E hene, 18.11.2019, 12:33 PM (GMT)

Komente

Blerim Latifi: Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe holokausti

E hene, 02.02.2009, 03:57 PM


Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe holokausti

Shqiptarët gjithmonë janë mburrur para Europës me bëmat e Skenderbeut. Atyre asnjëherë nuk u ka shkuar në mendje se këtë mund ta bëjnë edhe me bëmat e një princi tjetër mesjetar të tyre- Lekë Dukagjinit. Një faqe izraelite në internet ua përkujton këtë.

Nga Blerim Latifi

Me 27 janar është dita ndërkombëtare e përkujtimit të holokaustit, gjenocidit nazist mbi hebrenjtë. Zgjedhja e kësaj date për të shënuar këtë përkujtim ndërkombëtar është bërë duke u nisur nga fakti se pikërisht me 27 janar të vitit 1945 u çlirua kampi më i tmerrshëm i shfarosjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, kampi i Aushvicit i vendosur në Poloni. Paradoksalisht kampi u çlirua nga ushtria e një shteti po aq brutal sa edhe Gjermania naziste e Hitlerit. Kjo ishte Armata e Kuqe e Stalinit, i cili për dallim nga Hitleri që vriste në emër të luftës së racave, bënte të njëjtën punë të pistë në emër të luftës së klasave. Një punë që kapë miliona viktima.

Këtë vit në një nga faqet izraelite në internet që i kushtohen kujtimit të holokaustit u publikua një shkrim interesant ku flitej për shqiptarët të cilët gjatë holokaustit bënë diçka që në Europën e pushtuar nga nazistët ishte shumë e rrallë. Ata i fshehën dhe nuk i dorëzuan hebrenjtë tek gjermanët. Flitet se rreth 1800 hebrenj në familjet shqiptare gjetën strehë shpëtimi gjatë ikjes nga ferri nazist që shtrihej nga Mesdheu deri tek portat e Moskës së kuqe. Shumica prej tyre vinin nga Greqia dhe Jugosllavia.
Cilat ishin arsyet e kësaj ndodhie?

Autori i shkrimit i gjen ato tek njëri nga institucionet sociale më të rëndësishme të së drejtës zakonore shqiptare të njohur me emrin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Ky institucion është besa, një institucion që qëndron në themel të atij që quhet kod i nderit tek shqiptarët. Besa është mbajtja e pakusht e premtimit të dhënë dikujt. Ajo nuk lidhet vetëm me raportet e drejtësisë kanunore të njohur me emrin gjakmarrje. Ajo rregullon edhe raportin me tjetrin, raportin me të huajin. Ky është raporti që në këtë institucion njihet si kodi i mikpritjes. Nëse i huaji të hyn në derë institucioni i besës të obligon ta mbrosh atë me çdo kusht, edhe në rastet kur i huaji është duke u përndjekur nga dikush tjetër. Obligimi madje shkon edhe më tej : nëse është nevoja duhet që edhe vetë të vritesh e të huajin që të ka ra n’besë, pra që të ka hyrë brenda, nuk duhet ta dorëzosh tek përndjekësi. Rastet e hebrenjëve që iknin nga terrori nazist përputheshin plotësisht me këto dispozita kanunore. Dhe si rezultat ata u morën në besë dhe i shpëtuan shfarosjes. Kështu ata pak hebrenj që ia dolën të depërtonin deri në tokat shqiptare ia panë hajrin një kodi zakonor të cilin gjithmonë shumë kush e ka kritikuar si një kod primitiv, i egër, mesjetar, jocivilizues, i pamoralshëm, e të tjera e të tjera.
Dhe prej nga kanë ardhur këto kritika?

Pikërisht nga ata që kanë folur në emër të ideve moderne dhe iluministe. Ne që jemi rritur me këto ide e kemi trashëguar edhe këtë përfytyrim shumë negativ për kanunin dhe në të njëjtën kohë nuk e kemi hetuar se vetë holokausti është një fenomen modern, i mbështetur dhe justifikuar me disa ide moderne. Ai del, siç thotë sociologu Zigmund Bauman, direkt nga parimet e shoqërisë moderne industriale. Nazistët që i digjnin hebrenjët në furrat e Aushvicit apo Buhenvaldit ishin shumë më modern se shqiptarët që i fshihnin ata prej tyre. Madje sikurse dihet vetë emrin “Buhenvald” nazistët e morën nga lokacioni i një pylli me drunj ahu të cilin 150 vjet para tyre poeti i madh gjerman Gëte në formë romantike e paraqiste si vend i shpirtit gjerman. Dhe kjo është edhe një shembull që na tregon se të jesh modern nuk do të thotë aspak se je më i moralshëm apo më i civilizuar se sa ata që kanë jetuar para shoqërisë moderne duke rregulluar jetën përmes një kodi zakonor si ky i shqiptarëve.
Ka qenë pikërisht Aushvici që e ka rrënuar këtë paragjykim iluminist, të cilin e kemi përtypur nëpër shkolla që nga klasa e parë e deri në fakultet dhe ende sot e përtypin fëmijët tanë.

Sot kultura perëndimore nuk jeton më me këtë paragjykim, i cili fatkeqësisht në Europë, pas Aushvicit, u përgënjeshtrua përsëri në Srebrenicë e gjetiu në territoret e ish Jugosllavisë socialiste. Kësisoj, ne, që sot jetojmë në epokën e internetit, nuk kemi asnjë arsye të mendojmë e të mburremi se moralisht jemi më superiorë se të parët tanë që kanë kaluar jetën të izoluar duke ruajtur tufat e deleve fushave e maleve të humbura. Progresi moral përgjatë brezave njerëzor është një iluzion i vdekur. Aushvici modern që i shfaroste hebrenjtë dhe kanuni mesjetar i Lekë Dukagjinit që i mbronte ata na e dëshmojnë fuqishëm këtë. Në këtë të fundit ekziston edhe një shprehje që na tregon se sa kompleks është raporti ynë me të parët tanë dhe në kontekst të kësaj edhe mundësitë e hapura para nesh për të qenë jo vetëm më të mirë se ata, por edhe më të kqinj se ata. Shprehja thotë: “del i miri prej t’keqit dhe i keqi prej t’mirit”. Humanizmi mund të vijë nga një kod mesjetar, ashtu si barbaria nga një kulturë moderne.

P.s. Ata që janë të interesuar për të parë artikullin izraelit të përmendur në këtë shkrim mund të hyjnë në http://www1.yadvashem.org/about_yad/what_new/gershman/intro_gershman.html
Yad Vashem është autoritet i themeluar nga Knesset ( Parlamenti i Izraelit) në vitin 1953 për të dokumentuar historinë e hebrenjve gjatë holokaustit. Qeveria e Izraelit deri me tani ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës. Yad Vashem mund të shërbejë si përkujtim që sugjeron se nuk duhet vonuar në këtë njohje.



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT