E premte, 26.04.2024, 05:42 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XXXII)

E merkure, 14.01.2009, 07:52 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

XXXII

23 gusht 1959. – Jugosllavi! Hodha sytë kah vendi im e i të parëve të mi, për herën e fundit. Ishte natë akoma e, tokën shqiptare e mbulonte terri i plotë. Shqipnia ime ishte aty, pranë meje e, megjithatë, aq larg nga unë. Pak nga pak, fillova të ndërgjegjsohem për aktin e arratisjes e peshën e tij. E gjithë jeta ime kishte kalue në atë vend që, tashti i sillsha krahët, i shtyme nga nji nevojë ma e madhe, ma e domosdoshme se atdhedashunia. Ishte etja për liri, dhurata ma e shtrenjtë që më ofrohej, e që përcaktonte mendimin e kahin e veprimit tim. Në këtë çast të privilegjuem të jetës, që kisha arrijtë me rrezikun e vdekjes, u binda edhe ma shumë se, atdheu im i vërtetë ishte liria, e se nji Shqipni pa liri, ishte thjesht nji shkreti. Dielli i ditës së re ndriçonte mbi nji vend të huej e të panjohun. U drejtova kah posta jugosllave e kufinit, me nji ndjenjë frike që më dha gjendja ime ilegale. U paraqita si refugjat politik nga Shqipnia. Dorëzova armët. Roja më shoqnoi brenda. Nji oficer me përshëndeti serbisht. Bashkë me nji ushtar shqipfolës të armatosun, më shoqnuen në nji ndërtesë të vogël prej guri, që përdorej si burg i përkohshëm: nji dhomë e vetme, e nji dritore të vogël me hekura të kryqëzuem. Hyna brenda. Nga jashtë, ai mbylli derën me çelës e u largue pa folë. Vetëm në qeli, i lodhun nga udhëtimi, uria, mosfjetja e tronditja psikologjike e rrezikut gjatë udhëtimit, më lëshoi zemra. Sytë u mbushën me lotë. Nuk ishin lotë gëzimi. Larg shtëpisë, larg atdheut! Me zemër të ndrydhun, nuk isha në gjendje me shijue gëzimin e aktit çlirimtar që më hapte horizonte të reja në jetë. Ndijsha njifarë turpi, kur mendojsha se i kisha sjellë kurrizin çdo gjaje që ishte e shtrejtë për mue. Megjithatë po jetojsha çastin ma të ndritshëm të jetës sime. Nji botë e tanë, nji botë e re shtrihej para meje, nji jetë e re premtuese për mue. “I lirë, o vëlla! I lirë, a ndigjove?”, shqiptova pa dashje. “Por ti, ndoshta nuk më kupton, o i mjerë! Sepse nuk e din ende ç’asht liria, o vëlla, që u flijove kaq herë, e që ende nuk fitove...!” Me kalimin e hovit të parë, u afrova pranë dritores pa xhama. Jashtë shihej fusha e gjanë pjellore, e mbjellun me misër e plot pemë. Ishte nji bukuri e rrallë, atë të dielë plot diell. Ndigjoheshin kumbonet e bagëtive në kullotje. Nga poshtë, vijshin zanet e banorëve të katundit të afërm. Të gjithë flitshin shqip, për punët ditore, në arat e tyne. Sa ndryshim me katundin shqiptar, vetëm disa metra përtej, ku bujku pronar e bariu, ishin kthye në punëtorë krahu, skllavë të kooperativës, ndrye me dhunë e kontrollue nga Partia e policia. Nuk mund të qëndrojsha ma gjatë në kambë. U ula në shesh, mbështeta kokën në mur, e rashë ne nji gjumë të thellë.

Kur u zgjova, ishte mbasdreke. Në nji qoshe të dhomës pashë nji copë bukë e nji tas me ujë të pijshëm. Nuk kisha dëshirë me ngranë. Në ato orë të vështira, mendja e zemra ishin drejtue kah Shkodra e banesa familjare, në shtëpinë time, ku nana e motra e vëllau, ishin në pritje të kthimit tim nga katundi. Të nesërmen, duhej të shkojsha në punë. Por pritja e tyne, kësaj radhe do të ishte shumë e gjatë. Kur të ngrysej nata, pritja do të kthehej në ankth e frikë, që do të rriteshin çdo orë që kalonte pa lajme nga unë. Ideja e “të papritunës së madhe” që do t’i trondiste, më vriste shumë. Frika se ata do të dërgoheshin përsëri në kampet e dëbimit të Beratit e Tepelenës, atje ku kishin kalue ma parë, disa nga vjetët ma të vështirë të jetës së tyne, më torturonte e nuk më linte të qetë. Fillova të kujtoj skena familjare të së kaluemes sime, shkollën fillore, vjetët egjimnazit, angazhimet e para në lëvizjen kundër okupatorit, entuziazmin e papërmbajtun, grindjet e përpjekjet e mia me ndryshue gjendjen e vendit...Mandej, më delshin përpara orët, ditët e muejt e pambarim në Sigurimin e Shtetit, torturat e mia e të shokëve, dënimi banal, absurd, i padrejtë, e deri te burgjet e kampet e shfarosjes së punës së detyrueshme. Gjithçka shfaqej si në nji film, nji pelhurë ngjyrash e formash të ndryshme, që merrshin nji kuptim në vetvete. Megjithë shkëputjet e herëmbashershme, vazhdimësia e tyne dukej e plotë. Ishte bota e çmendun ku kisha jetue për dekada me radhë e sidomos, të gjithë vjetët e rinisë sime, “të breznisë së djegun” në zjarrin e luftës e të ngjarjeve të përgjakshme që e ndoqën. Si refugjat politik, duhej të ndihesha i sigurt. Por isha në Jugosllavi, nji tjetër vend komunist, i cili kishte kthye mbrapa qindra antikomunistë që, ashtu si unë, përballuen rrezikun e vdekjes, me u arratisë. Sot, ata fatmjerë, gjindeshin në burgje, përsëri të dënuem me burgime të përjetshme, nëqoftëse jo me pushkatim. Do të më kthejshin mbrapa autoritetet jugosllave, studentin që mbrojti të drejtën e Kosovës për vetëvendosje? Vetëm ideja e nji mundësie të tillë, më bante të dridhem. Fytyrat e lodhuna e të friksueme të shokëve të rinisë e të vuejtjeve të përbashkëta, parakalojshin si në imazhe haluçinacioni, njena mbas tjetrës, mandej të gjitha së bashku, të ndryshme, por me nji veçori të përbashkët. Ata kishin shprehjen e hutimit, e të dëshirës me pyetë: “Ç’ka ndodhë me ne? Cila do të jetë e ardhmja jonë?” Pyetjeve të tyne nuk u gjejsha përgjegje, veçse shpresojsha..., armë e dobët, në ballafaqim me elementë kriminelë, të verbuem nga magjia e pushtetit të pakontrolluem. Më dukej sikur çdo dalje ishte mbyllë, çdo akt kishte humbë kuptimin, e mendimi nuk vlente ma. Më dukej sikur Shqipnia ishte zhytë në humnerën e nji nate të errët, natë tri herë mizore dhe e pafund. E megjithatë, në brendinë time, isha i bindun që pyetjes, “a dëshiron me jetue përsëri në atë vend?” do t’i kthejsha përgjigjen: “Po!”. Sepse në atë vend kisha pa unë dritën e kalue gjithë jetën. Sepse atje kisha dëshmue praninë e njeriut që shtypej nga nji fat i verbët e që vuente me dinjitet, sepse në atë vend, shtypja e vuejtja e perbashkët, stoike, më vllaznoi me të tjerët, sepse në atë vend ushqeva idealin tim, që më frymëzoi e ngjalli shpresën e domosdoshme me jetue nji ditë si qenie njerëzore, me besë, nder e burrni, e ishte ai vend që ideali e shpresa ime, e quejshin Atdhe..!

Ndigjova hapa ushtarakë që afroheshin. U hap dera! Nji oficer e dy ushtarakë jugosllavë, të armatosun, hynë brenda.
- Govorish srpskij? – pyeti oficeri në gjuhën e vet.
- Jo, - thashë në gjuhën time.
- Pa ruskij? – vazhdoi ai.
- Jo, - përsërita unë.
I prekun në sedër, ju drejtova:
- Parlez-vous francais?
- Ne!
- Parla italiano?
- Ne!
- Do you speak English?
- Ne!
Qartazi, ishim pjestarë të dy botëve të ndryshme. I zemruem, oficeri jugosllav urdhnoi të ngrihem.
-Idemo! – tha me nji ton të randë.
-Eja me ne! – përktheu ushtaraku jugosllav me pushkë...!
Gjatë rrugës, më shtrëngoi nji ndjenjë trishtimi. U detyrova me u largue nga atdheu im i të parëve të mi, nga vendi që deshta aq sa jetën time. E do të bajsha të pamundurën, i premtova vetes, të kthehem përsëri, në mos fizikisht, të paktën në mendjet e atyne që jetojnë atje e uroj edhe në zemrat e tyne. Në vetminë e përvojës jugosllave, kjo lidhje e pazgjidhshme me bashkatdhetarët e mi, më ngjalli shpresën e kthimit në atdheun e lirë, nji ditë që urojsha të mos ishte e largët...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora