E premte, 26.04.2024, 03:22 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Aleksandër Meksi: Shqipëri-Kosovë, marrëdhëniet në 60 vitet e fundit

E hene, 02.02.2009, 05:13 PM


Aleksandër Meksi
Aleksandër Meksi
Shqipëri-Kosovë, marrëdhëniet në 60 vitet e fundit

Nga Aleksandër Meksi

Ky shkrim do t‘i përmbahet kufirit kohor që fillon me Luftën e Dytë Botërore e deri në ditët tona dhe do të trajtojë marrëdhëniet e shtetit shqiptar (nga 1946-Republika Popullore e Shqipërisë, më 1976-Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dhe pas 1991-Republika e Shqipërisë) me Kosovën. Aktualisht, tema ka rëndësi të veçantë, në këtë etapë të re të mvetësimit të Kosovës, pas çlirimit nga zgjedha serbe, kur marrëdhëniet e shqiptarëve të Kosovës (madje dhe të trevave të tjera të banuara nga shqiptarët në ish-Jugosllavi) me shqiptarët e Republikës së Shqipërisë nuk kanë më asnjë pengesë të çfarëdo lloji qofshin, veç atyre që vetë ne krijojmë së bashku subjektivisht. Është detyrë e historiografisë shqiptare ta ndriçojë këtë periudhë të rëndësishme të historisë së popullit tonë, duke u mbështetur mbi dokumente, fakte, larg politizimit konfliktual dhe ngarkesave pseudo-ideologjike e gjykimit favorizues për ata që janë në një krah me ta në politikë. Dhe këto studime duhet të botohen. Vetëm në këtë mënyrë, studiuesit do të japin ndihmesën e tyre në zgjidhjen e çështjes kombëtare. Është për të ardhur keq që shumë nga dëshmitarët e asaj kohe nuk flasin, sigurisht në mënyrë të bazuar mbi fakte dhe dokumente, që përbën një detyrë për ta, sepse fshehja e historisë apo edhe më keq, shtrembërimi i saj është dënimi i tyre.

***

Marrëdhëniet e komunistëve shqiptarë me ata jugosllavë, pra dhe marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas saj, ishin të kushtëzuara nga fakti që udhëheqësit e Partisë Komuniste Shqiptare, me në krye Enver Hoxhën, u përzgjodhën si veglat më të bindura nga të dërguarit e Partisë Komuniste Jugosllave, të cilët morën pjesë në themelimin e PKSH-së dhe e drejtuan atë deri në mesin e vitit 1948. Udhëheqësit shqiptarë, siç vërteton dokumentacioni i shumtë i botuar, por jo në mënyrë shteruese, vepruan në kurriz të interesave kombëtare, duke mundësuar realizimin e synimeve shoviniste të serbomëdhenjve. Janë të shumta dëshmitë për ndikimin e udhëheqjes komuniste shqiptare me emisarët e saj në lëvizjen partizane në Kosovë, në largimin prej andej të emisarëve "nacionalistë" (ata që u kundërviheshin komunistëve serbë apo maqedonas), madje edhe me eliminimin fizik, këtu dhe atje, të kundërshtarëve politikë si antijugosllavë. E njëjta gjë ndodhte edhe në planin e brendshëm gjatë luftës, ku komunistët luftuan të gjithë ata nacionalistë që çështjen kombëtare e kishin në rend të ditës. Menjëherë pas çlirimit të vendit filluan të dalin në pah synimet e klikës udhëheqëse të komunistëve shqiptarë me Enver Hoxhën në krye, për të ecur përkrah Jugosllavisë së Titos, deri në bashkimin me të në Konfederatën Ballkanike, duke pasur miqtë jugosllavë në krye. Për këtë arsye, Enveri kishte përkrahjen e të dërguarve të Beogradit (p.sh. Velimir Stojniç në Plenumin II-të të Beratit-tetor 1944).

Kështu, në Plenumin V-të të Komitetit Qendror të PKSH-së (shkurt 1946) Enver Hoxha tha: "Nuk e kemi drejtuar popullin tonë sa duhet drejt vëllazërimit të shëndoshë me Jugosllavinë, që është një konditë e domosdoshme për ekzistencën e vendit tonë". Madje, lexoi direktivën po aty: "Të luftojmë me mish e me shpirt tendencat shoviniste të atyre shqiptarëve që luftojnë të ngjallin mërinë e vjetër kundër popujve të Jugosllavisë". Udhëheqësit komunistë shqiptarë mendonin se falë kësaj propagande do të realizonin me lehtësi e pa probleme (ndërkohë që kishin vrarë e burgosur politikanët e intelektualët nacionalistë e demokratë) politikën jugosllave ndaj kombit shqiptar.

Udhëheqja komuniste jugosllave dukej se e kishte problem çështjen shqiptare, sidomos pas përfshirjes të një pjese të mirë të tokave shqiptare të ish-Mbretërisë Jugosllave nën administratën pushtuese, të lidhur ekonomikisht e në aspektin njerëzor dhe pa kufi me ish-Mbretërinë Shqiptare që ringjalli atdhetarinë dhe shpresat për zgjidhje. Duket se ajo mundohej që me ndihmën e komunistëve shqiptarë dhe atyre të Kosovës të indoktrinonte popullin se duhet të bashkohej patjetër me Jugosllavinë, në cilëndo formë (Konfederatë Ballkanike apo Republika e Shtatë e Jugosllavisë), nën pretekstin e rremë se shqiptarët do të dilnin të fituar. Për jugosllavët kjo ishte e vetmja mënyrë që mënjanonte zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare shqiptare, një padrejtësi e shkaktuar nga Kongresi i Berlinit (1878) dhe Konferenca e Londrës (1913).

***

Ndërkohë, (nëntor 1944-qershor ‘48) shteti i ri shqiptar, që shkallë-shkallë dhe me shpejtësi u shndërrua në një shtet të diktaturës së proletariatit, luftonte çdo shfaqje të nacionalizmit në Shqipëri, arrestonte dhe dërgonte në gjyqet jugosllave gjithë kosovarët nacionalistë e antikomunistë që ndodheshin në Shqipëri (kujtojmë Bedri Pejanin e Selman Rizën), vuri organet e tij të sigurimit nën shërbimin e fshehtë jugosllav, mesa duket duke njësuar dhe rrjetin e informatorëve, dënoi në Shqipëri të gjithë ata që kishin shkruar libra për Kosovën (si Vasfi Samimi e Besim Qorri) e masa të tjera shtrënguese e kufizuese. Që nga Plenumi V-të e deri te viti 1948, me ndodhitë e njohura të quajtura të Informbyrosë, udhëheqja shqiptare dhe ajo jugosllave punuan për ecjen e dy vendeve në të njëjtën rrugë, atë të ashtuquajtur të socializmit duke kërkuar bashkimin e ekonomive, krijimin e shoqërive të përbashkëta, njësimin e monedhës dhe çmimeve, heqjen e doganave, madje deri në unifikimin e ushtrive e komandave që ishte hapi që do të paraprinte bashkimin politik mbi baza federative të të dy vendeve. Gjithë ky proces pat filluar qysh gjatë luftës dhe bëhej nën presionin e udhëheqjes më të lartë jugosllave, por jo pa pëlqimin e angazhimin e Enver Hoxhës me shokë, të cilët menduan se nëpërmjet këtyre shërbimeve që po iu bënin jugosllavëve, do të siguronin pushtetin e tyre.

Viti ‘48 ishte vendimtar për prishjen e marrëdhënieve tepër të ngushta shqiptaro-jugosllave dhe u bë me "kërkesën" e sovjetikëve, që u shpallën si "shpëtimtarë" të Shqipërisë nga titizmi. Kjo ndodhi në qershor të vitit 1948, kur Enver Hoxha me shokë, për t‘i shpëtuar ndëshkimit si titistë, morën politikisht anën e sovjetikëve, për të njëjtën arsye për të cilën ishin verbërisht me jugosllavët, që të ruanin pushtetin e tyre. Të thuash si ndonjë gazetar, se ndarja ishte vetëm ideologjike, çka sot nuk ekziston dhe duhet të bëhemi miq, do të thotë që nuk kishte asnjë arsye reale që kushtëzoi marrëdhëniet gjatë atyre viteve dhe prishjen e tyre, çka nuk është e vërtetë. Ishte karrigia e udhëheqësve gjakësorë nga njëra anë, dhe Kosova në anën tjetër. Ato nuk u zgjidhën në vitin 1948, mbetën siç ishin edhe më parë, madje duke u përkeqësuar gjendja e shqiptarëve në të dy anët e kufirit dhe duke u ndarë edhe më tepër prej njëri-tjetrit.

Që atëherë, "Jugosllavia titiste" u kthye në armikun kryesor të komunistëve shqiptarë dhe marrëdhëniet e shqiptarëve në të dy anët e kufirit thuajse u ndërprenë nga një luftë realisht e ftohtë ndërmjet dy vendeve dhe nga përdorimi në shkallë të gjerë i rrjetit agjenturor nga të dy palët, ndër ta tashti u përfshinë dhe ata që në Kosovë i mbetën "besnikë" Informbyrosë dhe pas vdekjes së Stalinit, marksist-leninistët. Nga radhët e miqve e përkrahësve të komunistëve shqiptarë, që shtoheshin në kohë mbi një substrat logjik antijugosllav apo nacionalist, ka të shumtë që edhe sot mbajnë lidhje besnikërie e të përkushtuar me të majtën ish-komuniste deri dje në pushtet. Çuditërisht, për kosovarët Shqipëria, "shteti amë", u identifikua me mbrojtësin e tyre dhe vend që lulëzonte (?!), ndërsa Enver Hoxha si kampion i nacionalizmit, kur ishte krejt e kundërta. Gjatë këtyre viteve ishin të shumtë ata që vinin në Shqipëri për të shpëtuar nga terrori jugosllav i viteve ‘50 dhe përfunduan në burgje, internime e izolim sepse konsideroheshin spiunë apo titistë e më vonë revizionistë, apo thjesht sepse shfaqnin ndonjë pakënaqësi dhe shkaqet për reagime të tilla ishin të shumta në Shqipërinë staliniste. Në të njëjtën mënyrë u trajtuan edhe kosovarët që jetonin prej kohësh në Shqipëri.

Një periudhë "afrimi" në dukje ndërmjet dy palëve është ajo e viteve ‘54-‘56, në të cilën Hrushovi dënoi vendimet e Informbyrosë kundër Titos. Kjo periudhë në Shqipëri përfundoi me dënimet e veprimtarisë "antiparti" të udhëheqësve të lartë të Partisë së Punës e të Luftës Nacionalçlirimtare (si Bedri Spahiu, Tuk Jakova, Liri Gega, etj), të cilët kërkonin luftën kundër kultit të individit (lexo: të E. Hoxhës), por që u akuzuan si agjentë të Jugosllavisë e titistë (në atë kohë kjo ishte një sharje e rëndë e me pasoja). Kjo periudhë pati një kulm në Konferencën e Tiranës të mesit të vitit ‘56 e viktima të shumta të saj dhe u mbyll me "dënimin" e revizionizmit hrushovian-titist dhe prishjen përfundimtare me vendet e bllokut socialist në vitin ‘61.

E tëra kjo ndodhi, sepse në të gjitha vendet socialiste të kohës, udhëheqësit e periudhës së Stalinit u larguan nga pushteti dhe viktimat e tyre u quajtën të pafajshme. Kjo gjë iu kërkua dhe klikës së Enver Hoxhës, i cili për të mbetur në pushtet duhej të prishej me Moskën dhe për këtë u lidh me një kundërshtar të saj-Kinën e Mao Ce Dunit. Edhe në këtë rast të ashtuquajtura divergjenca ideologjike dhe besnikëria e patundur ndaj ideologjisë marksiste-leniniste ishin preteksti për të mbetur në pushtet. Pasojat e kësaj ranë mbi shqiptarët dhe kosovarët. Këta të fundit, qofshin marksistë-leninistë apo nacionalistë e antijugosllavë, vinin në Shqipëri për t‘i shpëtuar terrorit, të parët te vëllezërit e idealeve (ani se ishin tejet të mbrapshtë), të dytët te vëllezërit e gjakut. Por të gjithë, për fatin e tyre të keq, ranë nga shiu në breshër dhe jo vetëm këta të dytët, por dhe mjaft nga të parët që nuk u bënë agjentë për t‘u ridërguar me mision në Kosovë e zonat e tjera shqiptare të RFSJ. Mjaft nga ata që nuk nënshtroheshin, i dorëzoheshin paturpësisht palës jugosllave në këmbim të të arratisurve nga Shqipëria, që përbënte një tragjedi për të dy palët dhe që përfundonin burgjeve dhe deri pushkatoheshin.

***

Në marrëdhëniet shqiptaro-kosovare pati një ndryshim të dukshëm në vitet ‘70, kur ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nisën, sado pak, kontakte kulturore, shkencore dhe njerëzore dhe kur tregtia ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë pati një rritje të konsiderueshme dhe shërbente për të minimizuar "bllokadën". Ishin të shumtë shqiptarët që vizituan njerëzit e tyre në Kosovë apo shkuan në kuadër të kontakteve të mësipërme, ashtu edhe kosovarët që vizitonin Shqipërinë deri dhe si turistë. Sidoqoftë, shteti shqiptar dërgonte për punë (shkencë, mësimdhënie, këmbime kulturore apo tregti) vetëm njerëz të besuar e të kontrolluar. Në të njëjtën mënyrë përzgjidheshin dhe ata që lejoheshin të vizitonin të afërmit e tyre në Kosovë. Ata duhej të ishin të kujdesshëm në takimet e vizitat dhe duhej të raportonin gjithçka. Mjaft prej tyre kishin dhe detyra të posaçme informimi dhe kontakti. Të gjithë kosovarët që vinin në Shqipëri, mbikëqyreshin po aq rreptë sa çdo i huaj, në mos më shumë.

Megjithatë, shtimi i kontakteve njerëzore e kulturore, sado i kontrolluar (apo organizuar), sillte për rrjedhojë afrimin e shqiptarëve në të dy anët e kufirit, çka nuk pëlqehej nga të dy qeveritë edhe pse për arsye të ndryshme. Jugosllavët i trembeshin rritjes së ndjenjës nacionaliste, ndërsa qeveria komuniste e Shqipërisë trembej se shqiptarët po shikonin bashkëkombës me nivel shumë më të lartë pasuror e mirëqenie dhe se kosovarët do të deziluzionoheshin nga gjendja jonë tragjike, e kundërta e propagandës që iu ofrohej atyre me të dërguarit tanë dhe mediat.

Për këtë arsye, të dy palët nuk e dëshironin rritjen e kontakteve që në aspektin formal nuk mund të ndaleshin, veçse duke u gjykuar për keq. Zgjidhja u gjet duke shfrytëzuar nacionalizmin e natyrshëm, të zjarrtë e të përhershëm të të rinjve, në radhë të parë të studentëve dhe intelektualëve, me kërkesën e drejtë "Kosova Republikë" që u nxit e u shfrytëzua nga shërbimet e fshehta të të dy palëve. Për këtë unë kam pasur të dhëna tërthore dhe bindjen time që atëherë (pranverë ‘81). Rezultati ishte i qartë dhe i parashikueshëm: reprezalje e dhunë serbe ndaj atdhetarëve kosovarë, arrestime të shumta e largime nga puna, duke vijuar me bllokimin e rrugëve të zhvillimit ekonomik e mbi të gjitha në rrafshin arsimor e kulturor, si dhe ndërprerja e dukshme e marrëdhënieve njerëzore dhe informuese ndërmjet dy anëve të kufirit që, siç thamë, e dëshironin të dy qeveritë, që propagandën e tyre tepër intensive e përdorën në të kundërtën.

Pala shqiptare bënte sikur protestonte për dhunën jugosllave ndaj shqiptarëve, që ishin shumica dërrmuese në territore kompakte përherë të banuara prej tyre, ndërkohë që fillon një dekadë marrëdhëniesh tejet të ngrira shqiptaro-jugosllave. Për pasojë, thuajse ndërpriten të gjitha kontaktet ndërmjet shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Qeveria shqiptare, duke deklaruar se mbështeste kërkesat e kosovarëve për "Kosova Republikë", deklaronte gjithnjë se nuk ishte e interesuar për ndryshimin e kufijve, ndërkohë që kosovarët vazhdonin të keqtrajtoheshin në të njëjtën mënyrë në Shqipëri. Në anën tjetër të kufirit, megjithëse mbështetja e qeverisë shqiptare ishte vetëm me fjalë, kosovarët me kryeneçësi vijuan të admironin Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij e më keq akoma, t‘i konsideronin shpëtimtarët e tyre ndonëse ata mund t‘u kishin bërë keq sa dhe Tito e Rankoviçi.

***

Një fazë krejtësisht e re në marrëdhëniet shqiptaro-kosovare filloi pas dhjetorit të vitit 1990, kur në manifestin e Partisë Demokratike të shpallur publikisht thuhet: "Partia Demokratike lufton … Për realizimin e aspiratave shekullore të kombit shqiptar për liri, pavarësi, bashkim e përparim, në përputhje me frymën e dokumenteve të KSBE".

Që nga ajo ditë, gjithkush që dëshironte, mund të fliste pa frikë për Kosovën e kosovarët, të kërkonte të drejtat e tyre. Që atëherë filluan kontaktet e vërteta midis dy palëve ndërmjet dy anëve të kufirit. Kohë më vonë, i pyetur në një intervistë në mënyrë provokative se çfarë ka bërë PD për Kosovën, unë u përgjigja "… se ne u mësuam fëmijëve të komunistëve se kosovarët flasin shqip e janë shqiptarë…". E thashë këtë të vërtetë, sepse kaq e madhe ishte padija në Shqipërinë komuniste për Kosovën, sa dhe sot e kësaj dite librat e historisë së popullit shqiptar apo ata të gjuhës shqipe e trajtojnë shkarazi, në mos hiç, Kosovën dhe trojet e tjera të Shqipërisë dhe vazhdohet të njësohet Republika e Shqipërisë me Shqipërinë çka nuk është e drejtë.

Menjëherë me fitoren e pluralizmit në Shqipëri nuk pati më kufizime për kosovarët që dëshironin të vizitonin Shqipërinë, veçse duhet thënë se propaganda dezinformuese e strukturave komuniste u mundua që të fuste përçarjen në mes të shqiptarëve të këtushëm dhe kosovarëve, aq më tepër që Lidhja Demokratike e struktura të tjera të diasporës kosovare në ish-Jugosllavi ndihmuan haptazi Partinë Demokratike. Arsyet në themel të këtij dezinformimi qenë po ato të viteve më parë, kosovarët qenë shqiptarë si ne, që jetonin më mirë se ne, njihnin pronën private e pasurinë në përgjithësi, lëviznin nëpër botë, pra ishim dëshmi e dështimit të gjysmë shekulli komunizëm në Shqipëri, d.m.th., i përgjegjësisë së drejtuesve shqiptarë që me dhunë mbajtën këtë sistem.

Në ato vite qeveria shqiptare njohu Republikën e Kosovës, institucionet dhe Presidentin e saj, mbështeti kërkesat e shqiptarëve dhe e bëri çështjen e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë temën bazë në të gjitha konferencat e takimet ndërkombëtare, duke kërkuar ndalimin e represionit dhe të gjendjes së pushtimit, respektimin e të gjitha të drejtave të shqiptarëve, bisedime me përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve të Kosovës në prani të një pale të tretë e të tjera. Të njëjtin qëndrim autoritetet shqiptare të kohës mbajtën gjatë krizës së Bosnjës duke kërkuar, deri në nivelet më të larta të qeveritarëve perëndimorë, qëndrim më këmbëngulës të NATO-s për t‘u ndalur dorën agresorëve serbë dhe për të ndërhyrë në dobi të paqes e për të shmangur masakrën. Po kështu u kërkua përfshirja e Kosovës në bisedimet e Dayton-it. Sidoqoftë, qeveria shqiptare dha një ndihmesë të rëndësishme e vendimtare për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi e të kosovarëve në veçanti.

Riardhja në pushtet e ish-komunistëve pas trazirave të vitit ‘97 pati si pasojë një dobësim të politikës së mbështetjes së faktorëve politikë shqiptarë të Kosovës, madje ata filluan takime me drejtues të shtetit jugosllav (Milo-Milutinoviç, tetor ‘97; Nano-Milosheviç, nëntor ‘97) dhe pranuan publikisht që Kosova është punë e brendshme e jugosllavëve, të cilët duhet t‘u sigurojnë shqiptarëve veç të drejtat themelore të njeriut. Ky qëndrim i ri i autoriteteve shqiptare u kritikua nga opozita dhe faktorët politikë kosovarë duke kushtëzuar dhe sot e kësaj dite marrëdhëniet në të dy anët e kufirit.

Me fillimin e veprimeve antishqiptare në pranverën e vitit ‘98 ka ndër shqiptarët e këtushëm një ndërgjegjësim për fatet e kosovarëve dhe për zgjidhjen e çështjes kombëtare si i vetmi shpëtim për ta. Njerëzit e shtetit dhe shumica dërrmuese e politikanëve janë shprehur sipas formulave të njëjta të diktuara nga faktori ndërkombëtar, duke i modifikuar ato sa herë që kishte press-release të ndryshme nga të mëparshmet. Sidoqoftë, gjatë vitit ‘98 e deri në çlirimin e Kosovës, ku roli i SHBA ishte vendimtar, pati një qëndrim qartësisht përkrahës që u vërejt me pritjen humane plot dashuri e dashamirësi tejet çdo parashikimi që shqiptarët e të gjitha krahinave, e të gjitha shtresave i rezervuan të dëbuarve nga dhuna serbe.

Gjatë periudhës që pasoi çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe ndodhi një fenomen karakteristik për jetën politike shqiptare: parcelizimi i politikës. Të majtët e Shqipërisë u lidhën me të majtët e Kosovës (këtu veç idealeve, luajtën rol edhe lidhjet e vjetra politike e ato të "dyshimtat" e periudhës së mëparshme), ndërsa ata të opozitës me LDK e me parti të afërta me të. U desh kohë që të vendosen kontakte të palëve të kundërta dhe një dasi e tillë nuk ka si të mos dëmtojë marrëdhëniet ndërmjet strukturave të administratës së sotme në Kosovë me ato shqiptare, ato ndërmjet partive politike, sidomos për çështjet me rëndësi kombëtare, e së fundi ndërmjet institucioneve publike e popullit të thjeshtë.

Shumëkush priste që me çlirimin e Kosovës nga ndërhyrja e NATO-s dhe lufta e UÇK dhe me vendosjen e një administrate ndërkombëtare krahas shkëputjes de facto nga Serbia, marrëdhëniet ekonomike, njerëzore, kulturore e politike do të shtoheshin ndjeshëm. Kjo çuditërisht nuk po ndodh me ritmet dhe nivelet e dëshiruara. Mendoj se këtu, veç elementëve subjektivë si një farë dallimi reciprok e angazhimit të detyruar me problemet vetjake e të përditshme, ndikojnë paragjykimet politiko-emotive të gjysmëshekullit të regjimit komunist, si dhe fakti që shumë prej politikanëve të sotëm janë bij të atyre të djeshëm.

Unë jam thellësisht i bindur se kjo gjendje ka për të ndryshuar dhe duke parë parcelizimin e politikës ndër dy palët dhe "armiqësinë" e kundërshtarëve politikë në secilin nga vendet, mbetet që ndryshimin (afrimin) ta sjellin përpara politikanëve njerëzit e thjeshtë që ëndërrojnë prej kohësh çështjen shqiptare si atdhetarë, interesat ekonomike e këmbimet tregtare e lidhjet më të shumta (besoj se do të bëhen) në fushën njerëzore dhe në atë shpirtërore.

Duke konsideruar gjendjen e rajonit, ku sidoqoftë duhet të theksojmë prerazi se in-stabiliteti vjen nga shovinizmat e dhuna e politikës e jo nga atdhetaria, qëndrimin refraktar të Fuqive të Mëdha, si dhe mbizotërimin sot të tendencave globaliste e prirjen për zgjidhje rajonale, të duket se çështja kombëtare shqiptare (që një ditë do të zgjidhet e prej saj rajoni do të ketë vetëm dobi) është ende një çështje e së ardhmes. Në të tilla rrethana, kush e quan veten atdhetar (por jo nga ata që siç thoshte poeti popullor gjirokastrit Lame Senica: "bien theror si arbëror për lakror") duhet të lërë mënjanë dasitë absurde partiako-ideologjike për të qenë vetëm shqiptar, për të mundësuar në kohë përballimin dhe zgjidhjen e aspekteve të ndryshme të këtij problemi të madh për ne. Duhet pra, të dendësohen lidhjet (si kudo në botë) njerëzore, ekonomike, kulturore e shpirtërore, sepse kjo varet vetëm nga ne, shqiptarët. Megjithë ndryshimet e mëdha në dy vitet e fundit, unë vazhdoj të mendoj se përparimi dhe demokratizimi i jetës politike e shoqërore të shqiptarëve është vendimtar për sigurimin e përkrahjes ndërkombëtare nga miqtë dhe minimizimin e kundërshtimeve nga miqtë e të tjerëve në zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Gjatë këtyre viteve të fundit marrëdhëniet e shqiptarëve në të dy anët e kufirit ndarës kanë ardhur duke u lehtësuar në aspektin e rregullave dhe për pasojë janë shtuar ndjeshëm. Megjithatë, vërehet se nuk ka asnjë bashkërendim të veprimeve, por secili ka një rrugë të vetën, ku mungojnë masa për afrimin; së pari, në veprimtaritë njerëzore d.m.th., ato kulturore, në shkëmbimin e informacionit si libra e gazeta, veprimtari të përbashkëta për të njëjtën temë, të themi një përvjetor i një rilindasi që festohet veçmas në Tiranë e Prishtinë, për të mos shtuar këtu dhe Shkupin. Mesa duket, drejtuesit e politikës dhe strukturave, dhe jo vetëm ata (vërejtja vlen së pari për intelektualët), mundohen të tregojnë se ecim në rrugë të veçanta, kur duhet të ndodhë e kundërta.

Kur nuk kemi bashkëpunim e bashkërendim në kulturë, informacion e art, aq më tepër nuk ka si të ndodhë në veprimtaritë politike e ekonomike, të kuptuara këto si veprimtari ndërshtetërore. Dikur, me qeverinë e Kosovës në mërgim, kishte një komision të përbashkët për të lehtësuar marrëdhëniet. Sigurisht që sot jemi në kushte krejt të ndryshme dhe format mund të jenë të tjera, duke filluar që nga kontaktet e drejtpërdrejta e deri në marrëveshjet zyrtare që duhet thënë se nuk po mungojnë. E rëndësishme është që të ketë një vështrim të përbashkët për çështje të interesit dypalësh. Këtu duam të ndalemi për të nënvizuar se në një vështrim më të gjerë dhe më largpamës (hyrja e të dyjave në BE), shumë politika ekonomike kërkojnë bashkërendim dhe për shkak të interesave të përbashkëta të kombit si një tërësi, dhe të komplementaritetit në shumë fusha. Po e ilustrojmë me një shembull: rruga Durrës-Morinë shqyrtohet vetëm nga ne të këtejshmit dhe jo si pjesë e një rruge me rëndësi vitale (krahas asaj të Arbërit) për kombin shqiptar, në aspektin e lidhjeve ekonomike e njerëzore. Një shembull tjetër për të cilin kemi pasur rastin të flasim në tjetër vend është detyrimi dhe e drejta e qeverisë së Shqipërisë për t‘u angazhuar me problemet e sotme të zgjidhjes së statusit të Kosovës (pavarësisë nga Serbia), sigurisht në përputhje me vullnetin e ndërkombëtarëve dhe respektimin e plotë të dokumenteve të tyre, por në përputhje dhe me interesat e gjithë popullit shqiptar. Kjo gjë, së pakut në publik, nuk po ndodh, dhe ne nuk e gjykojmë për mirë. Këtë e themi sepse vërejmë se disa nga pushtetarët bëjnë kinse, respektojnë vullnetin e ndërkombëtarëve për dy shtete shqiptare (gjejnë për këtë dhe paralele!), por në të vërtetë ata kanë vetë një tendencë për fragmentim të kombit nëpërmjet ecjes në rrugë të ndryshme (me himn, flamur dhe gjuhë të dallueshme), prapa së cilës në mos fshihen teza dhe kërkesa të ndokujt tjetër të interesuar për këtë, shohim të kultivuar krahinalizmin që nuk është në asnjë rast atdhetari e shqiptarizëm, por e kundërta (kujtoni këtu Ali Pashanë, Haxhi Qamilin dhe Esad Toptanin për të mësuar fatin historik të këtyre "liderëve"). Këta njerëz, për shkak të mentalitetit dhe interesave, njësojnë krahinën, miqtë dhe ata që u shkojnë pas me kombin. Kjo bëhet për t‘i siguruar vetes, grupeve klanore-nepotike e prapanike pushtet për përfitime të jashtëligjshme, të cilat nuk mund të jenë afatgjate dhe sigurisht që gjykohen për keq (qoftë dhe heshtazi) nga shumica e shqiptarëve, të cilët janë realisht atdhetarë.

Shpresojmë dhe besojmë se më në fund, në këtë vit do të kryhet një hap vendimtar për çështjen shqiptare; mvetësimi i Kosovës-statusi i saj përfundimtar si shtet jashtë Serbisë, çka do t‘i japë një shtysë marrëdhënieve në të dy anët e gardhit ndarës (kufiri i vendosur nga të tjerë), i cili do duhet të jetë formal dhe institucional njëherësh, por jo veçues në çështjet me interes dhe përfitim të përbashkët. Koha pastaj do të bëjë të vetën (populli thotë: me kohë çdo gur zë vendin e vet), gjithnjë në dobi të shqiptarëve.

Së fundi, para së gjithash ne, kudo që ndodhemi, duhet të kuptojmë se kosovarët janë vetëm shqiptarë dhe mbi të gjitha se edhe Kosova është Shqipëri, se problemet tona do të zgjidhen veçse duke qenë pranë njëri-tjetrit, duke ndihmuar e duke i dalë për zot cilitdo prej nesh. Vetëm atëherë, duke u demokratizuar e përparuar, duke punuar (për t‘i dalë përpara çdo situate) për t‘u lidhur me njëri-tjetrin në të gjitha aspektet e sipërpërmendura, si lidhen e bashkëpunojnë kudo në botë të gjitha pjesët e të njëjtit komb (duke mos u ndikuar për këtë nga kolltukofagët që flasin jo vetëm shqip), mund të shpresojmë se shumë shpejt, siç thotë poeti:

"ditë të mira
Paskësaj do të vijnë".



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora