kufirit të Shqipërisë .Gjatë këtij rrugëtimi të gjatë , shumë të mundimshëm dhe shumë të rrezikshëm, në një fshat të rrethit të Lipjanit, janë shërbyer me petulla të helmuara ! Nga ky helmim, ata nuk kanë vdekur, por gjatë rrugës deri në Prizren, e kanë hequr të zinjtë e ullirit nga ky helmim!

            Prita që i ishte kurdisur këtij Grupi, për likuidim në Bistricë të Prizrenit, po e priste me gëzim ardhjen e Grupit të Hasan Ali Remnikut, të cilin po e këndonin:

 

            “Po vijnë krushqit maleve!...

            Maleve dhe fushave !...

                        Refreni:

                        Gëzonju, ju, gëzonju,  o  ju krushq-o,

                        Se sot do t’ merrni  nusen- o!”

 

            S’ ka dyshim, se Grupi i Hasan Ali Remnikut, po udhëtonte këmbë maleve dhe fushave, për të rënë në kurthin e pritës për vdekje! Andaj, tradhtarët fashistë , kishin arsye që të gëzoheshin e të këndojnë: “sot po marrin nuse”- pra , po ua marrin jetët një grupi të shquar patriotësh e luftëtarësh shqiptarë!

            Forcat ushtarake serbo-çetnike, të cilët po e prisnin në pritë ardhjen e Grupit të Hasan Ali  Remnikut, nuk e kishin as më të voglin dyshim, se aksioni i tyre do të dështojë, nga se prijës në krye të Grupit të Hasanit, e kishin njeriun e tyre besnik, i cili po i printe Grupit të Hasanit, drejt rrugës së vdekjes, duke ua treguar rrugën dhe shtigjet përpara tyre!

            Prijësi – udhëheqësi i rrugës së Grupit të Hasan Ali Remnikut, për kasapët e Serbisë, ishte njeri i mikluar , i privilegjuar dhe i pagëzuar me nofkën :”Kumbara”, dhe në strofën vijuese të kësaj këngë, ata do të këndonin:

 

            “Krushqve përpara –

            Ju prinë kumbara !

                        Refreni:

                        Gëzonju, ju, gëzoju, o ju krushq-o,

                        Se sot do t’ merrni nusen –o!”

 

            Aktin e helmimit të këtij Grupi, gjatë rrugës kur në një fshat ishin shërbyer me petulla të helmuara, kasapët që po e prisnin këtë Grup, në pritën e Bistricës, do ta këndonin kështu:

 

            “Krushqve ju qesim –

            Petlla me mjalt-e !

                        Refreni:

                        Gëzonju, ju, gëzoju, o ju krushq-o,

                        Se sot  do t’ merrni nusen – o !”

 

            Pjesa më e dhembshme e kësaj ngjarjeje të trishtueshme, është fakti se përveç krimeve dhe gjenocidit serbo-jugosllav të ushtruar mbi popullatën e pambrojtur shqiptare, kinematografia serbo-sllave, këtë film famëkeq e kobzi në dëm  të shqiptarëve, e ka vu në program të kinematografisë kosovare me vite të tëra dhe pos kësaj, e ka transmetuar vazhdimisht nëpër programet e RTJ-së e më vonë edhe të TVP-së!

            I tërë ky skenar i programit filmik , është bërë me qëllim të indoktrinimit të rinisë shqiptare, të cilët në mungesë të filmave shqiptarë dhe në mungesë të njohurive mbi qëllimet e këtij filmi, vite me radhë kanë pritur me padurim në rreshta të gjatë para dyerve të kinemave tona, për të hyrë dhe për ta shikuar filmin e “Kapetan Leshit”!

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora